Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Banorë shpellash të kohëve moderne

Banorë shpellash të kohëve moderne

Banorë shpellash të kohëve moderne

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË LEZOTO

BANORË SHPELLASH në kohën tonë? Gjetëm disa të tillë në Lezoto, një mbretëri malore në jug të Afrikës. Fshati i tyre, Ha Kome, ndodhet rreth 60 kilometra larg Maserut, kryeqytetit të Lezotos, në kodrinat rrëzë maleve madhështore Maluti. Gjatë muajve të verës, këto shpate malesh mbulohen shpesh me lule në ngjyrë të kuqe të feksur. Të njohura në përgjithësi me emrin mashat e përskuqura [Kniphofia caulenses], këto lule të bukura krijojnë një kontrast të mahnitshëm me bimësinë e blertë dhe të harlisur të këtyre anëve.

Këtu disa familje ndjekin një mënyrë jetese që është e lashtë me shekuj. Ata i ndërtojnë faktikisht shtëpitë e tyre brenda shpellave të shpatit malor. Shkopinj dhe materiale të tjera, siç janë kallamat, formojnë skeletin e murit të përparmë të trashë. Muri izolohet me një përzierje balte me pleh lopësh. Ky izolim siguron njëfarë mbrojtjeje nga dimrat e ftohtë të Lezotos, ku temperatura mund të bjerë nën pikën e ngrirjes. Brenda shtëpisë, në dysheme ndodhet një vend më i ulët i quajtur ifo, që do të thotë «oxhak», i cili përdoret, po ashtu, për t’u ngrohur disi kur bën ftohtë.

Çatia, muri i pasmë e shpesh edhe muret anësore formohen të tëra nga vetë shkëmbi i shpellës. Mbi to shtrohet një përzierje balte me pleh lopësh dhe kjo punë përsëritet çdo vit. Kjo gjë i jep shkëmbit pak më shumë ngjyrë dhe një sipërfaqe më të sheshtë. Pjesa e brendshme e shtëpisë zbukurohet me lëkurë lopësh, të cilat shërbejnë edhe si dyshekë për të fjetur.

Për vizitorin perëndimor, mënyra tradicionale e jetesës është një kontrast përtëritës. Stili popullor i veshjes përbëhet nga mbulesa të endura shumëngjyrëshe dhe kapele konike prej bari. Shpesh të zë syri barinj këmbëzbathur që kullotin tufat e tyre. Burrat e fshatit mund t’i shikosh ose duke punuar në fushat e misrit, ose duke biseduar gjithë zjarr me burrat e tjerë.

Ngandonjëherë shfaqen shenja të teknologjisë moderne. Aeroplanët e vegjël që fluturojnë hera-herës në qiell dhe automjetet që sjellin vizitorë në shpella, argëtojnë të vegjël e të moshuar në fshat. Gatimi bëhet kryesisht përjashta, në kusi hekuri të nxira me tri këmbë, që vihen direkt mbi zjarr. Për shkak të mungesës së druve, për të ndezur zjarrin përdoret pleh lopësh i tharë, kallama dhe ca shkarpa. Mes pajisjeve të zakonshme shtëpiake që gjenden në këto banesa brenda shpellave janë mulliri tradicional i dorës për të bluar misrin dhe një shkop druri për të trazuar qullin e misrit.

Lezoto është e mirënjohur për pikturat e bëra nga bushmenët, të cilat janë zbuluar në një numër të madh shpellash e mbi shkëmbinj anembanë vendit. Bushmenët janë njerëzit që banonin fillimisht në shpellat e Ha Komes. Pikturat e tyre paraqesin një sferë të gjerë aktivitetesh, që nga peshkimi me barka e rrjeta deri te vallëzimet e ndërlikuara, në të cilat pjesëmarrësit duket se mbanin maska kafshësh. Pikturat paraqesin, gjithashtu, kafshë, si: babuinë, luanë, hipopotamë dhe elandë, më të mëdhenjtë e antilopave. Shumica e pikturave në shpellat e Ha Komes janë zhdukur. Kanë ngelur vetëm ca gjurmë, si përkujtuese të artit të bushmenëve.

Në një zonë jo shumë larg nga Ha Kome, një grup Dëshmitarësh të Jehovait marrin pjesë në veprën e tyre të predikimit. Herë pas here, ata vizitojnë banorët e shpellave, të cilët njihen për mikpritjen ndaj vizitorëve. Dëshmitarëve shpesh u urohet mirëseardhja me një tas qulli karakteristik të vendit, që quhet motoho. Shumë njerëz në Ha Kome e pranojnë me dëshirë të madhe literaturën biblike. Shpesh ata shprehin çmueshmëri për literaturën duke ofruar perime, vezë a gjëra të tjera si kontribute për veprën arsimuese të Dëshmitarëve.

Këta banorë shpellash të kohëve moderne kanë respekt të thellë për Biblën dhe u pëlqen të bëjnë shumë pyetje rreth jetës, vdekjes e besimeve të tyre tradicionale. Aktiviteti i Dëshmitarëve të zellshëm në këto anë ka sjellë si rezultat një sërë studimesh biblike. Kështu, farat e së vërtetës kanë gjetur tokë pjellore në zemrat e këtyre njerëzve të thjeshtë.​—Mateu 13:8.

[Harta në faqen 26]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

HA KOME