Njugreinxhi: Më shumë pyetje se përgjigje?
Njugreinxhi: Më shumë pyetje se përgjigje?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË IRLANDË.
NË LETËRSINË e hershme irlandeze, vendi quhet Bru na Boin, që do të thotë «shtëpia ose pallati i Boinit». Sot në këtë zonë misterioze që ndodhet në një kthesë të lumit Boin, rreth 50 km në veri të Dublinit, po zbulohen disa nga varret më të vjetra të botës. Një nga këto varre është quajtur Njugreinxh. Asnjë njeri nuk e di me saktësi se sa i vjetër është, edhe pse mendohet nga disa se është më i vjetër se piramida e madhe e Gizas në Egjipt. Çdo vit në solsticin e dimrit turistët grumbullohen në Njugreinxh për të parë një dëshmi vërtet madhështore të aftësive të atyre që kanë jetuar në kohët e lashta.
Përse u ndërtua?
Ky monument misterioz duhet të ketë qenë shumë i rëndësishëm për ata që e kanë ndërtuar. (Shih kutinë në faqen 24.) Përse gjithë ato shpenzime në kohë, në përpjekje dhe në pasuri? Përse e ndërtuan këtë varr të jashtëzakonshëm?
Bru na Boin ose Brug na Boin, me sa duket, shihej jo vetëm si një vend i shenjtë varrimi, por edhe si një vend për adhurimin ritual. Profesor Majkëll O’Kelli, i cili gërmoi vendin, raportoi: «Bru lidhej ngushtë me Dagdën, Perëndinë e të Mirave, gruan e tij Boan dhe djalin e tij Oengus; të gjithë i përkitnin Tuha Deit, një populli që thuhet se ka banuar në Irlandë përpara se të vinin galët ose keltët dhe që më pas u tërhoq në kodrat dhe kalatë e Irlandës, ku besohej se jetonin zanat. Ata . . . shiheshin si qenie të mbinatyrshme që kishin mundësi dhe kryenin vepra përtej fuqisë së njerëzve të vdekshëm.»—Newgrange—Archaeology, Art and Legend.
Boani ishte perëndesha mitike emrin e së cilës ka marrë lumi Boin. Meqë kodra varr rrethohet në të tria anët nga lumi, ndërtuesit ndoshta besonin se Boani do ta mbronte vendin nga e keqja. Sipas studiues Martin Brenanit, ata ndoshta besonin edhe se disa nga perënditë, në të vërtetë, banonin në kodër. Në fakt ai thotë se sipas mitologjisë më të hershme që ka të bëjë me kodrat tregohet se «ato shiheshin si vende banimi për perënditë e gjalla, të cilat ngjizeshin dhe lindnin këtu».—The Stars and the Stones.
Por Njugreixhi ishte më tepër se një varr për të vdekurit dhe një shtëpi për perënditë. Është një nga monumentet me vendosje më të përpiktë astronomike në botë. Me saktësi të madhe arkitektët e kanë harmonizuar korridorin e gjatë dhe dhomën varr me atë pikë të horizontit ku lind dielli në solsticin e dimrit. Më pas kanë bërë një të hapur të veçantë mbi hyrjen e varrit. Kjo bënte të mundur që rrezet e diellit të arrinin në pjesët më të brendshme të varrit.
Madje edhe sot, çdo solstic dimri, turistët, mblidhen në Njugreinxh, kur drita e diellit përshkon për rreth 15 minuta dhomën e brendshme. Klara Tufi, përgjegjëse e qendrës turistike të Bru na Boinit, tha: «Disa njerëz besojnë se depërtimi i dritës së diellit në thellësi të kodrës përfaqësonte një lloj martese ndërmjet perëndeshës tokë
dhe hyjnisë diell dhe se njerëzit në atë kohë mendonin që kjo do ta bënte pjellore tokën.Misteri i gdhendjeve prej guri
Me sa dimë, ndërtuesit misteriozë të varrit nuk lanë ndonjë dëshmi të shkruar. Megjithatë ata lanë firmën e tyre në formën e disa gdhendjeve të pazakonta në gur. Ata gdhendnin spirale, figura në formë v-je, drejtkëndësha, trekëndësha, vija të lakuara, rrathë, si edhe forma të tjera. Për këto mund të kenë përdorur vetëm një copë stralli ose kuarci, si dhe një çekan guri. Brenan e konsideron trashëgiminë e tyre për Irlandën si «koleksioni më i madh i artit të gurëve të mëdhenj në botë».
