Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 28

Si ta dimë se kujt t’i bindemi?

Si ta dimë se kujt t’i bindemi?

NGANJËHERË e kemi të vështirë të dimë se kujt duhet t’i bindemi. Për shembull, mamaja ose babai mund të të thonë të bësh një gjë. Por pastaj mësuesi në shkollë ose ndonjë polic mund të të thotë të veprosh ndryshe. Cilit prej tyre do t’i bindeshe, po të ndodhte kjo? . . .

kapitullin e 7-të të këtij libri lexuam nga Bibla shkrimin e Efesianëve 6:1-3. Aty thuhet se fëmijët duhet t’u binden prindërve. «Bindjuni prindërve tuaj në unitet me Zotërinë»,—thotë shkrimi. Çfarë do të thotë të jesh «në unitet me Zotërinë»? . . . Prindërit që janë në unitet me Zotërinë u mësojnë fëmijëve të tyre që t’u binden ligjeve të Perëndisë.

Por, disa të rritur nuk besojnë te Jehovai. Prandaj, çfarë duhet të bësh nëse dikush prej tyre të thotë se s’ka gjë po të kopjosh në provim në shkollë ose të marrësh diçka në një dyqan pa e paguar? A është e drejtë që një fëmijë të kopjojë ose të vjedhë? . . .

Të kujtohet, një herë mbreti Nabukodonosor i urdhëroi të gjithë që të përkuleshin para shëmbëlltyrës prej ari që kishte ngritur ai. Por Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja nuk u përkulën. Përse nuk u përkulën, e di? . . . Sepse Bibla thotë që njerëzit duhet të adhurojnë vetëm Jehovain.Dalja 20:3; Mateu 4:10.

Çfarë po i thotë Pjetri Kajafës?

Pasi vdiq Jezui, apostujt e tij i çuan para Sinedrit, gjykatës kryesore fetare të judenjve. Kryeprifti Kajafa tha: ‘Ne ju urdhëruam prerazi të mos vazhdoni të mësoni në bazë të emrit [të Jezuit], mirëpo ju, ja, e keni mbushur Jerusalemin me mësimin tuaj.’ Pse nuk i ishin bindur apostujt Sinedrit? . . . Pjetri, duke folur në emër të të gjithë apostujve, iu përgjigj Kajafës: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve.»Veprat 5:27-29.

Në atë kohë udhëheqësit fetarë të judenjve kishin shumë pushtet mbi njerëzit. Mirëpo vendi i judenjve ishte nën sundimin e qeverisë romake. Kreu i asaj qeverie quhej Cezar. Edhe pse judenjtë nuk donin që Cezari të sundonte mbi ta, qeveria romake bënte shumë gjëra të mira për njerëzit. Edhe sot qeveritë bëjnë gjëra të mira për nënshtetasit e tyre. Cilat janë disa nga këto gjëra, si thua? . . .

Qeveritë ndërtojnë rrugë dhe paguajnë policë e zjarrfikës që të na mbrojnë. Mund të sigurojnë edhe shkolla për fëmijët, si edhe kujdes shëndetësor për të moshuarit. Që të bëjë këto gjëra, qeverisë i duhen para. Nga i merr paratë qeveria, e di? . . . Nga njerëzit. Paratë që njerëzit i paguajnë qeverisë quhen taksa.

Kur jetonte në tokë Mësuesi i Madh, shumë judenj nuk donin t’ia paguanin taksat qeverisë romake. Prandaj, një ditë priftërinjtë ngarkuan disa njerëz që t’i bënin Jezuit një pyetje për ta zënë në grackë. Pyetja ishte: ‘A duhet t’ia paguajmë taksat Cezarit apo jo?’ Kjo ishte një pyetje për ta futur në grackë. Po të përgjigjej Jezui: ‘Po, duhet t’i paguani taksat’, shumë judenjve nuk do t’u pëlqenin fjalët e tij. Por Jezui nuk mund të thoshte: ‘Jo, nuk duhet t’i paguani taksat.’ Do të ishte gabim po të thoshte ashtu.

