Të njohim shenjat
Të njohim shenjat
«Trishtimi është emocion normal e i arsyeshëm; depresioni është një sëmundje. Sfida qëndron në njohjen dhe kuptimin e këtij ndryshimi.»—Dr. David G. Fasler.
SI SHUMICA e çrregullimeve të tjera, depresioni ka simptoma të qarta. Por shenjat nuk janë aq të lehta për t’u njohur. Përse? Sepse afërsisht të gjithë adoleshentët bien në trishtim herë pas here, ashtu si të rriturit. Cili është ndryshimi midis një gjendjeje të thjeshtë trishtimi dhe depresionit? Ka të bëjë shumë forca dhe kohëzgjatja e kësaj gjendjeje.
Forca përfshin shkallën në të cilën ndjenjat negative ndikojnë tek i riu. Më i rëndë se një kohë e shkurtër me dëshpërim, depresioni është sëmundje emocionale që të pushton krejtësisht e që dëmton seriozisht aftësinë e adoleshentit për të vepruar normalisht. Dr. Andru Slabi e përshkruan se sa e rëndë është kjo gjendje në këtë mënyrë: «Përfytyroni dhembjen më të madhe fizike që keni pasur ndonjëherë—një kockë e thyer, dhembje dhëmbi, dhembje lindjeje—shumëzoheni dhjetë herë dhe përfytyroni që nuk e dini shkakun e dhembjeve; atëherë ka të ngjarë t’i afroheni dhembjes së depresionit.»
Kohëzgjatja i referohet faktit se sa zgjat kjo gjendje plogështie. Sipas profesorëve të mjekësisë Leon Citrin dhe Donald H. Meknju i Riu, «një fëmijë që nuk tregon asnjë shenjë që është qetësuar ose që ka rifilluar një jetë normale brenda një jave pasi ka rënë në një gjendje dëshpërimi (për çfarëdo arsye)—ose brenda gjashtë muajve pasi ka pësuar diçka që për të është një humbje e rëndë—është në rrezik që t’i zhvillohet një çrregullim depresiv».
Simptomat e zakonshme
Depresioni diagnostikohet vetëm kur një i ri shfaq disa simptoma çdo ditë, pjesën më të madhe të ditës, për të paktën dy javë. Një periudhë relativisht e shkurtër është quajtur një periudhë depresive. Distimia, forma më kronike e depresionit të lehtë, diagnostikohet kur simptomat vazhdojnë për të paktën një vit me jo më shumë se dy muaj lehtësim. Sido që të jetë, cilat janë disa simptoma të zakonshme të depresionit? *
Ndryshim i papritur i humorit dhe i sjelljes. Adoleshenti dikur i bindur, papritur është bërë kundërshtues. Sjellja rebele dhe madje edhe largimi nga shtëpia janë të zakonshme mes adoleshentëve me depresion.
Izolim nga shoqëria. Adoleshenti me depresion i largohet shoqërisë. Ose mund të ndodhë që miqtë të largohen nga i riu me depresion, duke vënë re një ndryshim të papëlqyeshëm në qëndrimin dhe sjelljen e tij ose të saj.
Zbehje interesi për pothuajse të gjitha veprimtaritë. Adoleshenti është jashtëzakonisht joaktiv. Veprimtaritë që vetëm pak kohë më parë shiheshin tërheqëse, tani vërehen si të mërzitshme.
Ndryshim i madh në zakonet e ngrënies. Shumë ekspertë mendojnë se çrregullime si: anoreksia, bulimia, dhe mbingrënia e detyruar, shpesh bashkëjetojnë me (dhe ndonjëherë mund të shkaktohen nga) depresionin.
Probleme me fjetjen. Adoleshenti fle ose shumë pak ose tepër. Disa zhvillojnë zakone të ngatërruara fjetjeje, duke qëndruar zgjuar gjithë natën dhe duke fjetur gjatë gjithë ditës.
Probleme në shkollë. Adoleshenti me depresion ka problem si të shkojë mirë me mësuesit dhe moshatarët, ndërsa notat fillojnë të bien ndjeshëm. Pas pak kohësh adoleshenti nuk ka dëshirë të shkojë fare në shkollë.
Vepra të rrezikshme ose vetëdëmtuese. Veprimet që ‘luajnë me vdjekjen’ mund të tregojnë se një i ri ka pak interes për të jetuar. Vetëgjymtimi (si prerja e lëkurës) mund të jetë, gjithashtu, një simptomë.
Ndjenja pavlefshmërie ose të fajit pa arsye. Adoleshenti bëhet tepër vetëkritikues, duke u ndier plotësisht si dështak, edhe pse faktet mund të tregojnë të kundërtën.
Probleme psikosomatike. Kur nuk mund të gjendet asnjë shkak fizik, dhembjet e kokës, dhembjet e shpinës, dhembjet e stomakut dhe probleme të ngjashme, mund të tregojnë një depresion të maskuar.
Mendime të herëpashershme për vdekjen ose vetëvrasjen. Meraku i madh për tema të frikshme mund të tregojë depresion. Të njëjtën gjë mund të tregojnë kërcënimet për të vrarë veten.—Shih kutinë poshtë.
