Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shekulli i dhunës

Shekulli i dhunës

Shekulli i dhunës

ALFRED NOBELI besonte se paqja mund të ruhej nëse kombet zotëronin armë vdekjeprurëse. Sido që të vinte puna, kombet mund të bashkoheshin menjëherë dhe mund t’i shkaktonin shkatërrime të tmerrshme çdo agresori. «Kjo do të ishte një forcë që do ta bënte të pamundur luftën»,​—shkroi ai. Sipas pikëpamjes së Nobelit, asnjë komb i arsyeshëm nuk do të nxiste një konflikt, nëse pasojat për të vetë do të ishin shkatërrimtare. Por, çfarë tregoi shekulli i kaluar?

Më pak se 20 vjet pas vdekjes së Nobelit, shpërtheu Lufta I Botërore. Gjatë këtij konflikti u përdorën armë të reja vdekjeprurëse, përfshirë automatikët, gazrat helmuese, flakëhedhëset, tanket, aeroplanët dhe nëndetëset. Gati dhjetë milionë ushtarë u vranë dhe më shumë se dyfishi i këtij numri u plagosën. Barbaritë e Luftës I Botërore e përtëritën interesin për paqen. Kjo gjë çoi në formimin e Lidhjes së Kombeve. Presidenti i SHBA-së, Udrou Uilson, një figurë e rëndësishme në këtë çështje, fitoi në vitin 1919 Çmimin Nobel për paqen.

Megjithatë, çdo shpresë se lufta do të mbaronte njëherë e përgjithmonë u shua, kur në vitin 1939, shpërtheu Lufta II Botërore. Në shumë aspekte, kjo luftë ishte edhe më e tmerrshme se Lufta I Botërore. Gjatë këtij konflikti, Adolf Hitleri e zgjeroi fabrikën e Nobelit në Krymel, duke e bërë një nga fabrikat më të mëdha të municioneve në Gjermani, me më shumë se 9.000 punëtorë. Më pas, në fund të luftës, fabrika e Nobelit u shkatërrua krejtësisht nga një sulm ajror i Aleatëve, të cilët hodhën më shumë se një mijë bomba. Si për ironi, ato bomba ishin bërë me ndihmën e shpikjeve të vetë Nobelit.

Shekulli që pasoi vdekjen e Nobelit nuk pa vetëm dy luftëra botërore, por edhe konflikte më të vogla të panumërta. Gjatë asaj periudhe, armët u shtuan me të shpejtë dhe disa prej tyre u bënë edhe më kërcënuese. Le të shqyrtojmë disa nga pajisjet ushtarake më me rëndësi gjatë dhjetëvjeçarëve që nga vdekja e Nobelit.

Armët e vogla dhe armatimet e lehta. Këto përfshijnë pistoletat, pushkët, granatat, mitralozët, mortajat dhe pajisje të tjera të transportueshme. Armët e vogla dhe armatimet e lehta janë me çmim të ulët, mirëmbahen me lehtësi dhe janë edhe më të lehta për t’u përdorur.

A i ka frenuar luftërat prania e këtyre armëve dhe kërcënimi që përbëjnë për civilët? Aspak! Në një buletin shkencor (Bulletin of the Atomic Scientists), Majkëll Klari shkruan se armët e lehta janë bërë «mjeti kryesor i luftimit në shumicën dërrmuese të konflikteve në periudhën pas Luftës së Ftohtë». Në të vërtetë, deri në 90 për qind e viktimave në luftërat e fundit ishin si pasojë e armëve të vogla dhe të armatimeve të lehta. Vetëm gjatë viteve 90 të shekullit të 20-të nga këto mjete u vranë më shumë se katër milionë njerëz. Në shumë raste, armët e lehta përdoren nga të rinj që nuk kanë përgatitje ushtarake dhe që nuk shqetësohen për thyerjen e rregullave tipike të luftës.

Minat tokësore. Deri në fund të shekullit të 20-të, mesatarisht 70 veta në ditë janë gjymtuar ose vrarë nga minat tokësore! Shumica e tyre ishin civilë, jo ushtarë. Shpesh minat tokësore përdoren jo për të vrarë, por për të gjymtuar dhe për të përhapur panik dhe tmerr midis atyre që përjetojnë dëmet mizore që ato shkaktojnë.

Vërtet, vitet e fundit janë bërë shumë përpjekje për të spastruar minat. Por disa thonë se për çdo minë të hequr, vendosen 20 të tjera dhe se rreth e qark globit mund të ketë 60 milionë mina tokësore të groposura. Fakti se minat tokësore nuk mund ta ndiejnë ndryshimin ndërmjet hapit të një ushtari dhe atij të një fëmije që është duke lozur në një fushë, nuk e ka penguar prodhimin dhe përdorimin e këtyre mjeteve të shëmtuara.

