Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Njolla përpara syve?

Njolla përpara syve?

Njolla përpara syve?

Ka të ngjarë që t’i keni parë ​—pikla të hirta të turbullta që duket se ju pluskojnë përpara syve. Mund t’i vëreni ndërsa jeni duke lexuar ose kur vështroni një mur me ngjyrë të hapët a një qiell pa re.

NËSE jeni përpjekur ndonjëherë të përqendroheni te një nga këto njolla, e dini se është e pamundur. Lëvizja më e vogël e syve i largon ato në çast. Edhe nëse ndonjëra rrëshqet në fushëpamjen tuaj, prapëseprapë nuk i bini dot në të se çfarë është.

Ç’janë këto njolla? Gjenden në sipërfaqen e syrit apo brenda tij? Ulini e ngrijini shpejt qepallat pa lëvizur sytë. Nëse njollat lëvizin ose zhduken, ato gjenden në sipërfaqe dhe nuk janë objekt i këtij artikulli.

Por nëse lëvizin vetëm pak ose nuk lëvizin fare, atëherë ato ndodhen brenda, pezull në lëngun qelqor, i cili mbush dhomëzën e brendshme të syrit. Duke qenë se janë mbrapa kristalinit të syrit, ato mbeten të mjegullta. E meqë lëngu qelqor është një lëndë xhelatinoze jo shumë më e trashë se uji, ato mund të enden kuturu e, kur përpiqeni ta shikoni drejtpërdrejt ndonjërën, largohen menjëherë. Prej kësaj kanë marrë edhe emrin e tyre mjekësor​—miza fluturake (muscae volantes).

Prej nga vijnë?

Por, prej nga vijnë këto njolla? Një pjesë kanë mbetur nga disa procese që kanë ndodhur para se të lindnit. Në fazat e hershme të zhvillimit të një foshnjeje, pjesa e brendshme e syrit është mjaft fibroze. Deri në kohën e lindjes, këto fibra dhe qeliza të tjera kanë ndryshuar, duke formuar lëngun qelqor. Gjithsesi, mund të ngelen disa qeliza e copëza fibrash, të cilat janë të lira të pluskojnë andej-këtej. Ekziston, gjithashtu, një kanal që shkon nga nervi optik deri te kristalini, i cili te foshnja e palindur çon një arterie te kristalini, për ta ushqyer atë. Arteria atrofizohet dhe përthithet (zakonisht përpara lindjes), por prej saj mund të mbeten pjesë të vockla.

Megjithatë, ka edhe burime të tjera. Edhe te një i rritur, lëngu qelqor nuk është krejtësisht xhelatinoz. Ai rrethohet nga membrana e tejdukshme delikate. Kjo puthitet me retinën, vendi i qelizave të ndjeshme ndaj dritës, e cila mbështjell pjesën më të madhe të brendisë së syrit dhe percepton atë çka shikojmë. Membrana e tejdukshme bashkohet me retinën përreth gjithë kufirit të saj të përparmë. Prej kësaj zone përhapen në mbarë lëngun qelqor fijëza të vockla.

Dalëngadalë, ndërsa plakemi, këto fijëza fillojnë të tkurren. Kjo bën që disa nga ato të këputen. Gjithashtu, lëngu qelqor bëhet më i hollë, kështu që copat e këputura të fijeve mund të notojnë më kollaj në të. Veç kësaj, vetë lëngu qelqor e zvogëlon paksa vëllimin dhe fillon të largohet nga retina, duke lënë ndoshta si rezultat mbetje të tjera qelizash. Kështu, me kalimin e moshës shohim më shumë nga këto miza fluturake që enden andej-këtej dhe vijnë vërdallë në fushëpamjen tonë.

Një burim tjetër i këtyre pluskuesve të vegjël mund të jenë enët e gjakut të retinës. Një goditje në kokë ose ndonjë presion i madh në sy mund të bëjë që një enë e vogël të nxjerrë një varg rruazash të kuqe gjaku. Rruazat e kuqe kanë aftësi të ngjiten, kështu që priren të mblidhen grumbull ose të formojnë një zinxhir. Rruaza të veçuara ose grumbuj rruazash mund të shtegtojnë drejt lëngut qelqor dhe nëse mbeten në afërsi të retinës, mund të jenë të dukshme. Trupi mund t’i absorbojë sërish rruazat e kuqe, kështu që më vonë ato zhduken. Megjithatë, teorikisht ato nuk janë miza fluturake, pasi krijohen si rezultat i dëmtimeve të vogla.

A tregon prania e mizave fluturake se diçka nuk shkon? Në përgjithësi jo. Ato i shohin edhe njerëz me sy normalë, madje edhe të rinj, e dalëngadalë mësojnë t’i shpërfillin. Por disa shenja mund të tregojnë se ekziston një rrezik.

