KAPITULLI 21
A duhet të mburremi për ndonjë gjë?
ÇFARË do të thotë të mburresh? Si thua? . . . Të bëjmë një shembull. A ke provuar ndonjëherë të bësh diçka që nuk di ta bësh edhe aq mirë? Ndoshta ke gjuajtur një top futbolli ose ke kërcyer me litar. A tha ndonjëri: «Ha, ha, ha, unë di ta bëj më mirë se ty!» . . . Ja, ky njeri po mburrej.
Si ndihesh kur të tjerët sillen kështu? A të pëlqen? . . . Atëherë, si mendon se ndihen të tjerët, nëse ti mburr veten? . . . A është gjë e mirë t’i thuash dikujt: «Unë jam më i mirë se ty.» . . . A i pëlqejnë Jehovait njerëzit që veprojnë kështu? . . .
Mësuesi i Madh njihte disa njerëz që mendonin se ishin më të mirë se të tjerët. Ata mburreshin ose mbaheshin me të madh dhe shikonin me përbuzje këdo tjetër. Prandaj, një ditë Jezui u tregoi një histori për t’u vënë në dukje sa e gabuar ishte të mburrnin veten e tyre. Le ta dëgjojmë.
Tregimi flet për një farise dhe një taksambledhës. Farisenjtë ishin mësues fetarë, të cilët shpesh silleshin sikur të ishin më të drejtë ose më të shenjtë se të tjerët. Fariseu në historinë që po tregonte Jezui shkoi në tempullin e Perëndisë në Jerusalem për t’u lutur.
Jezui tha se edhe një taksambledhës shkoi në tempull për t’u lutur. Shumica e njerëzve nuk i pëlqente taksambledhësit. Mendonin se ata përpiqeshin t’i mashtronin njerëzit. Në të vërtetë, shumë taksambledhës nuk ishin gjithnjë të ndershëm.
Në tempull, fariseu filloi t’i lutej kështu Perëndisë: ‘O Perëndi, të falënderoj që nuk jam mëkatar si të tjerët. Nuk i mashtroj njerëzit dhe nuk bëj gjëra të tjera të këqija. Nuk jam si ai taksambledhësi atje. Jam një njeri i drejtë. Rri pa ngrënë dy herë në javë që të kem më shumë kohë për të menduar për ty. I jap tempullit të dhjetën e të gjitha gjërave që marr.’ Fariseu mendonte me të vërtetë se ishte më i mirë se të tjerët, apo jo? . . . Madje ia tha edhe Perëndisë këtë.
Kurse taksambledhësi nuk ishte i tillë. Ai as nuk i ngrinte sytë nga qielli kur lutej. Qëndronte në njëfarë largësie me kokën të ulur poshtë. Taksambledhësit i vinte shumë keq për mëkatet e tij dhe godiste kraharorin me pikëllim. Ai nuk u përpoq t’i thoshte Perëndisë se sa njeri i mirë ishte. Jo, por u lut: ‘O Perëndi, ji i mirë me mua mëkatarin.’
Cilin nga këta dy njerëz mendon se pëlqeu Perëndia? Pëlqeu fariseun, atë që mendonte se ishte njeri shumë i mirë? Apo pëlqeu taksambledhësin, atë që i vinte keq për mëkatet e tij? . . .
Jezui tha se Perëndia pëlqeu taksambledhësin. Përse? Jezui shpjegoi: ‘Sepse kushdo që përpiqet të duket më i mirë se të tjerët do të përulet. Por ai që e përul veten do të lartësohet.’
Çfarë po u mësonte Jezui njerëzve me këtë histori? . . . Ai po u mësonte se
është e gabuar të mendojmë që jemi më të mirë se të tjerët. Ndoshta nuk e themi që mendojmë kështu, por me mënyrën si sillemi mund të tregojmë se mendojmë tamam kështu. A je sjellë ndonjëherë në këtë mënyrë? . . . Mendo pak për apostullin Pjetër.Kur Jezui u tha apostujve se të gjithë do ta braktisnin pasi të arrestohej, Pjetri u mburr: ‘Edhe sikur të gjithë të tjerët të të braktisin, unë nuk do të të braktis kurrë!’ Por Pjetri e kishte gabim. Ishte tepër i sigurt në vetvete. Në të vërtetë ai e braktisi Jezuin. Megjithatë, u kthye prapë, siç do ta mësojmë në kapitullin e 30-të të këtij libri.
