Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Minat tokësore Më ka prekur seria e artikujve «Minat tokësore—Çfarë mund të bëhet?» (8 maj 2000, anglisht). Është diçka e tmerrshme, që kaq shumë civilë të pafajshëm po vriten çdo vit nga minat tokësore.
E. U., Finlandë
Më erdhi turp nga vetja kur lexova për këto pajisje djallëzore që po përdorin njerëzit për të dëmtuar njerëz të tjerë. Perëndia ka plotësisht të drejtë të ndërhyjë e ta heqë ligësinë nga toka.
G. S., Brazil
Kjo seri artikujsh ishte një ngjarje e shënuar, që e ndërgjegjëson publikun për një çështje të rëndësishme. Fotografia e kapakut kishte një ndikim shumë të fuqishëm.
R. H., Shtetet e Bashkuara
Trajtim mjekësor pa transfuzion Artikulli «Ke për të vdekur!» (8 maj 2000, anglisht), më solli ndër mend përvojën e babait tim. Vite më parë ai mori një goditje ndërsa ngiste makinën. Makina e tij u përmbys dhe kur erdhi në vete, mjeku i tha se duhej të bënte një transfuzion gjaku. Kur babai im kundërshtoi, mjeku i tha: «Nëse nuk e bën këtë transfuzion, ke për të vdekur.» Babai im kundërshtoi përsëri. Të nesërmen, mjeku erdhi në dhomën e tij dhe e pyeti: «Si je?» Babai iu përgjigj: «Jam gjallë!» Im atë është ende gjallë dhe i shërben Jehovait me sa mundësi ka.
T. M., Shtetet e Bashkuara
Kam një kancer të rrallë në gjak dhe kur mjeku e diagnostikoi më tha se do të vdisja brenda gjashtë muajve, nëse nuk filloja menjëherë të bëja transfuzione gjaku. Kjo ndodhi në vitin 1991. Gjeta një mjek që i respektoi bindjet e mia për gjakun dhe mora vendimin personal që të bëja, nën drejtimin e tij, injeksione javore me eritropojetinë, të cilat ndihmuan që të më rritej numri i rruazave të gjakut.
E. G., Shtetet e Bashkuara
Lexova jetëshkrimin e Lini Karlinskit dhe si mjek u tmerrova nga veprimet çnjerëzore të atyre, të cilët nuk u kujdesën për të pas operacionit [sepse kishte kundërshtuar transfuzionin e gjakut]. Nuk mund t’i parafytyroj dot mendje kaq të mbyllura!
K. K., Shtetet e Bashkuara
Të luftosh dëshpërimin Meqë vuaj nga depresioni, e lexova artikullin «Pikëpamja e Biblës: Si të përballojmë dëshpërimin?» (8 maj 2000, anglisht) sapo e mora. Siç thoshit ju, të flasësh me dikë që do t’ju dëgjojë me mirëkuptim është diçka shumë inkurajuese. Dëshiroj të shpreh falënderimet e mia për artikujt tuaj të shkëlqyer.
A. D., Lituani
Mospranim laktoze Gruaja ime shkoi te mjekja e saj, pasi kishte simptoma të rënda. Mjekja i tha se trupi i saj mund të mos pranonte laktozën. Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për të, kështu që ju jemi mirënjohës për artikullin «A jeni mospranues laktoze?» (8 maj 2000, anglisht). Ky informacion i shkëlqyer nuk mund të vinte në një kohë më të përshtatshme.
E. P., Shtetet e Bashkuara
Brazili Artikulli «Pantanali: Një rezervat magjepsës» (shtator 1999), më ngjalli dëshirën për ta parë me sytë e mi këtë pjesë të krijimit të Jehovait. Motra ime dhe unë planifikuam të vizitonim Brazilin dhe artikulli «Historia dramatike e një ‘vendi me kontraste’» (8 maj 2000, anglisht), erdhi dy javë para se të shkonim atje. Shërbeu si një udhërrëfyese e shkëlqyer rreth vendeve më të mira për të vizituar.
E. V., Angli
Zogjtë dhe të burgosurit Kam provuar gëzimin të rrit, e pastaj t’i lëshoj përsëri, disa zogj. Artikulli «Çfarë mund t’i mësojë një zog një të burgosuri?» (8 maj 2000, anglisht), më solli ndër mend se si mund të mësojmë edhe nga një krijim fare i vogël i Jehovait.
E. D., Shtetet e Bashkuara