Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 13

Trego respekt për dhuratën e jetës

Trego respekt për dhuratën e jetës

1. Kush na e ka dhënë jetën?

JEHOVAI është «Perëndia i gjallë». (Jeremia 10:10) Ai është Krijuesi ynë që na ka dhënë jetën. Bibla thotë: «Ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistojnë dhe u krijuan.» (Zbulesa 4:11) Po, ne gëzojmë jetë falë Jehovait. Jeta është një dhuratë e çmuar prej tij.—Lexo Psalmin 36:9.

2. Çfarë duhet të bëjmë që të kemi sukses në jetë?

2 Jehovai na jep gjithçka që na duhet për të jetuar, si ushqim dhe ujë. (Veprat 17:28) Ai nuk do që thjesht të jetojmë, por që ta gëzojmë jetën. (Veprat 14:15-17) Që të kemi sukses në jetë, duhet t’u bindemi ligjeve të Perëndisë.—Isaia 48:17, 18.

SI E KONSIDERON PERËNDIA JETËN?

3. Çfarë bëri Jehovai kur Kaini vrau Abelin?

3 Bibla mëson se jeta jonë dhe jeta e të tjerëve është e çmuar për Jehovain. Për shembull, kur Kaini—djali i Adamit dhe Evës—ishte shumë i zemëruar me vëllanë e tij më të vogël, Abelin, Jehovai i tha Kainit që ta kontrollonte zemërimin. Por Kaini nuk e dëgjoi. Ai u nxeh kaq shumë saqë «e sulmoi të vëllanë, Abelin, dhe e vrau». (Zanafilla 4:3-8) Jehovai e ndëshkoi për vrasjen e Abelit. (Zanafilla 4:9-11) Pra, zemërimi dhe urrejtja janë të rrezikshme, sepse mund ta bëjnë një njeri të dhunshëm ose mizor. Një njeri i tillë s’mund të ketë shpresën e jetës së përhershme. (Lexo 1 Gjonit 3:15.) Për t’i pëlqyer Jehovait, duhet të mësojmë t’i duam të gjithë njerëzit.—1 Gjonit 3:11, 12.

4. Çfarë na mëson një nga Dhjetë Urdhërimet për mënyrën si e konsideron Perëndia jetën?

4 Mijëra vjet më vonë, Jehovai tregoi se e çmonte jetën, kur i dha Moisiut Dhjetë Urdhërimet. Një nga urdhërimet ishte: «Mos vrit.» (Ligji i përtërirë 5:17) Nëse një njeri vriste qëllimisht dikë, duhej të vritej.

5. Çfarë mendon Perëndia për abortin?

5 Po për abortin, çfarë mendon Perëndia? Jehovai çmon edhe jetën e një fëmije që është në barkun e nënës. Në ligjin që Jehovai u dha izraelitëve, Jehovai tha se, nëse dikush godiste një grua shtatzënë dhe si pasojë fëmija vdiste, ai person duhej të vritej. (Lexo Eksodin 21:22, 23; Psalmi 127:3.) Nga kjo mësojmë se aborti është i gabuar.—Shiko pikën 28 të Shtojcës.

6, 7. Si i tregojmë Jehovait se për ne jeta është e çmuar?

6 Si mund t’i tregojmë Jehovait se për ne është e çmuar jeta jonë dhe jeta e të tjerëve? Duke mos bërë asgjë që do të rrezikonte jetën tonë ose të dikujt tjetër. Ja pse nuk pimë duhan dhe nuk përdorim drogë, pasi ato na dëmtojnë dhe mund të na marrin jetën.

7 Jetën dhe trupin na i ka dhënë Perëndia, ndaj duhet t’i përdorim ashtu si do ai, dhe të kujdesemi për shëndetin. Përndryshe bëhemi të papastër në sytë e Perëndisë. (Romakëve 6:19; 12:1; 2 Korintasve 7:1) Jehovai, dhuruesi i jetës, nuk e pranon adhurimin tonë nëse nuk e konsiderojmë jetën të çmuar. Mund të jetë shumë e vështirë t’i ndërpresim veset e dëmshme, por nëse përpiqemi, Jehovai do të na ndihmojë ngaqë e konsiderojmë jetën të çmuar.

8. Çfarë duhet të bëjmë që të mos rrezikojmë jetën tonë a të dikujt tjetër?

