KAPITULLI 5
Mbreti hedh dritë mbi Mbretërinë
1, 2. Në ç’mënyrë tregoi Jezui se ishte udhërrëfyes i mençur?
IMAGJINO sikur një udhërrëfyes me përvojë po të bën xhiro nëpër një qytet të bukur e mbresëlënës. Ti dhe pjesa tjetër e grupit e shihni për herë të parë qytetin, ndaj dëgjoni me vëmendje çdo fjalë që ju thotë. Me raste, bëheni shumë kuriozë për pjesët e qytetit që nuk i keni parë akoma. Megjithatë, kur e pyesni udhërrëfyesin për këto vende, nuk ju thotë gjë derisa të vijë momenti i duhur, zakonisht kur jeni afër atij vendi. Ndërsa koha kalon, mençuria e tij të lë gjithnjë e më shumë mbresa, sepse të thotë çdo gjë që ke nevojë të dish dhe fiks në momentin e duhur.
2 Të krishterët e vërtetë janë në rrethana të ngjashme me turistët. Po mësojmë me zell për qytetin më të bukur, «qytetin që ka themele të vërteta»—Mbretërinë e Perëndisë. (Hebr. 11:10) Kur ishte në tokë, vetë Jezui u rrëfeu udhën dishepujve të tij, duke u dhënë njohuri më të thellë për Mbretërinë. A iu përgjigj të gjitha pyetjeve të tyre? A u tregoi njëherësh çdo gjë për Mbretërinë? Jo. Ai tha: «Kam ende shumë gjëra për t’ju thënë, por tani për tani nuk jeni në gjendje t’i kuptoni.» (Gjoni 16:12) Si udhërrëfyesi më i mençur, Jezui nuk i mbingarkoi dishepujt me njohuri që nuk ishin gati ta mbanin.
3, 4. (a) Si vazhdoi Jezui t’i mësonte njerëzit besnikë për Mbretërinë e Perëndisë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë kapitull?
3 Jezui i tha fjalët e Gjonit 16:12 natën e fundit të jetës së tij në tokë. Por, pas vdekjes, si do të vazhdonte t’i mësonte njerëzit besnikë për Mbretërinë e Perëndisë? Jezui i siguroi apostujt me këto fjalë: «Fryma e së vërtetës, do t’ju drejtojë që të kuptoni gjithë të vërtetën.» a (Gjoni 16:13) Mund ta krahasojmë frymën e shenjtë me një udhërrëfyes të durueshëm. Fryma është mjeti me të cilin Jezui u mëson dishepujve çdo gjë që duhet të dinë për Mbretërinë e Perëndisë, fiks në momentin e duhur për ta.
4 Tani do të shqyrtojmë si fryma e shenjtë e Jehovait ua ka rrëfyer udhën të krishterëve të sinqertë drejt një njohurie më të zgjeruar për Mbretërinë. Në fillim, do të shohim si arritëm të kuptojmë kohën kur Mbretëria e Perëndisë nisi qeverisjen. Më pas, do të flasim për identitetin dhe shpresat e qeveritarëve dhe të nënshtetasve të Mbretërisë. Në fund, do të shohim si fituan dishepujt e Jezuit kuptueshmëri më të qartë për llojin e besnikërisë që kërkon Mbretëria.
Kuptojnë një vit vendimtar
5, 6. (a) Ç’ide të gabuara kishin Studentët e Biblës për qeverisjen e Mbretërisë dhe për korrjen? (b) Pse këto ide të gabuara nuk duhet të na ngjallin dyshime nëse Krishti po i udhëhiqte dishepujt me anë të frymës së shenjtë?
5 Siç e pamë në kapitullin e dytë të librit, Studentët e Biblës për dekada theksuan se viti 1914 do të ishte domethënës për plotësimin e profecive biblike. Sidoqoftë, në atë kohë mendonin se prania e Krishtit kishte filluar më 1874, se ai kishte nisur të qeveriste nga qielli në 1878-n dhe se Mbretëria do të merrte autoritet të plotë në tetor të 1914-s. Korrja do të bëhej nga viti 1874 deri në 1914 dhe do të përfundonte me mbledhjen e të mirosurve në qiell. A ngrenë dyshime këto ide të gabuara, nëse Krishti po i udhëhiqte ata besnikë me anë të frymës së shenjtë?
