Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 12

Jezui na mëson si të lutemi

Jezui na mëson si të lutemi

A FLET me Perëndinë Jehova? . . . Ai dëshiron që ti të flasësh me të. Kur flet me Perëndinë, kjo quhet lutje. Jezui fliste shpesh me Atin e tij që ishte në qiell. Nganjëherë donte të ishte vetëm kur fliste me Perëndinë. Bibla thotë se një herë «ai u ngjit vetëm në mal, për t’u lutur. Edhe pse u bë vonë, ai ishte atje vetëm».Mateu 14:23.

Ku mund të shkosh për të qenë vetëm kur i lutesh Jehovait? . . . Ndoshta mund të jesh vetëm e të flasësh me Jehovain në darkë, para se të shtrihesh për të fjetur. Jezui tha: «Kur lutesh, shko në dhomën tënde të veçuar dhe pasi të kesh mbyllur derën, lutju Atit tënd.» (Mateu 6:6) A i lutesh Jehovait çdo natë para se të shkosh të flesh? . . . Duhet ta bësh këtë.

Jezui u lut kur ishte vetëm . . . dhe kur ishte me të tjerët

Jezui lutej edhe kur ishte bashkë me njerëz të tjerë. Kur vdiq shoku i tij, Lazari, Jezui u lut bashkë me të tjerët në vendin ku e kishin vënë Lazarin. (Gjoni 11:41, 42) Jezui lutej edhe kur kishte mbledhje me dishepujt e tij. A shkon ti në mbledhje, ku bëhen edhe lutje? . . . Atje zakonisht lutet një person i rritur. Dëgjoje me kujdes atë që thotë ai, sepse po i flet Perëndisë për ty. Atëherë do të mund të thuash «Amin» në fund të lutjes. A e di, ç’do të thotë fjala «Amin» në fund të lutjes? . . . Do të thotë që të pëlqeu lutja. Do të thotë që ti e pranon atë dhe dëshiron që të jetë edhe lutja jote.

Pse duhet t’i dëgjosh me kujdes lutjet që bëhen në mbledhje?

Jezui lutej edhe para se të hante. E falënderonte Jehovain për ushqimin. A lutesh ti gjithnjë para se të hash? . . . Është mirë që ta falënderojmë Jehovain për ushqimin para se të fillojmë të hamë. Kur ha bashkë me të tjerët, ndoshta lutjen e bën dikush tjetër. Po në rastin kur ha vetëm? Ose kur ha bashkë me njerëz që nuk e falënderojnë Jehovain? . . . Atëherë ti duhet ta bësh vetë lutjen.

A duhet të lutesh gjithnjë me zë? Apo Jehovai mund të të dëgjojë edhe po ta thuash pa zë lutjen? . . . Përgjigjen mund ta mësojmë nga ajo që i ndodhi Nehemisë. Ky ishte një adhurues i Jehovait dhe punonte në pallatin e mbretit Artakserks të Persisë. Një ditë Nehemia u trishtua shumë. Ai kishte dëgjuar që muret e Jerusalemit, qytetit kryesor të vendit të tij, ishin të rrëzuara.

Kur mund të bësh lutje pa zë siç bëri Nehemia?

Kur mbreti e pyeti Neheminë pse ishte i trishtuar, në fillim Nehemia bëri një lutje pa zë. Pastaj i tha mbretit pse ishte i trishtuar. I kërkoi nëse mund të shkonte në Jerusalem për të rindërtuar muret. Çfarë ndodhi? . . .

Po, Perëndia iu përgjigj lutjes së Nehemisë. Mbreti tha se Nehemia mund të shkonte. Madje i dha edhe shumë drurë që t’i përdorte për të ndërtuar muret. Pra, Perëndia mund t’u përgjigjet vërtet lutjeve tona, edhe kur këto thuhen pa zë.Nehemia 1:2, 3; 2:4-8.

