Familje pa baba—Një shenjë e kohëve
Familje pa baba—Një shenjë e kohëve
CILIN do të veçonit si problemin më të rëndësishëm social të kohës? Gati 80 për qind e të anketuarve në një anketë Gallup të kryer në SHBA mendojnë se është «mungesa fizike e babait në shtëpi». Sipas Gallupit, më shumë se 27 milionë fëmijë në Shtetet e Bashkuara nuk jetojnë me baballarët e tyre biologjikë, dhe ky numër po rritet me shpejtësi. Në një njoftim të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët thuhet se rreth 50 për qind e fëmijëve të bardhë që kanë lindur në Shtetet e Bashkuara qysh prej vitit 1980, «e kalojnë një pjesë të fëmijërisë në një familje me prind të vetëm. Për fëmijët e zinj kjo shifër është rreth 80%». Kështu gazeta USA Today i përcaktonte Shtetet e Bashkuara si «vendin e parë në botë për sa i përket familjeve pa baba».
Sidoqoftë, në një artikull në The Atlantic Monthly vërehet: «Numri gjithnjë e më i madh i familjeve të ndara nuk është karakteristik vetëm për shoqërinë amerikane. Ai është i dukshëm thuajse në të gjitha vendet e zhvilluara, duke përfshirë edhe Japoninë.» Gjithashtu, ndonëse nga vendet në zhvillim është e vështirë të nxirren statistika, shumë prej tyre duket se po përballojnë një krizë të ngjashme. Sipas revistës World Watch, «burrat [në vendet e varfra] shpesh i braktisin gratë dhe fëmijët e tyre për shkak të shtimit të presioneve ekonomike». Vërtet, nga një anketë në një vend të Karaibeve u zbulua se vetëm 22 për qind e baballarëve që kishin fëmijë në moshën tetëvjeçare jetonin faktikisht me fëmijët e tyre.
Edhe në kohët biblike fëmijët pa baba nuk ishin të paktë. (Ligji i përtërirë 27:19; Psalmi 94:6) Megjithatë, në atë kohë arsyeja kryesore se përse fëmijët mbeteshin pa baba ishte vdekja e babait. «Sot,—thotë shkrimtari David Blankenhorn,—shkaku kryesor i mbetjes së fëmijëve pa baba është braktisja nga baballarët.» Në të vërtetë, siç do ta shohim, shtimi i numrit të fëmijëve pa baba jep dëshmi se sot shumë njerëz s’kanë «përzemërsi të natyrshme». Sipas Biblës, kjo është vetëm një provë më shumë se po jetojmë në «ditët e fundit».—2. Timoteut 3:1-3, BR.
Për të vegjlit, ama, zhdukja e babait nga jeta e tyre është një tragjedi personale. Ajo i hap udhën një cikli dhimbjesh e vuajtjesh, që mund të ketë pasoja afatgjata. Prandaj, në këtë seri do të trajtohet ky cikël, jo për të shkurajuar lexuesit, por për të siguruar informacione që mund t’i ndihmojnë familjet ta ndalin këtë prirje shkatërrimtare.