Manipulimi i informacionit
Manipulimi i informacionit
«Nëpërmjet një përdorimi mjeshtëror e ngulmues të propagandës, edhe parajsa mund t’u paraqitet njerëzve si ferr dhe, anasjelltas, jeta më e mjerë si parajsë.»—ADOLF HITLER, MEIN KAMPF.
DORA-DORËS që mjetet e komunikimit janë shtuar—që nga shtypi deri te telefoni, radioja, televizioni dhe Interneti—vërshimi i mesazheve mbushamendëse është rritur tmerrësisht. Ky revolucion në mjetet e komunikimit ka çuar në një mbingarkesë informacionesh, ndërkohë që njerëzit mbyten me mesazhe të panumërta nga çdo anë. Shumë veta i përgjigjen këtij presioni duke i thithur mesazhet më me shpejtësi dhe duke i pranuar pa i shqyrtuar ose pa i analizuar.
Propagandistit dinak i pëlqen shumë kjo gjë, e sidomos, fakti që anashkalohet të menduarit logjik. Propaganda e inkurajon këtë gjë duke ngacmuar ndjenjat, duke përfituar nga mëdyshjet e njerëzve, duke shfrytëzuar dykuptimshmërinë e fjalëve dhe duke shtrembëruar rregullat e logjikës. Siç e vërteton historia, taktika të tilla mund të jenë tepër të efektshme.
Historia e propagandës
Sot fjala «propagandë» ka një ngjyrim negativ, pasi mbart kuptimin e taktikave të pandershme, por fillimisht ky term s’kishte për qëllim të përcillte këtë kuptim. Fjala «propagandë» me sa duket vjen nga emri latin i një grupi kardinalësh katolikë, Congregatio de Propaganda Fide (Kongregacioni për Propagandimin e Besimit). Ky komitet—i quajtur shkurt Propaganda—u krijua nga Papa Gregori XV në vitin 1622 për të mbikëqyrur misionarët. Dalëngadalë, fjala «propagandë» filloi të nënkuptonte çfarëdo përpjekje për të përhapur një bindje.
Por koncepti i propagandës nuk lindi në shekullin e 17-të. Që nga kohërat e lashta, njerëzit kanë përdorur çdo mjet të mundshëm për të përhapur ideologjitë ose për të rritur famën e pushtetin. Për shembull, puna artistike u ka shërbyer synimeve propagandistike që nga kohërat e faraonëve të Egjiptit. Këta mbretër i projektuan piramidat e tyre për të krijuar një imazh të pushtetit dhe të jetëgjatësisë. Ngjashëm, arkitektura e romakëve i shërbeu një qëllimi politik: të mbulonte me lavdi shtetin. Gjatë Luftës I Botërore, termi «propagandë»
mori një ngjyrim kryesisht negativ, ndërkohë që qeveritë nisën të luanin rol aktiv në formulimin e informacioneve për luftën, të cilat i transmetonin mediat. Gjatë Luftës II Botërore, Adolf Hitleri dhe Jozef Gobels provuan se ishin propagandistë mjeshtra.Pas Luftës II Botërore, propaganda u bë gjithnjë e më shumë një mjet i rëndësishëm që nxiste politikën nacionaliste. Si blloku perëndimor, ashtu edhe ai lindor bënë fushata të gjera, që të bënin për vete masat e njerëzve asnjanës. Çdo aspekt i jetës dhe i politikës kombëtare u shfrytëzua për qëllime propagandistike. Vitet e fundit, fakti që teknikat e propagandës janë bërë gjithnjë e më të rafinuara, është bërë i dukshëm qoftë në fushatat e zgjedhjeve, qoftë në reklamat e firmave të duhanit. Të ashtuquajturit ekspertë dhe persona të tjerë me peshë janë përdorur për ta paraqitur pirjen e duhanit si diçka magjepsëse e të shëndetshme, e jo siç është në të vërtetë: një kërcënim për shëndetin publik.
Gënjeshtra, gënjeshtra!
Sigurisht, marifeti më i kollajtë për propagandistin është përdorimi i gënjeshtrave sy ndër sy. Vëreni, për shembull, gënjeshtrat që shkroi në vitin 1543 Martin Luteri për hebrenjtë në Evropë: «Ata kanë helmuar puse, kanë kryer vrasje, kanë rrëmbyer fëmijë . . . Janë tërë vrer, armiqësorë, hakmarrës, gjarpërinj dredharakë, vrasës, bij të djallit, që kafshojnë dhe bëjnë të keqen.» Thirrja e tij ndaj të ashtuquajturve të krishterë? «Vëruni zjarrin sinagogave ose shkollave të tyre . . . Edhe shtëpitë e tyre [duhet] të rrafshohen e të shkatërrohen.»
