Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jepet një dëshirë për të jetuar

Jepet një dëshirë për të jetuar

Jepet një dëshirë për të jetuar

MERI vuante nga depresioni klinik, si dhe nga disa probleme të tjera shëndetësore. Megjithatë, ajo nuk ishte veçuar nga familja dhe as nuk abuzonte me alkoolin ose drogën. Rasti i Merit ilustron më së miri pikën se s’është e nevojshme prania e të gjithë faktorëve të rrezikut, që të ndodhë një përpjekje serioze për të vrarë veten.

U duk për njëfarë kohe sikur Meri do të shndërrohej në një tjetër statistikë, duke dëshmuar kështu efektshmërinë me të cilën të moshuarit i japin fund jetës së tyre. Për ditë të tëra ajo qëndroi në koma, pa asnjë reagim, në pavionin e terapisë intensive të një spitali lokal, ndërsa shenjat e jetës regëtinin dobët. Burri i saj i trallisur, Xhoni, rrallë largohej prej saj. Mjekët e paralajmëruan Xhonin dhe familjen se Meri mund të mos mbijetonte, dhe se kishte mundësi që të vuante nga dëmtime të qëndrueshme të trurit, edhe sikur t’ia hidhte.

Merin e vizitonte çdo ditë një komshie, Selli, e cila është një Dëshmitare e Jehovait. «E nxitja familjen që të mos e humbnin shpresën,​—thotë Selli.​—Mamaja ime, që është diabetike, nja dy vjet më parë ishte në koma për disa javë. Mjekët i thanë familjes sonë se s’mund të mbijetonte kurrsesi, por ajo ia hodhi. E kapja Merin për dore dhe i flitja, siç bëja edhe me time më, dhe më dukej se mund të dalloja një përgjigje të dobët.» Nga dita e tretë, reagimi ishte edhe më i fortë dhe dukej se Meri i njihte njerëzit, edhe pse s’mund të fliste.

‘A mund ta kisha parandaluar?’

«Xhoni ishte kaq shumë i munduar nga faji,​—thotë Selli.​—Ishte i sigurt se gjithë faji ishte i tij.» Ky është një reagim i zakonshëm ndaj vetëvrasjes ose përpjekjes për vetëvrasje nga ana e një njeriu të dashur. «I kujtoja se Meri po trajtohej për depresionin klinik. Ajo ishte e sëmurë dhe ai mund ta ndihmonte që të mos ishte në depresion, aq sa mund ta ndihmonte edhe që të mos ishte e sëmurë fizikisht.»

Shpesh, ata, njerëzit e dashur të të cilëve kanë bërë vetëvrasje, i mundon pyetja: «Ç’mund të kisha bërë unë për ta parandaluar?» Vigjilenca ndaj shenjave paralajmëruese dhe faktorëve të rrezikut mund të shmangë një përpjekje. Por nëse jo, mos harroni se ju nuk jeni përgjegjës për veprimin vetëshkatërrues të një tjetri. (Galatasve 6:5) Kjo është veçanërisht e rëndësishme për t’u kujtuar në ato raste, kur pjesëtari i familjes që përpiqet të vrasë veten, e bën këtë me qëllimin që të tjerët të ndihen në faj. Dr. Hendin, që u citua më lart, vëren: «Duhet mbajtur në mend se përpjekjet fatale për vetëvrasje bëhen shpesh nga njerëz, që shpresojnë të ndikojnë ose të manipulojnë ndjenjat e të tjerëve, edhe pse ata vetë nuk do të jenë aty për të dëshmuar suksesin ose dështimin e përpjekjeve të tyre.»

Dr. Hendin vazhdon të theksojë: «Në rastin e të moshuarve vetëvrasës, shpesh ekzistojnë fëmijë të rritur, si edhe të afërm ose partnerë martese, te të cilët pacienti dëshiron të ndikojë, t’i kontrollojë ose t’i detyrojë që të marrin një rol edhe më shumë mbrojtës. Shpesh, kërkesat e pacientit janë të pamundura për t’u plotësuar, shpesh, pacienti nuk lëshon pe në lidhje me to dhe kështu përpjekjet joserioze për vetëvrasje pasohen shpesh nga përpjekje serioze.»

Anëtarët e familjes që gjenden në rrethana të tilla, mund të ndihen se janë vërtet nën një presion ekstrem, përtej fuqisë së tyre. Megjithatë, mos harroni kurrë se Perëndia Jehova i ngre të vdekurit dhe kjo mund të përfshijë edhe njerëzit tanë të dashur, që për shkak të depresionit, sëmundjeve mendore ose dëshpërimit, vrasin veten.​—Shiko «Pikëpamja e Biblës: Vetëvrasjet​—Ka ringjallje?», Zgjohuni! e 8 shtatorit 1990, angl., faqe 22-23.

Edhe pse vetëvrasja nuk mund të justifikohet, është diçka ngushëlluese të kujtojmë se perspektiva e ardhshme e njerëzve tanë të dashur mbetet në duart e një Perëndie, që e kupton plotësisht se dobësitë dhe brishtësia mund ta shtyjnë dikë në një veprim të tillë të dëshpëruar. Bibla thotë për Jehovain: «Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona. Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij. Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.»​—Psalmi 103:11-14.

