Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarë në Semarang, Javë (rreth vitit 1937)

INDONEZIA

Këtu dua të filloj!

Këtu dua të filloj!

Aleksandër Megilevrei, shërbëtori i degës së Australisë, ecte sa para-prapa në zyrën e tij i zhytur në mendime. Për disa ditë kishte vrarë mendjen si të zgjidhte një problem dhe më në fund gjeti një zgjidhje. Tani duhej të fliste me Frenk Rajsin.

Frenku, një 28-vjeçar që ishte përhapës (pionier) i patundur, kishte ardhur në zyrën e degës pak javë më parë. Ai e kishte mësuar të vërtetën në adoleshencë dhe shumë shpejt kishte filluar si përhapës. Mbi dhjetë vjet predikoi në shumë pjesë të Australisë duke udhëtuar me kalë, biçikletë, motoçikletë dhe makinë-rulotë. Pasi kishte qëndruar pak kohë në Bethel, Frenku ishte gati t’i futej caktimit të ri të predikimit.

Vëlla Megilevrei e thirri Frenkun në zyrë dhe i tregoi hartën e ishujve në veri të Australisë. Pastaj e pyeti: «Frenk, si mendon sikur të nisësh veprën e predikimit këtu? Në gjithë këta ishuj nuk ka asnjë vëlla.»

Frenkut i ra në sy një rrip ishujsh që shndritnin si margaritarë në Oqeanin Indian—Inditë Lindore Holandeze (tani Indonezia). Në ata ishuj jetonin miliona njerëz, të cilët nuk e kishin dëgjuar ende lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Frenku vuri gishtin te kryeqyteti, Batavia (tani Xhakarta), dhe tha: «Këtu dua të filloj!»

Predikimi në Javë

Në vitin 1931 Frenk Rajsi mbërriti në Xhakartë, një qytet i madh e plot jetë në ishullin e Javës. Mori me qira një dhomë pranë qendrës së qytetit dhe e mbushi plot kuti me botime biblike, diçka që e la gojëhapur pronaren.

Frenk Rajsi dhe Klem Deshampi në Xhakartë

Frenku kujtonte: «Në fillim ndihesha si i humbur e më digjte malli për shtëpinë. Njerëzit shëtitnin me kostume të bardha pambuku e me kapele të lehta, kurse unë plasja vape nga rrobat e trasha australiane. Nuk flisja gjysmë llafi holandisht apo indonezisht. Pasi iu luta Jehovait për drejtim, mendova se në zonën e zyrave të biznesit duhej të kishte njerëz që flitnin anglisht. Pikërisht atje fillova të predikoja, dhe predikimi në atë zonë ishte shumë frytdhënës.»

Meqë shumica e banorëve të Xhakartës flitnin holandisht, Frenku studioi shumë që të mësonte gjërat bazë të gjuhës dhe shpejt filloi predikimin shtëpi më shtëpi. I hyri edhe gjuhës indoneziane e pak nga pak e mësoi edhe atë. Ai thoshte: «Problemi ishte se nuk kisha asnjë botim në indonezisht. Pastaj, Jehovai më drejtoi te një mësues i gjuhës indoneziane që tregoi interes për të vërtetën dhe pranoi të përkthente broshurën Ku janë të vdekurit? Përktheu edhe broshura të tjera dhe, pa kaluar shumë, mjaft nga ata që flitnin indonezisht, nisën të tregonin interes për të vërtetën.»

Në nëntor të vitit 1931 në Xhakartë erdhën edhe dy pionierë të tjerë nga Australia, Klem Deshampi, 25 vjeç, dhe Bill Hanteri, 19 vjeç. Ata kishin marrë me vete një shtëpi pionieri të lëvizshme, një makinë-shtëpi ose rulotë, ndër të parat që hynë në Indonezi. Pasi mësuan ca shprehje në holandisht, u nisën në një udhëtim predikimi në qytetet më të rëndësishme të Javës.

