Misteri i Nan-Matolit
Misteri i Nan-Matolit
Kush e ndërtoi këtë ‘Venecie të deteve të jugut’? Si e bënë? Përse e braktisën?
DO T’JU pëlqente një mister emocionues—një mister që ka brenda aventurën? Atëherë ejani e vëreni rrënojat e Nan-Matolit, një enigmë e vjetër me shekuj, që ka çuditur shumë vizitorë.
Nan-Matoli është një labirint interesant ishujsh dhe rrugësh ujore të ndërtuara një mijë vjet të shkuara nga dora e njeriut mbi shkëmbinj nënujorë afër sipërfaqes së detit, në bregun e ishullit mikronezian Ponpei. * Teksa afrohemi nga deti, pemët rrënjëmëdha dhe bimësia e dendur tropikale na i fshehin nga sytë rrënojat. Papritmas, ndërsa barka jonë merr me kujdes një kthesë, gjendemi përballë këtyre triumfeve të inxhinierisë.
Të parat shfaqen muret masive, disa nga të cilat kanë gjatësinë e një blloku qyteti. Këto mure të mëdha, me një lakim që arrin dalëngadalë kulmin në qoshe, janë ndërtuar me shtylla vigane bazalti të vëna stivë e të kryqëzuara me njëra-tjetrën.
Emri Nan-Matol ka kuptimin «vende ndërmjet» dhe përshkruan më së miri sistemin e rrugëve ujore të
ndërtuara nga njeriu, të cilat rrethojnë ishujt. Lundërtarët evropianë të viteve 1800 qenë ndoshta të huajt e parë që e panë Nan-Matolin. Ata ngelën aq të mahnitur nga panorama që u doli përpara, sa e quajtën këtë qendër të dikurshme politike e fetare Venecia e deteve të jugut. Por ata lundërtarë nuk qenë kurrë dëshmitarë të madhështisë së plotë të Nan-Matolit, pasi atë e kishin braktisur në mënyrë të mistershme rreth një shekull para mbërritjes së tyre.Dy udhërrëfyesit na thanë se Nan-Matoli zë një sipërfaqe prej afro 80 hektarësh. Çdonjëri prej 92 ishujve të vegjël, siç na shpjeguan ata, kishte një qëllim të veçantë. Disa përdoreshin si qendra banimi. Disa të tjerë për gjëra të tilla, si për të përgatitur ushqimin, për ndërtimin e kaikeve dhe për vallëzimet ceremoniale. Ndonëse ishujt janë ndërtuar në forma dhe madhësi të ndryshme, një ishull tipik ka formë katërkëndëshi dhe është i madh thuajse sa një fushë futbolli. Pjesa dërrmuese e këtyre ishujve të vegjël është e mbuluar me bimësi, por ajo pjesë që mund të eksplorohet është magjepsëse.
Kështjellë mbretërish
Kështjella hijerëndë që quhet Nan-Tauvas është vendi më i mirë nga mund të kundrosh misterin e Nan-Matolit. Edhe pse këto rrënoja mund t’i eksplorosh duke ecur përmes ujërave, është më mirë të shkosh atje me barkë. Nan-Matoli u projektua për trafik ujor, dhe rrugët e tij ujore janë të gjera sa autostradat me katër korsi. Veç kësaj, janë mjaft të cekëta. Kur ka baticë, uji nuk shkon më lart se beli i njeriut, e kjo gjë pa dyshim që e ka mbrojtur Nan-Matolin nga anijet pushtuese gjatë shekujve të kaluar. Udhërrëfyesit lundronin me kujdes nëpër rrugët ujore, për të mos i dëmtuar helikat e barkës në shtratin koralor.
Kur u ndalëm në dok në Nan-Tauvas, u ngjitëm nëpër disa shkallë që të çonin drejt e te shenjtërorja e lashtë. Kjo hyrje madhështore na nxori matanë disa mureve 3 deri 4 metra të trasha dhe 8 deri 9 metra të larta. Këto kulla të forta u kanë qëndruar stuhive tropikale, madje edhe tajfuneve.