Armët bërthamore. Me shpikjen e armëve bërthamore, për herë të parë një qytet i tërë mund të zhdukej nga faqja e dheut brenda pak sekondash, pa as edhe një përleshje midis ushtarëve. Për shembull, mendoni për shkatërrimin e tmerrshëm që ndodhi në vitin 1945 kur në Hiroshima dhe Nagasaki u hodhën bomba atomike. Disa njerëz u verbuan nga drita e padurueshme. Të tjerë, u helmuan nga rrezatimi radioaktiv. Shumë u vranë nga zjarri dhe nxehtësia. Numri i përgjithshëm i të vrarëve në këto dy qytete llogaritet të ketë qenë rreth 300.000 veta.

Natyrisht, disa do të argumentonin se bombardimi i atyre qyteteve parandaloi shumë vdekje që do të kishin ndodhur, nëse lufta do të kishte vazhduar duke përdorur armët e zakonshme. Sidoqoftë, të tronditur nga humbjet e jashtëzakonshme në jetë njerëzish, disa filluan të nxitnin politikanët për një kontroll mbarëbotëror mbi këto armë të frikshme. Në të vërtetë, shumë filluan të kishin frikë nga aftësia që kishte zhvilluar njeriu për të shkatërruar vetveten.

A e ka bërë më të mundshme paqen zhvillimi i armëve bërthamore? Disa thonë se po. Ata theksojnë faktin se këto armë shumë të fuqishme nuk janë përdorur në luftëra që prej më shumë se gjysmë shekulli. Gjithsesi, besimi i Nobelit se armët e shkatërrimit në masë do të pengonin zhvillimin e luftërave, nuk ka dalë i vërtetë, pasi luftërat me armët e zakonshme vazhdojnë. Veç kësaj, mijëra pajisje bërthamore janë gati për t’u përdorur në çdo çast, sipas Komitetit për Procedurat Bërthamore. Dhe në këtë epokë kur terrorizmi përbën një shqetësim të madh, shumë kanë frikë se ç’do të ndodhte sikur lëndët bërthamore të binin në duar «të gabuara». Ekziston shqetësimi se edhe në duart «e duhura», një aksident i vetëm mund ta zhyste botën në një katastrofë termobërthamore. Është e qartë se paqja që përfytyronte Nobeli, nuk mund të arrihet me armë shkatërruese.

Armët biologjike dhe kimike. Lufta bakteriologjike përfshin përdorimin e baktereve vdekjeprurëse, si për shembull, bacili i plasjes ose të viruseve, si, për shembull, virusi i lisë. Virusi i lisë është i rrezikshëm veçanërisht sepse është shumë ngjitës. Po ashtu, ekziston kërcënimi i armëve kimike të tilla si gazrat helmuese. Këto substanca helmuese janë të shumëllojshme dhe ndonëse ka dhjetëvjeçarë të tërë që janë shpallur të paligjshme, kjo gjë nuk e ka penguar përdorimin e tyre.

A kanë bërë këto armë të frikshme dhe kërcënimi që ato përbëjnë që njerëzit të reagojnë ashtu si kishte parashikuar Nobeli, pra, «të tërhiqen me tmerr dhe të shpërndajnë trupat e tyre»? Përkundrazi, ato vetëm sa e kanë shtuar frikën se këto armë një ditë mund të përdoren​—madje edhe nga diletantë. Më shumë se dhjetë vjet më parë, drejtori i Agjencisë së SHBA-së për Kontrollin e Armëve dhe Çarmatimin tha: «Armët kimike mund të prodhohen pothuaj në garazhin e kujtdo, mjafton që të kesh studiuar pak kimi në shkollën e mesme.»

Pa diskutim që shekulli i 20-të u karakterizua nga luftëra më shkatërrimtare se të çdo epoke tjetër. Tani, në fillim të shekullit të 21-të, e ardhmja e paqes duket edhe më e largët, veçanërisht pas sulmeve terroriste që ndodhën në qytetin e Nju-Jorkut dhe në Uashington, D.C., më 11 shtator 2001. Shkrimtari Stivën Levi shkruan në revistën Newsweek: «Pothuaj askush nuk guxon të pyesë nëse teknologjia po shkon deri në atë pikë sa të bëhet vegël në duart e ligësisë. Ai shton: «A nuk ka ndokush ndonjë ide se si të trajtohet kjo gjendje? Është një fakt i njohur se njerëzit turren drejt gjërave që u duket se sjellin përparim, pa i shqyrtuar më parë ato. Ndërkohë që nuk na pëlqen ta mendojmë se mund të na ndodhë një katastrofë e papërfytyrueshme, ne po krijojmë rrethanat që e bëjnë vërtet të mundur këtë gjë.»

