Përse kaq i përhapur interesi për spiritizmin?
Përse kaq i përhapur interesi për spiritizmin?
Spiritizmi është përkufizuar si «besimi se diçka frymore, e cila është pjesë përbërëse e njeriut, mbijeton pas vdekjes së trupit fizik dhe mund të komunikojë me të gjallët, zakonisht nëpërmjet një personi që shërben si ndërmjetës».
NË VITIN 1998, një libër që shpjegonte se si të viheshe në kontakt me të vdekurit u bë kaq i kërkuar në Shtetet e Bashkuara, saqë arriti me shpejtësi në majën e listës së New York Times për librat më të shitur.
Pak vite më parë, në Moskë, seancat e fallit dhe ato spiritiste u bënë shumë të modës mes politikanëve dhe biznesmenëve, të cilët paguanin shuma të mëdha për konsultime.
Në Brazil, telenovelat me spiritizëm tërheqin një numër të madh teleshikuesish.
Për mjaft njerëz që jetojnë në Afrikë ose në Azi, praktikimi i spiritizmit është po aq i zakonshëm sa shitja e blerja në pazar.
Përse kaq shumë veta i drejtohen spiritizmit?
Shumë veta i drejtohen spiritizmit për të gjetur ngushëllim pas vdekjes së njerëzve të dashur. Nëpërmjet mediumeve ata mund të marrin informacione të veçanta që duket se vijnë nga të vdekurit. Për rrjedhojë, këta njerëz të hidhëruar, shpesh, janë të bindur se të dashurit e tyre të vdekur janë gjallë dhe se kontakti me të vdekurin do t’i ndihmojë të përballojnë humbjen e tij.
Të tjerë tërhiqen drejt spiritizmit, sepse u është thënë që frymërat do t’i ndihmojnë të kurohen nga sëmundjet, të shpëtojnë nga sundimi i varfërisë, të kenë sukses në dashurinë romantike, të
zgjidhin problemet martesore ose të gjejnë punë. Ndërsa shumë të tjerë i drejtohen spiritizmit thjesht të shtyrë nga kureshtja.Megjithatë, një arsye tjetër përse miliona njerëz i janë drejtuar spiritizmit është se u kanë mësuar që spiritizmi është, siç e përshkroi një ekspert në këtë fushë, «një fe shtesë» që qëndron «përkrah krishterimit». Situata fetare në Brazil është një shembull tipik.
Brazili ka popullsinë më të madhe katolike në botë, por siç shprehet autori Sol Biderman, «miliona besimtarë ndezin qirinj në më shumë se një altar dhe, prapëseprapë, nuk mendojnë [se ka] ndonjë mospajtim». Në fakt, në të përjavshmen braziliane Veja raportohej se 80 për qind e atyre që frekuentojnë qendrat spiritiste në Brazil janë katolikë të pagëzuar që marrin pjesë edhe në meshë. Po t’i shtosh kësaj faktin që në grumbullime spiritiste marrin pjesë edhe disa klerikë, mund të kuptohet qartë përse shumë besimtarë mendojnë se të vihesh në kontakt me frymërat për të gjetur ngushëllim e drejtim është diçka e miratuar nga Perëndia. Por, a është kështu?
[Kutia dhe figurat në faqen 3]
Forma të ndryshme të spiritizmit
Praktika e spiritizmit mund të përfshijë konsultimin me një medium, pyetjen e të vdekurve ose kërkimin e ogureve. Një formë e përhapur e spiritizmit është falli—përpjekja për të zbuluar të ardhmen ose të panjohurën me ndihmën e frymërave. Disa forma të fallit janë: astrologjia, vështrimi i sferës së kristaltë, interpretimi i ëndrrave, shikimi i dorës dhe parashikimi i fatit me ndihmën e letrave.