Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fëmijët meritojnë të jenë të dëshiruar e t’i duan

Fëmijët meritojnë të jenë të dëshiruar e t’i duan

Fëmijët meritojnë të jenë të dëshiruar e t’i duan

«JEPI pakëz dashuri një fëmije, e do të të kthehet me bollëk.» Kështu shkroi shkrimtari dhe kritiku anglez i shekullit të 19-të Xhon Raskin. Shumica e prindërve ka të ngjarë të jenë të një mendjeje se është diçka shpërblyese t’i duan fëmijët e tyre, jo vetëm për shkak të dashurisë që marrin në këmbim, por, ç’është më e rëndësishmja, për shkak të ndikimit pozitiv që do të ketë kjo dashuri te fëmijët.

Në librin Love and Its Place in Nature vërehej, për shembull, se pa dashuri «fëmijët rrezikojnë të vdesin». Gjithashtu, Eshli Montagu, antropolog i njohur me origjinë angleze, arriti deri aty, sa bëri këtë vërejtje: «Fëmija të cilit nuk i është treguar dashuri është mjaft i ndryshëm nga ana biokimike, fiziologjike dhe psikologjike prej atij që ka marrë dashuri. Ata të dy, madje, rriten ndryshe nga njëri-tjetri.»

Gazeta Toronto Star fliste për një studim në të cilin u arritën përfundime të ngjashme. Aty thuhej: «Fëmijët që rriten pa marrë vazhdimisht përqafime, përkëdhelje ose ledhatime . . . e kanë nivelin e hormoneve që lidhen me stresin më të lartë sesa normalisht.» Në të vërtetë, t’i lësh pas dore nga ana fizike gjatë fëmijërisë «mund të ketë efekte serioze afatgjata mbi aftësinë për të mësuar dhe mbi kujtesën».

Këto përfundime theksojnë nevojën që prindërit të jenë të pranishëm fizikisht. Përndryshe, si mund të zhvillohen lidhje të forta mes prindit dhe fëmijës? Por, mjerisht, edhe në pjesët e pasura të botës, sot ekziston prirja që të plotësohen nevojat e fëmijëve duke i mbajtur larg prindërve. Fëmijët përcillen në shkollë, përcillen në shkollën fetare të së dielës, përcillen në punë, përcillen në kampet verore ose u jepen para dhe përcillen në vende argëtimi. Të nxjerrë jashtë bërthamës familjare, duke u vërtitur, si të thuash, në orbita të largëta, miliona fëmijë vetvetiu ndihen​—edhe sikur thjesht në mënyrë të pavetëdijshme​—të lënë pas dore e që nuk i duan, të rrethuar nga një botë armiqësore të rriturish. Kjo ndjenjë e përhapur midis fëmijëve mund të jetë një nga arsyet përse në Berlin ka afro 3.000 fëmijë rrugësh. Një ndër ta, Mika i vogël, tha: «Askush nuk më donte më.» Një djalë gjerman nëntëvjeçar u ankua ngjashëm tij: «Më mirë të isha qeni i shtëpisë.»

Keqtrajtimi i fëmijëve merr shumë forma

Lënia pas dore e fëmijëve është një formë keqtrajtimi që tregon mungesë të asaj që Bibla e quan «përzemërsi të natyrshme». (Romakëve 1:31; 2 Timoteut 3:3) E kjo gjë mund të çojë në forma më të rënda keqtrajtimi. Për shembull, që nga Viti Ndërkombëtar i Fëmijëve më 1979, u është kushtuar më shumë vëmendje problemeve të keqtrajtimit fizik e të abuzimit seksual me fëmijët. Sigurisht, është e vështirë të mblidhen statistika të sakta dhe, veç kësaj, ato ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Por s’ka asnjë dyshim se është e vështirë të fshihen vragat që mbartin deri në moshë të rritur ata persona me të cilët është abuzuar seksualisht në fëmijëri.