6 Jo, fare! Sill edhe një herë ndër mend ilustrimin e fillimit. A ngrenë dyshime për besueshmërinë e udhërrëfyesit idetë e nxituara dhe pyetjet kureshtare të turistëve? Vështirë! Po njëlloj, edhe pse populli i Perëndisë ndonjëherë përpiqet të kuptojë detaje të qëllimit të Jehovait para se fryma e shenjtë t’i drejtojë te këto të vërteta, është e qartë se Jezui po u rrëfen udhën. Kështu, besnikët pranojnë me gatishmëri të korrigjohen dhe me përulësi i ndreqin pikëpamjet e tyre.—Jak. 4:6.
7. Me cilat shkreptima drite frymore u bekua populli i Perëndisë?
7 Pas vitit 1919, populli i Perëndisë u bekua me shumë e shumë shkreptima drite frymore. (Lexo Psalmin 97:11.) Në vitin 1925, në Kullën e Rojës doli një artikull historik me titull «Lindja e kombit». Në të u paraqitën dëshmi bindëse nga Shkrimet se Mbretëria mesianike kishte lindur më 1914 duke plotësuar kapitullin 12 të Zbulesës, ku portretizohet në mënyrë profetike gruaja e Perëndisë që lind. b Më tej në artikull u shpjegua se përndjekja dhe vështirësitë që kaloi populli i Perëndisë gjatë viteve të luftës, ishin shenja të qarta se Satanai ishte dëbuar nga qielli dhe kishte ‘zemërim të madh, ngaqë e dinte se kishte një periudhë kohe të shkurtër’.—Zbul. 12:12.
8, 9. (a) Si u theksua rëndësia e Mbretërisë së Perëndisë? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
8 Sa e rëndësishme është Mbretëria? Në vitin 1928, Kulla e Rojës nisi të theksonte se Mbretëria ishte më e rëndësishme se shpëtimi i njerëzve me anë të shpërblesës. Po, me anë të Mbretërisë mesianike, Jehovai do të shenjtërojë emrin, do të shfajësojë sovranitetin dhe do të plotësojë gjithë qëllimet e tij për njerëzimin.
9 Cilët do të qeverisin në Mbretëri me Krishtin? Cilët do të jenë nënshtetasit tokësorë të Mbretërisë? Dhe në cilën vepër duhet të angazhohen dishepujt e Krishtit?
Vepra e korrjes përqendrohet te të mirosurit
10. Çfarë kishte kuptuar prej kohësh populli i Perëndisë për numrin 144.000?
10 Dekada para vitit 1914, të krishterët e vërtetë e kishin kuptuar se 144.000 dishepuj besnikë të Jezuit do të qeverisnin me të në qiell. c Studentët e Biblës kuptuan se numri ishte i mirëfilltë dhe se nisi të plotësohej në shekullin e parë të e.s.
11. Si e kuptuan gradualisht caktimin e tyre në tokë anëtarët e ardhshëm të nuses së Krishtit?
11 Çfarë caktimi duhej të kryenin, atëherë, anëtarët e ardhshëm të nuses së Krishtit ndërsa ishin ende në tokë? Ata kuptuan se Jezui i kishte dhënë shumë rëndësi veprës së predikimit dhe se e kishte lidhur këtë vepër me periudhën e korrjes. (Mat. 9:37; Gjoni 4:35) Siç u shpjegua në kapitullin 2, për njëfarë kohe besonin se periudha e korrjes do të zgjaste 40 vjet e do të përfundonte me mbledhjen e të mirosurve në qiell. Megjithatë, meqë vepra vazhdoi edhe pasi kaluan 40 vjet, nevojitej sqarim i mëtejshëm. Tani ne e dimë që koha e korrjes—koha e ndarjes së grurit nga egjrat, pra e të krishterëve besnikë të mirosur nga të krishterët e shtirur—filloi në vitin 1914. Kishte ardhur koha që vëmendja të përqendrohej te mbledhja e mbetjes së klasës qiellore.
12, 13. Si janë përmbushur ilustrimet e Jezuit për dhjetë virgjëreshat dhe për talentat në ditët e fundit?