Një profesor i shkencave shoqërore e politike, i cili ka studiuar atë epokë thotë: «Antisemitizmi nuk ka të bëjë fare në thelb me veprimet e hebrenjve, dhe, për pasojë, nuk ka të bëjë fare në thelb me njohurinë e antisemitit rreth natyrës së vërtetë të hebrenjve.» Ai vëren, gjithashtu: «Hebrenjtë përfaqësonin gjithçka të shtrembër, kështu që reagimi i vetvetishëm ndaj një problemi natyror ose shoqëror ishte t’ia ngjitje fajin rrënjëve të supozuara hebreje.»
Bërja e përgjithësimeve
Një taktikë tjetër mjaft e suksesshme e propagandës është përgjithësimi. Përgjithësimet kanë prirjen t’i veshin me mjegull faktet e rëndësishme rreth problemeve kryesore që po shqyrtohen, dhe përdoren shpesh për të poshtëruar grupe të tëra njerëzish. Për shembull, shprehja «ciganët [ose imigrantët] janë hajdutë» është një shprehje që dëgjohet dendur në disa vende evropiane. Por, a është e vërtetë kjo gjë?
Rikardos Someritis, reporter, thotë se në një vend, koncepte të tilla shkaktonin një lloj «vale ksenofobie e, mjaft shpesh, një valë racizmi» kundër të huajve. Megjithatë, është provuar se kur bëhet fjalë për akte kriminale, fajtorët në atë vend ka po aq mundësi të jenë vendës, sa edhe të huaj. Për shembull, Someritis vëren se anketat kanë treguar që në Greqi «96 në 100 krime kryhen nga [grekë]». «Shkaqet e aktivitetit kriminal janë ekonomike e sociale,—vëren ai,—jo ‘raciale’.» Ai bën me faj mediat «që kultivojnë vazhdimisht ksenofobinë e racizmin» nëpërmjet një trajtimi të anshëm të temës së krimit.
Sharjet
Disa njerëz i fyejnë ata që s’janë dakord me ta, duke vënë në dyshim karakterin ose motivet, në vend që të përqendrohen te faktet. Sharjet i ngjitin një personi, grupi a ideje një etiketë negative, që mbahet mend kollaj. Sharësi shpreson që kjo etiketë të mbetet. Nëse njerëzit e hedhin poshtë atë person ose ide në bazë të etiketës negative, në vend që t’i peshojnë vetë dëshmitë, atëherë strategjia e sharësit ka goditur në shenjë.
Për shembull, vitet e fundit një ndjenjë e fuqishme antisektare ka mbërthyer shumë vende në Evropë e gjetkë. Kjo prirje ka ngacmuar emocionet, ka krijuar imazhin e një armiku dhe ka përforcuar paragjykimet që ekzistonin kundër minoriteteve fetare. Shpesh, fjala «sekt» bëhet një emërtim. «‘Sekt’ është një fjalë tjetër për të thënë ‘heretik’,—shkroi profesori gjerman Martin Krile në vitin 1993,—dhe sot në Gjermani një heretik, ashtu si në kohërat e shkuara, [dënohet me shfarosje]—nëse jo me zjarr . . . , atëherë duke i prishur reputacionin, duke e izoluar ose duke e rrënuar ekonomikisht.»
Instituti për Analizimin e Propagandës vëren se «termat fyes kanë luajtur një rol tmerrësisht të fuqishëm në historinë e botës dhe në vetë zhvillimin tonë individual. Ata kanë shkatërruar reputacionin [e njerëzve], . . . i kanë futur ata në qelitë e burgjeve dhe i kanë tërbuar deri në atë pikë, sa kanë bërë luftëra dhe kanë masakruar njerëz të tjerë».
