Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Tepër e shkurtër? Jam neurokirurg dhe vërejta diçka të gabuar në figurën e artikullit «Truri—Një kryevepër e ndërlikuar». (8 maj 1999, anglisht) Ju paraqitnit një prerje tërthore të trurit, ku një vijë e ndërprerë tregonte hipofizën. Më duket se vija është tepër e shkurtër dhe tregon kiazmën optike.
A. W., Japoni
Lexuesi ynë symprehtë ka të drejtë dhe kërkojmë të falur për gabimin.—BOT.
Uragani Miç Faleminderit për artikullin nxitës «Shpëtim nga stuhia vrasëse». (8 qershor 1999, anglisht) Marr shpesh informacione me anë të postës elektronike në lidhje me katastrofat që prekin vëllezërit tanë, por asnjëherë nuk e di se sa prej këtij informacioni është i besueshëm. Mënyra se si qe paraqitur informacioni në artikull ishte shumë inkurajuese dhe ndërtuese. Ajo shërbente si një përkujtues serioz për kohët kritike në të cilat jetojmë.
C. P., Shtetet e Bashkuara
E kuptoj se shumë veta humbën zotërimet e tyre në këtë katastrofë, por ishte diçka drithëruese të lexoje për vëllazërinë tonë mbarëbotërore që është në veprim, madje edhe përballë rreziqeve të mëdha. Fotografia e vëllait përpara shtëpisë së tij të shkatërruar më bëri të mendoj. Ç’të drejtë kam unë të ankohem për ndonjë gjë?
R.K.N., Brazil
Guarana Artikulli «Kafe, çaj apo guarana?» (8 qershor 1999, anglisht) ishte interesant. Duke qenë një shërbëtor në kohë të plotë që shërbej gjatë brigjeve të lumit Amazona, unë punoj pranë zonave ku kultivohet guarana. E shikoj shpesh ndërsa e përgatitin. Herën tjetër që dikush do të më ofrojë guarana, e di si do të përgjigjem.
J.R.S.M., Brazil
Universi Dua t’ju falënderoj shumë për serinë «Universi—I krijuar për një qëllim?» (22 qershor 1999, anglisht) Duke qenë se jam astronom amator, këta artikuj më pëlqyen mjaft. Spektakli i mahnitshëm që vërehet çdo natë na fton të meditojmë rreth fuqisë, diturisë dhe dashurisë së pafund të Krijuesit.
V. V., Spanjë
Ishte e lehtë t’i kuptoje këta artikuj, madje dhe nëse s’merresh me gjëra shkencore. Faleminderit që më ndihmoni ta njoh Jehovain më mirë. Gruaja ime vdiq kohët e fundit, pasi kishim 58 vjet të martuar. Prandaj, kjo kuptueshmëri ndriçuese rreth Krijuesit nuk mund të kishte mbërritur në një moment më të përshtatshëm se ky në jetën time.
F. W., Shtetet e Bashkuara
Punëtore ndërtimi Faleminderit shumë për artikullin «Gratë kanë luajtur një rol të madh». (22 qershor 1999, anglisht) Rreth një vit më parë, u transferova nga Kalifornia në Tailandë. Kohët e fundit patëm privilegjin të ndërtonim Sallën tonë të Mbretërisë. Ashtu si gratë në Zimbabve, motrat tona ndihmuan në përzierjen e betonit, për lidhjen e shufrave të çelikut, për shtrimin e pllakave dhe u kujdesën për punë të tjera të shumta të ndërtimit. Me ndihmën e Jehovait e përfunduam punën për afro tre muaj. Faleminderit që e vlerësoni rolin që kanë luajtur gratë në veprën mbarëbotërore të ndërtimit.
R. G., Tailandë
Prindërit e mi dhe unë patëm për herë të parë mundësinë që të ndihmonim në një projekt të shpejtë për ndërtimin e një Salle Mbretërie. Mund ta merrni me mend se sa e lumtur u ndjeva kur pashë se si gratë anembanë botës po kontribuojnë në ndërtimin mbarëbotëror të zyrave të degëve dhe Sallave të Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait. Projektet e ndërtimit si ai në Zimbabve janë një parapërgatitje për punën që do të bëjmë në botën e re. Nëse ndiejmë kënaqësi sot nga këto projekte, imagjinoni se si do të jetë kur i gjithë njerëzimi të jetë i përsosur dhe i bashkuar në shërbimin e Jehovait!
S.W.S., Brazil