Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Terrorizmi: Së shpejti merr fund!

Terrorizmi: Së shpejti merr fund!

Terrorizmi: Së shpejti merr fund!

NJË autobus në Jerusalem, një ndërtesë federale në qytetin e Oklahomës ose një pallat në Moskë, që të gjitha këto mund të jenë shënjestra të terrorizmit. Ndonëse terroristët duan t’u përcjellin një mesazh të fuqishëm politikanëve, udhëheqësve ushtarakë ose atyre ekonomikë, shpesh, duket se nuk ka ndonjë lidhje midis qëllimit që duan të arrijnë dhe shënjestrave që zgjedhin. Në shumë raste, shënjestrat e vërteta janë njerëzit e thjeshtë, njerëz që nuk kanë të bëjnë fare me qëllimin e shpallur botërisht të terroristëve. Atëherë, pse ekstremistët u drejtohen veprave terroriste?

Pse i drejtohen terrorizmit?

Terrorizmi është diçka sistematike, e paramenduar dhe e llogaritur. Synimi kryesor nuk është numri i madh i të vdekurve e i të plagosurve. Kasaphana është një mjet për të arritur qëllimin, është pjesë e atmosferës së tronditjes dhe të frikës që terroristi dëshiron të krijojë me qëllim që të dobësojë autoritetet dhe të fitojë vëmendjen për qëllimin e tij të veçantë. Shqyrtoni disa faktorë që fshihen pas veprimeve të dhunshme të terroristëve.

Urrejtja. «Terrorizmi . . . ushqehet nga urrejtja,—tha Ljuis Xh. Fri, drejtor i Zyrës Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI).—Ata që strehojnë një urrejtje të tillë jetojnë në një botë të ndikuar nga fanatizmi, të errësuar nga komploti dhe të rrethuar nga injoranca.»

Shtypja. «Duhet pranuar se ka udhëheqës grupesh dhe vendesh, që kanë si qëllime të paarsyeshme të fshijnë kulturat e të tjerëve,—shkruan Stiven Boumani në librin e tij When the Eagle Screams (Kur këlthet shqiponja).—Por është më se e qartë që një pjesë e madhe e terrorizmit ka lindur nga dëshpërimi.»

Zhgënjimi. «Në shumë raste . . . motivi kryesor që i shtyn për t’u bërë terroristë është një zhgënjim i vërtetë, me sa duket i lidhur në mënyrë të pandashme me forcat politike, shoqërore dhe ekonomike»,—vëren botuesi i librit Urban Terrorism (Terrorizmi urban).

Padrejtësia. «Terrorizmi është simptoma e një problemi, jo shkaku i vërtetë i tij»,—vëren Majkëll Shimofi në relacionin e tij «Politika e terrorizmit». Ai vazhdon: «Synimi ynë afatgjatë duhet të jetë zhdukja e shkaqeve themelore shoqërore dhe politike të terrorizmit. . . Krahas veprimeve kundër terrorizmit, ne duhet të bëjmë përpjekje po aq të fuqishme për të rritur vlerat e lirisë, dinjitetit, drejtësisë dhe humanizmit. Vetëm atëherë, kur këto përpjekje të fuqishme do të bëhen të efektshme, do të jemi në gjendje të ndalim operacionet tona kundër terrorizmit.»

Shkaqet dhe historia e terrorizmit kanë provuar vërtetësinë e pohimit të Biblës: «Një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar.» (Predikuesi 8:9) Bibla, madje, paratha edhe cilësitë që e kanë ushqyer terrorizmin. Ajo thotë: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Sepse njerëzit do të jenë të dashuruar pas vetes, . . . pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur.»—2 Timoteut 3:1-4.

Realiteti është se përpjekjet njerëzore për të luftuar terrorizmin, sado të sinqerta të jenë, nuk mund të kenë sukses me shkaqet e tij. Bibla, në mënyrë realiste, vëren: «Rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Megjithatë, edhe pse zgjidhja e problemit të terrorizmit qëndron përtej fuqisë njerëzore, pa dyshim që nuk është përtej fuqisë së Perëndisë.

Zgjidhja

Ata që janë trajtuar padrejtësisht ose janë shtypur dhe që ndihen të zhgënjyer, mund të gjejnë ngushëllim në premtimin e sigurt të Biblës: «Njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.»—Fjalët e urta 2:21, 22.

Premtimi i Perëndisë së shpejti do të plotësohet. Sundimtari i zgjedhur prej tij, Mbreti Jezu Krisht, që tani mbretëron, do të kujdeset për këtë. Një profeci e Biblës thotë lidhur me Krishtin: «Nuk do të gjykojë nga pamja, nuk do të japë vendime sipas fjalëve që thuhen, por do t’i gjykojë të varfërit me drejtësi dhe do të marrë vendime të drejta për njerëzit e përulur të vendit.»—Isaia 11:3, 4.

Po, Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, së shpejti do ta zhdukë të gjithë padrejtësinë, si edhe ata që janë përgjegjës për të. Në sistemin e ri e të drejtë të Perëndisë, terrorizmi dhe dhuna e çdo lloji do të jenë gjëra të së kaluarës. Në atë kohë, çdo njeri në tokë do të jetojë në siguri, i lirë nga frika e çdo dëmtimi.—Zbulesa 21:3, 4.

[Figura në faqen 12]

Bibla premton që Perëndia së shpejti do ta zhdukë të gjithë shtypjen dhe padrejtësinë