Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Zbulohen mumje të tjera
«Në Egjipt arkeologët kanë njoftuar për zbulimin e të paktën 200 mumjeve—disa nga të cilat me maska prej ari—në një varrezë të stërmadhe në Shkretëtirën Perëndimore»,—thuhet në një informacion të lajmeve të BBC-së. Varreza është pranë një oazi dhe ndodhet brenda qytetit Bauiti, rreth 300 kilometra në jugperëndim të Kajros. Sipas Agjencisë së Lajmeve të Lindjes së Mesme për Egjiptin, varreza mund të ketë më shumë se 10.000 mumje. Asaj i është vënë emri i ri Lugina e Mumjeve. Varreza me një gjatësi prej 10 kilometrash daton 2.000 vjet më parë, në epokën e hershme greko-romake. Disa nga mumjet e nxjerra deri tani ishin të mbuluara me pëlhura liri ose të veshura me allçi e disa prej tyre kishin maska ari dhe, gjithashtu, siç thotë Zahi Havas, drejtor për antikat, kishin «figura madhështore të hyjnive të lashta egjiptiane mbi kraharor».
Afrikën e pllakosin epidemitë
Siç raportohet në Cape Times, përpjekjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për ta çrrënjosur krejtësisht poliomielitin nga Afrika rreth fundit të këtij viti, kanë dështuar. Si pasojë e luftës në Angolë, poliomieliti në atë vend ka marrë përmasa epidemike. Sipas Nil Kameronit, drejtues i kontrollimit të sëmundjeve të transmetueshme në Departamentin e Shëndetit për Afrikën e Jugut, mund të duhen edhe dhjetë vjet të tjerë që të zhduket poliomieliti në Angolë. Veç kësaj, fqinjët e Angolës, Namibia dhe Republika Demokratike e Kongos, po mundohen t’i bëjnë ballë përkatësisht epidemisë së etheve hemorragjike të Ebolës dhe epidemisë së murtajës bubonore. Lebra është ende një problem në Kongo, Etiopi, Mozambik, Niger dhe Nigeri. E gjithë kjo, bashkë me faktin që malarja po bën kërdinë në pjesën dërrmuese të kontinentit, po shkakton një shqetësim të madh, pasi, siç vërejti Kameron, «kufijtë nuk janë pengesë për sëmundjet».
«Substanca më e domosdoshme për jetën»
«Uji është substanca më e domosdoshme për jetën, pasi trupi përbëhet kryesisht nga lëngje,—vërehet në gazetën Toronto Star.—Edhe një pakësim prej 20 për qind i ujit të trupit mund të jetë fatal.» Uji jo vetëm rregullon temperaturën e trupit, por gjithashtu «çon në organe lëndët ushqyese dhe largon prej tyre mbeturinat nëpërmjet sistemit të qarkullimit të gjakut dhe sistemeve të tjera të organizmit. Ai, po ashtu, lubrifikon artikulacionet dhe zorrën e trashë, duke ndihmuar në parandalimin e kapsllëkut». Një i rritur mesatar ka nevojë për dy deri në tre litra ujë në ditë. Pirja e kafesë, e pijeve të gazuara ose atyre alkoolike faktikisht mund ta rritë nevojën për ujë të pastër, pasi këto pije mund t’i kontribuojnë dehidratimit. Sipas një dietologu, etja nuk duhet të shërbejë si një përkujtues për të pirë ujë, sepse në kohën që ndiejmë etje mund të jemi tashmë të dehidratuar. Në gazetë thuhet se «pirja e një gote ujë çdo orë gjatë ditës, plotëson nevojën e shumicës së njerëzve për ujë».