12 Nga viti 1919 e më tej, Krishti e udhëhoqi skllavin e besueshëm e të matur që të theksonte rëndësinë e veprës së predikimit, siç bëri në shekullin e parë. (Mat. 28:19, 20) Gjithashtu u tregoi dishepujve të mirosur cilat cilësi u duheshin që të përmbushnin caktimin për të predikuar. Si e bëri këtë? Në ilustrimin për dhjetë virgjëreshat tregoi se të mirosurit duhej të qëndronin vigjilentë, zgjuar frymësisht, nëse donin të arrinin synimin që të merrnin pjesë në dasmën e madhe në qiell, kur Krishti të bashkohej me ‘nusen’ e tij prej 144.000 vetash. (Zbul. 21:2) Pastaj, në ilustrimin e talentave, Jezui tha se shërbëtorët e tij të mirosur do të ishin të papërtuar në veprën e predikimit që u kishte besuar.—Mat. 25:1-30.
13 Gjatë shekullit të kaluar, të mirosurit treguan se ishin vigjilentë dhe të papërtuar. Me siguri vigjilenca e tyre do të shpërblehet! Megjithatë, a do të përqendrohej vepra e madhe e korrjes vetëm te mbledhja e mbetjes së 144.000 bashkëqeveritarëve të Krishtit?
Mbretëria mbledh nënshtetasit tokësorë
14, 15. Cilat ishin katër grupet që u trajtuan te Misteri i përfunduar?
14 Burra e gra besnikë, për një kohë të gjatë, kanë qenë jashtë mase kureshtarë për ‘shumicën e madhe’ (‘turmën e madhe’, King James Version) të përmendur te Zbulesa 7:9-14. S’është për t’u habitur se shumë gjëra që u thanë për këtë temë para se të vinte momenti i duhur që Krishti të zbulonte identitetin e këtij grupi të madh, ndryshonin mjaft nga të vërtetat e qarta e të thjeshta që dimë dhe duam sot.
15 Në vitin 1917, libri Misteri i përfunduar (angl.) deklaroi se ka «dy kategori ose lloje të shpëtimit qiellor dhe dy kategori ose lloje të shpëtimit tokësor». Cilët do të formonin katër grupet me shpresat e ndryshme të shpëtimit? Grupi i parë përbëhej nga 144.000 që do të qeverisnin me Krishtin. I dyti nga shumica e madhe. Në atë kohë, mendohej se këta ishin të krishterët që ende ishin pjesë e kishave të krishterimit. Këta kishin njëfarë besimi, por jo aq sa të merrnin një vendim të prerë. Prandaj atyre do t’u jepeshin pozita më të ulëta në qiell. Sa për tokën, mendohej se një grup i tretë—«të lashtët e denjë» me besnikë si Abrahami, Moisiu dhe të tjerë—do të kishte autoritet mbi një grup të katërt, botën e njerëzimit.
16. Çfarë shkreptimash drite frymore ndodhën më 1923 dhe më 1932?
16 Si i udhëhoqi fryma e shenjtë dishepujt e Krishtit te kuptueshmëria që e kemi aq për zemër sot? Progresivisht, nëpërmjet një sërë shkreptimash drite frymore. Që në vitin 1923, Kulla e Rojës drejtoi vëmendjen te një grup pa shpresë qiellore që do të jetonte në tokë nën mbretërimin e Krishtit. Më 1932, Kulla e Rojës foli për Jonadabin (Jehonadabin) që shkoi pas Jehut, mbretit të mirosur izraelit, për ta mbështetur në luftën kundër adhurimit të rremë. (2 Mbret. 10:15-17) Në artikull thuhej se ekzistonte një grup njerëzish ngjashëm Jonadabit dhe shtonte se Jehovai do ta shpëtonte këtë grup «nga vështirësitë e Harmagedonit» e më pas ky grup do të jetonte këtu në tokë.
17. (a) Çfarë drite e shkëlqyer frymore shkreptiu më 1935? (b) Si ndikoi te të krishterët besnikë kuptueshmëria e re për turmën e madhe? (Shih kutinë « Një psherëtimë e madhe lehtësimi».)
17 Më 1935 shkreptiu një dritë e shkëlqyer frymore. Në kongresin e mbajtur në Uashington D.C., turma e madhe u identifikua si një klasë tokësore, e njëjtë me delet në ilustrimin e Jezuit për delet dhe cjeptë. (Mat. 25:33-40) Turma e madhe do të ishte pjesë e ‘deleve të tjera’ për të cilat Jezui tha: «Edhe ato do t’i sjell.» (Gjoni 10:16) Kur Xhozef Radhërfordi kërkoi në fjalimin e tij «a mund të ngriheni në këmbë të gjithë ju që keni shpresën për të jetuar përgjithmonë në tokë, ju lutem», më shumë se gjysma e auditorit u ngrit. «Shikoni! Ja turma e madhe!»—tha ai. Shumë u prekën thellë ngaqë më në fund e kuptuan shpresën e tyre për të ardhmen.