Lojë me emocionet
Edhe pse ndjenjat mund të mos hyjnë në punë kur bëhet fjalë për pohime të bazuara në fakte ose për logjikën e një argumenti, ato luajnë një rol vendimtar në përpjekjet për t’i mbushur mendjen dikujt. Nxitjet e emocioneve janë sajuar nga publicistë me përvojë, të
cilët luajnë me ndjenjat po me aq mjeshtëri sa ç’luan një virtuoz në piano.Për shembull, frika është një ndjenjë që mund ta mjegullojë gjykimin. Dhe, ashtu si me smirën, edhe me frikën mund të luhet. Në numrin e 15 shkurtit 1999 të gazetës kanadeze The Globe and Mail, raportohej sa më poshtë nga Moska: «Kur tri vajza vranë veten në Moskë javën e shkuar, mediat ruse menjëherë hodhën idenë se ato ishin ithtare fanatike të Dëshmitarëve të Jehovait.» Vëreni fjalën «fanatike». Natyrisht, njerëzit do të kishin frikë nga një organizatë fetare fanatike që, siç supozohej, i shtyn të rinjtë të vrasin veten. A ishin vërtet të lidhura në ndonjë mënyrë me Dëshmitarët e Jehovait këto vajza të shkreta?
Gazeta Globe vazhdonte: «Policia më vonë e pranoi se vajzat s’kishin të bënin fare me [Dëshmitarët e Jehovait]. Por në atë kohë, një kanal televiziv i Moskës kishte nisur tashmë një sulm të ri kundër sektit, duke u thënë teleshikuesve se Dëshmitarët e Jehovait kishin bashkëpunuar me Adolf Hitlerin në Gjermaninë naziste—me gjithë dëshmitë historike se mijëra anëtarë të tyre ishin viktima të kampeve naziste të vdekjes.» Në mendjet e publikut të keqinformuar, e ndoshta të frikësuar, Dëshmitarët e Jehovait ishin ose një kult vetëvrasës, ose bashkëpunëtorë të nazistëve!
Urrejtja është një emocion i fortë që shfrytëzohet nga propagandistët. Një i folur me nënkuptime është veçanërisht i efektshëm për të shkrehur mekanizmin e urrejtjes. Duket se ekziston një numër thuajse i pafund fjalësh poshtëruese, që nxitin dhe shfrytëzojnë urrejtjen ndaj grupeve të veçanta raciale, etnike ose fetare.
Disa propagandistë luajnë me krenarinë. Mund të dallojmë dendur thirrjen që i bëhet krenarisë, duke vërejtur shprehje të tilla rrënjësore, si: «Çdo person inteligjent e di se . . . » ose «Një person me arsimin tënd s’ka se si të mos e kuptojë që . . . » Një thirrje e kundërt për krenari luan me frikën tonë se mos dukemi të pagdhendur. Ata që janë profesionistë në përpjekjet për të bindur të tjerët janë krejt të vetëdijshëm për këtë gjë.
Slogane dhe simbole
Sloganet janë deklarata të mjegullta, që përdoren zakonisht për të shprehur pikëpamje ose synime. Për shkak të kuptimit të tyre të mjegullt, me to mund të bihet dakord kollaj.
Për shembull, në kohë krizash a konfliktesh kombëtare, demagogët mund të përdorin slogane të tilla, si: «Me vendin tim, qoftë e drejtë, qoftë e gabuar», «Atdheu, feja, familja» ose «Liri a vdekje». Por, a i analizojnë me kujdes shumica e njerëzve çështjet e vërteta që përfshihen në krizat a në konfliktet? Apo thjesht e pranojnë atë që u thuhet?
Duke shkruar për Luftën I Botërore, Uinston Çurçilli vërejti: «Mjafton veçse një sinjal për t’i shndërruar këto turma fshatarësh e punëtorësh paqësorë në ushtritë e fuqishme që do ta bëjnë njëra-tjetrën copë-copë.» Më tej ai vërejti se kur u thuhej çfarë të bënin, shumica e njerëzve përgjigjeshin pa u menduar shumë.
Propagandisti ka edhe një gamë mjaft të gjerë simbolesh e shenjash, me të cilat përcjell mesazhin e tij: një nderim me breshëri, një përshëndetje ushtarake, një flamur. Edhe dashuria për prindërit mund të shfrytëzohet. Kështu, simbolizma të tilla, si: atdheu, toka mëmë ose kisha mëmë janë mjete me vlerë në duart e personit finok që synon t’u mbushë mendjen të tjerëve.
Pra, arti tinëzar i propagandës mund të paralizojë mendimet, mund të na pengojë të mendojmë e t’i dallojmë gjërat qartë dhe mund t’i brumosë individët për të ndjekur turmën. Si mund të mbrohemi ?
[Diçitura në faqen 8]
Arti tinëzar i propagandës mund të paralizojë mendimet dhe mund të na pengojë të mendojmë qartë
[Kutia dhe figurat në faqen 7]
A ËSHTË VEPRA E DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PROPAGANDUESE?
