Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të ndodhë Holokausti sërish?

A mund të ndodhë Holokausti sërish?

A mund të ndodhë Holokausti sërish?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SUEDI

MË 26-28 janar 2000, në kryeqytetin e Suedisë në Forumin Ndërkombëtar të Stokholmit për Holokaustin u mblodhën udhëheqësit e shtetit dhe përfaqësuesit e 48 qeverive nga e gjithë bota. Disa deklarata të bëra nga tribuna zbuluan frikën që kanë udhëheqësit e botës për rigjallërimin e nazizmit. Ish- kryeministri izraelit Ehud Barak tha: «Kjo konferencë përcjell një mesazh universal: nuk duhet të tolerojmë kurrë më, kudo në faqen e dheut, një regjim që shkakton ligësi, vrasje dhe diskriminim ndërmjet qenieve njerëzore në bazë të fesë, të racës ose ngjyrës së lëkurës.»

Një çështje me interes jo vetëm për hebrenjtë

Shumë njerëz anembanë botës e lidhin termin «Holokaust» vetëm me hebrenjtë. Megjithatë, edhe njerëz të tjerë ishin viktima të Holokaustit. Në një ceremoni përkujtimore për të cilën u fol së tepërmi dhe që u mbajt për Holokaustin e hebrenjve në Sinagogën e Madhe të Stokholmit gjatë forumit, kryeministri suedez hodhi idenë që të bëhej një premtim solemn për t’u hapur të gjitha arkivat kudo në botë që të sqarohej publiku rreth çështjes së Holokaustit. «Le të dinë njerëzit,—tha ai,—për gjenocidin ndaj romëve [ciganëve], për vrasjet në masë të të gjymtuarve e për përndjekjen dhe vrasjen e homoseksualëve, disidentëve dhe Dëshmitarëve të Jehovait.»

Qeveria suedeze ka botuar një libër për Holokaustin me titull Tell Ye Your Children (Tregojuni fëmijëve tuaj), i cili ëshë shpërndarë falas në të gjithë vendin te familjet me fëmijë. Ky botim tregon se Dëshmitarët e Jehovait «nuk pranuan të bënin një betim besnikërie ndaj Hitlerit dhe Gjermanisë naziste. Një rezistencë e tillë ishte e pazakontë, sepse thjesht duke firmosur një dokument ku mund të deklaronin besnikërinë e tyre do t’i kishin dhënë fund përndjekjes. Megjithatë, pak veta zgjodhën ta bënin këtë gjë».

Holokausti dhe Dëshmitarët e Jehovait

Në vitin 1933, në Gjermani ndodheshin rreth 25.000 Dëshmitarë të Jehovait. Mijëra prej tyre ishin ndër të parët që u futën në kampet naziste dhe u burgosën. Ata shpallën qëndrimin e tyre asnjanës si të krishterë në lidhje me të gjitha veprimtaritë politike dhe ushtarake. Ata nuk thoshin hail Hitler. Nuk pranonin ideologjinë raciste naziste dhe nuk donin të merrnin pjesë në makinën hitleriane të luftës. Rreth 2.000 veta vdiqën, nga të cilët më shumë se 250 me ekzekutim.

Për më tepër, të burgosurit Dëshmitarë ndihmonin bashkëvuajtësit të duronin, duke përfshirë hebrenjtë dhe të tjerët. E bënë këtë duke rrënjosur tek ata shpresën e bazuar në Bibël e duke ndarë me të sëmurët dhe të dobëtit çfarëdo gjëje që kishin, shpesh duke ndarë edhe copën e fundit të bukës. Gjatë viteve të para të përndjekjes naziste, Dëshmitarët nxirrnin fshehurazi informacione rreth kampeve të përqendrimit dhe asaj që po ndodhte në to. Që atëherë në revistat e tyre, Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! të shpërndara në gjithë globin janë botuar artikuj të shumtë që flasin për mizoritë naziste, si edhe jetëshkrime të të mbijetuarve.

Frika për një rigjallërim të nazizmit ishte e dukshme te delegatët e Forumit Ndërkombëtar të Stokholmit për Holokaustin. Profesori Jehuda Bauer, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Studimet rreth Holokaustit në Institutin Contemporary Jewry, në Izrael, e shprehu frikën në këtë mënyrë: «Përderisa ndodhi një herë mund të ndodhë përsëri, jo në të njëjtën formë, jo medoemos ndaj të njëjtëve njerëz, jo nga të njëjtët njerëz, por ndaj çdokujt nga kushdo. Ishte diçka që s’kishte ngjarë kurrë, por tani është diçka që e kemi përjetuar njëherë.»

[Figura në faqen 12]

Në kampe Dëshmitarët e Jehovait identifikoheshin nga një trekëndësh vjollcë

[Figurat në faqet 12, 13]

1. Julius Engelhard, një Dëshmitar i Jehovait, u ekzekutua nga nazistët në Brandenburg më 14 gusht 1944

2. Tre Dëshmitarë të Jehovait drejtohen për në shtëpi pasi u liruan nga Zaksenhauzeni, në vitin 1945

3. Elsa Abt, një Dëshmitare të cilën e ndanë nga vajza e saj e vogël dhe qëndroi në burg afërsisht për tre vjet

[Burimi]

Nordrhein-Westfälisches Hauptstaatsarchiv, Düsseldorf

[Figurat në faqen 13]

Dëshmitarë të mbijetuar tregojnë historitë e tyre në këtë videokasetë