Pavarësisht nga forma që merr, keqtrajtimi u jep fëmijëve mesazhin se nuk i duan. E, me sa duket, ky problem po shtohet. Sipas gazetës gjermane Die Welt, «gjithnjë e më shumë fëmijë po rriten për t’u bërë persona të gjymtë nga ana shoqërore». Aty shtohet: «Fëmijëve u mungon ngrohtësia e një foleje. Sipas [Gert Romajke, drejtor i një qendre këshillimi për fëmijët, në Hamburg], lidhja emocionale midis fëmijëve dhe prindërve po dobësohet ose nuk krijohet kurrë, që nga fillimi. Këta fëmijë ndihen të lënë pas dore dhe dëshira e tyre për siguri mbetet e paplotësuar.»

Fëmijët të cilëve u është mohuar e drejta për të qenë të dëshiruar dhe për t’u dashur mund të bëhen persona të mbushur me mllef, që ia zbrazin pezmatimin atyre që i kanë lënë pas dore ose ndoshta shoqërisë në tërësi. Të paktën një dekadë më parë, në raportin e një grupi specialistësh kanadezë sinjalizohej rreth nevojës për veprim të menjëhershëm, pasi përndryshe do të rrënohej një brez i tërë «i cili mendon se shoqërisë nuk i bëhet vonë për ta».

Të rinjtë të cilëve nuk u tregohet dashuri mund të tundohen të largohen nga shtëpia për t’u shpëtuar problemeve, por vetëm sa hasin probleme edhe më të mëdha në qytetet e pushtuara nga krimi, droga dhe imoraliteti. Në fakt, më shumë se 20 vjet të shkuara, policia përllogariti se vetëm në një zonë metropolitane të SHBA-së jetonin 20.000 të rinj nën moshën 16 vjeç, të cilët ishin larguar nga shtëpia. Ata u përshkruan si «fryte të familjeve të shkatërruara dhe të vrazhdësisë, të shkaktuara shpesh nga prindër alkoolistë ose të droguar. Këta fëmijë marrin rrugët, përdorin trupin e tyre për të mbijetuar e pastaj, të rrahur nga shfrytëzuesit e tyre dhe pa respekt për veten, jetojnë me frikën se mos i ndëshkojnë në rast se përpiqen të dalin nga ai rreth». Mjerisht, me gjithë përpjekjet e sinqerta për ta ndryshuar këtë situatë të vajtueshme, ajo vazhdon të ekzistojë.

Fëmijët që rriten në rrethanat e përshkruara më sipër bëhen të rritur të paekuilibruar, që shpesh nuk janë në gjendje të rritin siç duhet fëmijët e tyre. Duke e ndier se nuk i duan, më vonë krijojnë të tjerë si vetja e tyre, pra, fëmijë që ndiejnë se nuk i duan. Një politikan gjerman e shprehu me pak fjalë këtë gjë, duke thënë: «Fëmijët pa dashuri bëhen të rritur plot urrejtje.»

Sigurisht, miliona prindër po bëjnë ç’është e mundur për t’u siguruar që fëmijët e tyre ta dinë se janë të dëshiruar dhe që i duan. Jo vetëm që ua thonë këtë me fjalë, por edhe e shfaqin duke u treguar fëmijëve kujdesin e dashur dhe vëmendjen personale që meriton çdo fëmijë. Gjithsesi, ka ende probleme, probleme që duket qartë se janë përtej aftësisë së prindërve për t’i zgjidhur. Për shembull, në disa pjesë të botës, sistemet njerëzore të papërsosura ekonomike e politike nuk arrijnë t’u sigurojnë fëmijëve kujdes të duhur shëndetësor, arsimim të përshtatshëm e ushqim të mjaftueshëm, si edhe mbrojtje nga plaga e shfrytëzimit të fëmijëve në punë dhe e kushteve të vajtueshme të jetës. E mjaft shpesh kjo gjendje rëndohet nga të rritur lakmitarë, të korruptuar, egoistë dhe mospërfillës ndaj të tjerëve.

