Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse shoku im më lëndon?

Përse shoku im më lëndon?

Të rinjtë pyesin . . .

Përse shoku im më lëndon?

«Kisha disa shoqe . . . Pastaj, ato nisën të ishin shoqe me një vajzë tjetër dhe po t’u afrohesha unë, ato e ndërpritnin bisedën. . . . Filluan të më linin jashtë nga çdo gjë. Kjo m’i lëndoi vërtet ndjenjat.»​—Karen. *

MUND t’u ndodhë edhe shokëve më të mirë. Sot, ata të dy janë të pandashëm; nesër, as nuk flasin më me njëri-tjetrin. «Një shok duhet të jetë dikush tek i cili mund të mbështetesh e t’i besosh, dikush, të cilit mund t’i drejtohesh sido që të jetë puna»,​—thotë Nora 17-vjeçare. Megjithatë, disa herë miku yt më i mirë mund të fillojë të sillet si armiku yt më i keq.

Miqësia nën goditje

Ç’gjë e shkakton prishjen e një miqësie të këndshme? Për Sandrën, problemet filluan kur shoqja e saj, Megani, i mori borxh një nga bluzat e saj të preferuara. «Kur ma ktheu,​—thotë Sandra,​—bluza ishte pis dhe pak e grisur te mënga. Ajo as që e zuri me gojë, sikur unë s’kisha për ta vërejtur.» Si u ndie Sandra në lidhje me këtë mungesë konsiderate nga ana e Meganit? «Më çmendi fare,​—thotë ajo.​—Dukej sikur ajo s’kishte fare respekt për gjërat e mia . . . ose për ndjenjat e mia.»

Lëndimi mund të shkaktohet, gjithashtu, nëse një shok i ngushtë bën ose thotë diçka që të vë në pozitë të vështirë. Kjo ndodhi me Sindin, kur i tha një grupi shokësh të shkollës se akoma nuk kishte lexuar asnjë libër për referatin e librit. Papritur, shoqja e saj Keiti filloi ta qortonte. «Më vuri në siklet në sy të një grupi shokësh,​—kujton Sindi.​—Isha shumë e inatosur me të. Pas kësaj, gjërat ndryshuan me të vërtetë.»

Ndonjëherë, e çara nis kur një shok fillon të kalojë kohë me shoqëri të reja. «Kisha një shoqe të mirë, e cila u bë pjesëtare e një grupi të vogël,​—thotë Boni 13-vjeçare.​—Ajo nisi të më shpërfillte.» Ose mund të ndodhë që të fillosh të zbulosh motive të tjera në shoqërinë e një shoku. «Bobi dhe unë ishim me të vërtetë shokë shumë të mirë,​—thotë Xhoi 13-vjeçar.​—Mendoja se ai më pëlqente për shkak të personalitetit tim, por zbulova se ai më pëlqente vetëm ngaqë babai im punon me reklamat dhe gjithmonë mund të sigurojë bileta të mira për lojëra sportive dhe koncerte.» Si ndihet tani Xhoi? «Nuk do t’i besoj Bobit kurrë më!»​—thotë ai.

Në disa raste, një shok mund t’u zbulojë të tjerëve informata, që ti do të deshe t’i mbante në mirëbesim. Alisoni, për shembull, foli me shoqen e saj, Sarën, në lidhje me një problem personal të një shoqeje të punës. Të nesërmen, Sara e përmendi çështjen tamam në sy të shoqes së punës. «S’e imagjinoja kurrë se ajo mund të ishte kaq llafazane!​—thotë Alisoni.​—Isha e xhindosur.» Rakela 16-vjeçare pati një përvojë të ngjashme, kur një shoqe e ngushtë përhapi diçka që ato të dyja e kishin diskutuar privatisht. «U ndjeva në siklet dhe e tradhëtuar,​—thotë Rakela.​—Mendova me vete: ‘Si mund të kem përsëri besim tek ajo?’»

