Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shmangni grackën e bixhozit

Shmangni grackën e bixhozit

Shmangni grackën e bixhozit

«Bixhozi nuk ndikonte në shëndetin tim fizik dhe gjithmonë e mbaja nën kontroll sasinë e parave që harxhoja në bixhoz. Por e pranoj se sa herë që bëja një lojë lotarie, zgjidhja gjithmonë ata numra që mendoja se do të më sillnin fat.»​—Linda.

SHUMË bixhozçinj zhvillojnë besimin te numrat e fatit ose te hajmalitë që sjellin fat. Ata mendojnë se nuk i marrin shumë seriozisht bindjet e tyre besëtytnore, por gjithsesi vazhdojnë me to.

Disa bixhozçinj i luten madje edhe Perëndisë, duke i kërkuar që t’i ndihmojë të fitojnë lojën që kanë zgjedhur. Megjithatë, në Bibël gjendet dënimi i Perëndisë për ata që pohojnë se e adhurojnë atë, por që ndërkohë ‘i shtrojnë një tryezë perëndisë së Fatit të Mirë’. (Isaia 65:11, BR) Po, Perëndia ndjen neveri për praktikat që nxitin besimin besëtytnor te fati. Bixhozi, nga vetë natyra e tij, nxit besimin e verbër tek i ashtuquajturi Fat.

Bixhozi nxit hapur edhe dashurinë për para. Sot, në një shoqëri gjithnjë e më indiferente ndaj gjërave frymore, paraja në vetvete është bërë një perëndi zëvendësues dhe bixhozi një mënyrë e pëlqyer për ta adhuruar atë. Tani kazinotë madhështore janë bërë si katedralet dhe kredoja e re është që lakmia është diçka e mirë. Studiuesit kanë zbuluar se shumica dërrmuese e njerëzve që vizitojnë kazinotë thonë se e bëjnë këtë jo për t’u zbavitur ose për të shijuar ambientin në këtë vend, por për të fituar «një sasi vërtet të madhe parash». Por Bibla paralajmëron: «Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.»​—1 Timoteut 6:10.

Te 1 Korintasve 6:9, 10, Bibla thotë në mënyrë të qartë: «Mos u mashtroni. As . . . idhujtarë . . . as lakmitarë . . . nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» Lakmia nuk është vetëm një sëmundje që rrënon shoqërinë. Ajo është një sëmundje frymore vdekjeprurëse, por për të cilën ka një kurë.

Ata e gjetën forcën për të ndryshuar

«U përpoqa shumë herë ta lija bixhozin,​—kujton Kazushige i përmendur në artikullin e parë.​—E kuptoja se duke vënë baste për garat me kuaj bashkë me miqtë po shkatërroja familjen. Gjithmonë i humbja ato para që fitoja. Madje humba në bixhoz edhe paratë që kishte kursyer ime shoqe për lindjen e fëmijës sonë të dytë. Përfundimisht arrita deri aty sa të luaja bixhoz edhe me fondet e firmës ku punoja. Si pasojë humba krejtësisht respektin për veten. Gruaja ime qante dhe më lutej shpesh që ta lija bixhozin, por unë nuk ia dilja dot ta lija.»

Më pas Kazushige filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ai thotë: «Sa më shumë që e lexoja Biblën, aq më shumë bindesha se ka një Perëndi dhe se do të nxirrja dobi po t’ua vija veshin fjalëve të tij. Vendosa që me fuqinë që jep Perëndia ta lija bixhozin. Për habinë time, jo vetëm që hoqa dorë nga bixhozi, por zhvillova edhe një urrejtje për të. Tani më dhemb zemra kur mendoj për shqetësimin që i kam shkaktuar familjes duke luajtur bixhoz. Sa mirënjohës i jam Perëndisë Jehova që më ndihmoi të çlirohesha nga skllavëria ndaj bixhozit dhe që po më ndihmon të bëj një jetë me një qëllim!»​—Hebrenjve 4:12.