Kofi Anan, sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, përmendi disa nga problemet më të mëdha që përballojnë fëmijët sot, kur shkroi: «Miliona fëmijë vazhdojnë të durojnë poshtërimet e tmerrshme të varfërisë; qindra mijë vuajnë pasojat e kaosit të shkaktuar nga problemet ekonomike ose nga konfliktet; dhjetëra mijë janë gjymtuar në luftëra; shumë të tjerë kanë mbetur jetimë ose janë vrarë nga HIV/SIDA.»

Por s’ka vetëm lajme të këqija! Institucionet e OKB-së të tilla, si Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë punuar fort për të përmirësuar mirëqenien e fëmijëve. Anan vërejti: «Ka më shumë fëmijë që lindin të shëndetshëm dhe më shumë që janë të vaksinuar; më shumë fëmijë që mund të lexojnë e të shkruajnë; më shumë fëmijë që janë të lirë të mësojnë, të luajnë e thjesht të jetojnë si fëmijë, sesa mund të na e merrte mendja jo më shumë se një dekadë më parë.» Gjithsesi, ai paralajmëroi: «Nuk është koha për t’u kënaqur thjesht me arritjet e kaluara.»

Ata që meritojnë vëmendje të veçantë

Disa fëmijë meritojnë vëmendje të veçantë. Në fillim të viteve 60, bota u trondit kur dëgjoi lajme nga më shumë se një duzinë vendesh për lindjen e mijëra fëmijëve të ashtuquajtur fëmijë të talidomidit. Kur merrej nga gra shtatzëna, pilula qetësuese dhe gjumëdhënëse e talidomidit kishte një efekt anësor të paparashikuar që çonte në lindjen e fëmijëve me gjymtyrë të cunguara ose pa gjymtyrë. Shpesh krahët dhe këmbët ishin thjesht si pendë notimi.

Katër dekada më pas, shkaktari më i mundshëm i gjymtimit të fëmijëve janë minat tokësore. * Disa kanë përllogaritur se anembanë botës gjenden të shpërndara 60 milionë deri në 110 milionë mina aktive. Rreth 26.000 njerëz vriten ose gjymtohen çdo vit, duke përfshirë shumë fëmijë. Që nga viti 1997, kur Xhodi Uilliams fitoi çmimin Nobel për Paqen, për fushatën e saj që të ndaloheshin me ligj minat tokësore, këtij problemi i është kushtuar shumë vëmendje. Por fushat e minuara ekzistojnë ende. Një politikan gjerman tha lidhur me përpjekjet për ta pastruar botën nga minat tokësore: «Kjo është si të përpiqesh të zbrazësh një vaskë me një lugë çaji, ndërkohë që rubineti është i hapur.»

Një grup tjetër fëmijësh që ka nevojë për vëmendje të veçantë janë fëmijët që s’kanë prindër. Perëndia Jehova, Krijuesi i njeriut, kishte për qëllim që fëmijët të rriteshin me përkujdesjen e dashur si të nënës, ashtu edhe të babait. Një fëmijë ka nevojë dhe e meriton të rritet në një mënyrë të tillë të ekuilibruar nga prindërit e tij.

Shtëpitë e fëmijës dhe agjencitë e birësimit përpiqen të kujdesen për nevojat e fëmijëve që u mungojnë të dy prindërit. Mjerisht, ama, disa nga fëmijët e paprivilegjuar që kanë nevojë më të ngutshme për t’u birësuar janë tamam ata që shpërfillen më dendur: fëmijë që janë të sëmurë, që kanë probleme në të mësuar, që janë fizikisht të paaftë ose që kanë origjinë të huaj.

Janë themeluar organizata që i inkurajojnë individët të kontribuojnë me para në një bazë të rregullt dhe kështu të «birësojnë» një fëmijë që jeton në ndonjë vend më të varfër. Paratë e dhuruara përdoren për ta çuar fëmijën në shkollë ose për të siguruar gjërat e nevojshme të jetës. Nëse kanë dëshirë, mund të shkëmbehen edhe fotografi e letra për ta forcuar këtë lidhje. Ndonëse ndihmon, ky rregullim nuk del se është zgjidhja ideale.