Çrregullimi bipolar
Disa nga po këto simptoma mund të shfaqen në një sëmundje tjetër hutuese: çrregullimi bipolar. Sipas dr. Barbara D. Ingersolit dhe dr. Sam Goldstainit, çrregullimi bipolar (i njohur, gjithashtu, si çrregullimi maniako-depresiv) është «një gjendje e karakterizuar nga periudha depre
sioni të alternuara me periudha në të cilat humori dhe energjitë janë të ngritura tej mase, në të vërtetë, shumë më tepër se nivelet normale të një humori të mirë».Kjo fazë euforike quhet mani. Simptomat e saj mund të përfshijnë mendime të rrëmbyera, të qenët llafazan i madh dhe një nevojë më të paktë për gjumë. Në fakt, ai që vuan, mund të rrijë me ditë të tëra pa fjetur, pa humbje të dukshme energjie. Një simptomë tjetër e çrregullimit bipolar është një sjellje tepër e rrëmbyer pa marrë parasysh pasojat. «Shpesh mania ndikon tek aftësia për të menduar, gjykuar dhe te sjellja shoqërore, në mënyra që shkaktojnë probleme serioze dhe gjendje të sikletshme»,—thotë një raport i Institutit Kombëtar Amerikan të Shëndetit Mendor. Sa zgjat faza e manisë? Ndonjëherë, vetëm pak ditë; në raste të tjera, mania zgjat për disa muaj para se t’ia lërë vendin depresionit.
Ndër ata që rrezikojnë më shumë të zhvillojnë çrregullimin bipolar, përfshihen individët që kanë anëtarë të familjes me këtë sëmundje. Një lajm i mirë është se ka shpresë për ata që vuajnë. «Nëse diagnostikohen herët dhe kurohen në mënyrën e duhur,—thotë libri The Bipolar Child (Fëmija bipolar),—këta të rinj dhe familjet e tyre mund të bëjnë një jetë shumë më tepër të qëndrueshme.»
Është për t’u përmendur fakti se vetëm një simptomë nuk tregon që dikush ka sëmundjen e depresionit ose çrregullim bipolar. Në shumicën e rasteve është një tërësi simptomash të shfaqura në një periudhë kohe që përcaktojnë një diagnozë. Prapëseprapë, mbetet pyetja: Pse i mundon adoleshentët ky çrregullim hutues?
[Shënimi]
^ par. 7 Simptomat e paraqitura këtu kanë si qëllim të shërbejnë si një vështrim i përgjithshëm dhe jo si kriter për të përcaktuar diagnozën.
[Kutia në faqen 6]
KUR FËMIJA JUAJ DËSHIRON QË TË VDESË
Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollimin e Sëmundjeve, në një nga vitet e fundit, në Shtetet e Bashkuara më shumë të rinj vdiqën nga vetëvrasja sesa nga kanceri, sëmundjet e zemrës, SIDA, defektet e lindjes, apopleksia, pneumonia, gripi, dhe sëmundjet kronike të mushkërive të marra së bashku. Një fakt tjetër shqetësues: ka ndodhur një rritje dramatike në vetëvrasjet e raportuara mes fëmijëve të moshës 10 deri 14 vjeç.
A mund të parandalohet vetëvrasja tek adoleshentët? Në disa raste, po. «Në fakt statistikat tregojnë se shumë vetëvrasje paraprihen nga përpjekje për të vrarë veten ose paralajmërime gojore dhe tërthorazi,—shkruan dr. Kathlin Mekoi.—Madje edhe kur fëmija juaj adoleshent lë të kuptohet se mendon për vetëvrasjen, është koha për t’i kushtuar vëmendjen të madhe dhe për të kërkuar ndoshta ndihmën e një specialisti.»
Përhapja e madhe e depresionit tek adoleshentët thekson nevojën që prindërit dhe të rriturit e tjerë ta marrin seriozisht çdo shenjë që tregon se një i ri dëshiron t’i japë fund jetës së tij ose të saj. «Në thuajse çdo rast vetëvrasjeje që kam shqyrtuar, shenjave që tregonin planet e adoleshentit nuk u jepej rëndësi ose minimizoheshin,—shkruan dr. Andru Slabi në librin e tij No One Saw My Pain (Askush s’e kuptoi dhembjen time).—Anëtarët e familjes dhe miqtë nuk i kuptonin ndryshimet e mëdha që shihnin. Ata përqëndroheshin te pasojat dhe jo te problemi thelbësor, kështu që diagnoza bëhej ‘probleme familjare’, ‘përdorimi i drogës’ ose ‘anoreksia’. Ndonjëherë trajtohej zemërimi, pështjellimi dhe acarimi, por jo depresioni. Problemi thelbësor mbetej ende, torturues dhe mundues.»
Mesazhi është i qartë: merrini seriozisht të gjitha shenjat e prirjeve për vetëvrasje!
[Figura në faqen 7]
Disa herë sjellja rebele është një shenjë e depresionit të maskuar
[Figura në faqen 7]
Adoleshentëve me depresion shpesh u humb interesi për veprimtari që dikur i tërhiqnin