Një përfundim i lumtur

Për dy ditë, Meri u luhat mes jetës dhe vdekjes, por mbijetoi. Dalëngadalë, mendja e saj u qartësua dhe Xhoni e mori në shtëpi, ku ilaçet janë të gjitha të siguruara me kyç. Tani, Meri ka vizita të rregullta të herëpashershme nga punonjës socialë të shëndetit mendor dhe thotë se s’është në gjendje të shpjegojë, madje as të kujtojë atë impuls të errët që për pak i kushtoi jetën.

Tani Selli, komshia e Xhonit dhe Merit, mban me ta një studim biblik të përjavshëm. Ata kanë mësuar nga Bibla se pikërisht ato probleme që duken kaq të pazgjidhshme, sidomos për të moshuarit, do të zgjidhen shumë shpejt nga Perëndia. «Sigurisht, në vetvete, një studim biblik nuk është ilaçi i gjithë të këqijave,​—shpjegon Selli.​—Me anë të Shkrimeve, ju keni për t’i provuar vetes se këto premtime janë reale e pastaj duhet të zbatoni çfarë po mësoni. Por unë mendoj se Xhoni dhe Meri po fitojnë një shpresë të vërtetë për të ardhmen.»

Nëse e ardhmja juaj duket e zymtë dhe do të donit një shpresë të vërtetë, përse nuk lidheni me Dëshmitarët e Jehovait? Lërini t’ju provojnë, ashtu siç bënë me Xhonin dhe Merin, se nuk ekziston asnjë problem që Perëndia nuk mund dhe nuk do ta zgjidhë në të ardhmen e afërt. Pavarësisht se sa keq mund të duken gjërat tani, ka një zgjidhje. Ju lutemi, shqyrtoni me ne shpresën e sigurt për të ardhmen, që u ka dhënë shumë vetëve një dëshirë të përtërirë për të jetuar.

[Kutia në faqen 6]

Faktorët e rrezikut dhe shenjat paralajmëruese

«Faktorët e rrezikut për vetëvrasje ndër personat e moshuar ndryshojnë prej atyre të të rinjve»,​—vëren The Journal of the American Medical Association. Këta faktorë rreziku përfshijnë «një mbizotërim më të lartë të abuzimit me alkoolin dhe depresion, përdorim më të madh të metodave vdekjeprurëse dhe izolim nga shoqëria. Veç kësaj, të moshuarit . . . kanë më shumë sëmundje fizike dhe çrregullime emocionale». Libri Suicide, nga Stephen Flanders, rendit këta faktorë rreziku, çdonjëri prej të cilëve meriton vëmendje.

Depresioni kronik:

«Kërkuesit raportojnë se 50% a më shumë e atyre që vrasin veten kanë përjetuar ndonjë depresion serioz.»

Mungesa e shpresës:

Sipas disa studimeve, kishte shumë të ngjarë që edhe njerëz që nuk dukeshin me depresion të kishin shumë më tepër prirje për vetëvrasje, nëse nuk kishin asnjë shpresë për të ardhmen.

Alkoolizmi dhe abuzimi me drogën:

«Është përllogaritur se nga 7% deri në 21% [e alkoolistëve] vrasin veten, në krahasim me më pak se 1% të popullsisë në përgjithësi.»

Ndikimi i familjes:

«Studimet nxjerrin në pah se pjesëtarët e një familjeje të prekur nga vetëvrasja, janë në një rrezik më të madh për të bërë edhe ata vetë vetëvrasje.»

Sëmundjet:

«Frika nga një rënie fizike, me pasoja të mundshme mbylljen në një azil, mund të mjaftojë për të përshpejtuar një reagim vetëvrasës ndër disa persona të moshuar.»

Humbjet:

«Humbja mund të jetë konkrete, si për shembull ajo e bashkëshortit ose e një miku, e punës ose e shëndetit. Por mund të jenë edhe diçka jokonkrete. Sa për shembull, mund të përfshihet humbja e vlerësimit për veten, e pozitës ose e ndjenjës së sigurisë.»

Përveç këtyre faktorëve, libri i Flanderit rendit edhe këto shenja paralajmëruese, që kurrë s’duhen marrë me lehtësi.

Përpjekje të mëparshme për vetëvrasje:

«Ky është treguesi kryesor për një vetëvrasje të mundshme.»

Biseda për vetëvrasjen:

«Shprehje të tilla si: ‘S’do t’ju duhet të merakoseni edhe për shumë kohë për mua’ ose ‘Do të ishin më mirë pa mua’ janë shembuj të kërcënimeve të qarta.»

Rregullimet përfundimtare:

«Sjellje të tilla përfshijnë bërjen e një testamenti, dhënien e pasurive të çmuara dhe bërjen e rregullimeve për kafshët shtëpiake.»

Ndryshime personaliteti ose në sjellje:

Kur kjo «shoqërohet me shprehje pavlefshmërie ose mungese të shpresës», mund të jetë «shenjë e një depresioni mjaft të rëndë, sa për të çuar në veprime vetëshkatërruese».

[Figura në faqen 7]

Shpesh, ata që mbijetojnë kanë nevojë për ndihmë, që të përballojnë vetëvrasjen e bashkëshortit