18. Ku i kanë përqendruar forcat dishepujt e Krishtit dhe me çfarë rezultati?
18 Që nga ajo kohë, Krishti e ka drejtuar vazhdimisht popullin e tij që t’i përqendrojë forcat në mbledhjen e anëtarëve të ardhshëm të shumicës së madhe, e cila do të dalë shëndoshë e mirë nga shtrëngimi i madh. Fillimisht mbledhja nuk dukej dhe aq mbresëlënëse. Madje, vëlla Radhërfordi një herë tha: «Duket sikur ‘turma e madhe’ në fund të fundit nuk do të jetë edhe aq e madhe.» Sigurisht, ne e dimë sa shumë e ka bekuar Jehovai korrjen qysh atëherë. Me udhëheqjen e Jezuit dhe të frymës së shenjtë, të mirosurit dhe shokët e tyre nga ‘delet e tjera’ janë bërë së bashku «një kope» që shërben nën «një bari të vetëm», tamam siç paratha Jezui.
19. Si mund të marrim pjesë edhe ne në mbledhjen e deleve të tjera të Krishtit?
19 Pjesa më e madhe e besnikëve do të jetojnë përgjithmonë në parajsën tokësore të qeverisur nga Krishti dhe 144.000 bashkëqeveritarët e tij. A nuk kënaqemi kur mendojmë si ia ka rrëfyer Krishti udhën popullit të Perëndisë drejt kësaj shprese të qartë për të ardhmen me bazë në Shkrime? Sa privilegj është ta ndajmë këtë shpresë me këdo që takojmë në shërbim! Qofshim aktivë aq sa na e lejojnë rrethanat, që shumica e madhe të rritet në numër e të brohorasë akoma më fort në lavdi të emrit të Jehovait!—Lexo Lukën 10:2.
Lloji i besnikërisë që kërkohet ndaj Mbretërisë
20. Cilët elementë përbëjnë organizatën e Satanait dhe çfarë nënkupton besnikëria e krishterë?
20 Ndërsa mësonte më shumë për Mbretërinë, populli i Perëndisë kishte nevojë po ashtu të kuptonte mirë e mirë se çdo të thotë t’i qëndrosh besnik qeverisë qiellore. Për këtë, më 1922, Kulla e Rojës tregoi se janë dy organizata në veprim, e Jehovait dhe e Satanait. Organizata e Satanait përbëhet nga elementët tregtarë, fetarë dhe politikë. Ata që janë besnikë ndaj Mbretërisë së Perëndisë nuk duhet ta komprometojnë besnikërinë e tyre duke u përzierë në mënyrë të papërshtatshme në çfarëdo aspekti të organizatës së Satanait. (2 Kor. 6:17) Si ta kuptojmë këtë?
21. (a) Si e ka paralajmëruar skllavi i besueshëm popullin e Perëndisë për biznesin e madh? (b) Çfarë tregoi Kulla e Rojës për ‘Babiloninë e Madhe’ më 1963?
21 Ushqimi frymor nga skllavi i besueshëm ka nxjerrë sheshit rregullisht korrupsionin e biznesit të madh dhe e ka paralajmëruar popullin e Perëndisë që të mos jepet pas materializmit të shfrenuar. (Mat. 6:24) Botimet tona kanë demaskuar vazhdimisht edhe pjesën fetare të organizatës së Satanait. Më 1963, Kulla e Rojës tregoi qartë se «Babilonia e Madhe» përfaqësonte jo vetëm krishterimin e rremë, por edhe gjithë perandorinë botërore të fesë së rreme. Ndaj, siç do ta shohim më gjerësisht në kapitullin 10, populli i Perëndisë në çdo vend dhe kulturë ka marrë ndihmë që të ‘dalë prej saj’ e të pastrohet nga të gjitha praktikat fetare të rreme.—Zbul. 18:2, 4.