Brenda mureve vigane na priste një oborr i madh në mes të të cilit ndodhej një dhomë e gurtë varrimi. Ky vend solemn është salla e homazheve mbretërore, ku njëherë e një kohë qaheshin mbretërit. Duke eksploruar më tej, pamë diçka që dukej si një kalim i nëndheshëm. Udhërrëfyesit tanë na inkurajuan të futeshim në të çarën e ngushtë midis gurëve, dhe pas pak u gjendëm të strukur në një dhomë të nëndheshme të vogël e të errët. «Jeni në burg,—shpjegoi njëri nga udhërrëfyesit.—Tamam këtu mbaheshin të burgosurit e Nan-Matolit.» Teksa imagjinonim se si duhet të ndihej një i burgosur kur «dera» e burgut vulosej me një gur dytonësh, u kthyem me kënaqësi jashtë.
Blloqe të pazakonta ndërtimi
Shëtitja nëpër rrënojat e Nan-Matolit na ndihmoi të vlerësonim përpjekjet që duhet të jenë dashur për ta ndërtuar. Shkëmbinj koralorë shërbejnë si themele për ishujt e vegjël. Këta ishuj ishin ndërtuar për të mbajtur pirgje të rënda me shtylla të gjata bazalti. Shtyllat kanë një pamje kaq mbresëlënëse, sa vizitorët e parë menduan që u ishte dhënë formë me dorë. Më vonë u zbulua se ato janë
vetë në formë prizmi, çdonjëra me nga pesë deri në tetë faqe.Duheshin sjellë mijëra shtylla të mëdha, disa nga të cilat ishin të gjata deri në pesë metra dhe peshonin më shumë se pesë tonë. Është përllogaritur se njëri nga gurët e qoshes peshon 50 tonë. Fakti që në ujëra të cekëta një trap do të fundosej nga një peshë e tillë, na bën të pyesim veten: ‘Si u transportuan për në Nan-Matol këta gurë të stërmëdhenj dhe si u ngritën pastaj në vendin ku janë?’ E pra, burimi më i afërt i bazaltit është me kilometra larg: gati gjysma e largësisë përqark ishullit të Ponpeit!
Gjatë viteve, misteri i Nan-Matolit ka bërë të lindin disa legjenda imagjinare. Njëra nga legjendat thotë se shumë shekuj më parë zotat u dhanë fuqi magjike dy vëllezërve për të «fluturuar» gurë të rëndë drejt vendit të ndërtimit. Sipas një legjende tjetër, dikur në Ponpei banonte një shoqëri e përparuar e cila njihte sekretin e kontrollimit të valëve zanore, e kjo u jepte mundësi të lëviznin gurët e stërmëdhenj.
Udhërrëfyesit tanë na dhanë një shpjegim më të besueshëm, domethënë që Nan-Matolin e kishte ndërtuar një forcë e madhe punëtore dhe se ishin dashur shekuj për ta përfunduar. Kishte shumë të ngjarë që shtyllat prej bazalti të ishin ngritur në pozicionin e tyre me anë të forcës fizike, duke përdorur si mbajtëse trungje palmash të vendosura pjerrtas. Por, prapëseprapë, pyesim: «Si u transportuan gurët e rëndë për në Nan-Matol?»
A do të zgjidhet misteri?
Askush nuk mund ta thotë me saktësi se si u ndërtua Nan-Matoli ose—ndoshta diçka që ngjall edhe më shumë kureshtje—përse e braktisën. Shumë veta pretendojnë se Nan-Matolin e sulmuan dhe e pushtuan. Të tjerë thonë se të huajt sollën në Ponpei sëmundje që e zhdukën popullsinë në masë. Një teori tjetër është që një tajfun i fortë shkatërroi rezervat ushqimore të ishullit, duke i detyruar njerëzit të largoheshin prej tij. Cilado qoftë arsyeja, Nan-Matoli ka mbetur i shkretë për të paktën 200 vjet.
Kështu, kjo mrekulli e lashtë na lë me shumë pyetje në mend dhe me pak përgjigje. Ndërkohë që barka jonë largohej, nuk mund të mos pyetnim veten: A do ta zgjidhë ndonjëherë ndokush misterin e Nan-Matolit?
[Shënimi]
^ par. 4 Ponpei ndodhet pranë ekuatorit, rreth 5.000 kilometra në jugperëndim të Havait.
[Harta në faqen 16]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Ponpei
[Figura në faqen 16]
Doku dhe hyrja kryesore e kështjellës
[Figura në faqen 17]
Muri masiv i jashtëm
[Figura në faqen 18]
Dhoma e gurtë qendrore e varrimit
[Figura në faqen 18]
Një pjesë e 80 hektarëve me rrugë ujore të ndërtuara nga njeriu
[Burimi]
© 2000 Nik Wheeler