INDONEZIA
Shpallin me krenari emrin e Jehovait
Gjatë viteve të shumta nën ndalim, vëllezërit në Indonezi e ndoqën me mençuri këshillën e Jezuit ‘për të qenë të kujdesshëm si gjarpërinjtë, e megjithatë të pafaj si pëllumbat’. (Mat. 10:16) Por, kur u hoq ndalimi, shumë veta duhej të mësonin të predikonin «me guxim».
Për shembull, disa vëllezër ngurronin të predikonin shtëpi më shtëpi dhe përqendroheshin te rivizitat e studimet biblike. Të tjerë ngurronin t’u flitnin myslimanëve. Shumë prezantoheshin si të krishterë dhe jo si Dëshmitarë të Jehovait, dhe përdornin Bibla të përkthyera nga krishterimi i rremë në vend të Përkthimit Bota e Re në indonezisht. * Disa ngurronin t’i shpërndanin haptas botimet biblike.
Disa prej këtyre zakoneve ishin bartur që nga koha e ndalimit. Të tjera vinin nga kultura vendëse: më mirë të bëjnë kompromis se të përballen me problemin; më mirë ta dredhin muhabetin se të dalin hapur. Si mund të ndryshohej mentaliteti i vëllezërve?
Jehovai u përgjigj me anë të këshillave të dashura nga vëllezër me besim të fortë. (Efes. 4:11, 12) Për shembull, në vitin 2010 Stivën Leti, anëtar i Trupit Udhëheqës që kishte ardhur për vizitë, i inkurajoi ngrohtësisht vëllezërit që të lëvdonin emrin e Perëndisë duke e përdorur lirisht në shërbim Përkthimin Bota e Re. Misionari Misha Birensi thotë: «Fjalimi i vëlla Letit ndikoi thellësisht te shumë lajmëtarë. Ata e kuptuan se duhej të dalloheshin si Dëshmitarë të Jehovait e ta mbronin me krenari Fjalën e Perëndisë.»
Meqë myslimanët e Indonezisë shpesh i ngatërrojnë Dëshmitarët e Jehovait me besimtarët e krishterimit, Shërbimi ynë i Mbretërisë në indonezisht dha këtë drejtim të dobishëm: «Shpeshherë metoda më e mirë është të prezantohesh si Dëshmitar i Jehovait që në fillim të bisedës. . . . E përfaqësojmë me krenari Jehovain dhe duam të shpallim emrin e qëllimin e tij në territorin që na është caktuar.» Shinsuki Kauamoto, që shërben në zyrën e degës në Indonezi, tregon: «Kjo metodë e drejtpërdrejtë, por me takt, sjell rezultate të mira. Shumë myslimanë janë kureshtarë për Dëshmitarët e Jehovait. Duan të dinë çfarë na dallon nga të tjerët. Falë kureshtjes së tyre, mund t’u japim një dëshmi të mirë.»
Gjithashtu, lajmëtarët morën nxitjen që të shpërndanin më shumë revista Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Lotar Mihanku, koordinatori i Komitetit të Degës, shpjegon: «Njerëzit duhet të lexojnë revistat tona që të na njohin. Revistat zbutin ‘tokën’ (zemrën) dhe i nxitin të reagojnë më mirë ndaj së vërtetës. Kur i shpërndajmë gjithandej, u japim mundësi më shumë vetave të mësojnë për Jehovain.»
Dëshmia publike sjell rezultat
Në vitin 2013 dega e Indonezisë njoftoi dy iniciativa të reja predikimi të miratuara nga Trupi Udhëheqës: dëshminë publike speciale në metropol dhe dëshminë publike në territorin e kongregacionit. Këto masa emocionuese po u japin mundësi edhe më shumë vetave në Indonezi që të dëgjojnë lajmin e mirë.