Një sy gjumë gjatë punës
«Disa institucione kanadeze po bëhen të vetëdijshme për dobitë e një dremitjeje të vogël gjatë punës»,—thuhet në gazetën Toronto Star. Ndërmarrjet kanë krijuar «dhoma zgjimi» për punëtorët e turnit të natës. «Dhomat kanë një ndriçim të mugët, janë të freskëta, të qeta dhe të pajisura me orë me zile, divane ose karrige në formë shezlongu»,—thuhet në Star. Por «pikëpamjet e vjetra ndryshojnë me zor. Ato kompani që sigurojnë vende për dremitje preferojnë të mos e përhapin këtë fakt». Meri Peruxhini, mjeke specialiste në Qendrën e Çrregullimeve të Gjumit në Spitalin Mbretëror të Otavës, vëren: «Po punojmë më shumë orë, nivelet e stresit janë më të larta dhe po rriten akoma. Nëse i kushtojmë 20 minuta në ditë gjumit, do të kemi dobi. Kjo do të shtojë pa diskutim rendimentin (dhe) do ta mbajë stresin në nivele të ulëta.»
Kërcënim nga zvogëlimi i akullnajave
Brenda 40 vjetëve, masa më e madhe e akullit në botë që ndodhet jashtë zonave polare do të zhduket, nëse vazhdohet me ritmet e sotme të shkrirjes, raportohet në The Sunday Telegraph të Londrës. Një ndërthurje e rritjes së temperaturave globale me faktin që Himalajat ndodhen në një gjerësi gjeografike relativisht të vogël, kërcënon 15.000 akullnajat e rajonit. Akullnaja Gangotri, një nga burimet e lumit Gang, është zvogëluar me rreth një të tretën e gjatësisë së saj gjatë 50 vjetëve të fundit. Saied Hasnein, një shkencëtar që vëzhgon akullnajat, paralajmëron se nëse vazhdohet me ritmet e sotme, «lumenj të tillë si Gangu, Indi dhe Brahmaputra, të cilët e marrin
rreth 70 deri në 80 për qind të ujit të tyre nga shkrirja e borës dhe e akullnajave, do të thahen». Pasoja, siç paralajmëron ai do të jetë «një katastrofë ekologjike». Ndërkohë, rreziku i përmbytjeve të mëdha rritet. Kur zvogëlohen akullnajat, formohen liqene që rrethohen nga mure të brishta akulli, zajesh dhe rëre. Ndërsa shkrirja vazhdon, muret çahen, duke shkaktuar përmbytje shkatërrimtare në luginat që ndodhen më poshtë.Rreziqet e duhanit për fëmijët
Siç vëren gazeta Guardian e Londrës, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka llogaritur se shëndeti i 50 për qind të fëmijëve të botës është në rrezik, për shkak të ekspozimit ndaj tymit të duhanit. Në sëmundjet që vijnë si pasojë e thithjes pasive të tymit të duhanit përfshihen astma dhe vështirësi të tjera të aparatit të frymëmarrjes, sindroma e vdekjes së papritur foshnjore, sëmundja e veshit të mesëm dhe kanceri. Studimet tregojnë, gjithashtu, se fëmijët e atyre që pinë duhan kanë vështirësi në shkollë dhe kanë më shumë probleme me sjelljen. Nëse të dy prindërit pinë duhan, fëmijët kanë 70 për qind më shumë mundësi që të kenë probleme shëndetësore e madje edhe një duhanxhi i vetëm në familje do ta rriste probabilitetin me rreth 30 për qind. OBSH-ja po i jep shtysë si informimit mjekësor të prindërve—për t’i ndihmuar të kuptojnë se ç’rrezik është për familjen zakoni i tyre i pirjes së duhanit—ashtu edhe ndalimit të pirjes së duhanit në shkolla dhe në vende të tjera të frekuentuara nga fëmijë.