22. Si e kuptonin nxitjen e Romakëve 13:1 shumë nga populli i Perëndisë gjatë Luftës I Botërore?
22 Ç’të themi për pjesën politike të organizatës së Satanait? A mund të merrnin pjesë të krishterët e vërtetë në luftërat dhe konfliktet e kombeve? Gjatë Luftës I Botërore, Studentët e Biblës në përgjithësi kuptuan se dishepujt e Krishtit nuk duhet të vrasin njerëz. (Mat. 26:52) Ama, për shumë veta, nxitja e Romakëve 13:1 për të qenë të nënshtruar ndaj «autoriteteve më të larta» do të thoshte se ata duhej të hynin në ushtri, të vishnin uniforma ushtarake e madje të mbanin armë; por, kur t’u kërkohej të vritnin armikun, duhej të qëllonin në ajër.
23, 24. Çfarë kuptueshmërie kishim për Romakëve 13:1 gjatë Luftës II Botërore dhe drejt cilës kuptueshmëri u udhëhoqën dishepujt e Krishtit?
23 Kur shpërtheu Lufta II Botërore më 1939, Kulla e Rojës trajtoi një argument të thellë për asnjanësinë. Artikulli shpjegonte shkoqur se të krishterët nuk duhej të përfshiheshin aspak në luftërat dhe konfliktet e kombeve të botës së Satanait. Çfarë drejtimi në kohën e duhur! Kështu, dishepujt e Krishtit ishin të mbrojtur nga faji i tmerrshëm i gjakut që ra mbi kombet e përfshira në atë luftë. Megjithatë, në fillim të 1929-s botimet tona kishin shpjeguar se autoritetet më të larta të Romakëve 13:1 nuk ishin sundimtarët njerëzorë, por Jehovai dhe Jezui. Gjithsesi nevojitej kuptueshmëri më e saktë.
24 Në lidhje me këtë kuptueshmëri, fryma e shenjtë u rrëfeu udhën dishepujve të Krishtit në vitin 1962, kur artikuj të rëndësishëm për Romakëve 13:1-7 u botuan te Kulla e Rojës e 15 nëntorit dhe e 1 dhjetorit. Më në fund, populli i Perëndisë kuptoi parimin e nënshtrimit relativ që Jezui e zbuloi me fjalët e famshme: «Paguajini . . . Cezarit, gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë.» (Luka 20:25) Të krishterët e vërtetë kuptuan se autoritetet më të larta janë sundimtarët njerëzorë të kësaj bote dhe të krishterët duhet t’u binden. Por ky nënshtrim është relativ. Kur autoritetet njerëzore na kërkojnë të mos i bindemi Perëndisë Jehova, ne u përgjigjemi si apostujt: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.» (Vep. 5:29) Në kapitujt 13 dhe 14 të këtij libri, do të mësojmë më shumë në ç’mënyrë populli i Perëndisë e ka zbatuar parimin e asnjanësisë së krishterë.
25. Pse e vlerëson drejtimin e frymës së shenjtë në kuptueshmërinë për Mbretërinë e Perëndisë?
25 Mendo për gjithçka që dishepujt e Krishtit kanë mësuar për Mbretërinë gjatë shekullit të kaluar. Kemi mësuar kur nisi të qeverisë Mbretëria e Perëndisë në qiell dhe sa jetësore është kjo. Kemi një tablo të qartë për dy shpresat që njerëzit besnikë mund të gëzojnë: ajo qiellore dhe tokësore. Dhe kemi kuptuar si të tregojmë njëkohësisht besnikëri ndaj Mbretërisë së Perëndisë e nënshtrim relativ ndaj autoriteteve botërore. Pyet veten: «A do të dija ndonjë nga këto të vërteta të vyera, nëse Jezu Krishti nuk do t’ia rrëfente udhën skllavit të besueshëm në tokë që t’i kuptonte ato dhe më pas t’ua mësonte të tjerëve?» Çfarë bekimi të kemi si udhërrëfyes Krishtin dhe frymën e shenjtë!
a Sipas një vepre referimi, në këtë varg fjala greke «të drejtosh» do të thotë «të rrëfesh udhën».
b Përpara kësaj, mendohej se vegimi fliste për luftën midis fesë pagane të Perandorisë Romake dhe Kishës Katolike të Romës.
c Në qershor të 1880-s, Kulla e Rojës e Sionit thoshte se judenjtë mishorë të kthyer në krishterim para 1914-s formonin 144.000-shin. Megjithatë, nga fundi i 1880-s, kuptueshmëria që u botua, është më afër asaj që kemi sot.