Miqësia mund të jetë burim i mbështetjes emocionale, sidomos kur ekziston një ndjenjë kujdesi, besimi dhe respekti reciprok. Megjithatë, edhe shoqëritë e ngushta mund të kalojnë periudha të tendosura. Me çiltërsi, Bibla vëren: «Ka nga ata shokë, që janë gati ta thyejnë njëri-tjetrin në copa.» (Fjalët e urta 18:24, BR) Pavarësisht nga shkaku, mund të jetë diçka shkatërrimtare kur mendon se ke qenë i tradhëtuar nga një shok. Përse ndodh kjo gjë?

Përse lëkunden miqësitë?

Asnjë marrëdhënie njerëzore, qoftë mes të rriturish, qoftë mes të rinjsh, nuk është pa probleme. Në fund të fundit, është ashtu siç shkroi dishepulli i krishterë Jakovi: «Të gjithë ne gabojmë shumë herë. Nëse dikush nuk gabon në të folur, ky është një njeri i përsosur, në gjendje për t’i vënë fre edhe gjithë trupit të tij.» (Jakobit 3:2; 1. Gjonit 1:8) Meqë çdokush bën gabime, duhet pritur që herët a vonë një shok do të bëjë ose do të thotë diçka që të lëndon. Mbase të kujtohet ndonjë rast, kur edhe ti e ke lënduar atë person. (Predikuesi 7:22) «Jemi të gjithë të papërsosur dhe hera-herës e mërzitim njëri-tjetrin»,​—thotë Liza 20-vjeçare.

Përveç papërsosmërisë njerëzore, ka edhe faktorë të tjerë që mund të përfshihen. Mos harro, ndërkohë që rritesh e piqesh, interesat e tua, si edhe ato të shokëve të tu, kanë prirjen për të ndryshuar. Prandaj, dy njerëz që njëherë e një kohë kishin shumë gjëra të përbashkëta, mund të zbulojnë se dalëngadalë, por gjithnjë e më shumë, po bëhen të largët. Një adoleshente u ankua për shoqen e saj më të mirë: «Nuk i telefonojmë shumë shpesh njëra-tjetrës dhe kur flasim, vështirë se biem dakord për ndonjë gjë.»

Natyrisht, është një gjë thjesht të ndahesh. Por, përse disa njerëz i lëndojnë shokët e tyre? Shpesh, është në mes xhelozia. Për shembull, mund të ndodhë që një shok të të marrë zët, për shkak të talenteve ose të arritjeve të tua. (Krahaso Zanafillën 37:4; 1. Samuelit 18:7-9.) Siç pohon Bibla «xhelozia është kalbësi për kockat». (Fjalët e urta 14:30, BR) Ajo ngjall smirë dhe grindje. Cilido qoftë shkaku, ç’mund të bësh nëse një shok të lëndon?

Bërja e rregullimeve

«Para së gjithash,​—thotë Rakela,​—do të vëreja personin dhe do të përpiqesha të përcaktoja nëse ajo që ai ose ajo bëri ishte e qëllimshme.» Kur je viktimë e ndonjë fjale ose veprimi, për të cilin mendon se është fyes, mos reago thjesht në bazë të ndjenjave të momentit. Përkundrazi, ji i durueshëm dhe mendo me kujdes mbi çështjen. (Fjalët e urta 14:29) A do ta përmirësonte vërtet situatën reagimi yt i shpejtë ndaj fyerjes që ke vërejtur? Pasi të kesh shqyrtuar punët, mund të zgjedhësh që të ndjekësh këshillën e Psalmit 4:4: «Zemërohuni dhe mos mëkatoni; në shtratin tuaj mendohuni shumë në zemrën tuaj dhe qëndroni në heshtje.» Atëherë, mund të zgjedhësh që ta lësh ‘dashurinë të mbulojë një shumicë mëkatesh’.​—1. Pjetrit 4:8.

