Gladiola—Një lule e jashtëzakonshme me bukuri të brishtë
Gladiola—Një lule e jashtëzakonshme me bukuri të brishtë
Thuajse kushdo mahnitet nga bukuria e brishtë e bimëve me lule, mes të cilave spikat gladiola. Duke qenë se është kaq e preferuar, gladiola kultivohet për tregti në një sërë vendesh, ku përfshihen Izraeli e Holanda. Edhe në Shtetet e Bashkuara ka ferma gladiolash, që ua dërgojnë produktet e tyre lulerritësve të apasionuar anekënd botës.
Familja e mrekullueshme e gladiolave është zmadhuar dhe përfshin tani më shumë se 2.000 varietete, të cilat paraqiten në çdo ngjyrë, nuancë a strukturë të imagjinueshme. Si e kanë krijuar lulerritësit këtë larmi, në dukje të pafund, të së njëjtës lule?
Krijimi i varieteteve të reja
Kultivuesi përdor një instrument, si për shembull, një furçë me qime deveje, për të marrë pjalmin nga një thek (pjesa mashkullore e lules) dhe për ta çuar te kreza (ose pjesa femërore) e një luleje tjetër. Pjalmi vendoset zakonisht në ato lulka të bimës pritëse që ndodhen më poshtë. Pasi bëhet kjo, lulja mbyllet, për të mos i lejuar pjalmuesit natyrorë, si bletët ose insektet me krahë, që të ndryshojnë rezultatet. Për të fituar një ngjyrë a një pamje të veçantë, një lloj gladiole kryqëzohet me një lloj tjetër që ka tiparet e dëshiruara.
Kjo nuk do të thotë që varieteti i ri, ose hibridi, është një lloj i ri luleje. Potenciali për këtë varietet ka qenë gjithmonë aty, i mbyllur në kodin gjenetik kompleks të gladiolës. Me anë të shumimit përzgjedhës mund të merren gladiola me ngjyra që variojnë nga e bardhë verbuese në të kuqe të thellë ose purpur të zënë. Ka edhe gladiola me njolla, me spërka, me dallgëzime dhe me lulka dyfishe. Disa, madje, kanë një aromë të lehtë.
Bukuri e brishtë
Shikojini më me kujdes lulet e paraqitura këtu dhe vëreni varietetet e shumta të gladiolave. Sa e këndshme është kjo këtu, që quhet Hijeshia! Ndërsa shpalosen, petalet e saj zbulojnë buzët e lëmuara, të dallgëzuara, në ngjyrë purpur të çelët dhe me maja në ngjyrë paksa më të mbyllur. Në fundin e petaleve, duke shkuar drejt grykës së secilës lulkë, ka një stërpikje të këndshme me ngjyrë rozë të mbyllur dhe purpur.
Një varietet tjetër, i quajtur Dantella Purpur e Çelët, që mund ta shohim edhe këtu, të jep përshtypjen se është kaq e brishtë, saqë edhe prekja më e lehtë do ta prishte. Lulkat e saj zgjaten në drejtim të kundërt me kërcellin, ndërsa nga qendra e grykës shumëngjyrëshe të çdo luleje shpërthejnë thekët e gjatë. Varietete të tjera mbajnë emra tërheqës të tillë, si: Ylli Vezullues, Fundi i Ëndrrës, Kushtrimi i Zjarrtë, E Pashoqja dhe Hëna e Argjendtë.
Kultivimi i gladiolave
Përveçse marrin farat e luleve, fermerët e gladiolave mbledhin zhardhokët—pjesa e fundit e fryrë e kërcellit të lules. Ata mbledhin edhe zhardhokët e vegjël dytësorë që rriten mbi zhardhokët kryesorë.
Në pjesën më të madhe, gladiolat e kultivuara janë krijuar duke u nisur nga llojet afrikane. Prandaj ato i kanë rrënjët, si të thuash, në tropik dhe janë mjaft të ndjeshme ndaj klimës. Ato mund të mos i përballojnë dot dimrat e ftohtë të disa vendeve, por ia dalin mjaft mirë gjatë muajve të ngrohtë të verës.
Në klimë më të ftohtë, zhardhokët duhen nxjerrë nga toka në fund të stinës së rritjes dhe duhen pastruar me kujdes. Do të jetë formuar një zhardhok i ri. Duke hequr zhardhokun e vjetër e të pajetë tamam në fundin e kërcellit, zhardhoku i ri do ta ketë më të lehtë të lëshojë rrënjë. Veç kësaj, duhen hequr edhe zhardhokët e vegjël sa një kokërr bizele, të mbledhur grumbull mbi çdo zhardhok. Gjatë motit të ftohtë si zhardhokët e vegjël, ashtu edhe ata të mëdhej duhen mbajtur në një vend të thatë e të freskët me temperaturë më të lartë se temperatura e ngrirjes.
Pasi mbillet, çdo zhardhok i vogël do të nxjerrë gjethe të holla dhe nga fundi i stinës së rritjes zhardhoku i vogël do të jetë bërë një zhardhok i pjekur. Kur mbillen stinën pasardhëse, këta zhardhokë japin bimë të rritura e të harlisura me lule.
Në klimë të butë, mbjellja mund të nisë në pranverën e hershme. Koha e mbjelljes nuk është edhe aq vendimtare në vendet me klimë të ngrohtë. Më e mira e të mirave është që zhardhokët e vegjël dhe ata të mëdhenj të mbillen në tokë me lagështi e pakëz acide. Ata duhen vendosur në vende ku do të marrin drejtpërdrejt dritën e diellit, pasi gladiolat nuk rriten mirë në hije.
Zhardhokët e vegjël mund të shpërndahen në një brazdë tetë centimetra të thellë e pastaj të mbulohen me dhe. Zhardhokët e rritur, nga ana tjetër, duhen mbjellë në një thellësi prej 13 centimetrash. Që kopshti i shtëpisë të mos bëhet i mbipopulluar, zhardhokët me madhësi mesatare duhen mbjellë rreth tetë centimetra larg njëri-tjetrit dhe ata më të mëdhenj 10,5 deri në 13 centimetra larg. Nëse i pastroni dhe i mbillni me kujdes zhardhokët e gladiolave, pas disa muajsh do të shpërbleheni me një shfaqje të papërshkrueshme—me bukurinë e larmishme dhe të brishtë të gladiolave.
[Figura në faqen 16]
Dantella Purpur e Çelët
[Figura në faqet 16, 17]
Ëndrra e Koraltë
Monet
Fundi i Ëndrrës
Mikja e Diellit
[Figura në faqen 17]
Hijeshia