Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 86

Burra të udhëhequr nga një yll

Burra të udhëhequr nga një yll

A E SHEH atë yll të shndritshëm që po tregon me gisht njëri nga këta burra? Ky yll u shfaq kur ata u larguan nga Jerusalemi. Këta burra janë nga Lindja dhe studiojnë yjet. Ata besojnë se ylli i ri po i çon te një njeri i rëndësishëm.

Kur arritën në Jerusalem, burrat pyetën: ‘Kush është fëmija që duhet të jetë mbret i judenjve?’ ‘Judenj’ është një emër tjetër për izraelitët. ‘E pamë yllin e fëmijës kur ishim në Lindje,—thanë burrat—dhe kemi ardhur ta adhurojmë.’

Kur mori vesh për këtë, Herodi, që është mbret në Jerusalem, u mërzit shumë. Ai s’donte që një mbret tjetër të zinte vendin e tij. Prandaj Herodi i thirri krerët e priftërinjve dhe i pyeti: ‘Ku do të lindë mbreti i premtuar?’ Ata u përgjigjën: ‘Bibla thotë në Betlehem.’

Atëherë Herodi thirri ata burrat nga Lindja dhe u tha: ‘Shkoni, kërkojeni fëmijën. Kur ta gjeni, më thoni se edhe unë dua të shkoj ta adhuroj.’ Por, në të vërtetë, Herodi donte ta vriste fëmijën!

Pastaj ylli lëviz përpara burrave, shkon në Betlehem e ndalon te vendi kur rri fëmija. Kur burrat hyjnë në shtëpi, gjejnë Marinë dhe Jezuin e vogël. Ata nxjerrin dhuratat dhe ia japin Jezuit. Por më vonë Jehovai i paralajmëron burrat, me anë të një ëndrre, që të mos kthehen prapë te Herodi. Prandaj ata marrin një rrugë tjetër për t’u kthyer në shtëpi.

Kur Herodi merr vesh se njerëzit nga Lindja kanë ikur në shtëpi, zemërohet shumë. Prandaj jep urdhër që djemtë nga mosha dy vjeç e poshtë të vriten. Por Jehovai e lajmëron më përpara Jozefin në një ëndërr, kështu që Jozefi shkon në Egjipt bashkë me familjen. Më vonë, kur Jozefi merr vesh se Herodi ka vdekur, e çon Marinë dhe Jezuin përsëri në shtëpi, në Nazaret. Këtu rritet Jezui.

Si mendon, kush e bëri atë yll të ri të shkëlqejë? Mos harro që, pasi panë yllin, burrat në fillim shkuan në Jerusalem. Satana Djalli donte ta vriste Birin e Perëndisë dhe e dinte që mbreti Herod i Jerusalemit do të përpiqej ta vriste. Prandaj është Satanai ai që duhet ta ketë bërë atë yll të shkëlqejë.