Megjithatë, si t’ia bësh nëse thjesht mendon se nuk mund ta kalosh sjelljen lënduese? Në këtë rast, mund të ishte më mirë t’i afroheshe personit. «Takohuni bashkë, vetëm ju të dy, dhe sqaroni çfarë ka ndodhur,​—thotë Frenku 13-vjeçar.​—Nëse nuk e bëni, do të mbani mëri.» Suzana 16-vjeçare mendon po njësoj. «Gjëja më e mirë për t’u bërë,​—thotë ajo,​—është që t’u thuash se ti u besoje atyre, kurse ata të zhgënjyen.» Edhe Zhaklina preferon t’i zgjidhë gjërat personalisht. «Përpiqem t’i them gjërat troç,​—thotë ajo.​—Zakonisht, personi është i hapur me ty dhe mund t’i rregulloni punët pothuajse menjëherë.»

Sigurisht, duhet të kesh kujdes që të mos i afrohesh shokut me një shpërthim zemërimi. Bibla pohon: «Njeriu gjaknxehtë nxit grindje, por ai që nuk zemërohet shpejt i qetëson grindjet.» (Fjalët e urta 15:18) Prandaj, prit derisa të jesh i qetë para se të përpiqesh për të zgjidhur situatën. «Fillimisht ndihesh i tërbuar,​—pranon Liza,​—por duhet ta lësh veten të qetësohet. Prit derisa të mos jesh tepër i zemëruar me personin. Atëherë mund të shkosh te personi, të ulesh e të bisedosh për gjërat në mënyrë paqësore.»

Fjala kyçe është «paqësore». Mos harro, objektivi yt nuk është që t’i japësh shokut tënd një fshikullimë me fjalë. Objektivi është të zgjidhni çështjet në mënyrë paqësore dhe, nëse është e mundur, të rivendosni miqësinë. (Psalmi 34:14) Prandaj, fol nga zemra. «Mund të thuash: ‘Unë jam shoku yt dhe ti je shoku im; por unë dua vetëm të di se ç’ka ndodhur’​—sugjeron Liza.​—Ti ke nevojë të dish arsyen që shtrihet prapa një veprimi. Pasi ta kesh mësuar, zakonisht nuk është aq e vështirë për ta përballuar situatën.»

Sigurisht që do të ishte e gabuar të kundërpërgjigjeshe, mbase duke bërë thashetheme në lidhje me personin e të përpiqeshe që të tjerët të merrnin anën tënde. Apostulli i krishterë Pavël u shkroi romakëve: «Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe.» (Romakëve 12:17) Vërtet, sado i thellë qoftë lëndimi, kundërpërgjigjja vetëm sa do t’i keqësonte edhe më shumë punët. «Nuk ia vlen të hakmerresh,​—thotë Nora,​—sepse kurrë s’keni për t’u bërë më shokë.» Përkundrazi, ajo shton se duke bërë më të mirën për të rregulluar miqësinë «të bën të ndihesh si një person më i mirë».

Po sikur shoku yt të mos reagojë ndaj përpjekjeve të tua për t’u pajtuar? Në këtë rast, mos harro se miqësitë kanë shkallë të ndryshme. «Nuk do të jenë të gjithë shokët të ngushtë,​—thotë këshilluesja familjare Xhudit Mekliz.​—Mëso se mund të kesh lloje të ndryshme miqësish.» Gjithsesi, mund të jesh i ngushëlluar nga fakti se ti ke bërë pjesën tënde për të rivendosur paqen. Apostulli Pavël shkroi: «Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.»​—Romakëve 12:18.

Stuhitë do të kalojnë madje edhe mbi miqësitë më të mira. Nëse mund t’i bësh ballë stuhisë pa e lënë të shkatërrojë pikëpamjen tënde për të tjerët ose vlerësimin tënd për veten, je duke ecur mirë në rrugën për t’u bërë një i rritur i pjekur. Edhe pse disa mund të jenë «gati ta thyejnë njëri-tjetrin në copa», Bibla na siguron, gjithashtu, se «ekziston një mik, që qëndron më afër se një vëlla».​—Fjalët e urta 18:24, BR.

[Shënimi]

^ par. 3 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.

[Figurat në faqen 15]

Mund ta rivendosësh një miqësi, duke folur në lidhje me çfarë ka ndodhur