Kur kanoset rreziku

Nëse vëreni papritmas shumë më tepër njolla se më parë, kjo mund të nënkuptojë se po ndodh diçka jonormale. E aq më shumë nëse shikoni edhe shkëndija të vogla drite që vijnë nga brendësia e syrit. Këto fenomene e kanë origjinën në retinë, ku drita shndërrohet në impulse nervore. Vërshimi i pluskuesve dhe shkëndijat e dritës vijnë zakonisht si pasojë e ndonjë shkëputjeje të retinës. Si ndodh kjo?

Retina ka dendësinë dhe trashësinë e një cope letre mëndafshi të lagur dhe është thuajse po aq e brishtë. Shtresa e ndjeshme ndaj dritës lidhet me shtresën pas saj dhe me lëngun qelqor vetëm në anën e përparme dhe në pjesën e nervit optik, me një lidhje të dobët në gropën qendrore (fovea centralis). Trupi qelqor ndihmon për të mbajtur në vend pjesën tjetër të retinës. Syri është kaq elastik, saqë, zakonisht, as goditjet nuk bëjnë që retina të shqyhet ose të shkëputet nga shtrati i vet.

Megjithatë, një goditje mund të shkaktojë ndonjë dëmtim që e dobëson retinën në një zonë të caktuar ose që shkakton një të çarë të vockël a një vrimë. Një vrimë e tillë mund të krijohet edhe nga ngjitja e lëngut qelqor me retinën: një lëvizje e menjëhershme ose një dëmtim bën që lëngu qelqor të tërheqë retinën, duke formuar për pasojë një çarje të vogël. Lëngu i dhomëzës së brendshme mund të kalojë pastaj nën retinë, duke e ngritur dhe shkëputur nga shtrati i saj. Ky çrregullim bën që qelizat nervore të ndjeshme ndaj dritës të depolarizohen, dhe këto ne i perceptojmë si shkëndija.

Kjo shkëputje shoqërohet ndonjëherë me hemorragji, të mëdha a të vogla, pasi sipërfaqja e brendshme e retinës ka rrjetin e vet të enëve të gjakut. Rruazat e gjakut depërtojnë në lëngun qelqor dhe krijojnë pamjen e një vërshimi të beftë pluskuesish. Pak pas kësaj, ndërsa retina shqitet, një vel ose perde verbërie hyn në fushëpamje.

Prandaj, nëse vëreni ndonjëherë një rritje të shpejtë të numrit të njollave, sidomos kur kjo gjë shoqërohet me shkëndija drite, shkoni menjëherë te një okulist ose në ndonjë spital! Mund të jetë një shkëputje e retinës. Pasi retina të jetë shkëputur shumë mund të jetë e pamundur të ndreqet problemi.

A keni vite që shihni para syve njolla, por të pashoqëruara me shkëndija drite? Ka të ngjarë që të mos ketë arsye për t’u merakosur. Gati çdo njeri shikon njolla të tilla. Nëse nuk u kushtoni vëmendje, ato nuk largohen, por truri mëson t’i shpërfillë imazhet ndërkohë që merreni me aktivitetet e përditshme. Fakti që ato mund të ekzistojnë pa shkaktuar ndonjë problem të madh për shikimin, është dëshmi e elasticitetit me të cilin është projektuar syri dhe e përshtatshmërisë së trurit.

Gjithsesi, për të thënë me siguri se nuk ka arsye për t’u merakosur, ata që kanë pluskues të tillë në sy duhet të vizitohen te një okulist.

[Kutia dhe figura në faqen 25]

Zanafilla e optikës moderne

Nëse mbani syze për korrigjimin e shikimit ose lente kontakti, duhet të falënderoni, në njëfarë kuptimi, mizat fluturake. I shtyrë nga kurioziteti për to, Frans Kornelis Donders, mjek i shquar holandez i shekullit të 19-të, iu fut studimeve shkencore rreth fiziologjisë dhe patologjisë së syrit. Përveçse identifikoi disa nga burimet e mizave fluturake, ai zbuloi se hipermetropia vjen nga një shkurtim i globit të syrit dhe se pamja e mjegullt e astigmatizmit shkaktohet nga sipërfaqet e çrregullta të kornesë dhe të kristalinit. Studimet e tij bënë të mundur zhvillimin e syzeve për korrigjimin e shikimit.

[Figura]

Donders

[Burimi]

Me mirësjelljen e National Library of Medicine

[Diagrami në faqen 24]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Çarje në retinë

Rruaza të kuqe

Retinë e shkëputur

Nervi optik që shkon në tru

Membrana e tejdukshme

Kristalini

Bebja e syrit

Lëngu qelqor

Enë gjaku

Irisi

Trupi qerpikor