Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Planeti Tokë, i pashoq
Sipas astronomëve, planete të reja vazhdojnë të zbulohen, ndërsa shkencëtarët matin dridhjet e lehta—të shkaktuara nga tërheqja gravitacionale e planetit—të yllit të largët rreth të cilit rrotullohen planetet. Për vitin 1999, pohohet se jashtë sistemit tonë diellor ekzistojnë 28 planete të tilla. Këto planete të reja, që thuhet se janë zbuluar, kanë afërsisht përmasat e Jupiterit ose janë më të mëdhenj. Masa e Jupiterit është rreth 318 herë më e madhe se ajo e Tokës. Ashtu si Jupiteri, planetet mendohet se janë të përbërë nga heliumi dhe hidrogjeni. Për shkak të distancave orbitale të këtyre planeteve, thuhet se ka shumë pak të ngjarë që bashkë me to të ekzistojë ndonjë planet me përmasat e tokës. Për më tepër, ndryshe nga orbita rrethore e Tokës prej 150 milionë kilometrash, ato qarkullojnë përreth yjeve të tyre në orbita ovale. Një orbitë, në fakt, arrin nga 58 milionë kilometra deri në 344 milionë kilometra larg yllit të saj. «Po fillon të bëhet e qartë se orbitat rrethore, të renditura në mënyrë të rregullt, si ajo që shohim në sistemin tonë diellor, janë relativisht të rralla»,—tha një astronom.
Komunikim me fishkëllima
The Times e Londrës raporton se nxënësve spanjollë në ishullin Gomera, një nga Ishujt Kanarie, po u kërkohet të mësojnë gjuhën e fishkëllimave, të përdorur për shekuj nga barinjtë vendas. Fillimisht e zhvilluar si mjet komunikimi nëpër lugina në terrenin malor, silbo ose gjuha e fishkëllimave të Gomerës përdor tinguj për të imituar rrokjet e fjalëve. Fishkëllyesit vënë gishtat në gojë për të ndryshuar tonin e tingullit dhe i bashkojnë duart rreth gojës që t’i bëjnë tingujt të shkojnë larg, e, në fakt, arrijnë deri në 3 kilometra larg. Pothuajse e harruar në vitet 60 të shekullit të 20-të, silbo është bërë përsëri e përhapur dhe tani ishulli ka një ditë vjetore kushtuar fishkëllimës. Gjithsesi, ka kufizime. «Mund të bisedosh me të tjerët, por nuk mund të thuash dot shumë gjëra»,—thotë Huan Evaristo, një drejtor shkolle vendas.
Fëmijët dhe gjumi
«Prindërit duhet të vendosin kufizime, jo vetëm sa mund të rrinë zgjuar në darkë fëmijët, por edhe çfarë mund të bëjnë para se të shkojnë të flenë,—thotë revista Parents.—Të shohin televizorin, të luajnë me kompjuter dhe me video-game, si edhe të shëtitin nëpër Internet, janë aktivitete nxitëse që e mbajnë aktive mendjen e fëmijëve më tepër se ç’duhet. Dhe një program i plotë me angazhime pas shkolle i pengon ata që të mbarojnë detyrat e shtëpisë në një orar të arsyeshëm.» Kërkimet tregojnë se heqja e gjumit shpesh ka një efekt të ndryshëm te fëmijët e vegjël, pasi ata bëhen hiperaktivë dhe të pakontrollueshëm, kurse të rriturit bëhen të përgjumur dhe të qetë. Rrjedhimisht, kur janë në shkollë, fëmijëve që janë pa gjumë u mungon aftësia për t’u përqendruar, për të kushtuar vëmendje, për të mbajtur mend atë që mësojnë dhe për të zgjidhur ushtrimet. Specialistët thonë se prindërit duhet të vendosin një kohë kur fëmijët e tyre të shkojnë për të fjetur dhe ta bëjnë një përparësi, jo si zgjidhjen e fundit pasi të kenë mbaruar të gjitha energjitë ose aktivitetet.
SIDA nëpër botë
The Globe and Mail e Kanadasë thotë se, sipas një raporti të ri të Kombeve të Bashkuara, në mbarë botën «më shumë se 50 milionë njerëz janë infektuar me HIV-SIDA, ekuivalenti i popullsisë së Mbretërisë së Bashkuar, dhe 16 milionë kanë vdekur». «Kërkimet në nëntë vende afrikane kanë zbuluar se tani janë infektuar me sëmundjen 20 për qind më shumë gra sesa burra» dhe se «vajzat adoleshente [janë] rreth pesë herë më shumë në rrezik për t’u infektuar me HIV-SIDA, sesa djemtë adoleshentë». Pitër Pjot, drejtori ekzekutiv i Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara për HIV-SIDA, e përshkruan situatën në Evropën Lindore si «në shpërthim e sipër». Në raport theksohet se «shkalla e infektimit me HIV në ish-Bashkimin Sovjetik ka arritur më shumë se dyfishin në dy vitet e kaluara, rritja më e shpejtë në botë». Specialistët thonë se ky është një pasqyrim i rritjes së përdorimit të drogës me injektim në atë zonë. Përreth botës, më shumë se gjysma e atyre të infektuar me HIV-SIDA «e marrin sëmundjen në moshën 25-vjeçare dhe pastaj, zakonisht, vdesin para ditëlindjes së 35-të».
