Realizimi i idealeve
Realizimi i idealeve
VULLNET i mirë, vëllazëri, paqe në shkallë ndërkombëtare: kush nuk do t’i lëvdonte këto ideale fisnike? Rigjallëruesi i Lojërave Olimpike, baroni Pjer dë Kubertan, besonte se lojërat do të mposhtnin rivalitetet kombëtare, duke nxitur një respekt të madh për konkurruesit, pavarësisht nga raca, feja ose gjinia. Ai mendonte se «një botë më të mirë mund ta krijojnë vetëm individë më të mirë». Por, a mund të sjellin vërtet sportet paqe botërore? Duke gjykuar nga çfarë ka ndodhur në të kaluarën, duhet të përgjigjemi që jo.
Ndonëse sportet kanë vendin e tyre, arsimimi nga Bibla është çelësi për të nxitur paqe të vërtetë. Në fakt, parimet biblike mund të krijojnë «individë më të mirë», siç u shpreh Kubertan. Vëreni disa shkrime të cilat nxitin paqen
mes individëve që i zbatojnë, pavarësisht se të çfarë kombësie janë.«Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.»—Gjoni 13:35.
«Nëse është e mundur dhe aq sa varet prej jush, jini paqësorë me të gjithë.»—Romakëve 12:18.
«Derisa të kemi kohë të volitshme, le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve.»—Galatasve 6:10.
«Duke mos bërë asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, duke menduar se të tjerët janë më të lartë se ju.»—Filipianëve 2:3.
«Stërvitja e trupit është e dobishme për pak gjë; kurse devocioni hyjnor është i dobishëm për të gjitha gjërat, pasi mban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë»—1 Timoteut 4:8.
A veprojnë vërtet idealet e paraqitura në këto shkrime? Vëreni çfarë ndodhi në Munih të Gjermanisë. Në vitin 1974, vetëm dy vjet pasi Lojërat Olimpike të zhvilluara në atë qytet u shëmtuan nga terrorizmi dhe vrasjet, Dëshmitarët e Jehovait mbajtën një kongres ndërkombëtar në Stadiumin Olimpik. Të pranishëm, veç të tjerëve, ishin grupe nga Greqia dhe nga Turqia—vende që po luftonin kundër njëra-tjetrës. Në fakt, pikërisht atë verë, trupat greke dhe turke ishin përfshirë në një konflikt për ishullin e Qipros. A do të ndikonte kjo te të krishterët që merrnin pjesë në atë kongres? Jo! Sa prekëse ishte për vëzhguesit kur shihnin grekë e turq që përqafoheshin dhe e quanin njëri-tjetrin vëlla e motër!
Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur në mbarë botën për krijimin e marrëdhënieve paqësore që kapërcejnë pengesa kombëtare, etnike dhe fisnore. Sigurisht, nuk pretendojnë se kanë arritur në mënyrë të përsosur idealin e unitetit dhe të bashkëpunimit botëror. Si çdokush tjetër, atyre u duhet të punojnë shumë që të ndjekin këshillën e apostullit të krishterë Pavël: «Zhvishni personalitetin e vjetër me praktikat e tij dhe vishuni me personalitetin e ri.» (Kolosianëve 3:9, 10) Gjithsesi, ata besojnë fuqimisht se ndjekja e parimeve biblike mund t’i ndihmojë njerëzit ta ‘kërkojnë paqen dhe ta ndjekin’.—1 Pjetrit 3:11.
Mjerisht, Lojërat Olimpike—me gjithë idealet e tyre të larta—kanë nxjerrë në pah cilësitë më të këqija te shumë njerëz. Në kontrast me këtë, Fjala e fuqishme e Perëndisë nxjerr në pah më të mirën te njerëzit, duke nxitur vullnetin e mirë dhe paqen në shkallë ndërkombëtare.
[Figurat në faqen 8]
Lojërat Olimpike nxitin konkurrencën
[Burimi]
Aus dem Fundus der MÜNCHNER OLYMPIAPARK GMBH, München
[Figurat në faqen 9]
Bibla nxit paqen