Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të kesh fëmijë: A të bën burrë?

Të kesh fëmijë: A të bën burrë?

Të rinjtë pyesin . . .

Të kesh fëmijë: A të bën burrë?

«Njoh shumë [djem] që thonë ‘kam një fëmijë, një vajzë, që jeton këtu dhe një djalë që jeton atje’, dhe nga mënyra se si e thonë, duket sikur s’duan t’ia dinë për ta.»​—Haroldi.

ÇDO vit, në Shtetet e Bashkuara afërsisht një milion adoleshente mbeten shtatzëna. Pjesa më e madhe e fëmijëve të lindur nga këto nëna, lindin jashtë martese. Ndër këto nëna adoleshente, 1 në 4 do të ketë edhe një fëmijë të dytë brenda dy vjetëve që do të pasojnë. Në revistën Atlantic Monthly thuhet: «Nëse prirjet aktuale do të vazhdojnë, atëherë më pak se gjysma e të gjithë fëmijëve që lindin sot do të jetojnë vazhdimisht me nënën dhe babanë e vet, gjatë gjithë fëmijërisë. Shumica e fëmijëve amerikanë do të kalojnë disa vjet në një familje vetëm me nënën.»

Ndonëse Shtetet e Bashkuara kanë një përqindje shtatzënie në adoleshencë shumë më të lartë se vendet e tjera të zhvilluara, problemi i lindjeve jashtë martesës është mbarëbotëror. Në disa vende evropiane, si Anglia dhe Franca, shkalla e këtyre lindjeve mund të krahasohet me atë të Shteteve të Bashkuara. Në disa vende të Afrikës dhe të Amerikës së Jugut, shkalla e lindjeve mes adoleshenteve është afro dyfishi i asaj të Shteteve të Bashkuara. Çfarë po e ushqen këtë epidemi?

Çfarë qëndron pas epidemisë?

Në një masë të madhe, kjo situatë pasqyron degradimin moral të «kohëve kritike» në të cilat jetojmë. (2. Timoteut 3:1-5, BR) Në dekadat e fundit, përqindja e divorceve është rritur tej mase. Homoseksualizmi dhe stilet e tjera alternative të jetës janë bërë gjëra të zakonshme. Të rinjtë kanë qenë shënjestra të një morie propagandash të medias: muzikë dhe videoklipe provokuese, artikuj revistash dhe reklama të ndyra, programe televizive dhe filma që lartësojnë marrëdhëniet seksuale të rastësishme. Edhe fakti që tani mund të jenë në dispozicion me lehtësi institucionet e aborteve dhe mjetet për kontrollimin e lindjeve, i ka kontribuar besimit mbizotërues mes të rinjve se marrëdhëniet seksuale nuk kanë pasoja. Një i ri, që është bërë baba pa qenë i martuar, thotë: «Dua të kem marrëdhënie seksuale pa përgjegjësi.» «Marrëdhëniet seksuale janë burim argëtimi»,​—thotë një tjetër.

Qëndrime të tilla mund të jenë veçanërisht të përhapura mes të rinjve të varfër. Kërkuesi Elija Anderson bëri intervista sa gjerë e gjatë me disa të rinj të qendrave të qyteteve dhe vërejti: «Për shumë djem, marrëdhëniet seksuale janë një simbol i rëndësishëm i pozitës shoqërore në zonën e tyre; kështu, fitoret seksuale konsiderohen arritje.» Në fakt, një baba i pamartuar tha për Zgjohuni! se fitoret seksuale konsiderohen nga shumica si «trofe që mund t’i vësh në vitrinë». Çfarë e ushqen këtë qëndrim zemërgur? Andersoni shpjegon se në shumë raste, për një të ri të qendrës së qytetit, njerëzit më të rëndësishëm në jetën e tij «janë pjesëtarët e grupit të moshatarëve të tij. Ata i vendosin normat për sjelljen e tij dhe për të është e rëndësishme të jetojë në harmoni me këto norma».

