Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Koçinilja​—Një insekt shumë i veçantë

Koçinilja​—Një insekt shumë i veçantë

Koçinilja​—Një insekt shumë i veçantë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË DHE PERU

SI E përftojmë ngjyrën e kuqe të ndezur te disa të kuq buzësh dhe te produkte të tjera kozmetike? Mund të çuditeni po të merrni vesh se ngjyra e kuqe e errët që gjendet te disa produkte si te pudra e fytyrës dhe te i kuqi i buzëve vjen nga koçinilja e fikut të Indisë, një lloj breshkëze bimësh që ushqehet me fik Indie të koçiniljes. Le t’i hedhim një sy më nga afër këtij insekti shumë të veçantë.

I dëmshëm apo i dobishëm?

Femra e rritur e koçiniljes është e gjatë sa një e treta e centimetrit, pra, afërsisht sa madhësia e një koke shkrepseje. Meshkujt e koçiniljes janë vetëm sa gjysma e madhësisë së femrës. Por mos u gënjeni nga përmasat e koçiniljes. Një vepër referimi thotë: «Ato janë ndër insektet më shkatërrimtare.» Edhe pse kanë një famë jo të mirë, në të vërtetë disa fermerë i mbarështojnë ato. Përse? Që të sigurojnë kërmëzin, një bojë e kuqe e bukur që nxirret nga trupat e shtypur e të tharë të femrave të koçiniljes.

Koçiniljet janë përdorur si ngjyrues që në kohën e popullsisë së lashtë misteke që jetonte atje ku sot është shteti i Uahakës, në Meksikë. Pushtuesit spanjollë u magjepsën nga ngjyra e kuqe e errët e koçiniljeve dhe brenda një kohe të shkurtër shumë evropianë kënaqën shijet e tyre për nuanca të ndryshme me anë të kësaj boje natyrore. Britania i përdorte koçiniljet për ngjyrën e kuqe të hapur, tipike për uniformat ushtarake. Përafërsisht nga viti 1650 deri në vitin 1860 mbarështimi i koçiniljes ishte aq i përhapur, saqë vetëm ari dhe argjendi ia kalonin asaj si eksportet më me vlerë të Meksikës.

Zhdukja dhe rikthimi

Nga mesi i shekullit të 19-të bojërat sintetike filluan të zëvendësonin ngjyruesit natyrorë. Për këtë ndihmuan shumë faktorë. Xhon Henkëli i revistës FDA Consumer shpjegon: «Ngjyrat e sintetizuara kimikisht thjesht ishin më të lehta për t’u prodhuar, më pak të shtrenjta dhe me veti ngjyruese më të larta.» Prandaj brenda një kohe të shkurtër, bojërat sintetike pushtuan tregun si lëndë ngjyruese për ushqimet, ilaçet dhe për produktet kozmetike. «Por, ndërsa përdorimi i tyre rritej, po ashtu shtoheshin shqetësimet se sa të sigurta ishin»,​—thotë Henkeli.

Studimet e viteve 70 të shekullit të 20-të hodhën idenë se disa ngjyrues sintetikë mund të shkaktonin kancerin. Bojërat natyrore filluan të përdoreshin përsëri, pasi u bënë të dukshme këto rreziqe të mundshme për shëndetin. Për shembull, Peruja tani prodhon rreth 85 për qind të rezervave botërore të koçiniljeve. Ishujt Kanarie janë të njohur për mbledhjen e koçiniljeve, po ashtu edhe jugu i Spanjës, Algjeria dhe vendet e Amerikës Qendrore e Jugore. Sidoqoftë, në ditët e sotme kërkesa për kërmëz është më e madhe se sasia e prodhuar, prandaj qeveria e Meksikës po përpiqet të rritë prodhimin e tij.

Si prodhohet kërmëzi?

Koçinilja e kalon gjithë jetën mbi gjethet e bimës fik Indie i Koçiniljes. Ajo mbrohet nga grabitqarët duke sekretuar një lëndë si pluhur dhe si parafinë. Ky material i butë e mbështjell insektin dhe shërben si shtëpi për të. Por, gjithashtu, ajo bën që insekti të gjendet më lehtë në kohën e mbledhjes së tij.

Vetëm femrat e koçiniljeve përmbajnë pigmentin e kuq, acidin e kërmëzit. Përqendrimin më të lartë të tij e përmbajnë koçiniljet e mbarsura. Kështu, për të siguruar bojë me cilësinë më të mirë, punëtorët tregojnë kujdes të veçantë që t’i mbledhin koçiniljet pak përpara se ato të nxjerrin vezët. Në malet e Andeve në Peru mbledhja bëhet rreth tri herë brenda një periudhe shtatëmujore. Koçiniljet hiqen nga bima duke përdorur një furçë të ashpër ose tehun jo të mprehtë të ndonjë vegle. Pasi thahen, pastrohen dhe bëhen pluhur, trupat e insekteve përpunohen me amoniak ose me tretësirë të karbonatit të natriumit. Mbetjet e ngurta të insekteve hiqen me anë të filtrimit, duke e lënë kështu të pastër lëngun që mbetet. Mund të shtohet edhe gëlqere, me qëllim që të prodhohen nuanca të purpurta.

Megjithëse mendimi për të bërë tualet me produkte të prodhuara nga insektet mund të mos duket shumë tërheqës, mund të jeni të sigurt se, siç thotë Henkeli, ‘lëndët ngjyruese natyrore janë ndër më të kontrolluarat. Këto ngjyra janë studiuar, studiuar dhe ristudiuar, madje edhe shumë herë’. Pra, nëse ju bëjnë ndonjë kompliment për pamjen tuaj tërheqëse, ndoshta kjo i detyrohet pjesërisht koçiniljes, një insekti shumë të veçantë!

[Figurat në faqen 23]

1. Koçinilje mbi një gjethe fiku Indie

2. Pamje nga afër e femrave të mbarsura

3. Koçinilje të thara

4. Lëng i përdorur në përpunimin e produkteve kozmetike

[Burimet]

Faqja 23 fotot: #1: Shkretëtira e gjallë, Shkretëtirë me palma, CA; #3 dhe produkte: Cortesía del Centro de Investigaciones Económicas, Sociales y Tecnológicas para la Agroindustria y la Agricultura Mundial, Universidad Autónoma de Chapingo, fotografía de Macario Cruz; #4: David McLain/AURORA

[Figura në faqen 23]

Produkte të bëra me këtë ngjyrues