Sharrëtari i hershëm është ende në punë
Sharrëtari i hershëm është ende në punë
NJERËZIT kanë shpikur shumë mjete për të prerë drurin, duke përfshirë sëpatat, pykat, sharrat. Ka edhe traktorë të pajisur me nofulla si tehe thike, që mund të presin trungje masive pemësh. Por mjetet më të lashta për prerjen e drurit s’janë të bëra nga njeriu. Ato janë një komplet i mirë dhëmbësh të mprehtë—dhëmbët e kastorit, sharrëtarit të hershëm.
Një kastor i rritur mund të arrijë gjatësinë rreth 1,3 metra dhe mund të peshojë më shumë se 27 kile. Duke qenë se dhëmbët prerës të sipërm e të poshtëm rriten vazhdimisht, kastori duhet t’i smerilojë shpesh. Një shtresë smalti e fortë mbulon sipërfaqet e përparme të dhëmbëve prerës, duke i bërë të kenë tehe të mprehta e të pjerrëta. Të lakuar nga brenda dhe të fuqizuar nga muskuj shumë të fuqishëm të nofullës, këto dalta natyrore presin edhe drurin më të fortë me lehtësi.
Gëzof i ngrohtë, bisht i shumanshëm
Njerëzit që jetojnë në klimë të ftohtë e çmojnë vlerën e një xhupi të ngrohtë me material të papërshkueshëm nga uji. E pra, kastorit nuk i duhet kurrë të blejë një veshje të tillë të sipërme, pasi është i pajisur me një mbulesë të trashë gëzofi. Gëzofi i kastorit, ngjyra e të cilit shkon nga kafe e çelët në kafe të errët, ka dy shtresa. Shtresa e brendshme e dendur përbëhet nga fijëza shumë të holla të mbushura me gjemba të veckël, që ndërthuren së bashku për ta mbrojtur kastorin nga uji dhe nga i ftohti. Qimet më të gjata dhe më të trasha të shtresës së sipërme mbrojnë shtresën e brendshme dhe e ndihmojnë kastorin që të mos i depërtojë uji brenda. Po t’i shtosh kësaj edhe një lustër të shndritshme e një ndjesi të kadifenjtë në prekje, s’është për t’u çuditur që shumë njerëz i çmojnë veshjet e bëra me gëzof kastori. Në fakt, dikur në Kanada gëzofi i kastorit shërbente, madje, si një formë paraje!
Të gjithë kastorët kanë dy çifte gjëndrash të pazakonta në bazën e bishtit. Njëri çift prodhon një vaj të veçantë, ndërsa tjetri prodhon kastoréum, një sekrecion aromatik me erë të fortë, por jo të rëndë. Kastori i përdor këto lëndë në një sërë mënyrash, si për shembull, duke e bërë gëzofin e vet të papërshkueshëm nga uji dhe duke tërhequr kastorë të tjerë. Kastoréumi u hyn në punë edhe njerëzve, pasi parfumierët e përdorin në disa nga aromat e tyre.
Bishti i kastorit është unik. Me formën si lopatë vozitjeje, ai është afro 0,3 metra i gjatë dhe ka shumë funksione. Në ujë, për shembull, bishti i kastorit
vepron si timon për lundrim. Në tokë përdoret për të mbajtur ekuilibrin, ndërkohë që kastori bren me dhëmbë pemët. Kur kërcënon rreziku, kastori e përplas bishtin mbi sipërfaqen e ujit, duke dhënë kushtrimin për gjithë kastorët e tjerë që munden ta dëgjojnë, në mënyrë që të shpëtojnë. Megjithatë, sa për të sqaruar një ide të gabuar, kastori nuk e përdor bishtin si mistri muratori për të shtruar baltë në digat e tij.Ushqimi dhe uji
Çfarë ha kastori? Pjesa e brendshme e butë e lëvores së drurit dhe sythet e plepit e të shelgut qëndrojnë në krye të menusë së tij. Ndaj, teksa pret një pemë për ndonjë projekt ndërtimi, kastori mund të kënaqet edhe me një goxha vakt. Ndonjëherë, ndërkohë që një kastor është i zënë për ta bërë copa-copa një trung, një tjetër afrohet pa u ndier nga ana që s’duket dhe vjedh ca lëvore të shijshme.
Gjatë dimrit, kastori përdor një sistem të pashoq për të ruajtur ushqimin. Së pari, ai gërmon një gropë të thellë nën ujë—diçka jo dhe aq e vështirë për t’u realizuar, duke qenë se kastori mund të qëndrojë i zhytur për 15 minuta rresht. Pastaj, kastori vë stivë degë plepi të egër, shelgu dhe pemësh të tjera në sipërfaqen e ujit, sipër gropës. Dora-dorës që stivohen drurë të tjerë, pirgu arrin së fundi në fundin e gropës. Më vonë, kur akulli mbulon pellgun
dhe bora pengon aktivitetin në sipërfaqe, kolonia ka nën ujë «zahire» të ruajtura mirë.Duke folur për ujin, pak kafshë të tokës ndihen aq rehat në të sa kastori. Veç gëzofit të dendur, të cilin vaji e bën të papërshkueshëm nga uji, kastori ka edhe një shtresë dhjami nën lëkurë, që i siguron izolim termik edhe në ujin më të ftohtë. Kastorët, madje, edhe çiftohen nën ujë. Duke qenë se uji luan një rol kaq të rëndësishëm në jetën e kastorëve, ata nuk i sheh kurrë të jetojnë larg liqeneve dhe lumenjve.
