Pornografia futet në Internet
Pornografia futet në Internet
ANEKËND BOTËS, MILIONA NJERËZ PËRDORIN ÇDO DITË Internetin. Shumë persona lidhen me Internetin për të kryer biznesin e tyre, për të kapur lajme nga bota, për të parë se si do të jetë moti, për të mësuar rreth vendeve të ndryshme, për të siguruar informacione për udhëtimet ose për të komunikuar me familjen dhe me miqtë në pjesë të ndryshme të botës. Por disa—të rritur të martuar e beqarë, si edhe një numër i habitshëm fëmijësh—futen në rrjet për një arsye krejt të ndryshme: PËR TË PARË PORNOGRAFI.
PORNOGRAFIA NË KOMPJUTER, e quajtur edhe kiberporno, është kaq e përhapur, sa është bërë një biznes shumëmilionë dollarësh. Gazeta The Wall Street Journal vërente: «Gjeni një vendndodhje në rrjet që po nxjerr fitime dhe ka të ngjarë që të dalloni qartë se aktiviteti e përmbajtja e saj janë të ndyra [pornografike].»
Në Journal shpjegohej më tej arsyeja përse njerëzit i drejtohen Internetit për të parë pornografi: «Këta persona mund të shohin materiale të pahijshme pa iu dashur të shkojnë vjedhurazi në ndonjë librari të mjerë ose të shkojnë madje në dhomën e pasme të videotekës më të afërt. Ata mund të vëzhgojnë mbarë e prapë materiale të ndyra në intimitetin e shtëpisë ose të zyrës.»
Pornografia dhe fëmijët
Mjerisht, shumë nga shikuesit e kiberpornos janë fëmijë. Fëmijët, për të cilët është e ndaluar me ligj të blejnë literaturë pornografike ose të marrin me qira video pornografike, mund t’i kenë në dispozicion këto materiale në vetë shtëpinë e tyre me pak klikime të maus-it. Mundësitë janë të pafundme.
Shumë fëmijë hyjnë rregullisht në disa vendndodhje në Internet pa dijeninë e prindërve. Në fakt, në gazetën The Detroit News thuhet se «më shumë se dy në pesë fëmijë janë regjistruar me para në ndonjë vendndodhje në rrjet ose në ndonjë shërbim tjetër kompjuterik, edhe pse gati 85 për qind e prindërve kanë vendosur rregulla kundër kësaj».
Ndërkohë që shumica e fëmijëve dhe, gjithashtu, e të rriturve ruhen që ta fshehin faktin se shohin pornografi, jo çdokujt i duket e nevojshme ta bëjë këtë. Disa e konsiderojnë këtë zakon si një formë të padëmshme zbavitjeje. Të tjerë e pranojnë se pornografia u bën dëm fëmijëve, por arsyetojnë se ajo çka bëjnë të rriturit në vetmi është puna e tyre.
Në disa vende, polemika rreth pornografisë është shndërruar në një betejë të vërtetë politike. Nga njëra anë e debatit, përkrahësit e lirisë së fjalës bëjnë fushata në favor të pornografisë, ndërsa nga ana tjetër, mbrojtësit e vlerave familjare përpiqen të bindin autoritetet që ta ndalojnë me ligj pornografinë.
Zgjohuni! nuk mban anën e askujt në çështje politike. Qëllimi i kësaj serie është t’i informojë lexuesit për rreziqet që vijnë nga shikimi i pornografisë, të sugjerojë mënyra se si ata mund të mbrojnë veten dhe njerëzit e tyre të dashur e të sigurojë këshilla të bazuara në Bibël për këdo që ka ngecur në grackën e pornografisë dhe dëshiron të dalë prej andej.