Triumfi i turizmit
Sipas parashikimeve të Organizatës Botërore të Turizmit (OBT), «numri ndërkombëtar i turistëve do të rritet nga 625 milionë persona në vit, që është sot, në 1,6 miliardë në vitin 2020», siç raportohet në The UNESCO Courier. Këta turistë pritet të shpenzojnë më se 2.000 miliardë dollarë amerikanë, «duke e bërë kështu turizmin industrinë kryesuese të botës». Deri më sot, Evropa ka qenë destinacioni më i parapëlqyer. Franca është vendi më i vizituar, me 70 milionë vizitorë në vitin 1998. Megjithatë, rreth vitit 2020 vendin e parë parashikohet ta zërë Kina. Gjithsesi, udhëtimet nëpër botë mbeten ‘pronë’ e një pakice të privilegjuar. Në vitin 1996, vetëm 3,5 për qind e popullsisë së botës udhëtoi jashtë vendit. OBT-ja parashikon se rreth vitit 2020 kjo shifër do të arrijë 7 për qind.
Rreziqe nga pushimi i fundjavës?
Pushimi i fundjavës, i cili rekomandohet sot nga industria evropiane e udhëtimit si një mënyrë e shpejtë dhe e lehtë për t’u larguar nga streset e jetës, faktikisht, siç vërehet në gazetën Guardian të Londrës, mund «të bëjë më shumë dëm, sesa mirë». Sipas kardiologut dr. Uollter Pasini, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përgatitja e bagazheve, nxitimi për në aeroport dhe fluturimi, bashkë me ndryshimet e temperaturës, ushqimit dhe zonave orare bëjnë që të ndihesh i rraskapitur dhe mund të jenë të rrezikshme. Trupit i duhen disa ditë për t’u çlodhur dhe për t’u përshtatur me klimën e me mënyrën e ndryshme të jetesës dhe kur nuk i jepet kjo mundësi, krijohen probleme në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe në ritmet e gjumit. Siç thuhej në gazetë, nga studimi i dr. Pasinit «u zbulua se ata që merrnin vetëm pak ditë pushim kishin 17% më shumë mundësi që të pësonin një atak në zemër dhe 12% më shumë mundësi që të bënin aksident me makinë, sesa ata që merrnin një javë ose më shumë pushime». «Mesazhi im nuk është që pushimet e shkurtra janë të rrezikshme në vetvete, por që njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të përgatiten ashtu siç duhet,—janë fjalët e dr. Pasinit, sipas Daily Telegraph të Londrës.—Njerëzit sot marrin pushime gjithnjë e më të shkurtra dhe shpejtojnë sa andej-këtej, duke u përpjekur t’i bëjnë të gjitha përgatitjet në pak ditë, por kjo s’është një mënyrë e mirë për t’u çlodhur. Në fakt, është tejet stresuese.»
Hakmarrja e gjarprit me zile
«Gjarpërinjtë me zile mund të të sulmojnë edhe pasi të jenë vrarë, e kjo formë e habitshme hakmarrjeje pas ngordhjes është çuditërisht e përhapur»,—vërehet në revistën New Scientist. Nga 34 pacientët që u mjekuan nga kafshimi i gjarprit me zile në Arizonë, SHBA, gjatë një periudhe 11-mujore, 5 thanë se gjarpri i kishte sulmuar pasi e kishin vrarë, siç vërejtën dy mjekë që studiuan këtë dukuri. Një nga viktimat e kishte goditur gjarprin, i kishte prerë trupin në pjesën poshtë kokës, kishte pritur që të pushonte së lëvizuri dhe pastaj kishte kapur kokën. Ajo i ishte hedhur befas dhe e kishte kafshuar në të dyja duart. Disa studime të mëparshme kanë treguar se koka e prerë e gjarprit me zile «do të përpiqet t’i sulmojë objektet që lëvizin para saj deri një orë pasi ai ka ngordhur», siç thuhet në revistë. Herpetologët mendojnë se ky është «një veprim i vetvetishëm, i stimuluar nga sensorët e rrezeve infra të kuqe që gjenden në ‘organin-gropëz’—një strukturë midis vrimës së hundës dhe syrit që dikton nxehtësinë e një trupi». Dr. Xhefri Sushard vëren se koka e prerë e një gjarpri me zile duhet trajtuar si një «gjarpër shumë i shkurtër». «Nëse ju duhet ta prekni medoemos,—thoshte ai,—ju këshilloj të përdorni një shkop shumë të gjatë.»