Prandaj, çfarë bëri Jezui? Po ja, ai tha: ‘Më tregoni një monedhë.’ Kur ia sollën monedhën, Jezui i pyeti: ‘Figura dhe emri i kujt gjenden në të?’ Njerëzit thanë: ‘Të Cezarit.’ Atëherë Jezui ua ktheu: «Paguajini, pra, patjetër Cezarit, gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë.»Luka 20:19-26.

Si iu përgjigj Jezui pyetjes që i bënë këta burra për ta futur në grackë?

Asnjë njeri nuk mund të gjente ndonjë gabim te kjo përgjigje. Nëse Cezari bën disa gjëra për njerëzit, është shumë e drejtë të përdoren paratë që ka bërë Cezari për ta paguar atë për këto gjëra. Pra, në këtë mënyrë Jezui tregoi se është e drejtë t’i paguajmë taksa qeverisë për gjërat që marrim prej saj.

Ti nuk je aq i madh sa të paguash taksa. Por ka diçka që duhet t’i japësh qeverisë. Çfarë është kjo, e di? . . . Bindja ndaj ligjeve të qeverisë. Bibla thotë: ‘Bindjuni autoriteteve më të larta.’ Këto autoritete janë ata njerëz që kanë pushtet në qeveri. Prandaj, është Perëndia ai që thotë se duhet t’u bindemi ligjeve të qeverisë.Romakëve 13:1, 2.

Mund të ketë një ligj që të mos hedhësh letra ose gjëra të tjera në rrugë. A duhet t’i bindesh këtij ligji? . . . Po, Perëndia dëshiron që t’i bindesh. A duhet t’u bindesh edhe policëve? . . . Qeveria i paguan policët që të mbrojnë njerëzit. T’u bindesh atyre është njësoj si t’i bindesh qeverisë.

Prandaj, nëse po bëhesh gati të kalosh rrugën dhe një polic të thotë: «Prit!», çfarë duhet të bësh? . . . Po në qoftë se të tjerët nuk i binden policit dhe kalojnë, a duhet të kalosh edhe ti? . . . Ti duhet të presësh, edhe sikur të jesh i vetmi që pret. Perëndia të thotë të bindesh.

Ndoshta në lagje ka trazira dhe një polic mund të thotë: «Mos dilni në rrugë. Mos dilni jashtë.» Por mbase ti dëgjon të bërtitura dhe dëshiron të dish çfarë po ndodh. A duhet të dalësh jashtë që të shohësh? . . . A do të tregoheshe kështu i bindur ndaj ‘autoriteteve më të larta’? . . .

Në shumë vende, qeveria ndërton edhe shkolla dhe paguan mësuesit. Prandaj, si mendon, a dëshiron Perëndia që t’i bindesh mësuesit? . . . Mendo pak për këtë. Qeveria e paguan mësuesin që të mësojë nxënësit, ashtu si e paguan policin që të mbrojë njerëzit. Prandaj, t’i bindesh policit ose mësuesit është si t’i bindesh qeverisë.

Pse duhet t’i bindemi policit?

Po sikur një mësues të thotë se duhet të bësh një akt adhurimi para ndonjë shëmbëlltyre? Çfarë do të bësh në këtë rast? . . . Tre hebrenjtë nuk u përkulën para shëmbëlltyrës, edhe kur u tha mbreti Nabukodonosor që ta bënin këtë. Të kujtohet përse? . . . Sepse nuk donin të ishin të pabindur ndaj Perëndisë.

Një historian me emrin Uill Durant shkroi për të krishterët e hershëm dhe tha se ‘besnikëria e tyre e plotë nuk i takonte Cezarit’. Jo, i takonte Jehovait. Prandaj, të mos harrojmë se Perëndia duhet të zërë vendin e parë në jetën tonë.

I bindemi qeverisë sepse këtë dëshiron Perëndia. Por, po të na thuhet të bëjmë diçka që Perëndia thotë se nuk duhet ta bëjmë, çfarë duhet të themi? . . . Duhet të themi fjalët që i thanë apostujt kryepriftit: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve.»Veprat 5:29.

Bibla na mëson respektin për ligjin. Lexo çfarë është shkruar te Mateu 5:41; Titit 3:1 dhe 1 Pjetrit 2:12-14.