Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 8

Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

1. Cilën lutje të famshme do të shqyrtojmë?

MILIONA njerëz e dinë lutjen e famshme që njihet si Lutja e Zotërisë ose «Ati ynë». Me anë të saj, Jezui i mësoi dishepujt si të luteshin. Për çfarë u lut Jezui dhe pse kjo lutje është kaq e rëndësishme për ne sot?

2. Përmend tri gjëra të rëndësishme për të cilat Jezui na mësoi të lutemi.

2 Jezui tha: «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt! Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë!’» (Lexo Mateun 6:9-13.) Pse na mësoi Jezui që të luteshim për këto tri gjëra?—Shiko pikën 20 të Shtojcës.

3. Çfarë duhet të dimë për Mbretërinë e Perëndisë?

3 Deri tani kemi mësuar që Perëndia e ka emrin Jehova, si dhe cili është vullneti ose qëllimi i tij për njerëzit dhe për tokën. Por, çfarë donte të thoshte Jezui me fjalët: «Ardhtë Mbretëria jote!» Në këtë kapitull do të mësojmë çfarë është Mbretëria e Perëndisë, çfarë do të bëjë ajo dhe si do ta shenjtërojë emrin e Perëndisë.

ÇFARË ËSHTË MBRETËRIA E PERËNDISË?

4. Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Kush është Mbreti i saj?

4 Jehovai ka themeluar një qeveri qiellore dhe si mbret ka zgjedhur Jezuin. Në Bibël kjo qeveri quhet Mbretëria e Perëndisë. Jezui është «Mbreti i atyre që mbretërojnë dhe Zotëria i atyre që sundojnë si zotërinj». (1 Timoteut 6:15) Ai mund të bëjë shumë më tepër se cilido sundimtar njerëzor dhe është më i fuqishëm se të gjithë ata së bashku.

5. Nga do të qeverisë Mbretëria e Perëndisë dhe mbi kë do të qeverisë ajo?

5 Dyzet ditë pasi u ringjall, Jezui u kthye në qiell. Më vonë, Jehovai e emëroi Mbret të Mbretërisë. (Veprat 2:33) Mbretëria e Perëndisë do të qeverisë tokën nga qielli. (Zbulesa 11:15) Ja pse Bibla e quan ‘Mbretëri qiellore’.—2 Timoteut 4:18.

6, 7. Pse Jezui qëndron shumë më lart se çdo mbret njerëzor?

6 Bibla thotë se Jezui qëndron shumë më lart se çdo mbret njerëzor, sepse është «i vetmi që ka pavdekësinë». (1 Timoteut 6:16) Herët a vonë, çdo sundimtar njerëzor vdes, kurse Jezui nuk do të vdesë kurrë. Gjithçka që do të bëjë për ne, ka për të zgjatur përjetësisht.

7 Bibla tregon se Jezui do të jetë Mbret i drejtë dhe i dhembshur. Një profeci e saj thotë: «Tek ai do të prehet fryma e Jehovait, fryma e mençurisë dhe e aftësisë për të kuptuar, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e nderimit të thellë për Jehovain. Nderimi i thellë për Jehovain do të jetë kënaqësia e tij. Ai nuk do të gjykojë nga ajo që i shohin sytë, as do të korrigjojë [ose këshillojë] vetëm sipas fjalëve që i bien në vesh. Do t’i gjykojë të përvuajturit [ose të varfrit] me paanshmëri.» (Isaia 11:2-4) A nuk do të doje një mbret të tillë?

8. Nga e dimë që Jezui nuk do të qeverisë i vetëm?

8 Perëndia ka zgjedhur që bashkë me Jezuin të qeverisin edhe një grup njerëzish. Për shembull, apostulli Pavël i tha Timoteut: «Nëse vazhdojmë të qëndrojmë, edhe do të mbretërojmë bashkë me të.» (2 Timoteut 2:12) Sa veta do të mbretërojnë me Jezuin?

9. Sa veta do të qeverisin bashkë me Jezuin? Kur ka filluar t’i zgjedhë Perëndia?

9 Siç mësuam në kapitullin 7, apostulli Gjon pa një vegim ku Jezui po mbretëronte në qiell bashkë me 144.000 mbretër të tjerë. Kush janë këta 144.000 mbretër? Gjoni shpjegon: «Ata vazhdojnë të ndjekin Qengjin [ose Jezuin] kudo që të shkojë. Janë blerë nga gjiri i njerëzimit.» (Lexo Zbulesën 14:1, 4) Pra, këta 144.000 veta janë të krishterë besnikë që Perëndia i ka zgjedhur «të mbretërojnë mbi tokën» bashkë me Jezuin. Kur vdesin, ata ringjallen që të jetojnë në qiell. (Zbulesa 5:10) Që nga koha e apostujve, Jehovai ka filluar të zgjedhë të krishterë besnikë që të jenë pjesë e këtij grupi.