Deri më tani, historia na ka mësuar se shpikja e lëndëve të tmerrshme plasëse dhe e armëve vdekjeprurëse, nuk e ka çuar sadopak botën më pranë paqes. A është atëherë paqja botërore vetëm një ëndërr?

[Kutia dhe figurat në faqen 8]

Zbutja e nitroglicerinës

Në vitin 1846, kimisti italian Askanio Sobrero zbuloi nitroglicerinën, një lëng i rëndë vajor me fuqi plasëse. Kjo substancë doli se ishte e rrezikshme. Sobrero u ça keq në fytyrë nga ciflat e xhamit gjatë një shpërthimi dhe përfundimisht nuk punoi më me këtë substancë. Gjithashtu, ekzistonte një problem me lëngun që Sobrero nuk mundi ta zgjidhte. Nëse derdhej dhe goditej me çekiç, vetëm pjesa e lëngut që goditej nga çekiçi plaste, pa ndikuar te pjesa tjetër e vajit.

Nobeli e zgjidhi problemin kur shpiku një ndezës praktik, duke përdorur një sasi të vogël të një lënde plasëse që mund të ndizte një sasi të madhe të një tjetër lënde plasëse. Pastaj, në vitin 1865, Nobeli shpiku kësulëzën plasëse​—një kapsollë e vogël e mbushur me fulminat merkuri, e cila vendosej brenda një mbajtësi me nitroglicerinë dhe pastaj ndizej me anë të një fitili.

Megjithatë, ishte përsëri e rrezikshme të punoje me nitroglicerinën. Për shembull, në vitin 1864, nga një shpërthim në punishten e Nobelit jashtë Stokholmit mbetën të vrarë pesë veta​—përfshirë vëllanë më të vogël të Nobelit, Emilin. Fabrika e Nobelit në Krymel, Gjermani, u shkatërrua dy herë nga lëndët plasëse. Po ashtu, në atë kohë, disa e përdornin këtë lëng si vaj për llambat, si lustër këpucësh ose si lubrifikues për rrotat e karrocave​—duke pasur pasoja të rënda. Edhe kur bëheshin shpërthime nëpër male, vaji i tepërt mund të depërtonte nëpër të çarat e shkëmbinjve dhe më vonë shkaktonte aksidente.

Në vitin 1867, Nobeli e shndërroi vajin në një lëndë të ngurtë duke e përzier nitroglicerinën me kiselgur, një lëndë joplasëse poroze. Nobeli formoi emrin dinamit nga fjala greke dynamis që do të thotë «fuqi». Dhe pse më vonë Nobeli krijoi lëndë plasëse edhe më të përparuara, dinamiti shihet si një nga shpikjet e tij më të mëdha.

Natyrisht që lëndët plasëse të Nobelit nuk janë përdorur vetëm për qëllime ushtarake. Për shembull, ato luajtën një rol të rëndësishëm në ndërtimin e tuneleve të Sen-Gotardit (1872-1882), në hedhjen në erë të shkëmbinjve nënujorë në lumin Ist të Nju-Jorkut (1876, 1885), si dhe në hapjen e Kanalit të Korintit në Greqi (1881-1893). Sidoqoftë, që nga koha e shpikjes së tij, dinamiti fitoi shpejt famën si mjet i shkatërrimit dhe i vdekjes.

[Figura]

Një rajon policie në Kolumbi i shkatërruar nga lëndë plasëse me dinamit

[Burimi]

© Reuters NewMedia Inc./CORBIS

[Figura në faqen 4]

Më pak se 20 vjet pas vdekjes së Nobelit, në Luftën I Botërore u përdorën armë të reja vdekjeprurëse

[Burimi]

Foto e Arkivit Kombëtar të SHBA-së

[Figurat në faqen 6]

Viktima të minave tokësore në Kamboxhia, Irak dhe Azerbajxhan

[Burimet]

Foto e UN/DPI 186410C nga P.S. Sudhakaran

Foto e UN/DPI 158314C nga J. Isaac

Foto e UN/DPI nga Armineh Johannes

[Figura në faqen 6]

Mijëra pajisje bërthamore janë gati për t’u përdorur në çdo çast, sipas Komitetit për Procedurat Bërthamore

[Burimi]

FOTO E KOMBEVE TË BASHKUARA NGA SYGMA

[Figurat në faqen 7]

Natyra e tmerrshme e armëve kimike u bë e njohur gjerësisht, kur në vitin 1995 në sistemin e metrosë në Tokio u përdor gazi helmues sarinë

[Burimi]

Asahi Shimbun/Sipa Press

[Burimi i figurës në faqen 5]

Foto e UN/DPI 158198C nga J. Isaac