Kështu, Andersoni vëren se për shumë djem, një fitore seksuale s’është gjë tjetër veçse një lojë, «synimi i së cilës është të vësh në lojë personin tjetër, veçanërisht një vajzë». Ai shton se «loja konsiston në mënyrën e plotë se si paraqitet djali, duke përfshirë veshjen, pamjen e jashtme, aftësinë në vallëzim dhe në bisedë». Shumë djem janë mjeshtra për ta fituar këtë «lojë». Por Andersoni vëren: «Kur vajza mbetet shtatzënë, djali ka prirjen të tërhiqet prej saj.»​—Young Unwed Fathers​—Changing Roles and Emerging Policies, botuar nga Robert Lerman dhe Teodora Ums.

Pikëpamja e Perëndisë

Por a bëhet një djalë vërtet burrë duke pasur fëmijë? A janë marrëdhëniet seksuale thjesht lojë? Jo sipas Krijuesit tonë, Perëndisë Jehova. Në Fjalën e tij, në Bibël, Perëndia e bën të qartë se marrëdhëniet seksuale kanë një qëllim të lartë. Pasi tregon për krijimin e burrit dhe të gruas së parë, Bibla thotë: «Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: ‘Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën.’» (Zanafilla 1:27, 28) Nuk ka qenë kurrë qëllimi i Perëndisë që etërit të braktisin fëmijët e tyre. Ai i bashkoi burrin dhe gruan e parë në lidhjen e qëndrueshme të martesës. (Zanafilla 2:24) Prandaj, vullneti i tij ishte që çdo fëmijë të kishte edhe nënën, edhe babanë.

Gjithsesi, s’kaloi shumë kohë dhe burrat filluan të merrnin shumë gra. (Zanafilla 4:19) Te Zanafilla 6:2 na thuhet se madje edhe disa krijesa engjëllore «panë që vajzat e njerëzve ishin të bukura». Pasi u materializuan si njerëz, këta engjëj «morën për gra», me lakmi, «të gjitha ato që i zgjodhën vetë». Përmbytja e kohës së Noes i detyroi këta demonë të ktheheshin në sferën frymore. Megjithatë, Bibla tregon se tani ata janë kufizuar në afërsi të tokës. (Zbulesa 12:9-12) Pra, Satanai dhe demonët e tij ushtrojnë ndikim të fuqishëm te njerëzit sot. (Efesianëve 2:2) Duke pasur fëmijë që ata vetë nuk i dëshirojnë e nuk i duan, djemtë i nënshtrohen pa e kuptuar këtij ndikimi të lig.

Pra, Shkrimet kanë arsye të vlefshme për të thënë: «Vullneti i Perëndisë është ky: të shenjtëroheni, të përmbaheni nga kurvëria; që secili nga ju të dijë se si ta mbajë në zotërim enën e vet në shenjtëri dhe në nder, jo në uri seksuale epshore, si ajo e atyre kombeve që nuk e njohin Perëndinë; që askush të mos arrijë deri në atë pikë sa të dëmtojë dhe të cenojë të drejtat e vëllait të tij në këtë çështje, sepse Jehovai është shpaguesi për të gjitha këto gjëra.»​—1. Selanikasve 4:3-6, BR.

‘Të përmbaheni nga kurvëria’? Shumë të rinj mund të tallen me këtë mendim. Në fund të fundit, janë të rinj dhe dëshirat i kanë të forta. Por, vër re se kurvëria përfshin ‘të dëmtosh dhe të cenosh të drejtat’ e të tjerëve. A nuk e dëmton një vajzë duke e lënë me një foshnjë, por pa mbështetjen e një burri? Pastaj, ç’të themi për rreziqet e infektimit me një sëmundje të transmetuar në rrugë seksuale, si herpesi gjenital, sifilizi, gonorrea apo SIDA? Vërtet, disa herë është e mundur t’i shmangësh këto pasoja. Pavarësisht nga kjo, marrëdhëniet seksuale para martesës cënojnë të drejtën e një vajze për të mbajtur reputacion të mirë dhe për t’u martuar duke qenë e virgjër. Pra, të përmbahesh nga kurvëria ka kuptim dhe tregon pjekuri. Qartë, duhet vetëkontroll dhe vendosmëri për të ‘mbajtur në zotërim enën e vet’ dhe për t’u përmbajtur nga marrëdhëniet seksuale para martesës. Por, siç thuhet te Isaia 48:17, 18, me anë të ligjeve të tij, Perëndia po na ‘mëson për të mirën tonë’.