8 Mësuam se jeta është një dhuratë e çmuar. Jehovai ka besim se do të bëjmë çmos që të mos rrezikojmë asnjëherë jetën tonë apo të dikujt tjetër, si për shembull kur ngasim makinën, motorin a ndonjë mjet tjetër. Veç kësaj, shmangim sportet e rrezikshme ose të dhunshme. (Psalmi 11:5) Gjithashtu bëjmë çmos që shtëpia jonë të jetë një vend i sigurt. Jehovai i urdhëroi izraelitët: «Nëse ndërton një shtëpi të re, bëj edhe një parmak [ose mur të ulët] për tarracën, që të mos e bësh shtëpinë tënde me faj gjaku nëse dikush bie prej saj.»—Ligji i përtërirë 22:8.

9. Si duhet t’i trajtojmë kafshët?

9 Për Jehovain ka rëndësi edhe mënyra si i trajtojmë kafshët. Ai na ka lejuar t’i vrasim kafshët për ushqim dhe veshje apo nëse na vënë jetën në rrezik. (Zanafilla 3:21; 9:3; Eksodi 21:28) Por nuk mund t’i keqtrajtojmë kafshët ose t’i vrasim thjesht për sport.—Proverbat 12:10.

TREGO RESPEKT PËR SHENJTËRINË E JETËS

10. Nga e dimë që gjaku përfaqëson jetën?

10 Jehovai e konsideron gjakun të shenjtë, ngaqë përfaqëson jetën. Pasi Kaini vrau Abelin, Jehovai i tha: «Gjaku i vëllait tënd po më thërret nga toka.» (Zanafilla 4:10) Gjaku i Abelit përfaqësonte jetën e tij dhe, meqë Kaini i mori jetën Abelit, Jehovai e ndëshkoi. Edhe pas Përmbytjes së ditëve të Noesë, Jehovai tregoi se gjaku përfaqëson jetën. Jehovai lejoi që Noeja dhe familja e tij të hanin mishin e kafshëve. Ai u tha: «Po ju jap si ushqim çdo kafshë që lëviz dhe ka jetë; ashtu si ju dhashë bimësinë e gjelbër, po ju jap edhe të gjitha këto.» Ama, Jehovai i urdhëroi: «Vetëm mos e hani mishin me jetën e tij, domethënë me gjakun e tij.»—Zanafilla 1:29; 9:3, 4.

11. Cilin urdhërim i dha Perëndia kombit të Izraelit për gjakun?

11 Rreth 800 vjet pasi i kishte thënë Noesë të mos e hante gjakun, Jehovai u përsëriti izraelitëve këtë urdhër: «Nëse ndonjë izraelit a i huaj që banon mes jush, del për gjah dhe zë një kafshë a shpend që mund të hahet, ai do t’ia derdhë gjakun dhe do ta mbulojë me dhé.» Më pas u tha: «Mos hani gjakun.» (Levitiku 17:13, 14) Jehovai ende donte që shërbëtorët e tij ta konsideronin gjakun të shenjtë. Ata mund të hanin mishin, por jo gjakun. Kur të vrisnin një kafshë për ushqim, duhej t’ia derdhnin gjakun në tokë.

12. Si e konsiderojnë të krishterët gjakun?

12 Disa vite pas vdekjes së Jezuit, apostujt dhe pleqtë e kongregacionit në Jerusalem u takuan për të vendosur se cilat pjesë të Ligjit që Perëndia u dha izraelitëve, zbatoheshin ende për të krishterët. (Lexo Veprat 15:28, 29; 21:25.) Jehovai i ndihmoi të kuptonin se gjaku vazhdonte të ishte i çmuar për të dhe se ata duhej të vazhdonin ta konsideronin të shenjtë. Të krishterët e hershëm nuk duhej të hanin apo të pinin gjak, as nuk duhej të hanin mishin të cilit nuk i ishte derdhur mirë gjaku. Po ta bënin këtë, do të ishte njëlloj sikur të adhuronin idhujt ose të bënin imoralitet seksual. Po sot? Jehovai ende do që ta konsiderojmë gjakun të shenjtë. Prandaj të krishterët e vërtetë nuk pranojnë të hanë ose të pinë gjak.

13. Pse shërbëtorët e Perëndisë nuk i pranojnë transfuzionet e gjakut?

13 A do të thotë kjo se shërbëtorët e Perëndisë duhet të refuzojnë edhe transfuzionet e gjakut? Po. Jehovai na ka urdhëruar që të mos hamë dhe të mos pimë gjak. Për shembull, nëse një mjek të thotë të mos pish alkool, a do ta injektosh me shiringë? Sigurisht që jo! Po kështu, urdhri që të mos hamë dhe të mos pimë gjak përfshin të mos pranojmë as transfuzionin e gjakut.—Shiko pikën 29 të Shtojcës.

