Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është vërtet kaq e dëmshme?

A është vërtet kaq e dëmshme?

A është vërtet kaq e dëmshme?

SIÇ kemi parë, Interneti ka bërë të mundur që si të rriturit, ashtu edhe fëmijët ta kenë pornografinë në dispozicion pa vështirësi. A duhet të jeni të shqetësuar për këtë? A është vërtet e dëmshme pornografia?

Shumë veta mendojnë se ndonjë kontakt i rastit me pornografinë është i padëmshëm. Megjithatë, faktet tregojnë të kundërtën. Vëreni rastin e një çifti që dukej se kishin një martesë ideale. Ata ishin të sigurt nga ana financiare dhe u pëlqente shumë të udhëtonin. Miqtë e tyre i konsideronin si një çift shumë të lidhur me njëri-tjetrin, të dashur dhe të përkushtuar, e në shumë mënyra ata ishin kështu.

Por, kur burri filloi të shihte pornografi, lindën probleme. Duke i shkruar një gazetareje me emër të një rubrike këshillash, gruaja e tij e merakosur përshkruante shqetësimet e veta: «Kur [im shoq] nisi të harxhonte fillimisht shumë kohë në kompjuter në mes të natës dhe herët në mëngjes, më tha se bënte ‘kërkime’. Një mëngjes hyra papritmas në dhomën ku ishte dhe e kapa duke parë [pornografi] . . . Më tha se ishte vetëm punë kurioziteti. Kur i hodha një sy më nga afër asaj që po shikonte, u neverita. Ai u ndie ngushtë e më premtoi se s’do e bënte më dhe unë besova që e kishte me tërë mend. Ka qenë gjithnjë i ndershëm​—njeri i fjalës.»

Ashtu si ky burrë, shumë veta nisin të shohin në fillim pornografi të shtyrë nga kurioziteti. Nga frika se mos zbulohen, ata futen në rrjet natën vonë ose herët në mëngjes. Nëse i kapin duke parë, shpesh përpiqen ta fshehin atë që po bëjnë duke gënjyer, siç bëri ky burrë. A mund të thotë me të drejtë dikush se një «hobi», që e bën «një burrë të fjalës» të sillet vjedhurazi në mesin e natës dhe të gënjejë njerëzit e tij të dashur, është i padëmshëm?

Ky zakon mund të çojë në probleme serioze personale e familjare. Disa e kanë pranuar se shikimi i pornografisë i ka penguar të zhvillojnë marrëdhënie të afërta me të tjerët. Ata nuk duan të kenë të tjerë rrotull, ndërkohë që kënaqin pasionin për pornografi. Njerëzit kanë prirjen të fantazojnë kur shohin pornografi, dhe fantazia nuk e ndihmon një person që të kultivojë marrëdhënie të forta ose që ta jetojë jetën ashtu siç është në realitet. A mund të jetë vërtet i padëmshëm një argëtim që i ftoh njerëzit me personat që interesohen më shumë për ta?

Në disa raste, madje, njerëzit që shohin ose që lexojnë material pornografik e kanë të vështirë të gëzojnë marrëdhënie seksuale normale me bashkëshortin e tyre. Për ta kuptuar përsenë, le të mendojmë pak rreth qëllimit fillestar të Perëndisë për njerëzit e martuar. Me dashuri, ai i pajisi bashkëshortët dhe bashkëshortet me aftësinë për të dhënë shprehje të gëzueshme të dashurisë për njëri-tjetrin nëpërmjet marrëdhënieve seksuale të ndershme. Në Fjalët e urta 5:18, 19 tregohet se qëllimi ishte që këto të ishin diçka e kënaqshme: «Gëzohu me nusen e rinisë sate . . . Sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të.»

Vëreni se baza për marrëdhëniet seksuale duhej të ishte dashuria. A po kultivon një lidhje të ngrohtë dashurie dhe afrimiteti personi që shikon pornografi? Jo, ai po kënaq dëshirat e veta seksuale, në shumicën e rasteve duke qëndruar vetëm. Një burrë i martuar që sheh pornografi mund të fillojë ta konsiderojë bashkëshorten e vet thjesht si një objekt: si një person që ekziston vetëm për të plotësuar kënaqësinë e tij. Kjo është shumë larg nga dinjiteti dhe nderimi që Krijuesi kishte për qëllim t’u jepnin burrat grave. (1 Pjetrit 3:7) A mund të konsiderohet i pëlqyeshëm një zakon që krijon probleme në aspektet më intime të martesës?

Për më tepër, ajo që mund të ketë nisur si një kënaqje dëshirash e rastit, mund të bëhet një ves. Një shkrimtare vëren: «Ashtu si të droguarit kërkojnë droga edhe më të forta që t’u bëjnë ‘efekt’, shikuesit e pornografisë duan ndonjë përvojë edhe më të jashtëzakonshme për të arritur po ato ndjenja euforike si më parë.»

Kjo ndodhi me sa duket edhe me burrin e përmendur më parë në këtë artikull. Një mbrëmje, disa muaj pasi kishte premtuar se s’do shikonte më pornografi, e shoqja u kthye në shtëpi dhe e gjeti para kompjuterit. Nga mënyra si sillej, ajo kuptoi se diçka nuk shkonte. «Dukej shumë nervoz dhe i shqetësuar,​—shkruante ajo.​—Pashë kompjuterin dhe, pa diskutim, ai kishte qenë duke parë ndonjë gjë jashtëzakonisht të turpshme. Më tha se e kishte pasur me tërë mend kur kishte premtuar se do të hiqte dorë, por nuk ia dilte dot të rrinte larg saj.»

Duke pasur parasysh dëmin që mund të shkaktojë pornografia dhe faktin që ajo është gjerësisht në dispozicion, keni vërtet arsye për t’u shqetësuar. Si mund ta mbroni veten dhe fëmijët tuaj? Artikulli përmbyllës i kësaj serie do të marrë në shqyrtim këtë pyetje.

[Figura në faqen 6]

Pornografia është demoralizuese