Të marrim një shembull nga ditët tona. Ndoshta je në orën e mësimit dhe mësuesja po të bën disa pyetje ty dhe një shokut të klasës. Ç’do të bëje sikur t’i gjeje menjëherë përgjigjet, kurse nxënësi tjetër të mos përgjigjej dot? Sigurisht, të vjen mirë kur i di përgjigjet. Por, a do të ishte e drejtë ta krahasoje veten me atë që nuk i jep dot shpejt përgjigjet? . . . A është mirë të përpiqesh të ngresh veten lart duke ulur të tjerët? . . .
Kështu veproi fariseu. Ai u mburr që ishte më i mirë se taksambledhësi. Por Mësuesi i Madh tha se fariseu e kishte gabim. Është e vërtetë që një njeri mund ta bëjë diçka më mirë se dikush tjetër. Por kjo nuk do të thotë se ai është vërtet më i mirë se të tjerët.
Prandaj nëse dimë më shumë se dikush tjetër, a është kjo një arsye e vlefshme për t’u mburrur? . . . Mendo pak për këtë. A e bëmë ne vetë trurin tonë? . . . Jo, të gjithëve na e ka dhënë Perëndia trurin. Përveç kësaj, shumicën e gjërave që dimë i kemi mësuar nga dikush tjetër. Ndoshta disa gjëra i kemi lexuar në një libër ose na i ka treguar dikush. Edhe sikur ta kemi gjetur vetë përgjigjen për një gjë, si e kemi arritur këtë? . . . Po, duke përdorur trurin që na dha Perëndia.
Kur e sheh që dikush përpiqet shumë për ta bërë një gjë, është bukur t’i thuash diçka që e bën të ndihet mirë. Thuaji që të pëlqen ajo që ka bërë. Ndoshta mund edhe ta ndihmosh që ta bëjë më mirë. Edhe ti kështu do të doje që të silleshin të tjerët me ty, apo jo? . . .
Disa njerëz janë më të fortë se të tjerët. Po sikur ti të jesh më i fortë se vëllai yt ose se motra jote? A është kjo arsye që të mburresh? . . . Jo, nuk është. Ne bëhemi të fortë sepse na ndihmon ushqimi që hamë. Dhe e dimë që Perëndia jep dritën e diellit, shiun dhe gjithçka tjetër të nevojshme që të rriten bimët dhe të kemi ushqim, apo jo? . . . Prandaj, në qoftë se jemi të fortë, duhet të falënderojmë Perëndinë për këtë.
Asnjërit nga ne nuk i pëlqen të dëgjojë dikë që mburr veten, a s’është kështu? . . . Le të kujtojmë fjalët e Jezuit: ‘Ashtu si dëshironi të sillen njerëzit me ju, po ashtu silluni dhe ju me ta.’ Nëse sillemi kështu, nuk do të jemi asnjëherë si fariseu që mburri veten e tij, në historinë që tregoi Mësuesi i Madh.
Marku 10:18) Edhe pse ishte i përsosur, Mësuesi i Madh nuk e mburri veten. Në të kundërt, ai ia dha gjithë lavdinë Atit të tij, Jehovait.
Një herë, dikush e quajti të mirë Jezuin. A tha Mësuesi i Madh: ‘Po, unë jam i mirë.’ . . . Jo, nuk tha. Ai tha: «Askush nuk është i mirë përveç njërit, Perëndisë.» (Pra, a mund të mburremi për ndonjë person? . . . Po. Mund të mburremi për Krijuesin tonë, Perëndinë Jehova. Kur shohim ndonjë perëndim dielli të bukur ose ndonjë mrekulli tjetër të krijimit, mund t’i themi dikujt: ‘Këtë e ka bërë Perëndia ynë i mrekullueshëm, Jehovai!’ Le të jemi gjithnjë gati për të folur për gjërat madhështore që Jehovai ka bërë dhe që do të bëjë në të ardhmen.
Lexo se çfarë thonë Shkrimet për mburrjen dhe mëso se çfarë duhet të bëjmë që të mos mburrim veten: Proverbat 16: