Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Terapitë alternative: Pse shumë njerëz i përdorin?

Terapitë alternative: Pse shumë njerëz i përdorin?

Terapitë alternative: Pse shumë njerëz i përdorin?

MJEKËSIA alternative ose plotësuese përfshin një gamë të gjerë teknikash dhe trajtimesh kuruese. Shumë nga ato janë pjesë e naturopatisë, që është një sistem trajtimi i cili e vë theksin te përdorimi i mjeteve natyrore a i metodave fizike për ta sjellë trupin në formë dhe për t’i dhënë mundësi të vetëshërohet. Mjekësia moderne i ka braktisur ose shpërfillur nga shumë kohë një numër të madh të këtyre terapive, që janë përdorur gjerësisht për shekuj të tërë.

Për shembull, në numrin e 27 gushtit 1960 të revistës Journal of the American Medical Association vërehej se përdorimi i të ftohtave për djegiet «njihej nga njerëzit e kohëve të lashta, por me sa duket është shpërfillur si nga mjekët, ashtu edhe nga ata që s’janë të zanatit. Edhe pse referimet që shfaqen aty-këtu në literaturë e mbështetin njëzëri këtë formë trajtimi, sot, në përgjithësi, ajo nuk përdoret. Në fakt, shumica e mjekëve thonë se ‘këtë s’e bën asnjeri’, ndonëse askush nuk e di tamam përsenë».

Megjithatë, dekadat e fundit, mjekësia tradicionale e ka përkrahur sërish përdorimin e ujit të ftohtë ose të kompresave të ftohta për djegiet. Në numrin e shtatorit 1963 të revistës The Journal of Trauma thuhej: «Interesi për përdorimin e ujit të ftohtë në trajtimin fillestar të djegieve është shtuar qysh prej raporteve të Ofejgsonit dhe Shulmanit në vitet 1959 dhe 1960. Vitin e fundit kemi trajtuar një sërë pacientësh me këtë metodë; rezultatet klinike ishin inkurajuese.»

Trajtimi me ujë të ftohtë është relativisht i sigurt dhe patjetër që siguron një lehtësim qetësues. Hidroterapia, e cila e vë në punë ujin në mënyra të ndryshme për të trajtuar disa sëmundje, përdoret në mjekësinë alternative, e tani disa forma të këtij trajtimi pranohen edhe nga mjekësia moderne. *

Ngjashëm kësaj, profesionistët e terapive alternative shpesh përdorin bimë për të trajtuar sëmundjet. Në disa pjesë të tokës, kjo gjë është praktikuar për qindra, e madje edhe për mijëra vjet. Në Indi, për shembull, përdorimi i bimëve ka qenë prej shumë kohësh baza e mjekësisë. Sot, thuajse gjithkund, aftësia shëruese e disa bimëve pranohet nga mjaft specialistë të fushës së shëndetit.

Një përvojë për t’u përmendur

Rreth njëqind vjet më parë, Rikard Vilshtetërit, i cili u bë më vonë studiues i biokimisë së bimëve, i la mbresë ajo që i ndodhi një shokut të tij të ngushtë, dhjetëvjeçarit Sep Shvab. Sepi kishte një këmbë të infektuar keqas dhe një mjek tha se ajo duhej prerë për të shpëtuar jetën. Por prindërit e Sepit e shtynë operacionin për mëngjesin tjetër. Ndërkaq kërkuan një bari, i cili njihej për përdorimin e melhemeve bimore. Bariu mblodhi disa bimë, i preu në copëza shumë të imëta gjersa u bë një masë që ngjante si spinaq i gatuar, dhe e vuri mbi plagë.

Aty nga mëngjesi plaga ishte përmirësuar dhe operacioni u shty përsëri. Trajtimi vazhdoi e, me kalimin e kohës, plaga u shërua krejt. Vilshtetëri shkoi të studionte për kimi në Universitetin e Mynihut, në Gjermani dhe më pas fitoi çmimin Nobel për zbulimet e bëra në studimin e pigmenteve bimore, veçanërisht të klorofilit. Është domethënëse që rreth 25 për qind e ilaçeve farmaceutike që përdoren tani përftohen ose pjesërisht, ose krejtësisht nga substanca kimike që gjenden në mënyrë natyrale te bimët.

Nevoja për të ushtruar ekuilibër

Gjithsesi, duhet pranuar se kur bëhet fjalë për trajtimin mjekësor, ajo që bën çudira te një person mund të mos japë ndonjë rezultat kushedi se çfarë te një tjetër. Efektshmëria e çfarëdolloj terapie varet nga një mori faktorësh, duke përfshirë edhe llojin e sëmundjes, në çfarë grade ka arritur ajo dhe gjendjen e përgjithshme shëndetësore të pacientit. Edhe koha mund të jetë një faktor.

Zakonisht, metodat alternative veprojnë më ngadalë se ato tradicionale. Prandaj, një sëmundje që mund të ishte luftuar sikur të ishte diagnostikuar e trajtuar më herët, mund të arrijë deri në atë pikë ku nevojiten ilaçe të forta, ndoshta edhe operacion, për të shpëtuar jetën. Kështu që mund të mos jetë e mençur të kapemi pas një lloj terapie, çfarëdo qoftë, sikur ajo të jetë mënyra e vetme për të zgjidhur një problem shëndetësor.

Mjekësia alternative ndryshon nga terapitë tradicionale në mënyrën e trajtimit të shëndetit. Zakonisht, metodat e saj kuruese merren më shumë me parandalimin e sëmundjeve dhe përqendrohen te stili i jetës së personit, te mjedisi rrethues dhe te mënyra se si ndikojnë këta faktorë në shëndetin e tij a të saj. Me fjalë të tjera, profesionistët e terapive alternative zakonisht shqyrtojnë jo thjesht një organ me çrregullime a një sëmundje, por personin në tërësi.

Një arsye përse mjekësia alternative i tërheq shumë njerëzit është pa dyshim mendimi se përdorimi i produkteve natyrale dhe metodat e saj të kurimit janë më të buta dhe më pak të rrezikshme sesa ato që përdoren në mjekësinë tradicionale. Ndaj, duke marrë shkas nga një interes gjithnjë e më i madh rreth identifikimit të trajtimeve të sigurta dhe të efektshme mjekësore, në artikullin vijues do të paraqiten disa shembuj të terapive alternative.

[Shënimi]

^ par. 5 Shih Zgjohuni!, 22 qershor 1988, faqet 25, 26; anglisht.