Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Depo për farërat
«Shkencëtarët parashikojnë se brenda 50 vjetëve të ardhshëm, deri në 25% e florës së botës mund të jetë e dënuar të zhduket»,—raporton National Post e Kanadasë. Për të mbrojtur bimët e rrezikuara, Kopshtet Botanike Mbretërore në Kju, Angli, kanë formuar Bankën e Farërave për Mijëvjeçarin (BFM). «Plani i BFM-së është që të mbledhë e të ruajë më shumë se 25.000 lloje bimësh, më shumë se 10% të bimëve farëmbajtëse të botës»,—shpjegon gazeta. Organizatorët e BFM-së shpresojnë t’i përdorin farërat kur të jetë e nevojshme për të rikthyer në gjendjen e mëparshme një tokë shumë të punuar, për të zvogëluar mundësinë e zisë së bukës dhe për të siguruar bimët që përdoren në mjekësinë tradicionale e farmaceutike. Roxher Smithi, drejtori i projektit të bankës së farërave, thotë: «Shpesh, zhduken të parat ato bimë që njerëzit dhe kafshët i përdorin më shumë.»
Infarkt i zemrës pa dhembje
Shumë njerëz janë vigjilentë ndaj shenjës më të zakonshme fizike të një infarkti të zemrës, domethënë, ndaj një shtypjeje të fortë në kraharor. Megjithatë, shumë më pak njerëz e dinë se «një e treta e pacientëve nuk ndiejnë dhembje në kraharor gjatë një infarkti të zemrës»,—raporton revista Time. Kjo ndihmon për të shpjeguar përse «viktimat e infarktit të zemrës, të cilët nuk provojnë dhembje në kraharor, normalisht e shtyjnë vajtjen në spital, mesatarisht me dy orë»,—thotë një studim i botuar në The Journal of the American Medical Association. Por, çdo vonesë për marrjen e trajtimit që mund të shpëtojë jetën është e rrezikshme. Për çfarë tjetër duhet të jeni vigjilentë? «Ndoshta paralajmërimi tjetër më i madh është kur të mbahet shumë fryma»,—thotë Time. Shenja të tjera të mundshme përfshijnë ndjenjën e së vjellës, djersitje të madhe, dhe «çfarëdo ‘djegie të zemrës’ e cila keqësohet nëse bëni ecejake ose nëse bëni punë të tjera fizike»,—thotë artikulli.
Gishta që ngjitin
Hardhjet e mureve mund të vrapojnë me lehtësi edhe në sipërfaqen e një tavani të lëmuar, si qelqi. Si e arrijnë këtë? Shkencëtarët, të cilët janë përpjekur me dekada të tëra t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, tani mendojnë se mund të kenë një shpjegim. Një ekip shkencëtarësh dhe inxhinierësh ka përcaktuar se «një forcë e habitshme e madhe ngjitëse lind kur qimet e vogla të quajtura seta, që gjenden në këmbët e hardhjeve të mureve, fërkohen me këto sipërfaqe»,—raporton revista Science News. «Nga çdo qime dalin zgjatime edhe më të vogla, të quajtura spatula. Kur një hardhje vë këmbën në një sipërfaqe, rreth një miliard spatulat që mbulojnë pjesën e poshtme të saj shtrëngohen kaq fort pas sipërfaqes, saqë forcat ndërmolekulare . . . mund të fillojnë të ndërveprojnë.» Kërkuesit vërejnë edhe se mënyra me të cilën i vendosin hardhjet gishtat e tyre «me sa duket, edhe i shtyp qimet kundër sipërfaqes, edhe i tërheq ato paralel me të». Ky veprim ia rrit «10-fish forcën mbajtëse të çdo qimeje në krahasim me thjesht shtypjen»,—thotë revista.
Kisha Ortodokse Greke e zemëruar për vendimin
Heqja e përkatësisë fetare të shtetasve grekë nga «kartat shtetërore të identitetit ka shkaktuar zemërimin e Kishës Ortodokse Greke». Kështu thotë një raport nga Newsroom.org. Vendimi vjen si pasojë e një raporti të vitit 1998 nga Federata Ndërkombëtare e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Në këtë raport «deklarohej se Greqia diskriminon kishat jo ortodokse dhe se përcaktimi i detyruar i fesë në kartat e identitetit çon në paragjykime në punësim dhe paragjykime në trajtimin nga policia». Sipas artikullit, qeveria greke thotë se ndryshimi ‘do të bëjë që kartat e identitetit të jenë në përputhje me normat e Bashkimit Evropian dhe me ligjin e mbrojtjes së privacitetit që shteti e miratoi në vitin 1997’. Por, kreu i Kishës Ortodokse Greke i ka paraqitur ata që duan ta heqin fenë nga kartat e identitetit si persona që i përkasin «forcave të së keqes».
Lufta e Kinës kundër stuhive të rërës
Stuhitë e rërës, që e kanë zanafillën në zonat e shkretëtirës në Mongolinë e Brendshme, kanë goditur Kinën Veriore në vitet e fundit, duke shkaktuar dëme prej miliona dollarësh në të korra e bagëti, sipas raportit të China Today. Në vitin 2000, disa stuhi rëre arritën deri në kryeqytetin e Kinës, në Bezhin. Një stuhi rëre në vitin 1998 dëmtoi më shumë se 33.000 hektarë drithë dhe vrau 110.000 kafshë shtëpiake. Shkaktari kryesor për këtë dukuri është përcaktuar keqpërdorimi i tokës nga njerëzit.
