Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Duke dhënë dëshmi në një treg në Xhakartë

INDONEZIA

Vepra merr hov

Vepra merr hov

Kur krerët e kishave të krishterimit morën vesh se Dëshmitarëve të Jehovait u ishte dhënë liria e adhurimit, plasën nga marazi. Më shumë se 700 klerikë dhe fetarë të tjerë me autoritet nga shtatë kisha protestante mbajtën një seminar në Xhakartë për ta nxitur qeverinë të rivendoste ndalimin. Por, qeveria nuk luajti nga e saja.

Teksa lajmi për heqjen e ndalimit përhapej në mbarë vendin, shumë të interesuar i shkruan zyrës së degës për të kërkuar botime ose studim biblik. Në vitin 2003 në Përkujtim morën pjesë mbi 42.000 veta, më shumë se dyfishi i lajmëtarëve në vend. Në një kongres në Xhakartë ishin afro 10.000 veta, mes të cilëve edhe një zyrtar i lartë nga Ministria e Çështjeve Fetare. Ai u mahnit tek shihte të rinj e të moshuar të kërkonin shkrimet në Biblat e tyre. I siguroi vëllezërit se ishte i vendosur t’i përgënjeshtronte ato që thuheshin për Dëshmitarët e Jehovait.

Heqja e ndalimit u hapi sërish dyert misionarëve që të ktheheshin në Indonezi. Misionarët e parë që u kthyen ishin Jozef dhe Heravati Nojharti * (nga ishujt Solomon), Esa dhe Vilhelmina Tarhoneni (nga Tajvani), Reiner dhe Filomena Tajkmeni (nga Tajvani), si edhe Bill e Nina Perri (nga Japonia). Pas tyre erdhën misionarë të tjerë nga Galaadi që u caktuan në Sumatrën e Veriut, në Kalimantan, në Celebesin e Veriut dhe në zona të tjera të largëta.

«Më pëlqente shumë t’i ndihmoja studentët të përmirësonin mësimdhënien dhe oratorinë.»—Julian Benigu

Në vitin 2005 zyra e degës mori masa që të zhvilloheshin dy shkolla të reja teokratike. Një nga instruktorët e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim (tani quhet Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë), Julian Benigu, tha: «Më pëlqente shumë t’i ndihmoja studentët të përmirësonin mësimdhënien dhe oratorinë, si edhe të bëheshin më të dobishëm për organizatën.» Mjaft nga të diplomuarit e kësaj shkolle tani shërbejnë si pionierë specialë ose mbikëqyrës qarkorë. Pjesa më e madhe e vëllezërve që ndoqën klasën e parë të Shkollës për Mbikëqyrësit Udhëtues * kishin marrë stërvitje më parë kur vepra ishte nën ndalim. Shkolla e re i ndihmoi të kryenin caktimet pas ndalimit. Ponço Praçojo, që ndoqi klasën e parë, u shpreh: «Shkolla më bëri më të dhembshur e më të përgjegjshëm për të plotësuar caktimin si mbikëqyrës qarkor. Ishte freskuese dhe motivuese!»

Plotësohet një nevojë urgjente

Gjatë ndalimit 25-vjeçar, shumica e kongregacioneve në Indonezi mblidheshin për të adhuruar në shtëpi private të vogla. Pak kongregacione kishin mjaft të ardhura për të ndërtuar një Sallë Mbretërie, dhe ishte thuajse e pamundur të merrje leje ndërtimi për vende të reja adhurimi. Meqë shumë kongregacione po shpërthenin nga numri i madh, zyra e degës formoi një Zyrë për Ndërtimin e Sallave të Mbretërisë (tani quhet Reparti Vendës i Projektim-Ndërtimit) për të plotësuar këtë nevojë urgjente.

Një nga zonat e para që përfitoi nga programi i ri i ndërtimit ishte ishulli i Niasit në Sumatrën e Veriut. Hagoro Geja, pjesëtar prej shumë kohësh i kongregacionit të Gunungsitolit, thotë: «Kur morëm vesh se do të kishim një Sallë Mbretërie të re, fluturuam nga gëzimi. Zyra e degës dërgoi shtatë vullnetarë ndërtimi për të mbikëqyrur projektin. Salla mbaroi në vitin 2001.» Fanasoki Lauli, anëtar i komitetit vendës të ndërtimit, tregon: «Më parë mblidheshim në shtëpi private të vogla dhe banorët e tjerë na shihnin me përçmim ne Dëshmitarët e Jehovait. Por, me të mbaruar Sallën e Mbretërisë, pjesëmarrja mesatare në mbledhje u dyfishua menjëherë nga 20 në 40 veta. Brenda 12 muajsh, ajo u rrit mbi 500 për qind. Vendi ynë i adhurimit është më fantastiku në gjithë zonën, dhe banorët i respektojnë Dëshmitarët e Jehovait.»

Sallë Mbretërie në Bandung

Në vitin 2006, në Bandung të Javës Perëndimore, vëllezërit filluan të kërkonin truall që të ndërtonin Sallën e parë të Mbretërisë në këtë qytet. Singep Panxheitani, një plak që shërbeu në komitetin e ndërtimit, thotë: «U deshën 12 muaj për të gjetur një truall të përshtatshëm. Por, para se autoritetet të na jepnin lejen e ndërtimit, duhej të merrnim miratimin e të paktën 60 fqinjëve që s’ishin Dëshmitarë. 76 fqinjë ranë dakord me projektin, madje edhe një grua me pozitë që më parë ishte kundër nesh. Kur salla përfundoi, ftuam fqinjët dhe kryetarin e bashkisë së Bandungut në një pritje të hapur për publikun. Kryetari i bashkisë tha: ‘Ky vend adhurimi i pastër e i rregullt vendos një standard për të gjitha kishat e tjera.’» Salla e Mbretërisë me dy kate u kushtua në vitin 2010.

Që nga viti 2001 në Indonezi janë ndërtuar mbi 100 Salla Mbretërie dhe nevojiten shumë të tjera.

^ par. 3 Jetëshkrimi i Heravati Nojhartit doli në revistën Zgjohuni! shkurtit 2011.

^ par. 1 Tani quhet Shkolla për Mbikëqyrësit Qarkorë dhe Gratë e tyre.