Pornografia: A është vërtet një zbavitje e padëmshme?
Pikëpamja e Biblës
Pornografia: A është vërtet një zbavitje e padëmshme?
KUR në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të arkeologët filluan të gërmonin sistematikisht rrënojat e lashta të Pompeit, ata u tronditën nga ajo që zbuluan. Të shpërndara lirisht midis afreskeve të bukura dhe veprave të artit kishte shumë piktura dhe skulptura me natyrë të qartë pornografike. Autoritetet, të neveritur nga natyra e tyre rrëqethëse, i ruajtën në muzetë sekrete. Për të klasifikuar këto vepra që tregojnë hapur lakuriqësinë, ata formuan fjalën «pornografi»—nga greqishtja porne dhe graphos, që do të thotë «të shkruash për prostitutat». Sot pornografia përkufizohet si «paraqitja e veprimeve erotike në libra, piktura, statuja, filma, etj., që ka si qëllim të shkaktojë eksitimin seksual».
Në ditët tona pornografia është e përhapur kudo dhe duket se pranohet nga pjesa më e madhe e shoqërisë së sotme. Ndërsa dikur ajo ishte fusha e veprimtarisë së kinemave famëkeqe dhe e zonave me shtëpi publike, tani është veprimtaria kryesore në shumë vende. Vetëm në Shtetet e Bashkuara nga pornografia fitohen më shumë se dhjetë miliardë dollarë çdo vit!
Disa përkrahës të pornografisë e nxitin atë si një mënyrë për të gjallëruar një martesë të plogët. Një shkrimtar thotë: «Ajo nxit një jetë plot fantazi. Ofron udhëzime për kënaqësi seksuale.» Të tjerë pohojnë se ajo nxit të qenët të lirshëm dhe të hapur ndaj çështjeve seksuale. «Pornografia u sjell dobi grave»,—pohon shkrimtarja Uendi Mëkelroi.
Por, nuk janë të gjithë të një mendjeje. Shpesh pornografia është lidhur me shumë pasoja dhe qëndrime të dëmshme. Disa hedhin mendimin se pornografia lidhet me përdhunimin, si dhe me forma të tjera të dhunës kundër grave dhe fëmijëve. Një individ famëkeq që kryente vrasje në seri, Ted Bandi, pranon se ai kishte «një oreks të madh për pornografinë e dhunshme». Ai thotë: «Kjo gjendje nuk shihet menjëherë nga individi ose nuk mendohet se është problem serioz. . . . Por ky interesim . . . drejtohet ndaj materialeve me natyrë seksuale që janë të përzier me dhunën. Nuk mund ta theksoj aq sa duhet zhvillimin gradual të këtij oreksi. Ky oreks nuk zhvillohet për një kohë të shkurtër.»
Duke pasur parasysh debatet e pafund dhe përhapjen e sotme të materialeve pornografike, ju mund të pyetni: ‘A ofron Bibla ndonjë drejtim për këtë çështje?’
Bibla është e hapur ndaj seksit
Në Bibël çështjet që kanë të bëjnë me seksin trajtohen hapur dhe pa ndrojtje. (Ligji i përtërirë 24:5; 1 Korintasve 7:3, 4) «Gëzohu me nusen e rinisë sate,—këshilloi Solomoni.—Sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë.» (Fjalët e urta 5:18, 19) Në lidhje me marrëdhëniet seksuale jepen këshilla dhe drejtime të qarta, përfshirë edhe kufijtë brenda të cilëve duhen shijuar këto marrëdhënie. Seksi jashtë lidhjes martesore është i ndaluar. Po ashtu edhe të gjitha llojet e praktikave seksuale të panatyrshme dhe të zvetënuara.—Levitiku 18:22, 23; 1 Korintasve 6:9; Galatasve 5:19.