Disa mendojnë se gdhendjet enigmatike mund të interpretohen dhe se pasqyrojnë njohuri të mira në fushën e astronomisë. Brenani mendon se ato përshkruajnë aktivitetin diellor dhe hënor. «Ka mundësi që . . . si kodrat, ashtu edhe simbolet shiheshin si të shenjtëruara ndaj diellit dhe hënës,—thotë ai.—Fakti që ata ishin të përkushtuar, në një masë të
madhe, shpjegon artin e tyre.» Ndërsa ekspertë të tjerë janë në një mendje me O’Kellin, i cituar më parë, i cili shkroi se gdhendjet «duhet të kenë pasur një domethënie për ata që i shihnin, por është e pamundur që ne ta dimë ndonjëherë se cila ishte kjo domethënie. Duhet të mbetet pjesë e misterit së bashku me Bru ose pallatin e perëndive antikë».«Një popull me zgjuarsi të madhe»
Mund të duket se për Njugreinxhin ngrihen shumë pyetje për të cilat nuk merret asnjë përgjigje. Misteret që rrethojnë ndërtuesit e këtij varri dhe korridorin në Bru na Boin do të mbeten kryesisht të pazgjidhura. Por të paktën një gjë dihet. Ndërtuesit nuk ishin njerëz primitivë. Në të vërtetë, O’Kelli tha se arkitektët, artistët dhe artizanët e Njugreinxhit «duhet të kenë pasur një nivel të lartë kulturor». Autor Piter Harbësoni pohon se ndërtuesit «nuk ishin aspak banues të shpellave, njerëzit primitivë të legjendave të përhapura . . . Ata ishin popull me një zgjuarsi të madhe».
Sigurisht ne nuk e dimë se kush e ndërtoi Njugreinxhin në Bru na Boin. Megjithatë, ai na jep dëshmi bindëse të mjeshtërisë e zgjuarsisë së arkitektëve dhe ndërtuesve të tij të lashtë, pavarësisht se kush ishin.
[Kutia dhe figura në faqen 24]
Ndërtuesit dhe ndërtesa
Çfarë dimë rreth ndërtuesve të Njugreinxhit? «Shumë pak,—tha Klara Tufi, përgjegjëse e qendrës turistike të Bru na Boinit.—Por kemi mësuar disa gjëra. Dimë që merreshin me bujqësi dhe ishin të pasur, sepse për të ndërtuar një varr të tillë madhështor duhet të kishin pasuri. Gjithashtu, nuk kishin vegla prej metali.»
Duke përdorur pllaka të mëdha prej guri që peshonin deri në dhjetë tonë, ndërtuesit bënë një korridor gati 19 metra të gjatë, 2 metra të lartë dhe të gjerë mjaftueshëm që një njeri të ecte nëpër të pa problem. Korridori të çon në një dhomë varr 6 metra të gjerë me tri kthina. Korridori dhe dhoma kanë formën e një kryqi të gjatë.
Mbi këtë dhomë varr, këta ndërtues të zgjuar të lashtësisë përdorën gurë të tjerë të mëdhenj, pa përdorur llaç, për të ndërtuar një çati të harkuar me lartësi 6 metra. Mbi varr më pas ndërtuan një kodër të stërmadhe me një diametër rreth 80 metra dhe lartësi 12 metra. Ndërtuan gjithashtu një mur mbajtës me popla dhe e mbuluan anën e përparme të tij me guralecë kuarci. Rreth anës së kodrës, ata shtruan 97 gurë anësorë mjaft të mëdhenj, ku secili peshonte nga dy deri në pesë tonë. Ndonjëherë në të kaluarën gurët anësorë dhe hyrjet për në varr mbuloheshin. Në vitin 1699, një punëtor që kërkonte gurë ndeshi rastësisht hyrjen, dhe ky varr e korridor i lashtë doli përsëri në dritë.
[Figura]
Hyrja për në korridorin Njugreinxh
[Harta në faqen 22]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Njugreinxh
DUBLIN
[Figurat në faqen 23]
Sipër: Drita e diellit përshkon për rreth 15 minuta dhomën e brendshme çdo vit gjatë solsticit të dimrit
Poshtë: Dhomë varri nga kthina më e brendshme; vëreni gdhendjen me tri spirale
[Burimi]
Të gjitha pamjet në faqet 22-23, përveç hartës: Dúchas, The Heritage Service, Ireland
[Figura në faqen 24]
Kodër dhe varr me gurë të mëdhenj
[Burimi]
Dúchas, The Heritage Service, Ireland