Tërmet!
Tërmet!
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË TAJVAN
«Isha shtrirë dhe po lexoja në apartamentin tim në Tajpei, në katin e nëntë, kur dritat filluan të veniteshin. Pastaj dhoma nisi të lëkundej fuqishëm. Ishte sikur ndonjë përbindësh e kishte mbërthyer ndërtesën dhe po e shkundte sa në një anë në tjetrën. Kërceva shpejt poshtë një tavoline, ndërsa zhurma e gjërave që rrëzoheshin në dyshemenë e katit të sipërm më bënte të trembesha se do të binte tavani. Dukej se s’kishte të pushuar.» —Një gazetar që jeton në Tajvan.
TËRMET. Vetëm përmendja e kësaj fjale krijon frikë dhe kohët e fundit mund ta keni dëgjuar me një rregullsi alarmuese. Sipas qendrës amerikane të kërkimeve gjeologjike (U.S. Geological Survey), gjatë vitit 1999 tërmetet e mëdha ishin më të shumta se zakonisht dhe numri i vdekjeve që ndodhën për pasojë ishte dyfishi i mesatares vjetore.
Tërmeti më i madh i vitit 1999 ndodhi në Tajvan, ku puqen dy pllaka të mëdha kontinentale të kores së tokës. Gjithsej janë 51 vija të njohura të shkarjes së tokës që përshkojnë Tajvanin. Ndaj, s’është për t’u çuditur që atje regjistrohen çdo vit rreth 15 000 lëkundje tërmeti. Shumica e tyre, ama, janë aq të vegjël, sa nuk ndihen.
Por nuk ishte kështu më 21 shtator 1999. Në orën 1.47 të natës, Tajvani u shkund nga një tërmet aq i fortë, saqë presidenti Li Teng Hui e quajti tërmeti «më i keq i ishullit gjatë një shekulli». Zgjati vetëm 30 sekonda, por intensiteti i tij ishte 7,6 ballë sipas shkallës Rihter. * Origjina e tërmetit ishte pak më shumë se 1 kilometër nën sipërfaqe dhe kjo gjë bëri që efektet e tij të ndiheshin plotësisht. «U zgjova nga një lëkundje e fortë,—thotë Liu Siu Sia, e cila jeton afër epiqendrës së tërmetit.—Orenditë binin e madje edhe llamba ra me zhurmë nga tavani përdhe. Nuk dilja dot përjashta, sepse dera ishte bllokuar nga objektet e rrëzuara dhe nga xhama të thyer.» Huang Shu Hong, e cila u rrëzua nga krevati prej lëkundjeve, hasi një vështirësi tjetër. «Korrenti iku menjëherë, kështu që ishte shumë errët,—thotë ajo.—Dola jashtë duke u penguar dhe e kalova gjithë pjesën tjetër të natës në rrugë me fqinjët. Toka dukej se s’pushonte së lëvizuri.»
Përpjekjet për shpëtim
Në të aguar, pasojat e tërmetit qenë të dukshme. Nja 12 000 ndërtesa, nga shtëpi njëkatëshe deri në pallate shumëkatëshe, ishin shembur. Ndërsa fjala për katastrofën përhapej, në Tajvan erdhën specialistë të ndihmës së shpejtë nga 23 vende për të ndihmuar vullnetarët vendës. Shumë viktima ishin ende të bllokuara nën rrënojat.
Pas një katastrofe, 72 orët e para janë vendimtare për të gjetur të mbijetuarit, por në këtë rast punëtorët e ndihmës së shpejtë u ndeshën me disa surpriza. Për shembull, një djalë gjashtëvjeçar shpëtoi pasi kishte ngecur 87 orë nën rrënoja. Gjithashtu, në Tajpei, ndërsa punëtorët po përdornin pajisje të rënda për të pastruar gërmadhat e një pallati të shembur 12-katësh, u zbulua papritmas një djalë i ri. Ai dhe i vëllai ishin bllokuar nën rrënoja për më shumë se pesë ditë dhe që të dy mbijetuan nga ajo përvojë e rëndë!
Megjithatë, mjerisht, nuk qe e mundur të arriheshin të gjithë dhe punëtorët e ndihmës së shpejtë përballuan disa momente që të copëtonin zemrën. Për shembull, drejtuesi i një skuadre tha me pikëllim: «Tetë orë përpara dëgjuam një fëmijë që qante. Por pastaj e qara pushoi.» Së fundi, numri i viktimave në Tajvan arriti në më shumë se 2300 dhe mbi 8500 njerëz ishin plagosur.