10. Pse zgjedhja e Jezuit dhe e 144.000 njerëzve është provë e dashurisë së Jehovait?

10 Jehovai na do kaq shumë sa u ka dhënë mundësinë njerëzve që të mbretërojnë bashkë me Jezuin. Jezui do të jetë mbret i shkëlqyer sepse na kupton shumë mirë. Ai e di ç’do të thotë të jesh njeri dhe të vuash. Pavli tha se Jezui bashkohet me ndjenjat tona, ‘i kupton dobësitë tona’ dhe «është sprovuar në çdo aspekt si ne». (Hebrenjve 4:15; 5:8) Edhe ata 144.000 që do të mbretërojnë me Jezuin e dinë mirë ç’do të thotë të jesh njeri, sepse kanë luftuar me papërsosmërinë dhe sëmundjet. Kjo na jep sigurinë se Jezui dhe këta 144.000 do të kuptojnë jo vetëm ndjenjat tona, por edhe vështirësitë që do të hasim.

ÇFARË DO TË BËJË MBRETËRIA E PERËNDISË?

11. Pse Jezui i mësoi dishepujt të luteshin që të bëhej vullneti i Perëndisë në qiell?

11 Jezui i mësoi dishepujt të luteshin që të bëhej vullneti i Perëndisë në qiell. Pse? Në kapitullin 3 mësuam se Satana Djalli u rebelua kundër Jehovait. Pas kësaj, Jehovai lejoi që Djalli dhe engjëjt jobesnikë, pra demonët, të qëndronin në qiell për njëfarë kohe. Prandaj, jo kushdo që ishte në qiell bënte vullnetin e Perëndisë. Në kapitullin 10 do të flasim më gjatë për Satanain dhe demonët.

12. Cilat janë dy ngjarjet e rëndësishme që përshkruhen te Zbulesa 12:10?

12 Bibla shpjegon se, pak pasi të bëhej Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, Jezui do të luftonte me Satanain. (Lexo Zbulesën 12:7-10.) Vargu 10 përshkruan dy ngjarje tejet të rëndësishme: fillimin e qeverisjes së Mbretërisë së Perëndisë me Mbret Jezu Krishtin dhe dëbimin e Satanait nga qielli poshtë në tokë. Siç do ta shohim, këto ngjarje tashmë kanë ndodhur.

13. Çfarë ndodhi në qiell kur Satanai u dëbua?

13 Bibla përshkruan sa shumë do të gëzoheshin engjëjt besnikë pasi Satanai dhe demonët të dëboheshin nga qielli. Ajo thotë: «Gëzoni, o qiej, dhe ju që banoni në ta!» (Zbulesa 12:12) Tani në qiell ka paqe dhe harmoni të plotë, sepse atje të gjithë po bëjnë vullnetin e Perëndisë.

Që nga koha kur Satanai dhe demonët u dëbuan nga qielli, vuajtjet në tokë janë shtuar së tepërmi. Por, së shpejti këto vuajtje do të marrin fund

14. Çfarë ka ndodhur në tokë ngaqë Satanai është dëbuar nga qielli?

14 Kurse situata në tokë është krejt ndryshe. Njerëzve u ndodhin gjëra të tmerrshme, sepse ‘Djalli ka zbritur’ në tokë dhe ka ‘zemërim të madh, ngaqë e di se i ka mbetur një periudhë e shkurtër kohe’. (Zbulesa 12:12) Satanai është tërbuar. E kanë dëbuar nga qielli dhe e di që së shpejti do t’i vijë fundi. Ja pse bën çdo gjë që ka në dorë për të shkaktuar telashe, dhembje dhe vuajtje anekënd tokës.

15. Cili është vullneti i Perëndisë për tokën?

15 Sidoqoftë, vullneti i Perëndisë për tokën nuk ka ndryshuar. Ai ka ende dëshirë që njerëz të përsosur të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore. (Psalmi 37:29) Por, si do ta realizojë Mbretëria e Perëndisë këtë?

16, 17. Çfarë mësojmë nga Danieli 2:44 për Mbretërinë e Perëndisë?

16 Profecia e Danielit 2:44 thotë: «Në ditët e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë e do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» Çfarë mësojmë për Mbretërinë e Perëndisë nga kjo profeci?

17 Së pari, mësojmë që Mbretëria e Perëndisë do të fillonte të qeveriste «në ditët e këtyre mbretërve». Kjo do të thotë se, kur të fillonte qeverisjen Mbretëria e Perëndisë, në tokë do të kishte qeveri të tjera. Së dyti, mësojmë se Mbretëria e Perëndisë do të zgjatë përgjithmonë dhe nuk do të zëvendësohet kurrë nga asnjë qeveri tjetër. Dhe së treti, mësojmë se do të ketë luftë mes Mbretërisë së Perëndisë dhe qeverive të kësaj bote, por Mbretëria e Perëndisë do të triumfojë dhe do të jetë e vetmja që do të qeverisë tokën. Pas kësaj njerëzimi do të ketë qeverinë më të mirë që mund të imagjinohet.