Kremrat kundër diellit dhe kanceri
«Njerëzit që vënë kremra kundër diellit me numër të madh faktori mbrojtës i gënjen ndjenja e sigurisë së rremë dhe mund ta rritin
rrezikun e kancerit të lëkurës»,—raporton The Times e Londrës. «Kjo ndodh sepse kalojnë më shumë kohë në diell dhe thithin më shumë rrezatim.» Kërkuesit nga Instituti Evropian i Onkologjisë në Milano, Itali, zbuluan se ata që përdornin kremra me faktorin 30 kalonin 25 për qind më shumë kohë në diell, sesa ata që përdornin faktorin 10. Filip Otjer, autori i studimit, thotë: «Efekti mbrojtës që ka përdorimi i kremrave kundër kancerit të lëkurës e në veçanti kundër melanomës, nuk është demonstruar në popullsinë në përgjithësi, por ka të dhëna bindëse që tregojnë një marrëdhënie të fortë midis kohëzgjatjes së ekspozimit në diell për kënaqësi dhe kancerit të lëkurës.» Specialistët e shëndetit tani po paralajmërojnë kundër ekspozimit të zgjatur në diell, pavarësisht nga niveli i mbrojtjes që jep një krem kundër diellit. Kristofer Nju, administrator i fushatës kundër kancerit, fushatë e organizuar nga Autoriteti i Edukatës Shëndetësore në Britani, këshillon: «Mos pushoni së përdoruri kremra kundër diellit, por kujtoni se nuk duhet t’i përdorni me qëllim që të rrini më gjatë në diell.»Mjeti ideal i transportit?
Biçikletat trirrotëshe, të njohura edhe si triçikla ose biçikleta riksha, janë përdorur në Indi për dekada të tëra. Megjithatë, revista Outlook vëren se ato kanë mbetur të pandryshuara dhe kanë «një strukturë të rëndë prej druri, shasi të mëdha prej gize, ndenjëse tmerrësisht të pjerrëta dhe asnjë lloj marshi». Vitet e fundit, ka pasur shumë kundërshtime për përdorimin e tyre, për shkak të sforcimit që kërkohet nga ana e drejtuesve, të cilët shpesh janë burra të moshuar e të ushqyer keq. Tani që ndotja e ajrit po arrin nivele të rrezikshme në Indi, biçikletës riksha i është dhënë një mundësi e re. Një firmë me qendër në Delhi ka propozuar një projekt që ofron një strukturë shumë më të lehtë e më elegante që zvogëlon rezistencën e erës, një sistem marshesh që e zvogëlon shumë sforcimin e pedalimit, shalë biçiklete të rehatshme e të sigurta, timon që zvogëlon sforcimin e kyçeve të duarve dhe ndenjëse më të mëdha e më të rehatshme për pasagjerët. Sipas T. Vinetit, drejtuesit të projektit, «kjo lloj rikshe është korrekte, në përputhje me atmosferën e sotme politike, ku të drejtat e njeriut dhe një ambient pa ndotje janë fjalë në modë». Në revistën Outlook thuhet: «Riksha e thjeshtë mund të kthehet në mjetin ideal të transportit për shekullin e 21-të.»
Posta e pazëvendësueshme
Në gazetën Le Figaro thuhet se deri më sot, «teknologjia nuk ia ka dalë mbanë të zëvendësojë efektin që ka një letër». Në vitin 1999, shërbimi postar i Francës shpërndau një rekord prej 25 miliardë letrash. Nga këto, 90 për qind ishin postë tregtare dhe vetëm 10 për qind korrespondenca personale. Afro gjysma e të gjithë postës së dërguar përfshinte ndonjë formë reklame, të cilën 98 për qind të atyre që u pyetën thanë se e kishin lexuar me kujdes. Çdo ditë, 90 000 postierët e Francës, nga të cilët 40 për qind janë gra, bëjnë më shumë se 72 000 xhiro për të shpërndarë 60 milionë letrat që postohen përditë.
Sigurues të shqetësuar
Gazeta franceze Le Monde raportoi se viti 1999 ishte «një vit i mallkuar për sigurimet». Katastrofat natyrore në vitin 1998 shkaktuan dëme me vlerën 90 miliardë dollarë, nga të cilët 15 miliardë dollarë u paguan nga shoqëritë e sigurimeve. Megjithatë, viti 1999, i karakterizuar nga tërmete në Turqi dhe Tajvan, nga tajfune në Japoni, nga përmbytje në Indi e Vietnam, si edhe nga katastrofa të tjera, mund t’u kushtojë edhe më shumë siguruesve. Shoqëritë e sigurimeve janë të shqetësuar për probabilitetin në rritje për katastrofa më të mëdha në zona me popullsi të dendur. Shoqëria kryesore e sigurimeve në botë paralajmëron për «efektet shkatërruese» të ngrohjes globale dhe për «pasojat e aktiviteteve njerëzore në kushtet klimaterike».
Tani mali Everest edhe më i lartë
«Mali Everest, mali më i lartë i botës, është edhe më i lartë sesa mendonin më parë shkencëtarët, dhe po rritet ende»,—thotë një raport i kohëve të fundit nga agjencia Rojter. «Duke përdorur sisteme të sofistikuara satelitore, alpinistët kanë matur Everestin dhe doli se ishte 8850 metra, rreth 8,9 kilometra të lartë . . . Kjo shifër është 2 metra më shumë se shifra e dalë nga matja e mëparshme zyrtare, 8848 metra, e bërë në vitin 1954.» Shifra e re është lartësia e majës së mbuluar me dëborë. Lartësia reale e majës shkëmbore nën dëborë është ende e panjohur. Shoqëria National Geographic po e përdor këtë shifër të re për hartat e saj. Përveç se rritet në lartësi, mali, domethënë, i gjithë vargmali i Himalajeve, po lëviz në drejtim verilindor drejt Kinës, me 1,5 deri në 6 milimetra në vit.