Propaganda mund të jetë vdekjeprurëse
Propaganda mund të jetë vdekjeprurëse
«Një gënjeshtër mund të udhëtojë përreth gjysmës së botës, ndërkohë që e vërteta po vesh këpucët.»—I atribuohet MARK TUENIT
«TI HEBRE i ndyrë!»—ulëriti mësuesja, duke e qëlluar me shuplakë nxënësin shtatëvjeçar. Pastaj i kërkoi klasës të rreshtohej pranë tij dhe ta pështynte në fytyrë.
Si mësuesja, ashtu edhe nxënësi—kushëri i saj—e dinin fare mirë që djali dhe prindërit e tij s’kishin prejardhje hebreje. As nuk kishin besimin jude. Përkundrazi, ishin Dëshmitarë të Jehovait. Duke përfituar nga paragjykimet e përhapura kundër hebrenjve, mësuesja po nxiste urrejtjen kundër nxënësit. Për vite të tëra, prifti i kishte thënë si mësueses, ashtu edhe klasës së saj se Dëshmitarët e Jehovait ishin njerëz të urryer. Prindërit e djalit i kishin quajtur edhe komunistë, edhe agjentë të CIA-s (Central Intelligence Agency). Kështu, shokët e klasës u rreshtuan afër tij, të paduruar për të pështyrë në fytyrë një «hebre të ndyrë».
Ai djalë mbijetoi për të treguar historinë e tij. Por nuk ndodhi kështu me gjashtë milionë hebrenjtë që jetonin në Gjermani dhe në vendet fqinje rreth 60 vjet më parë. Propaganda keqdashëse luajti një rol të madh në shfarosjen e tyre nëpër dhomat e gazit dhe nëpër kampet e përqendrimit të nazizmit. Antisemitizmi i përhapur, i rrënjosur, i pabazë dhe tërë helm bëri që shumë njerëz t’i konsideronin hebrenjtë si armiq, shfarosja e të cilëve qe jo vetëm e nevojshme, por edhe e drejtë. Në atë rast, propaganda doli se ishte një armë e zhdukjes në masë.
Vërtet, propaganda mund të shfaqet haptazi, duke përdorur simbole të tilla të urrejtjes, si kryqi i thyer ose në mënyrë të tërthortë, duke treguar ndonjë anekdotë bajate. Teknikat e saj mbushamendëse përdoren rregullisht nga diktatorë, politikanë, klerikë, reklamues, tregtarë, gazetarë, personalitete të radios dhe televizionit, agjentë shtypi dhe persona të tjerë që janë të interesuar të ndikojnë mbi mendimet dhe sjelljen.
Sigurisht, mesazhet propagandistike mund të përdoren për të arritur synime të dobishme shoqërore, si në fushatat për të pakësuar rastet e ngarjes së makinës në gjendje të dehur. Por propaganda mund të përdoret edhe për të ushqyer urrejtjen ndaj minoriteteve etnike a fetare ose për t’i tërhequr njerëzit të blejnë cigare. «Çdo ditë bombardohemi me një breshëri mesazhesh bindëse,—theksojnë studiuesit Antoni Pratkanis dhe Eliot Aronson.—Këto mesazhe tërheqëse të mbushin mendjen jo nëpërmjet diskutimeve e debateve, por nëpërmjet manipulimit të veprimeve a tingujve domethënës dhe të ndjenjave më të thella njerëzore. Për mirë a për keq, epoka jonë është epokë e propagandës.»
Si është përdorur propaganda për të ndikuar në mendimet dhe veprimet e njerëzve përgjatë shekujve? Ç’mund të bëni për ta mbrojtur veten nga propaganda e rrezikshme? A ekziston ndonjë burim informacionesh të besueshme? Këto dhe pyetje të tjera do të trajtohen në artikujt vijues.
[Figura në faqen 3]
Propaganda u përdor për t’i bërë viktima hebrenjtë gjatë holokaustit