14, 15. Megjithëse të krishterët e çmojnë jetën, a do ta shkelin ligjin e Perëndisë vetëm që ta zgjatin atë? Shpjego.

14 Po sikur mjeku të na thotë se do të vdesim nëse nuk marrim gjak? Gjithsecili duhet të vendosë vetë nëse do t’i bindet apo jo ligjit të Perëndisë për gjakun. Si të krishterë e respektojmë thellësisht dhuratën e jetës, prandaj përpiqemi të gjejmë mjekime të tjera që të vazhdojmë të jetojmë. Megjithatë, nuk pranojmë të marrim gjak.

15 Bëjmë çdo përpjekje për të pasur shëndet të mirë, por ngaqë gjaku përfaqëson jetën dhe është i shenjtë për Perëndinë, nuk e pranojmë transfuzionin e tij. Është më e rëndësishme t’i bindemi Jehovait sesa të mundohemi ta zgjatim jetën duke shkelur ligjin e tij. Jezui tha: «Kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë, por kushdo që e humbet jetën e vet për hirin tim, do ta shpëtojë.» (Mateu 16:25) Nga dashuria që kemi për Jehovain, duam t’i bindemi. Dhe, meqë Jehovai e di ç’është më e mira për ne, e konsiderojmë jetën të çmuar dhe të shenjtë si ai.—Hebrenjve 11:6.

16. Pse i binden Perëndisë shërbëtorët e tij?

16 Shërbëtorët besnikë të Perëndisë janë të vendosur t’i binden ligjit të tij për gjakun. Ata nuk hanë ose nuk pinë gjak, dhe nuk pranojnë të marrin gjak as për arsye mjekësore. * Megjithatë pranojnë mjekime të tjera që mund t’u shpëtojnë jetën. Janë të bindur se Krijuesi i jetës dhe i gjakut e di se ç’është më e mira për ta. Po ti, a beson se Jehovai e di çfarë është më e mira për ty?

I VETMI PËRDORIM I GJAKUT QË JEHOVAI KA LEJUAR

17. Cili ishte i vetmi përdorim i gjakut që Jehovai lejonte në Izrael?

17 Në ligjin që i dha Moisiut, Jehovai u tha izraelitëve: «Jeta e çdo krijese është në gjak, dhe unë ua kam dhënë që të bëni shlyerjen [ose të kërkoni falje] me të për veten tuaj mbi altar, sepse gjaku bën shlyerjen.» (Levitiku 17:11) Kur izraelitët mëkatonin, mund t’i kërkonin falje Jehovait duke i dhënë priftit një kafshë për ta flijuar, dhe prifti duhej të spërkaste altarin e tempullit me gjakun e asaj kafshe. Kjo ishte e vetmja mënyrë e përdorimit të gjakut që Jehovai u lejoi izraelitëve.

18. Çfarë bëri të mundur flijimi i Jezuit?

18 Kur erdhi në tokë, Jezui e zëvendësoi ligjin për flijimin e kafshëve duke dhënë jetën e tij, ose gjakun e tij, që të na falen mëkatet. (Mateu 20:28; Hebrenjve 10:1) Jeta e Jezuit ishte kaq e çmuar saqë, mbi bazën e flijimit të saj, Jehovai mund t’u jepte të gjithë njerëzve mundësinë për të jetuar përgjithmonë.—Gjoni 3:16; Hebrenjve 9:11, 12; 1 Pjetrit 1:18, 19.

Si mund të tregosh respekt për jetën dhe gjakun?

19. Çfarë duhet të bëjmë që të jemi ‘të pastër nga gjaku i të tërë njerëzve’?

19 I jemi mirënjohës Jehovait për dhuratën e mrekullueshme të jetës! Ndaj duam t’u tregojmë njerëzve se, duke treguar besim te Jezui, mund të jetojnë përgjithmonë. I duam njerëzit, ndaj do të bëjmë çmos për t’i mësuar si të fitojnë jetën. (Ezekieli 3:17-21) Kështu, njëlloj si Pavli, mund të themi me plot gojën: «Jam i pastër nga gjaku i të tërë njerëzve, sepse jua tregova gjithë vullnetin e Perëndisë.» (Veprat 20:26, 27) Po, tregojmë se e respektojmë thellësisht jetën dhe gjakun kur u flasim të tjerëve për Jehovain dhe u tregojmë se sa shumë e çmon ai jetën.

^ par. 16 Për më shumë informacion rreth transfuzioneve të gjakut, shiko faqet 77-79 të librit ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.