«Silluni si burrat»

Por, si mund të provojë një i ri se është burrë i vërtetë? Sigurisht, jo duke pasur fëmijë të paligjshëm. Bibla bën thirrje: «Rrini zgjuar, qëndroni të palëkundshëm në besim, silluni si burrat, jini të fortë. Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me dashuri!»​—1. Korintasve 16:13, 14.

Vër re se, të ‘sillesh si burrë’ përfshin të qëndrosh zgjuar, i palëkundshëm në besim, i fortë dhe i dashur. Sigurisht, këto parime zbatohen me të njëjtën forcë si për burrat, ashtu edhe për gratë. Por nëse zhvillon cilësi frymore si këto, njerëzit do të kenë arsye të mira për të të respektuar dhe për të të admiruar si burrë i vërtetë. Mëso nga njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, nga Jezu Krishti. Vetëm mendoni për sjelljen e tij të guximshme dhe burrërore përballë torturave e, madje, edhe përballë vdekjes. Por si sillej Jezui me personat e seksit të kundërt?

Sigurisht, Jezui kishte raste për të qenë në shoqëri me gratë. Ai kishte shumë ithtare femra, disa prej të cilave «e ndihmonin [atë dhe apostujt] me pasuritë e tyre». (Luka 8:3) Ai ishte veçanërisht i afërt me dy motrat e Lazrit. Në fakt, Bibla thotë se «Jezui e donte Martën dhe motrën e saj». (Gjoni 11:5) A përdori Jezui inteligjencën, magjepsjen ose pamjen e tij tërheqëse fizike, të cilën, pa dyshim, e kishte sepse ishte i përsosur, për të joshur këto gra në vepra imorale? Përkundrazi, për Jezuin Bibla thotë se «nuk bëri asnjë mëkat». (1. Pjetrit 2:22) Ai nuk u soll në mënyrë të papërshtatshme edhe kur një grua që e njihnin të gjithë si mëkatare, ndoshta një prostitutë, «duke qarë, filloi t’ia lajë me lot këmbët dhe t’ia fshijë me flokët e kokës së saj». (Luka 7:37, 38) Jezui as që mendoi të përfitonte nga kjo grua që mund të jepej lehtë. Ai shfaqi aftësinë për të kontrolluar ndjenjat e tij: shenja e një burri të vërtetë. Ai i trajtoi gratë jo si një objekt seksi, por si individë të denjë për dashuri dhe respekt.

Nëse je një i ri i krishterë, ndjekja e shembullit të Krishtit, jo e ndonjë bashkëmoshatari, do të të pengojë të ‘dëmtosh dhe të cenosh të drejtat’ e dikujt. Gjithashtu, do të të mbrojë që të mos provosh tragjedinë e trishtueshme që të kesh një fëmijë të paligjshëm. Vërtet, të tjerët mund të të tallin sepse përmbahesh nga kurvëria. Por, përfundimisht të fitosh miratimin e Perëndisë do të të sjellë më shumë dobi se të fitosh miratimin e përkohshëm të moshatarëve të tu.​—Fjalët e urta 27:11.

Por, ç’të themi nëse një i ri ka bërë jetë imorale në të kaluarën, por tashmë është larguar nga drejtimi imoral dhe është penduar me të vërtetë? Nëse është kështu, ashtu si mbreti i penduar David, i cili u soll, gjithashtu, në mënyrë të gabuar nga ana seksuale, ai mund të jetë i sigurt se Perëndia e fal. (2. Samuelit 11:2-5; 12:13; Psalmi 51:1, 2) Por, nëse ka sjellë si rezultat një shtatzëni jashtë martese, një të riu i mbeten ende vendime të rëndësishme për të marrë. A duhet të martohet me atë vajzë? A ka ndonjë përgjegjësi ndaj fëmijës së tij? Një artikull i ardhshëm do të trajtojë këto pyetje.

[Figurat në faqen 15]

Shumë të rinj mendojnë gabimisht se marrëdhëniet seksuale nuk kanë pasoja