Tani mendo për një gjë tjetër. A duhet ta ulësh kokën kur lutesh? A duhet të ulesh në gjunjë? Si mendon? . . . Nganjëherë Jezui ulej në gjunjë kur lutej. Herë të tjera qëndronte në këmbë. Në disa raste e ngrinte kokën nga qielli kur lutej, si bëri kur u lut për Lazarin.

Pra, çfarë tregon kjo? . . . Kjo tregon se nuk ka shumë rëndësi pozicioni i trupit kur lutesh. Nganjëherë është mirë të ulësh kokën dhe të mbyllësh sytë. Herë të tjera, po të duash mund edhe të ulesh në gjunjë, siç bëri Jezui. Por mos harro, mund t’i lutemi Perëndisë në çdo kohë gjatë ditës ose gjatë natës dhe ai do të na dëgjojë. E rëndësishme për lutjen është që të besojmë vërtet se Jehovai po na dëgjon. A e beson ti se Jehovai i dëgjon lutjet e tua? . . .

Për çfarë mund t’i flasësh Perëndisë në lutje?

Çfarë duhet t’i themi në lutje Jehovait? . . . Më thuaj pak, për çfarë flet ti me Perëndinë kur lutesh? . . . Jehovai na jep shumë e shumë gjëra të mira dhe është e drejtë që ta falënderojmë për to, apo jo? . . . Mund ta falënderojmë për ushqimin që hamë. Por, a e ke falënderuar ndonjëherë për qiellin e kaltër, për pemët e gjelbra dhe për lulet e bukura? . . . Edhe këto ai i ka bërë.

Një herë dishepujt i kërkuan Jezuit t’u mësonte si të luteshin. E Mësuesi i Madh ua mësoi këtë, duke u treguar cilat ishin gjërat më të rëndësishme për t’u lutur. Cilat janë këto gjëra, e di? . . . Merre Biblën tënde dhe hape te Mateu, kapitulli 6. Te vargjet 9 deri në 13 gjejmë një lutje që shumë njerëz e quajnë lutja «Ati ynë» ose Lutja e Zotërisë. Le ta lexojmë bashkë këtë lutje.

Këtu mësojmë se Jezui na tha të lutemi për emrin e Perëndisë. Tha të lutemi që të shenjtërohet ky emër. Cili është emri i Perëndisë? . . . Po, është Jehova. Duhet ta duam këtë emër.

Së dyti, Jezui na mësoi të lutemi që të vijë Mbretëria e Perëndisë. Kjo Mbretëri është e rëndësishme, sepse do të sjellë paqe në tokë dhe do ta bëjë atë parajsë.

Së treti, Mësuesi i Madh tha të lutemi që të bëhet vullneti i Perëndisë në tokë, ashtu siç bëhet në qiell. Në qoftë se lutemi për këtë, atëherë duhet të bëjmë atë që dëshiron Perëndia.

Më tej, Jezui na mësoi të lutemi për ushqimin që na nevojitet çdo ditë. Tha edhe se duhet t’i tregojmë Perëndisë që na vjen keq kur bëjmë gjëra të gabuara. Duhet t’i kërkojmë Perëndisë të na falë. Por ama, para se ai të na falë, duhet që dhe ne t’i falim të tjerët, në qoftë se na kanë bërë ndonjë gjë të gabuar. A e ke të lehtë t’i falësh të tjerët? . . .

Në fund Jezui tha se duhet të lutemi që Perëndia Jehova të na mbrojë nga i ligu, nga Satana Djalli. Pra, të gjitha këto janë gjëra të mira për të cilat duhet t’i lutemi Perëndisë.

Duhet të besojmë se Jehovai i dëgjon lutjet tona. Përveçse t’i kërkojmë që të na ndihmojë, duhet edhe ta falënderojmë vazhdimisht. Ai është i lumtur kur e kemi me gjithë mend atë që themi në lutje dhe kur i kërkojmë gjëra të drejta. Ai na siguron se do të na i japë këto gjëra. A e beson këtë? . . .

Këshilla të tjera të mira për lutjen gjejmë te Romakëve 12:12; 1 Pjetrit 3:12 dhe 1 Gjonit 5:14.