Edhe brenda këtyre kufijve pritet vetëpërmbajtje dhe respekt. «Martesa le të jetë e nderuar ndër të gjithë,—shkroi apostulli Pavël—dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi.» (Hebrenjve 13:4) Kjo këshillë është në kundërshtim të plotë me qëllimin dhe mesazhin e pornografisë.
Pornografia shtrembëron pikëpamjen për seksin
Në vend që t’i përshkruajë marrëdhëniet seksuale si një shprehje e bukur dhe intime e dashurisë midis burrit dhe gruas në një martesë të nderuar, pornografia poshtëron dhe shtrembëron aktin seksual. Seksi i rastësishëm dhe i zvetënuar përshkruhet si emocionues dhe i dëshirueshëm. Theksi vihet te kënaqësia vetjake duke pasur pak ose aspak vlerësim për personin tjetër.
Gratë, burrat dhe fëmijët përshkruhen si objekte që janë vetëm për kënaqësi seksuale. «Bukuria matet nga përmasat e pjesëve të trupit, duke bërë të lindin shpresa joreale»,—thuhet në një raport. «Duke i përshkruar gratë pa emër, sikur gjithmonë kanë dëshirë ose janë në pritje, si lodra të pakuptimta seksuale për burrat, duke u zhveshur dhe duke i zbuluar trupat e tyre për të fituar para dhe për zbavitje, kjo gjë patjetër nuk mund të përçojë një mesazh që është në harmoni me barazinë, dinjitetin dhe humanizmin»,—përfundon një raport tjetër.
Përkundrazi, dashuria «nuk sillet në mënyrë të pahijshme»,—shkroi Pavli.—[Ajo] nuk kërkon interesat e veta». (1 Korintasve 13:5) Bibla i nxit burrat «t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre» dhe ‘t’u japin nderim’, jo që t’i shohin gratë thjesht si objekte për kënaqësi seksuale. (Efesianëve 5:28; 1 Pjetrit 3:7) A po sillet ndokush në të vërtetë në mënyrë të hijshme, qoftë ky mashkull ose femër, kur shikon rregullisht pamje me natyrë të qartë pornografike të njerëzve të tjerë? Dhe a po tregon në të vërtetë ky individ nder e respekt? Pornografia në vend të dashurisë kultivon një dëshirë egoiste që përqendrohet tek vetja.
Përveç kësaj ka dhe një arsye tjetër. Ashtu si çdo nxitje tjetër e pahijshme, ajo që në fillim e nxiste personin, shumë shpejt bëhet e zakonshme dhe si rutinë. «Me kalimin e kohës,—thotë një shkrimtar,—[përdoruesit e pornografisë] kërkojnë material më të panatyrshëm e të shprehur më hapur. . . Ata mund t’i shtyjnë partnerët e tyre në veprime seksuale gjithnjë e më të çuditshme . . , duke e pakësuar [vetë] aftësinë e tyre për të shprehur përzemërsi të vërtetë.» A duket kjo si zbavitje e padëmshme? Por ka një arsye tjetër të rëndësishme për ta shmangur pornografinë.
Bibla dhe dëshirat epshore
Ndërsa shumë veta sot mendojnë se s’ka asgjë të gabuar ose të rrezikshme të ushqesh fantazitë seksuale, Bibla nuk është në një mendje me këtë. Ajo shpjegon qartë se ka një lidhje të natyrshme Jakovit 1:14, 15) Jezui tha: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua, aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e tij.»—Mateu 5:28.
midis asaj me të cilën ushqejmë mendjen dhe mënyrës se si veprojmë. «Secili sprovohet, duke u tërhequr dhe joshur nga dëshira e vet,—vë në dukje dishepulli i krishterë, Jakovi.—Pastaj dëshira, kur është bërë pjellore, lind mëkatin.» (Ashtu siç treguan Jakovi dhe Jezui, qeniet njerëzore veprojnë nën nxitjen e dëshirave të brendshme. Këto dëshira, nëse ushqehen vazhdimisht, me kalimin e kohës mund të bëhen fiksime të fuqishme. Është shumë e vështirë t’u rezistosh fiksimeve dhe ato në fund e shtyjnë një njeri që të veprojë. Prandaj, çdo gjë që futim në mendjen tonë mund të ketë një ndikim të fuqishëm në atë që në fund bëjmë.