Disa kundërshtarë të Dëshmitarëve të Jehovait i kanë akuzuar ata se përhapin propagandë judaike. Të tjerë kanë hedhur akuzën se shërbimi i Dëshmitarëve të Jehovait mbështet komunizmin. Të tjerë akoma kanë pohuar se vepra e Dëshmitarëve të Jehovait mbështet idealet dhe interesat e «imperializmit amerikan». Ka edhe nga ata që thonë se Dëshmitarët janë anarkistë, që ndezin trazira me qëllim që të ndryshojnë rregullin shoqëror, ekonomik, politik a ligjor. Është e qartë se këto akuza, që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, s’mund të jenë të gjitha të vërteta.
Fakti i thjeshtë është që Dëshmitarët e Jehovait nuk janë asnjë nga gjërat e mësipërme. Vepra e Dëshmitarëve kryhet me bindje plot besim ndaj urdhrit që u dha Jezu Krishti dishepujve të tij: «Do të bëheni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin e dheut.» (Veprat 1:8) Vepra e tyre përqendrohet vetëm në lajmin e mirë të Mbretërisë qiellore—mjetit të Perëndisë për të sjellë paqe në mbarë tokën.—Mateu 6:10; 24:14.
Ata që i kanë vëzhguar Dëshmitarët e Jehovait, nuk kanë gjetur asnjë dëshmi që ky grup i krishterë të ketë qenë ndonjëherë një forcë turbulluese e rendit të mirë, në çfarëdo vendi.
Shumë gazetarë, gjykatës dhe persona të tjerë kanë komentuar rreth kontributit të dobishëm që kanë dhënë Dëshmitarët e Jehovait në shoqërinë ku jetojnë. Shqyrtoni disa shembuj. Pasi mori pjesë në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait, një reportere nga Evropa Jugore komentoi: «Këta janë njerëz me lidhje të forta familjare. Atyre u mësohet të duan dhe t’i vënë veshin ndërgjegjes, në mënyrë që të mos i dëmtojnë të tjerët.»
Një gazetar tjetër, më parë negativ rreth Dëshmitarëve, tha: «Ata bëjnë një jetë shembullore. Nuk i shkelin normat e asaj që është e moralshme dhe e drejtë.» Ngjashëm, një ekspert i shkencave politike vërejti rreth Dëshmitarëve: «Ata sillen ndaj të tjerëve me dashamirësi të thellë, me dashuri dhe në mënyrë miqësore.»
Dëshmitarët e Jehovait u mësojnë të tjerëve se është e drejtë t’i nënshtrohen autoritetit. Si qytetarë që i binden ligjit, ata ndjekin standardet biblike të ndershmërisë, çiltërsisë dhe pastërtisë. Kultivojnë një mënyrë sjelljeje të shkëlqyer në familjet e tyre dhe i ndihmojnë të tjerët të mësojnë se si mund të bëjnë të njëjtën gjë. Ata jetojnë paqësisht me të gjithë njerëzit, duke mos u përfshirë në demonstrata që sjellin trazira a në revolucione politike. Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të jenë shembullorë në bindjen ndaj ligjeve të autoriteteve më të larta njerëzore, ndërsa presin me durim që Autoriteti Suprem, Zotëria Sovran Jehova, të rivendosë paqe të përsosur dhe një qeveri të drejtë në këtë tokë.
Njëkohësisht, vepra e Dëshmitarëve është arsimuese. Duke përdorur si bazë Biblën, ata i mësojnë njerëzit anekënd botës të arsyetojnë rreth parimeve biblike dhe të zhvillojnë, si rrjedhojë, norma të drejta sjelljeje dhe integritet moral. Mbështetin vlera që e përmirësojnë jetën familjare dhe i ndihmojnë të rinjtë të përballojnë sfidat e tyre të veçanta. Gjithashtu, i ndihmojnë njerëzit të gjejnë forcën për të mposhtur zakone të këqija dhe të zhvillojnë aftësinë për të shkuar mirë me të tjerët. Një vepër e tillë zor se mund të quhej «propagandë». Siç thuhet në The World Book Encyclopedia, në një klimë ku idetë qarkullojnë lirisht, «propaganda dallon nga arsimimi».
[Figurat]
Botimet e Dëshmitarëve të Jehovait mbështetin vlerat familjare dhe normat e larta morale
[Figurat në faqen 5]
Propaganda që nxit luftën dhe pirjen e duhanit u ka kontribuar shumë vdekjeve