Përballimi i pasojave
U bë një përpjekje e jashtëzakonshme për të siguruar strehim për ata qindra mijë njerëz që kishin mbetur pa shtëpi nga tërmeti. Në fillim, disa viktima
ngurronin disi të ktheheshin brenda. Kjo ishte e kuptueshme, sepse gjatë dhjetë ditëve që pasuan tërmetin e parë u regjistruan afro 10 000 lëkundje të tjera! Njëra nga ato arriti intensitetin 6,8 ballë të shkallës Rihter, duke bërë që disa nga ndërtesat tanimë të dobësuara të shembeshin.Gjithsesi, puna për të ndihmuar vazhdoi. Një sërë organizatash joqeveritare—duke përfshirë skuadra të ndihmës nga vende të huaja, grupin budist Xu Ki dhe zjarrfikësit—dhanë nga koha dhe nga aftësitë e tyre në punën që po kryhej. Gjithashtu, në punën për të ndihmuar ishin përfshirë edhe Dëshmitarët e Jehovait. Me frymën e këshillës biblike që jepet në Galatasve 6:10, ata kishin dy synime. Donin që (1) të kujdeseshin për personat e lidhur me ta në besim dhe (2) të bënin atë që është e mirë ndaj të gjithëve, duke përfshirë edhe ata që s’kanë të njëjtin besim me ta.
Aty nga fundi i ditës së parë, Dëshmitarët e Jehovait po sillnin me kamionë ushqime, ujë, tenda dhe pajisje për të gatuar jashtë. Duke qenë se të gjitha linjat e komunikimit ishin ndërprerë, pleq nga të gjashtë kongregacionet e zonës së prekur nga tërmeti bënë një përpjekje të bashkërenduar për të gjetur Dëshmitarët e tjerë dhe të afërmit e tyre, si edhe studentët e Biblës e të interesuarit. Dëshmitarët që kishin mbetur të pastrehë u inkurajuan të jetonin në kampe së bashku, kështu që mund të tregohej kujdes i mirë për të gjithë ata dhe të kontaktoheshin me lehtësi. Mbikëqyrësit udhëtues dhe anëtarët e Komitetit të Degës së Tajvanit vizituan çdo grup dhe kongregacion për të dhënë inkurajim.
Hapi tjetër ishte të meremetoheshin shtëpitë dhe Sallat e Mbretërisë që ishin dëmtuar. Çdo kongregacion bëri një listë të atyre që kishin nevojë për ndihmë. Pastaj, nën drejtimin e Komitetit Rajonal të Ndërtimit, u dërguan skuadra vullnetarësh për të bërë meremetimet e nevojshme. Brenda një muaji pas tërmetit, puna kishte përfunduar.
Dëshmitarët e Jehovait u dhanë ndihmë edhe fqinjëve të tyre që nuk ishin Dëshmitarë. Për shembull, Dëshmitarët vizituan spitale dhe komunitete që banonin në tenda, për t’u dhënë mbështetje. Gjithashtu, shpërndanë fotokopje të artikullit «Shkatërrimet natyrore: Ndihmojeni fëmijën që t’i përballojë ato», botuar në numrin e Zgjohuni! tetor-dhjetor 1996. Shumë njerëz ishin mirënjohës që iu dha ky informacion dhe filluan ta lexonin menjëherë. Ndërsa rrugët hapeshin, Dëshmitarët e Jehovait dërgonin ngarkesa me furnizime në zonat e izoluara malore që ishin dëmtuar keqas nga tërmeti.
Ata që studiojnë Biblën e dinë se ajo kishte parathënë shumë kohë më parë që ditët e fundit të këtij sistemi do të karakterizoheshin nga «tërmete nga njëri vend në tjetrin». (Mateu 24:7) Por Bibla na jep edhe garanci se së shpejti, nën sundimin paqësor të Mbretërisë së Perëndisë, njerëzimi nuk do të jetojë më me frikën e shkatërrimeve natyrore. Në atë kohë toka do të jetë vërtet një parajsë.—Isaia 65:17, 21, 23; Luka 23:43.
[Shënimi]
^ par. 6 Në krahasim me këtë, tërmeti tragjik që ra në Turqi në gusht 1999 regjistroi 7,4 ballë, e megjithatë mori të paktën shtatë herë më shumë jetë njerëzish se ai në Tajvan.
[Figurat në faqen 26]
Dëshmitarët e Jehovait mbanin mbledhjet e tyre, ndërsa jetonin në kampe
[Figura në faqen 27]
Tërmeti shkatërroi shumë rrugë
[Burimi]
San Hong R-C Picture Company
[Burimi i figurës në faqen 25]
San Hong R-C Picture Company
[Burimi i figurës në faqen 27]
Sizmograma në faqet 2, 25-27: Figurë me mirësjelljen e Laboratorit Sizmologjik Berkeley