Një shembull tjetër interesant i asaj që është bërë për të ndihmuar fëmijët pa prindër është një lëvizje që në vitin 1999 festoi gjysmë shekulli veprimtari.

Fshati i Fëmijëve SOS

Në vitin 1949, Herman Gmainer themeloi në Imst të Austrisë atë që e quajti Fshati i Fëmijëve SOS. Nga ky fillim i vogël, organizata e tij është rritur dhe përfshin gati 1.500 fshatra e institucione të ngjashme në 131 vende të Afrikës, Azisë, Amerikës dhe Evropës.

Gmainer e bazoi sipërmarrjen e tij në katër parime drejtuese: nëna, vëllezërit e motrat, shtëpia dhe fshati. «Nëna» përbën thelbin për një «familje» prej pesë a gjashtë, ndoshta edhe më shumë, fëmijësh. Ajo jeton me ta dhe përpiqet t’u tregojë dashurinë e vëmendjen që pritet nga një nënë e vërtetë. Fëmijët qëndrojnë së bashku në të njëjtën «familje» dhe me të njëjtën «nënë» derisa vjen koha që të lënë «shtëpinë». Në «familje» përfshihen fëmijë të moshave të ndryshme. Duke pasur «vëllezër» e «motra» më të mëdhenj e më të vegjël, fëmijët mësojnë të kujdesen për njëri-tjetrin, dhe kjo i ndihmon që të mos bëhen egoistë. Janë bërë pëpjekje për t’i futur fëmijët në «familje» në një moshë sa më të vogël që të jetë e mundur. Ata që janë vëllezër e motra gjaku mbahen gjithmonë së bashku në të njëjtën «familje».

Fshatrat përbëhen nga rreth 15 «familje», çdonjëra nga të cilat jeton në shtëpinë e vet. Të gjithë fëmijët mësohen ta ndihmojnë «nënën» e tyre për të bërë punët e përditshme e të nevojshme të shtëpisë. Ndonëse babai mund të mungojë, merren masa për mbështetje burrërore, që të jepen këshilla atërore dhe, gjithashtu, disiplina e nevojshme. Fëmijët ndjekin shkollat në zonën e tyre. Çdo «familje» merr muaj për muaj një shumë të caktuar parash, që të mbulojë shpenzimet. Ushqimet dhe rrobat blihen në zonën ku banojnë. Synimi është që fëmijët të futen në jetën tipike familjare me të gjitha problemet dhe gëzimet e saj, për t’iu dhënë mundësi të bëjnë, sa më shumë të jetë e mundur, një jetë normale. Kjo gjë i përgatit të ngrenë familjet e tyre pasi të kenë arritur në moshë të rritur.

Ende në kërkim të zgjidhjes ideale

Agjencitë e adoptimit, shtëpitë e fëmijës, Fshatrat e Fëmijëve SOS, UNICEF-i dhe organizata a grupe të ngjashme i shërbejnë një qëllimi të mirë, ndërsa përpiqen të sigurojnë mbështetje për fëmijët e paprivilegjuar. Por asnjëra prej tyre nuk mund ta mohojë faktin se disa njerëz janë të paprivilegjuar. Sado e madhe të jetë dëshira, nuk mund t’i japin një fëmije të gjymtuar gjymtyrë të shëndetshme, nuk mund të aktivizojnë mendjen e një fëmije të paaftë mendërisht, nuk mund ta ribashkojnë një fëmijë me prindërit e tij të ndarë a të divorcuar ose t’i kthejnë atij përqafimin e dashur të një prindi që ka vdekur.

Sado që përpiqen, njerëzit nuk mund të sigurojnë zgjidhjen ideale për problemet e fëmijëve. Megjithatë, ato do të zgjidhen! Po, dhe ndoshta më shpejt nga ç’mund të na e marrë mendja. Por, në ç’mënyrë?

[Shënimi]

^ par. 17 Shih serinë «Minat tokësore: Çfarë mund të bëhet?», që doli në numrin e 8 majit 2000 të kësaj reviste, anglisht.

[Figurat në faqet 8, 9]

Një fëmijë ka nevojë dhe meriton dashurinë e të dy prindërve