18. Si quhet lufta përfundimtare mes Mbretërisë së Perëndisë dhe qeverive të kësaj bote?

18 Çfarë do të ndodhë para se Mbretëria të fillojë të qeverisë tokën? Para luftës përfundimtare, që quhet lufta e Armagedonit, demonët do t’i mashtrojnë «mbretërit e mbarë tokës së banuar që t’i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». Po, qeveritë njerëzore do të luftojnë kundër Mbretërisë së Perëndisë.—Zbulesa 16:14, 16; shiko pikën 10 të Shtojcës.

19, 20. Pse kemi nevojë që Mbretëria e Perëndisë të qeverisë tokën?

19 Pse kemi nevojë për Mbretërinë e Perëndisë? Të paktën për tri arsye. Së pari, jemi mëkatarë dhe si pasojë sëmuremi e vdesim. Por Bibla thotë se nën Mbretërinë e Perëndisë do të jetojmë përgjithmonë. Te Gjoni 3:16 thuhet: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»

20 Arsyeja e dytë pse kemi nevojë për Mbretërinë e Perëndisë është se rrethohemi nga njerëz të ligj. Shumë veta gënjejnë, mashtrojnë dhe janë të pamoralshëm. Ne nuk i ndalojmë dot, kurse Perëndia po. Nëse nuk duan të ndryshojnë, ai do t’i shkatërrojë në Armagedon. (Lexo Psalmin 37:10.) Së treti, kemi nevojë për Mbretërinë e Perëndisë sepse qeveritë njerëzore kanë treguar se janë mizore, të korruptuara dhe të pafuqishme për të zgjidhur problemet. Ato nuk duan t’ia dinë nëse njerëzit i binden apo jo Perëndisë. Bibla thotë se «njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij».—Eklisiastiu 8:9.

21. Çfarë masash do të marrë Mbretëria që në tokë të bëhet vullneti i Perëndisë?

21 Pas Armagedonit, Mbretëria do të marrë masa që në tokë të bëhet vullneti i Perëndisë. Për shembull, do të heqë Satanain dhe demonët. (Zbulesa 20:1-3) Falë shpërblesës nuk do të ketë më sëmundje e vdekje, dhe të gjithë njerëzit besnikë do të jetojnë përgjithmonë në Parajsë. (Zbulesa 22:1-3) Mbi të gjitha, Mbretëria do të shenjtërojë emrin e Perëndisë. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se, kur Mbretëria e Perëndisë të qeverisë tokën, çdo njeri do ta nderojë emrin e Jehovait.—Shiko pikën 21 të Shtojcës.

KUR U BË MBRET JEZUI?

22. Nga e dimë që Jezui nuk u bë Mbret kur ishte në tokë ose menjëherë pasi u ringjall?

22 Jezui i mësoi dishepujt të luteshin: «Ardhtë Mbretëria jote!» Pra ishte e qartë se qeveria e Perëndisë do të vinte në të ardhmen. Si fillim, Jehovai duhej ta themelonte këtë qeveri e ta bënte Jezuin Mbret të saj. A do të bëhej Jezui Mbret sapo të kthehej në qiell? Jo, do t’i duhej të priste. Pak kohë pasi Jezui u ringjall, si Pjetri, edhe Pavli, e bënë të qartë këtë kur treguan se profecia në Psalmin 110:1 lidhej me Jezuin. Në këtë profeci, Jehovai thotë: «Ulu në të djathtën time derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.» (Veprat 2:32-35; Hebrenjve 10:12, 13) Sa kohë do t’i duhej Jezuit të priste para se Jehovai ta bënte Mbret?

Mbretëria do të marrë masa që të bëhet vullneti i Perëndisë në tokë

23. (a) Kur nisi të qeveriste Jezui si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë? (b) Çfarë do të mësojmë në kapitullin tjetër?

23 Shumë vjet përpara 1914-s, një grup të krishterësh të sinqertë e kuptuan se ky vit do të ishte domethënës në profecitë e Biblës. Ngjarjet botërore që nga ky vit kanë treguar se kishin të drejtë. Jezui nisi të qeveriste si Mbret në 1914-n. (Psalmi 110:2) Pak pas kësaj, Satanai u dëbua nga qielli në tokë dhe tani ‘i ka mbetur një periudhë e shkurtër kohe’. (Zbulesa 12:12) Në kapitullin tjetër do të shqyrtojmë prova të tjera që tregojnë se po jetojmë në këtë periudhë. Do të mësojmë edhe se koha kur Mbretëria të bëjë vullnetin e Perëndisë në tokë është shumë afër.—Shiko pikën 22 të Shtojcës.