Zona të tëra janë zhveshur nga bimësia dhe janë kthyer në shkretëtira. Për shembull, në vitin 1984, njerëzit në krahinën autonome Ningsia Hui, e cila ndodhet në Kinën Veriore, filluan të gërmonin për të gjetur jamball, një bimë që e përdornin në mjekësinë bimore kineze. «Në më pak se 10 vjet,—thotë China Today,—u shkatërruan 600.000 hektarë tokë kullote dhe u kthyen në shkretëtirë 13.333 hektarë tokë të punueshme.» Zona të tjera shkretëtire janë krijuar nga kullotja e tepërt e kafshëve dhe nga përdorimi i tepërt i burimeve lokale të ujit. Për të luftuar këtë problem dhe për të frenuar zgjerimin e zonave të shkreta, janë bërë përpjekje të mëdha për të rimbjellë pemë dhe bimë barishtore.Hajdutë të identitetit
Ruhuni nga kriminelët që marrin identitetin tuaj për të mashtruar kreditorët, paralajmëron një raport nga gazeta El Economista në qytetin Meksiko. Pasi jua marrin informacionet personale duke ju vjedhur postën ose portofolin, kriminelët bëjnë kërkesa për të marrë karta krediti në emrin tuaj dhe manovrojnë që ato t’u dërgohen në adresën e tyre. Pastaj, përdorin identitetin tuaj për të blerë sende ose për të marrë me qira prona, nëpërmjet telefonit ose Internetit. Ata që bien viktimë e këtij krimi mund të kalojnë vite e ndoshta dekada duke ndrequr gjendjen e krijuar në jetën e tyre,—thotë gazeta. Si mund të mbroheni nga hajdutët e identitetit? El Economista këshillon: Mos mbani me vete dokumente të rëndësishme, nëse nuk do t’i përdorni; mbani një regjistrim të të gjitha veprimeve që bëni me karta krediti dhe përdorini për të kontrolluar faturat me shumën e parave që duhet të paguani; grisni dëftesat e kartave të kreditit para se t’i hidhni në plehra; mos dërgoni të dhëna personale me postë elektronike dhe mbani një listë të numrave të kartave të kreditit, të datave të skadimit dhe të numrave të telefonit të atyre që japin karta krediti, me qëllim që të raportoni kartat e vjedhura ose të humbura.
Lufta kundër baktereve, e pajustifikuar
«Konsumatorët amerikanë po bëjnë një luftë të gabuar kundër mikrobeve në shtëpi»,—raporton USA Today. Sipas gazetës, fizikani dhe mikrobiologu Sjuart Levi, i Universitetit Tufts, thotë se «shtimi i shumtë i produkteve kundër baktereve . . . kërcënon të shkaktojë daljen e baktereve që janë rezistente jo vetëm ndaj sapunëve kundër baktereve, por edhe ndaj antibiotikëve». Levi thotë se përdorimi i produkteve kundër baktereve për të sterilizuar mjedisin e shtëpisë është si «të vrasësh një mizë me një çekiç». Nga ana tjetër, pastruesit për shtëpinë siç janë klori, peroksidi i hidrogjenit dhe uji i nxehtë me sapun heqin pisllëkun, por nuk i detyrojnë bakteret që të ndryshohen në forma të tjera që u rezistojnë produkteve. «Bakteret janë aleatët tanë,—thotë Levi.—Duhet të bëjmë paqe me to.»
Britanikët mbajnë vendin e parë si shikues të televizorit
«Afro një e katërta e britanikëve kalojnë para televizorit po aq kohë sa kalojnë në punë gjatë një jave të zakonshme»,—raporton gazeta londineze The Independent. Sipas kërkuesve, një britanik i zakonshëm kalon 25 orë në javë duke parë televizor, kurse 21 për qind shohin televizor më shumë se 36 orë. «Nuk ishin vetëm të rinjtë që shikonin televizorin me orë të zgjatura, pasi këto përfundime kishin vlerë edhe për burrat, gratë e të moshuarit»,—thotë gazeta. Një familje, e cila shikon televizor rreth 30 orë në javë, tha se televizori ishte për ta «një ikje e nevojshme nga realiteti». Megjithatë, këto zakone të tepruara të shikimit të televizorit kanë një kosto. Në një studim të bërë në 20 shtete, Mbretëria e Bashkuar «kryeson me një diferencë të madhe në listën e atyre që shohin televizor»,—raporton The Guardian Weekly e Londrës. Megjithatë, «Britania renditet shumë poshtë mesit të klasifikimit për sa u përket tri parametrave më kryesore në lidhje me shkrimin e leximin».
Edukatë seksuale që në fëmijëri
Fëmijëve në Bangkok, Tajlandë, së shpejti do t’u jepet mësim i edukatës seksuale në kopsht, raporton Bangkok Post. Raporti thotë se sipas dr. Suana Vorakamin nga Sektori i Planifikimit Familjar dhe i Kontrollit të Popullsisë, «mësuesit dhe punonjësit e shëndetësisë do të stërviten në mënyrë të veçantë për të mësuar dhe për të folur për seksin në mënyrë shkencore». Sipas raportit të gazetës, ajo shton: «Futja e edukatës seksuale që në kopsht nuk bëhet për të inkurajuar sjelljen seksuale te fëmijët që në moshë të vogël. . . . Njohuria që do t’u jepet fëmijëve që në moshë të vogël do t’u japë mundësi të mënjanojnë sjelljen e padëshiruar dhe rreziqet e shtatzënive të padëshiruara kur të bëhen adoleshentë.»