Edhe Xhoni i përmendur po në artikullin e parë filloi të studionte Biblën. Ai kujton: «Studimi i Biblës më ndihmoi të shqyrtoja edhe një herë rrethanat e mia. Për herë të parë m’u hapën sytë e arrita vërtet të shihja dëmin që po i shkaktonte bixhozi familjes sime dhe mua si individ. Fillova të kuptoja se bixhozi nxit një qëndrim egoist e lakmitar te njerëzit, cilësi këto që Jehovai i urren. Ndërsa vazhdoja të studioja, dashuria për Jehovain më dha forcë që të çlirohesha nga bixhozi. E fillova bixhozin sepse ëndërroja të bëja një jetë më të mirë. Tani që e kam lënë bixhozin dhe po i shërbej i lumtur Jehovait, mund të them se kjo ëndërr është bërë realitet.»

Edhe Linda, gruaja e Xhonit, vendosi të hiqte dorë nga bixhozi. «Nuk ishte e lehtë,​—thotë ajo.​—Por pasi filluam me burrin të studionim Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, mësova të përqendrohesha në gjërat më të rëndësishme të jetës. Mësova jo vetëm të doja gjërat që Perëndia do, por edhe të urreja gjërat që ai urren, duke përfshirë çdo lloj lakmie. Kështu, jo vetëm që bëj një jetë me një qëllim, por kam edhe më shumë para në xhep tani.»​—Psalmi 97:10.

Duke zhvilluar një marrëdhënie me Perëndinë Jehova, edhe ju mund të gjeni forcën dhe mençurinë e nevojshme për të shmangur grackën e bixhozit. Kjo gjë do të përmirësojë gjendjen tuaj financiare, emocionale, si edhe shëndetin tuaj frymor. Atëherë do të keni kënaqësinë ta provoni vetë vërtetësinë e fjalëve që gjenden në Proverbat 10:22: «Bekimi i Jehovait, ky të bën të pasur dhe ai nuk shton me të asnjë dhembje.» (BR)

[Diçitura në faqen 11]

Lakmia nuk është vetëm një sëmundje që rrënon shoqërinë. Ajo është një sëmundje frymore vdekjeprurëse

[Kutia dhe figurat në faqen 9]

Bixhozi dhe forca e mbinatyrshme

Në një raport drejtuar Komisionit Kombëtar për Studimin e Ndikimit të Bixhozit, studiuesit në Universitetin Dukë, përmendën tërthorazi një lidhje ndërmjet mënyrës si reklamohet bixhozi dhe besimit në forcën e mbinatyrshme. Në raport thuhet: «Shumë reklama [lotarie] nxitin sheshit materializmin . . . Megjithatë ky nuk është materializmi që vjen nga puna e palodhur dhe këmbëngulja, por, përkundrazi, nga gjenitë dhe llambat magjike që i kanë rrënjët te shpresat, ëndrrat dhe besëtytnia. Në fakt, çdo drejtues lotarie e di se shumë nga klientët e tij më të mirë i bazojnë bastet e tyre te besëtytnitë personale, te të dhënat astrologjike, te të vetëquajturit parashikues dhe te ‘librat e ëndrrave’. Këta janë libra shumë të vjetër, të cilët radhitin numra që u korrespondojnë emrave, datave dhe ëndrrave. Në agjencitë e lotarive nuk theksohet se të gjithë numrat kanë të njëjtin probabilitet për t’u zgjedhur dhe se duke luajtur me numrat që parapëlqen, sasia e parave që shpreson të fitojë personi në lojrat ku shuma e përgjithshme ndahet ndërmjet disa palëve do të jetë më e paktë. Në vend të kësaj, këto agjenci kanë preferuar t’i nxitin lojtarët që të zgjedhin (dhe të vazhdojnë me) po ata numra që për ta kanë ndonjë kuptim të veçantë.»

[Figurat në faqen 10]

«Dashuria për Jehovain më dha forcë që të çlirohesha nga bixhozi.»​—Xhoni

«Për habinë time, jo vetëm që hoqa dorë nga bixhozi, por zhvillova edhe një urrejtje për të.»​—Kazushige

[Figurat në faqen 10]

«Jo vetëm që bëj një jetë me një qëllim, por kam edhe më shumë para në xhep tani.»​—Linda