Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Artriti Më preku thellë seria e artikujve «Shpresë për të sëmurët me artrit». (8 dhjetor 2001, anglisht) Jam 21 vjeçe dhe kam vuajtur nga artriti i rëndë dhe nga pasojat e tij për afro 15 vjet. Kjo seri me të vërtetë më dha zemër dhe e forcoi vendosmërinë time që të vazhdoj të duroj.
A. F., Francë
Shërbej si ungjillëzuese në kohë të plotë, një privilegj që e çmoj shumë, por që ditë pas dite po më bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u përmbushur. Jam diagnostikuar me sëmundjen e osteoartritit. Çdo ditë kam dhembje dhe nganjëherë acarimi më bën të bie në dëshpërim. Faleminderit për këta artikuj në kohën e duhur dhe për përkujtuesin se gjejmë ngushëllim të vërtetë, nëse e bëjmë tonin premtimin e Jehovait për një botë të re.
H.M.A., Shtetet e Bashkuara
Vuaj nga artriti reumatik dhe tani po e marr veten nga një krizë e rëndë. Këta artikuj përshkruanin me saktësi vuajtjet që përjeton ai qëka këtë sëmundje. Ishte e dobishme të mësoja më tepër për të dhe se çfarë mund të bëhet për të zvogëluar pasojat e saj.
G.F.F., Portugali
Jam 21 vjeçe dhe kur isha vetëm 10 vjeçe mësova se kisha artrit reumatik që prek fëmijët. Kam lexuar shumë përvoja në revistat mjekësore, por asnjë nuk ka të krahasuar me përvojat e vëllezërve frymorë dhe motrave të mia frymore që përjetojnë të njëjtat gjëra si unë. Ashtu si Katja, që përmendej në artikuj, nuk munda të vazhdoja karrierën time si ungjillëzuese në kohë të plotë. Ishte kaq domethënëse të lexoja se si të tjerët përballojnë ndjenjat e mërzisë dhe të fajit, sepse nuk janë në gjendje të bëjnë më shumë në shërbimin e Jehovait.
H. M., Shtetet e Bashkuara
Para një viti, kur isha 24 vjeçe, u diagnostikova me artrit reumatik kronik. M’u desh ta ndërpritja shërbimin si ungjillëzuese në kohë të plotë. Rashë në dëshpërim. Për shkak të dhembjes së fortë dhe të këputjes që ndiej, tani bëj vetëm gjysmën e asaj që bëja më parë. U ngushëllova nga ky artikull, duke ditur se të tjerë provojnë të njëjtat dhembje fizike dhe emocionale. Gjithashtu, më pëlqeu informacioni praktik për të bërë atë që mundem. Pres ditën kur «çalamani do të kërcejë si një dre».—Isaia 35:6.
T. U., Japoni
Një vit më parë fillova të ndieja dhembje të forta në disa kyçe. Meqë jam mesoburrë, s’e kisha menduar kurrë se mund të ishte artrit. Artikulli juaj më ndihmoi të kuptoj nevojën për të qenë i drejtpeshuar dhe i arsyeshëm për atë që pres nga vetja.
B. P., Shtetet e Bashkuara
Jam 19 vjeçe dhe kam artrit në kyçet e duarve, të këmbëve dhe në gjunjë. Më pëlqeu sidomos nëntitulli «Mos kaloni kufizimet tuaja». Erdha në Ekuador nga Shtetet e Bashkuara me synimin për të shërbyer këtu si ungjillëzuese në kohë të plotë. Por, për shkak të dobësisë, këputjes dhe dhembjes mund të dal në shërbim vetëm për pak kohë. Kam vendosur të kthehem në shtëpi për kurim dhe shpresoj të kthehem këtu pasi të jem mirë.
Xh. S., Ekuador
Feng Shui Faleminderit për artikullin «Feng Shui—A bën për të krishterët?» (8 dhjetor 2001, anglisht). Jam një specialiste për zbukurimin e brendshëm të ndërtesave dhe kohët e fundit një klient më kërkoi të përdorja feng shuin në mënyrën e rregullimit të banesës së tij. Isha e shqetësuar, duke qenë se nuk dija shumë për këtë praktikë. Ky artikull erdhi pikërisht në kohë. Tani kam vendosur të mos përfshihem në këtë filozofi të zbukurimit.
K. V., Shtetet e Bashkuara