Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PYETJA 5

Po nëse jam viktimë e bullizmit në shkollë?

Po nëse jam viktimë e bullizmit në shkollë?

PSE KA RËNDËSI

Mënyra si përgjigjesh, mund t’i përmirësojë ose t’i përkeqësojë gjërat.

ÇFARË DO TË BËJE TI?

Imagjino këtë situatë: Tomasi nuk do që të shkojë në shkollë as sot, as nesër, as kurrë. Gjithçka nisi 3 muaj më parë kur shokët e shkollës përhapën thashetheme dashakeqe për të. Pastaj filluan t’i vinin nofka. Ndonjëherë përplasen me të për t’i rrëzuar librat nga dora e hiqen sikur ishte pa dashje, ose ndonjë nga grupi pas tij e shtyn, dhe kur Tomasi kthehet, bëjnë sikur s’dinë gjë. Dje arriti kulmin kur e kërcënuan online . . .

Po të ishe Tomasi, çfarë do të bëje?

NDALU E MENDO

Nuk je i pafuqishëm. Në fakt mund t’i bësh ballë bullizmit pa grushta. Si?

  • MOS REAGO. Bibla thotë: «Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por kush është i mençur, mban një frymë të qetë deri në fund.» (Proverbat 29:11) Nëse qëndron sa më i qetë të jetë e mundur, të paktën nga jashtë, ata që të ngacmojnë, mund të heqin dorë.

  • MOS IA KTHE ME TË NJËJTËN MONEDHË. Bibla pohon: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe.» (Romakëve 12:17) Hakmarrja vetëm sa do ta përkeqësonte situatën.

  • SHMANGI TELASHET. Bibla thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» (Proverbat 22:3) Shmangi sa të mundesh ngatërrestarët dhe situatat ku mund të të ngacmojnë.

  • BEFASOJI ME PËRGJIGJEN TËNDE. Në Bibël thuhet: «Përgjigjja e butë e largon tërbimin.» (Proverbat 15:1) Madje, mund t’ia kthesh me humor. Për shembull, nëse dikush të vë në lojë se je i shëndoshë, mund të ngresh supet e të thuash: «S’do të ishte keq t’i humbja ca kile!»

  • IK! «Kur hesht dhe largohesh, tregon se je i pjekur dhe më i fortë se ai që po të bie në qafë,—thotë Nora 19-vjeçare.—Kështu tregon vetëkontroll, diçka që ai nuk e ka.»2 Timoteut 2:24.

  • KI BESIM NË VETVETE. Shpesh ngacmuesit arrijnë t’i dallojnë ata që mendojnë negativisht për veten e si pasojë ka më pak të ngjarë të vetëmbrohen. Nga ana tjetër, shumë prej tyre do të të lënë rehat nëse shohin se nuk po i lejon të ndikojnë te ti.

  • FOL ME DIKË. Një ish-mësuese shprehet: «Do t’i nxitja të gjitha viktimat e bullizmit që të tregojnë. Kjo është e drejtë dhe mund të ndihmojë që dikush tjetër të mos bëhet viktimë.»

Siguria te vetja do të të japë atë lloj force që «të fortët» nuk e kanë