Kastorët dhe njerëzit
Kastorët janë të bindur dhe bëhen miq kollaj me ata njerëz që i trajtojnë me përzemërsi. Këto kafshë krihen rregullisht dhe e mbajnë veten të pastër. Në të shkuarën, indianët e Amerikës i mbanin shpesh kastorët si kafshë shtëpiake rrotull kampeve të tyre. Megjithatë, duhet të mendoheni dy herë para se ta lini një kastor të hyjë në shtëpinë tuaj. Problemi është që ata nuk pushojnë kurrë së ndërtuari. «Nëse mbahen brenda,—shkruan inxhinierja e mjedisit Alis Autuotër,—ata do të presin këmbët e tavolinave e të karrigeve dhe do të ndërtojnë diga midis pjesëve të orendive.» Pemët dhe hunjtë e gardhit në oborr mund të kenë një fund të ngjashëm.
Por ndërmjet kastorëve dhe njerëzve kanë lindur probleme edhe më të rënda. Disa pronarë tokash ankohen, për shembull, se digat bëjnë që niveli i lumenjve të ngrihet, duke dëmtuar kështu pronat. Megjithatë, shkencëtarët dhe njerëz të tjerë i kundërshtojnë këto ankesa, duke theksuar dobitë e veprimtarisë së kastorëve. Për shembull, puna që bëjnë kastorët për grumbullimin e ujit, ruan e pastron ujin dhe siguron kushte jetësore për shumë specie. Disa, madje, thonë se pellgjet e ujit të kastorëve kanë pakësuar pasojat e thatësirave.
Natyralistët përllogaritin se tani në pjesën kontinentale të Shteteve të Bashkuara jetojnë afro 10 000 000 kastorë. Gjithsesi, disa përllogaritin se 500 vjet më parë, në po këtë zonë jetonin më shumë se 200 000 000 kastorë. Vetëm mendoni pak: dhjetëra milionë «sharrëtarë» mund të kenë qenë duke punuar në pyjet e Amerikës së Veriut para se të mbërrinin evropianët e parë. E megjithatë, në vend që të gjenin një tokë të shkretuar pa pemë, ata kolonialistë të parë panë pyje të paana të gjelbëruara. Është e qartë se kastori luan një rol të rëndësishëm në ekologjinë e planetit tonë. Prandaj, mund të jemi të kënaqur që sharrëtari i hershëm është ende në punë!
[Kutia dhe figura në faqet 22, 23]
«I palodhur si kastor»
Ai që krijoi këtë shprehje ka të ngjarë t’i kishte vërejtur kastorët duke punuar, ndërsa ngrinin një digë në lumë a ndërsa ndërtonin shtëpinë e tyre. Vërtet, këto kafshë duken të papërtuara teksa presin pemë dhe i bartin pjesë-pjesë për në kantierin e ndërtimit. Hera-herës ata, madje, gërmojnë kanale, që materialet e ndërtimit të lundrojnë drejt vendit të duhur.
Por si i ndërtojnë kastorët digat e tyre? Së pari, për ta ngulitur mirë strukturën, vendosin degë pemësh në fundin e lumit. Në rast se shtrati i lumit është i gjerë, kastorët e përkulin sfratin kundër rrymës, për ta bërë të fortë kundrejt saj. Duke përdorur drurë të tjerë, ata e mbushin hendekun deri në lartësinë e duhur dhe pastaj mbushin vrimat me baltë dhe gurë. Për ta bërë digën të qëndrueshme, kastorët e përforcojnë në anën që është në drejtimin e rrymës, duke vendosur degë pemësh në njëfarë këndi në shtratin e lumit. Këto krijesa punëtore, madje, e riparojnë rregullisht veprën e duarve të tyre!
Shpejt, në anën e digës që gjendet në drejtimin e kundërt të rrymës formohet një pellg i qetë. Këtu kastorët ndërtojnë shtëpiza të sigurta—në fillim një strofkë të thjeshtë në bregun e lumit, ndërkohë që diga është ende në ndërtim e sipër, e më vonë një strofull në formë kubeje disi larg bregut, e bërë me baltë e shkopinj. Për t’u mbrojtur nga grabitqarët, kastorët përdorin hyrje të nënujshme. Të sigurt brenda strofkave, ata çlodhen dhe rritin të vegjlit e tyre.
Kastori është vërtet i papërtuar. Disa shkencëtarë në Uajoming, SHBA, lëshuan dhjetë kastorë–pesë meshkuj dhe pesë femra—në një zonë ku s’ishte parë asnjë i tillë nga një kohë e gjatë. Një vit më pas, studiuesit u kthyen dhe panë se ata kishin krijuar pesë koloni të veçuara dhe kishin ndërtuar 55 diga!
[Figurat në faqen 24]
Një kastor në punë; banesa dhe diga e një kastori; kastor i vogël