Fantazitë seksuale mund të ndërhyjnë drejtpërdrejt në adhurimin tonë ndaj Perëndisë. Ja përse Pavli shkroi: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj . . . në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë [zilinë], që është idhujtari.»—Kolosianëve 3:5.
Këtu Pavli e lidh oreksin seksual me zilinë, e cila është një dëshirë e tepruar për diçka që dikush nuk e ka. * Zilia është një lloj idhujtarie. Përse? Sepse ai që ka zili vendos gjënë e dëshiruar përpara çdo gjëje tjetër, përfshirë edhe Perëndinë. Pornografia nxit dëshirën e ethshme për diçka që dikush nuk e ka. «Ju doni jetën seksuale të dikujt tjetër. . . . Ju nuk mund të keni asgjë tjetër në mendje, veçse oreksin për atë që ju mungon. . . . Ne adhurojmë atë për të cilën kemi një dëshirë të ethshme për ta pasur»,—thotë një shkrimtar për fenë.
Pornografia prish moralin
«Çdo gjë që është e dëlirë, çdo gjë që është e dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çdo virtyt që ekziston . . . , këto gjëra vazhdoni të konsideroni»,—nxit Bibla. (Filipianëve 4:8) Një individ që ngop sytë dhe ushqen mendjen me pornografinë po hedh poshtë nxitjen e Pavlit. Pornografia është e pacipë, sepse me paturpësi paraqet para publikut veprimet më intime dhe private. Është e urryer, sepse poshtëron dhe çnjerëzon njerëzit. Nuk është e dashur, sepse nuk nxit as butësinë e as përkujdesjen. Ajo vetëm sa nxit epshin egoist.
Duke përshkruar me paturpësi veprimet imorale dhe të fëlliqura, pornografia dobëson ose saboton përpjekjet e një të krishteri për të zhvilluar ‘një urrejtje për të keqen’. (Amosi 5:15) Ajo vë theksin mbi kryerjen e mëkatit dhe është në kundërshtim të plotë me nxitjen e Pavlit dhënë efesianëve që «kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju, ashtu siç u ka hije të shenjtëve; as sjellja e turpshme . . . as shaka të ndyra, të cilat nuk kanë hije».—Efesianëve 5:3, 4.
Gjithçka rreth pornografisë është e dëmshme. Ajo është mizore dhe korruptuese. Mund të prishë marrëdhëniet mes njerëzve, duke e shtrembëruar shprehjen e natyrshme të intimitetit seksual në pasjen e kënaqësisë seksuale me anë të shikimit të veprimeve seksuale. Helmon mendjen dhe gjendjen frymore të individëve. Nxit qëndrime egoiste e lakmitare dhe i mëson njerëzit që t’i shohin të tjerët si objekte që janë të përshtatshme vetëm për të kënaqur epshin e tyre. Minon përpjekjet për të bërë të mirën dhe për të pasur një ndërgjegje të pastër. Më e rëndësishmja, mund të pengojë ose madje të shkatërrojë marrëdhënien frymore të individit me Perëndinë. (Efesianëve 4:17-19) Vërtet, pornografia është një murtajë, që duhet ta shmangim.—Fjalët e urta 4:14, 15.
[Shënimi]
^ par. 20 Këtu Pavli nuk po fliste për dëshirën e zakonshme seksuale, pra, dëshirën për të pasur intimitet seksual të zakonshëm me bashkëshortin.
[Figura në faqen 20]
Pornografia e shtrembëron pikëpamjen e një individi për seksin e kundërt