Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Njihni të mistershmin leopardin e borës

Njihni të mistershmin leopardin e borës

Njihni të mistershmin leopardin e borës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FINLANDË

TË PAKTA janë kafshët që janë aq të mistershme sa leopardi i borës. Vetëm një grusht njerëzish e kanë parë në natyrë dhe shumë pak gjëra dihen për mënyrën si jeton kjo kafshë.

Leopardi i borës spikat midis kafshëve të tjera tërheqëse në Kopshtin Zoologjik të Helsinkit, në Finlandë. Zakonet e çuditshme të kësaj kafshe të familjes së maceve​—të cilën shumë veta e mbajnë si më të bukurën e kësaj familjeje​—e bëjnë atë një krijesë magjepsëse.

Leopardë në malin më të lartë të botës

Ndonëse mund të gjendet në jo më pak se një duzinë vendesh, nga Bhutani deri në Rusi, leopardi i borës zakonisht lidhet me Himalajat. Këto male, më të lartat e botës, kanë një bukuri marramendëse. Por nuk janë një vend për njerëzit. Në të vërtetë, malet e Azisë Qendrore janë ndër vendet më të ftohta dhe me relievin më të thyer në botë.

Megjithatë, leopardi i borës ndihet shumë rehat në lartësitë nga 3.000-4.500 metra. Gëzofi i tij i trashë i siguron mbrojtje të mirë nga i ftohti, kurse zgavra e madhe hundore i jep mundësi të marrë oksigjenin e nevojshëm në ajrin e rrallë të malit. Putrat e gjera dhe leshtore bëjnë të mundur që ai të lëvizë me zhdërvjelltësi nëpër shtresat e trasha të borës. Po terreni i thyer malor? Ky nuk është një problem, sepse duke përdorur bishtin e gjatë leshtor si një timon, leopardi i borës mund të kërcejë rreth 15 metra nga një shkëmb në tjetrin, duke ia kaluar edhe kërcimit të kangurit gri.

Leopardi i borës në përgjithësi peshon nga 27 deri 45 kilogramë dhe është afro 60 centimetra i lartë e dy metra i gjatë nga hunda te bishti. Por, ajo që e bën leopardin e borës vërtet të pakrahasueshëm është karakteri i tij. «Është shumë natyrëbutë,​—thotë Leiv Blomkvisti, përgjegjësi i Kopshtit Zoologjik të Helsinkit.​—Leopardi i borës afrohet lehtë me njerëzit dhe në mëngjes në kopshtin zoologjik vjen të përshëndetë kujdestaren e vet.» Blomkvisti shton se natyra e butë vihet re edhe te këlyshët. «Ata nuk kundërshtojnë kur punonjësit e kopshtit i peshojnë dhe i vaksinojnë»,​—thotë ai. Por, çfarë ndodh nëse keni të bëni me një lloj tjetër leopardi të së njëjtës moshë? «Është një punë gati e pamundur,​—thotë Blomkvisti.​—Keni nevojë për veshje mbrojtëse dhe dorashka, meqë ata të kundërvihen egërsisht.»

Përse shihet rrallë?

Të luash kukafshehtas me një leopard bore do të ishte shumë acaruese, sepse kjo kafshë e bardhë dhe gri duket sikur shkrihet me terrenin malor si një kameleon. Maskimi i tij i efektshëm është një nga shkaqet përse janë parë aq pak leopardë bore në natyrë. Madje, edhe disa kërkues që kanë guxuar të ngjiten në malet e ashpra për të studiuar këtë kafshë të mistershme të familjes së maceve, janë kthyer në shtëpi pa e parë fare me sy atë.

Duke qenë se leopardët e borës janë kaq vetmitarë, bëhet edhe më e vështirë të shohësh ndonjë prej tyre. Për më tepër, territoret e leopardëve të borës janë mjaft të mëdha përderisa preja e tyre, zakonisht një dele e egër ose dhi e egër, është e paktë në male. Është për të ardhur keq, por kundërvajtësit​—që lakmojnë gëzofin e leopardit të borës​—kanë ndikuar në pakësimin e popullatës së tyre në atë masë që tani leopardi i borës renditet si një lloj i rrezikuar. * Kopshtet zoologjike po bëjnë shumë për ta ruajtur këtë kafshë të jashtëzakonshme.

Leopardi i borës në Helsinki

Kopshti Zoologjik i Helsinkit ka qenë mjaft i suksesshëm në shtimin e leopardëve të borës. Në të vërtetë, më 1976, ky institucion u caktua të mbajë librin gjenealogjik ndërkombëtar për leopardin e borës. Ky libër ka qenë një mjet i dobishëm për të trajtuar popullatën e leopardëve të borës që ruhen në kopshte zoologjike.

Libra gjenealogjikë të ngjashëm mbahen për shumë lloje që jetojnë në kopshte zoologjike, por veçanërisht për llojet e rrezikuara. Një libër gjenealogjik rendit hollësira për të gjitha kafshët e një lloji të veçantë që jetojnë në kopshtin zoologjik. Këto kopshte janë përgjegjëse për ta njoftuar mbajtësin e librit gjenealogjik në lidhje me këlyshët e rinj, si edhe për transferimet dhe për ngordhjet e kafshëve. Librat gjenealogjikë përdoren për të përzgjedhur partnerët e përshtatshëm për kryqëzimin e kafshëve që mbahen në kopshtet zoologjike. «Duke qenë se popullata të tilla janë pak a shumë të vogla, mund të ndodhë lehtësisht degjenerimi i tyre dhe kryqëzimi brenda familjeve»,​—shpjegon Blomkvisti.

Më tepër se njëqind këlyshë kanë lindur vetëm në Kopshtin Zoologjik të Helsinkit dhe shumica e tyre janë dërguar në kopshte zoologjike të vendeve të tjera. Për të siguruar larminë në popullatë, leopardët e borës që nuk jetojnë më në natyrë shkëmbehen shpesh mes kopshteve zoologjike. Popullata e leopardëve të borës që jetojnë në kopshte zoologjike tani është kaq e larmishme, saqë nuk ka më nevojë të kapen ata që jetojnë ende të lirë.

Shumë kopshte zoologjike, ku përfshihet edhe ai në Helsinki, ndihmojnë në ruajtjen e kafshëve të egra, duke u përpjekur të mbajnë popullata kafshësh të shëndetshme gjenetikisht. Pa dyshim, në të njëjtën kohë ato u japin mundësi vizitorëve t’u hedhin një sy këtyre kafshëve tërheqëse e të veçanta. Me të vërtetë, leopardi i borës të lë mbresa të pashlyeshme dhe i sjell nderim Krijuesit, i cili «e ka bërë të bukur çdo gjë».​—Predikuesi 3:11.

[Shënimi]

^ par. 11 Është e vështirë të përcaktohet se sa leopardë bore kanë mbetur. Llogaritjet shkojnë nga 3.500 deri në 7.000.

[Burimet e figurave në faqen 17]

Faqja 16: Në qendër: ©Aaron Ferster, Photo Researchers; faqja 17: Djathtas, lart: © Korkeasaaren Eläintarha/Markku Bussman; poshtë: ©T. Kitchin/V. Hurst, Photo Researchers

[Burimi i figurës në faqen 18]

Chuck Dresner/Kopshti Zoologjik i Sent-Luisit