Gjetja e thesareve në Portin e Perlave
Gjetja e thesareve në Portin e Perlave
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI
BRUMI është një qytet në veriperëndim të Australisë, i rrethuar nga oqeane rëre dhe oqeane uji. Në juglindje, Shkretëtira e Madhe Ranore shtrihet drejt qendrës së Australisë. Në perëndim, Oqeani Indian shkon deri në brigjet e Afrikës. Ciklonet e godasin shpesh këtë skaj veriperëndimor të kontinentit.
Dikur, poshtë valëve tropikale të Brumit, kishte aq shumë shtresa ku rriten goca deti që prodhojnë perla, saqë qyteti i Brumit njihej si Porti i Perlave. Piratët, skllevërit dhe pronarët e mëdhenj të perlave janë pjesë e historisë së larmishme të Brumit.
Zbulimi i një pirati
Edhe pse këtë cep të largët të botës e eksploroi holandezi Dirk Hartog në vitin 1616, bregdeti perëndimor i Australisë mbeti pak a shumë i panjohur, deri në vitin 1688. Në atë vit, shkrimtari, artisti dhe pirati anglez Uilliam Dampieri ndeshi rastësisht këto brigje ndërsa ishte në anijen pirate Signet. Kur u kthye në shtëpi, Dampieri botoi përvojat e tij. Shkrimet dhe vizatimet e tij tërhoqën bashkatdhetarët e nxitën kaq shumë imagjinatën e tyre, saqë Flota Mbretërore i dha një anije dhe e ngarkoi të bënte një udhëtim për të eksploruar Holandën e Re, siç njihej Australia në atë kohë.
Ekspedita e Dampierit me anijen Robuk u quajt një dështim. Nuk u zbulua asnjë vend i ri dhe udhëtimi mori fund kur anija e tij e kalbur u shkatërrua e u fundos. Dampieri mbijetoi dhe në shënimet për udhëtimin, përmendi, mes të tjerash, zbulimin e guaskave që japin perla.
Pasuri nga prodhimi i kopsave dhe e fituar me gjak
Kaluan 160 vjet para se të kuptohej vlera e zbulimit të Dampierit. Në vitin 1854, mbledhja e perlave filloi në zonën që Dampieri i kishte vënë emrin Gjiri i Peshkaqenit, por kjo përpjekje pati një sukses të pjesshëm. Ndërkohë në ujërat afër Gjirit Nikol u zbulua goca deti gjigante Pinctada maxima. Guaska e këtij butaku me përmasat e një pjate, siguronte sedefin më të mirë në botë, një produkt shumë i kërkuar për prodhimin e kopsave.
Deri në vitet 90 të shekullit të 19-të, çdo vit në Angli transportohej sedef nga shtresat ku rriteshin goca deti në qytetin e Brumit, që vlente rreth 140.000 stërlina angleze. Edhe pse brenda guaskave strehoheshin shumë perla me vlerë, këto xhevahire ishin një përfitim shtesë. Ishte vetë guaska ajo që u jepte pronarëve të mëdhenj të perlave në kohët e hershme pjesën më të madhe të pasurisë. E kjo pasuri shpesh paguhej me gjak.
Në fillim pronarët e mëdhenj të perlave ose i morën me të mirë, ose i detyruan aborigjenët për t’u bërë zhytës për gjetjen e perlave, një detyrë së cilës ata ia morën shpejt dorën. Por zhytja për të gjetur perla është e rrezikshme dhe disa zhytës u mbytën ose u vranë nga peshkaqenët. Veç kësaj, shumë zhytës vdiqën për shkak të kushteve të mjerueshme të punës që u krijonin punëdhënësit. Për të plotësuar krahun e punës së aborigjenëve, u sollën zhytës nga Malajzia dhe nga Java. Kur shtresat e gocave të detit në vendet më të cekëta u shfrytëzuan plotësisht, me ndihmën e kaskave të zhytësve të shpikura kohët e fundit u arritën shtresat më të thella.
Falimentimi godet «Sodomën dhe Gomorrën»
Grupi i anijeve për mbledhjen e perlave në qytetin e Brumit u rrit në më shumë se 400 varka. Kultura aziatike, evropiane dhe aborigjene, formoi një grupim njerëzish krejt të veçantë dhe shpesh të paligjshëm. Klima shoqërore e asaj kohe përshkruhet mirë nga një mbledhës perlash: «Qyteti i Brumit [ishte] një komunitet i begatë, plot mëkate dhe tolerant, në të cilin referimet e shpeshta të klerit për Sodomën dhe Gomorrën shiheshin më shumë si vlerësime të përshtatshme për progresin civil, sesa si paralajmërime për një ndëshkim të ardhshëm hyjnor.»
Megjithatë me shpërthimin e Luftës I Botërore tregtia
e sedefit në shkallë botërore ra ndjeshëm dhe papritur Brumi falimentoi. Në periudhën ndërmjet luftërave botërore kjo tregti pati një rigjallërim të shkurtër, por pas Luftës II Botërore, Brumi mori një goditje tjetër. U shpikën lëndët plastike, dhe kopsat plastike shpejt bënë që të bjerë kërkesa për sedef.Prodhohen ‘diamante të thellësive’
Në fund të Luftës II Botërore, një delegacion australian vizitoi një rezervat perlash në gjirin Ago, Japoni. Në këtë vend, Kokiki Mikimoto kishte përsosur artin e kultivimit të perlave duke futur artificialisht rërë në gocat e detit. Në librin Porti i Perlave thuhet se Mikimoto u tregoi australianëve se «në ujërat e tyre të ngrohta, brenda guaskës më të madhe [të gocës së detit] australiane mund të rriteshin perla edhe më të mira». Këshillës së tij iu vu veshi dhe në vitet 70 të shekullit të 20-të gocat e detit australiane prodhonin disa nga perlat e kultivuara më të mëdha dhe më me vlerë në botë.
Ndonëse perlat që rriten në shumë pjesë të botës arrijnë një madhësi me diametër 11 milimetra, perlat e Detit të Jugut mund të rriten deri në 18 milimetra. Vetëm një gjerdan me këto perla të mëdha mund të vlejë më shumë se 500.000 dollarë. Nuk është për t’u habitur që këto xhevahire sferike janë quajtur diamante të thellësive.
[Figurat në faqet 14, 15]
Uilliam Dampier
Zhytës për gjetjen e perlave duke mbledhur guaska perlash në ujërat bregdetare në veri të Brumit
Një specialist heq një perlë nga një gocë deti
Një lundër e hershme për gjetjen e perlave, por e rikthyer në kushte të mira për lundrim
Perlat kanë një shumëllojshmëri ngjyrash (foto e zmadhuar)
[Burimet]
Uilliam Dampier: Me lejen e Bibliotekës Kombëtare të Australisë-Rex Nan Kivell Collection, NK550; zhytësi: © C. Bryce-Lochman Transparencies; gjerdani dhe specialisti: Me mirësjelljen e Department of Fisheries WA, J. Lochman; anija: Me mirësjelljen e Department of Fisheries WA, C. Young; fotografi nga afër e perlave: Me mirësjelljen e Department of Fisheries WA, R. Rose