E para nga tryezat për dëshminë publike speciale në metropol u vendos në një qendër të madhe tregtare me pajisje elektronike në Xhakartën Perëndimore. Më pas
kongregacionet filluan të vendosnin stenda dhe tryeza në territoret përkatëse. Brenda një viti po përdoreshin më shumë se 400 tryeza dhe stenda në qytetet anembanë Indonezisë. Po çfarë rezultatesh janë arritur?Jusak Uniplejta, një plak në Xhakartë, raporton: «Para se të fillonim dëshminë publike, kongregacioni ynë porosiste 1.200 revista në muaj. Gjashtë muaj më vonë, porositnim 6.000 revista në muaj. Kurse tani porositim 8.000 revista në muaj. Shpërndajmë edhe shumë libra e broshura.» Në Medan, Sumatra e Veriut, një grup i vogël me pionierë filluan dëshminë me stenda në tri zona. Muajin e parë dhanë 115 libra dhe rreth 1.800 revista. Dy muaj më vonë, rreth 60 pionierë në shtatë zona shpërndanë mbi 1.200 libra dhe 12.400 revista. Misionari Xhesi Klark thotë: «Këto metoda të reja predikimi janë mjaft tërheqëse për vëllezërit dhe po zbulojnë potencialin e të interesuarve indonezianë për të vërtetën. Dëshmia publike ka hedhur rrënjë këtu.»
Përdorin gjuhën e zemrës
Indonezia ndodhet në qendër të një prej rajoneve me më shumë gjuhë në botë. * Ndonëse shumë veta flasin indonezisht, gjuhën e përbashkët, mjaft flasin edhe një gjuhë etnike të zonës së tyre: gjuhën e zemrës.
Në vitin 2012 zyra e degës vendosi të përcaktonte nevojat e kësaj fushe të larmishme gjuhësore. Tom Van Limputeni thotë: «Filluam të përkthenim botime në 12 gjuhë që fliten nga 120 milionë veta. Kur përkthyesit e gjuhës javaneze panë mostrën e fletushkës në atë gjuhë, qanë nga gëzimi. Më në fund kishin botime biblike në gjuhën e tyre.»
Megjithatë, shumica e kongregacioneve vazhduan t’i mbanin mbledhjet në gjuhën indoneziane, edhe në zona ku pjesa më e madhe flitnin gjuhë indigjene. Lotar Mihanku sjell ndër mend: «Në vitin 2013 bashkë me gruan, Karmenin, ndoqëm asamblenë dyditore në ishullin e Niasit, në Sumatrën e Veriut. Shumica e 400 të pranishmëve flitnin gjuhën niase, kurse të gjitha fjalimet mbaheshin në indonezisht. Pasi u morëm vesh me oratorët, i thamë auditorit se programi i ditës tjetër do të mbahej në gjuhën niase. Të nesërmen u dyndën mbi 600 veta në auditor.» Karmeni shton: «Dukej qartë se auditori i kushtoi më tepër vëmendje programit atë ditë në gjuhën niase, sesa ditën e parë kur fjalimet ishin në indonezisht. U kënaqën që e dëgjuan dhe e kuptuan plotësisht mesazhin biblik në gjuhën e tyre.»
Edhe indonezianët që nuk dëgjojnë, tani mund «ta dëgjojnë» të vërtetën në gjuhën e tyre. Që nga viti 2010 skuadra e përkthimit e gjuhës indoneziane të shenjave ka përkthyer shtatë broshura e tetë fletushka. Për më tepër, zyra e degës ka organizuar 24 klasa në gjuhën e shenjave ku janë stërvitur mbi 750 interpretues. Sot në Indonezi ka 23 kongregacione dhe grupe në gjuhën e shenjave që po ndihmojnë rreth tre milionë veta që nuk dëgjojnë, të mësojnë për Jehovain e të marrin zemër.
Aktualisht, Reparti i Përkthimit ka 37 skuadra përkthimi. Ka 117 përkthyes dhe 50 që i ndihmojnë me gjëra praktike, të cilët punojnë në 19 vende anekënd Indonezisë.
^ par. 2 Botimi i plotë Përkthimi Bota e Re në indonezisht doli në vitin 1999. Përkthyesit derdhën shumë mund për shtatë vjet gjatë ndalimit që të përfundonin projektin. Disa vjet më vonë dolën në indonezisht enciklopedia biblike me dy vëllime Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet dhe Biblioteka Watchtower në CD-ROM, një punë e jashtëzakonshme përkthimi!
^ par. 2 Në Indonezi fliten 707 gjuhë, ndërsa në vendin fqinj në lindje, në Papua Guinenë e Re, fliten 838 gjuhë.