Çarls Harrisi predikon me biçikletë dhe me makinë-shtëpi

Të njëjtën rrugë si Klemi e Billi mori edhe Çarls Harrisi, një tjetër pionier i patundur australian. Që nga viti 1935 ai predikoi në pjesën më të madhe të Javës me makinën-shtëpi e me biçikletë, dhe shpërndau botime në pesë gjuhë: anglisht, arabisht, holandisht, indonezisht e kinezisht. Ndonjëherë shpërndante rreth 17.000 botime në vit.

Sasia e botimeve që shpërndau Çarlsi u ra në sy mjaft njerëzve. Një zyrtar në Xhakartë pyeti Klem Deshampin: «Ore, sa veta keni në Javën Lindore?»

«Vetëm një»,—ia ktheu vëlla Deshampi.

«Dhe ti pret që unë ta besoj këtë?—i bërtiti zyrtari.—Me gjithë ato botime që shpërndahen gjithandej, duhet të keni një ushtri!»

Pionierët e hershëm ishin gjithë kohën në udhëtim që të flitnin me sa më shumë njerëz. Bill Hanteri tha: «Predikuam nga njëri skaj i ishullit në tjetrin dhe rrallë flitnim dy herë me të njëjtin person.» Përgjatë rrugës i mbollën me bollëk farat e vërtetës, që më vonë sollën të korra të begata.Ekl. 11:6; 1 Kor. 3:6.

Sumatra dëgjon lajmin e mirë

Rreth vitit 1936 pionierët në Javë diskutuan si të zgjeronin veprën në Sumatër, në ishullin e gjashtë më të madh në botë. Ky ishull malor shtrihet përgjatë ekuatorit dhe ka qytete e plantacione të mëdha, si edhe moçale e pyje shiu të paana.

Pionierët ranë dakord të dërgonin Frenk Rajsin, ndaj mblodhën ato pak pará që kishin, që t’i paguanin udhëtimin. Shpejt Frenku mbërriti në Medan, Sumatra e Veriut, me dy çantat e tij të predikimit, 40 kutitë me botime dhe pak pará në xhep. Frenku kishte besim të fortë. Filloi menjëherë predikimin, i bindur se Jehovai do t’i siguronte gjërat e nevojshme për të kryer caktimin.Mat. 6:33.

Gjatë javës së fundit të predikimit në Medan, Frenku takoi një holandez miqësor që e ftoi brenda për kafe. Frenku i tha se i duhej një makinë për të predikuar lajmin e mirë në mbarë ishullin. Burri bëri me gisht te një makinë e prishur në oborr dhe i tha: «Nëse e rregullon, mund ta marrësh për 100 gulden.»

«Nuk kam 100 gulden»,—ia ktheu Frenku.

Ai e pa ngultas dhe e pyeti: «Vërtet do që të predikosh në gjithë Sumatrën?»

«Po»,—ia priti Frenku.

«Mirë atëherë, po e rregullove, merre,—i tha holandezi.—Paratë m’i jep kur t’i kesh.»

Frenku iu përvesh punës dhe shpejt e ktheu makinën në gjendje pune. Më vonë shkroi: «Me një makinë plot botime, me serbatorin plot benzinë dhe me zemrën plot besim, mora rrugën që t’u predikoja banorëve të Sumatrës.»

Henri Kokmeni me Zhanë dhe Klem Deshampin në Sumatër, 1940

Një vit më vonë, pasi kishte predikuar tejendanë ishullit, Frenku u kthye në Xhakartë. Atje shiti makinën për 100 gulden dhe paratë ia dërgoi me postë holandezit në Medan.

Disa javë më vonë Frenku mori një letër nga Australia për të shkuar si pionier në një caktim të ri. Menjëherë bëri gati valixhet dhe u nis të fillonte veprën në Indokinë (tani Kamboxhia, Laosi dhe Vietnami).

Holandezët kishin vajtur atje rreth 300 vjet më parë dhe kishin themeluar perandorinë koloniale që mbështetej te tregtia fitimprurëse e erëzave. Në këtë libër do të përdorim emra gjeografikë të kohëve tona.

Sot të barasvlershëm me rreth 1.100 dollarë (amerikanë).