A ka një zgjidhje?
A ka një zgjidhje?
ÇFARË do të bënit me një send që nuk e doni? «Ta hedhim»,—do të ishte përgjigja e qartë dhe e thjeshtë. Megjithatë, eliminimi i mbeturinave nuk është gjithmonë kaq i thjeshtë. Ku t’i hedhim? Një shoqatë italiane për mjedisin ka llogaritur se për një shishe qelqi e hedhur në det do të duheshin 1.000 vjet që të dekompozohej. Përkundrazi, shamitë prej letre dekompozohen vetëm për tre muaj. Një bisht cigareje ndot detin deri në 5 vjet; qeset plastike
10 deri në 20 vjet; artikujt prej najloni 30 deri 40 vjet; kanaçet 500 vjet; dhe polistireni 1.000 vjet.Sasia e këtyre hedhurinave është rritur jashtëzakonisht. Në ditët e sotme bota tregtare ka shumë gjëra për të shitur, kurse ajo e reklamave do që të na bëjë të besojmë se kemi nevojë për të gjitha këto gjëra. Në gazetën britanike The Guardian thuhet përmbledhtas: «Reklamuesit na ndihmojnë të plotësojmë nevojat që nuk e dinim se i kishim më parë.» Vërtet, ne tundohemi për të blerë gjërat më të fundit në treg, nga frika se mos humbim rastin për të provuar diçka të re. Natyrisht, në terminologjinë e reklamave fjala produkt «i ri» nënkupton «më i mirë dhe më i efektshëm», ndërsa «i vjetër» nënkupton «i dorës së dytë dhe jashtë mode».
Kështu që shpesh nxitemi të blejmë diçka të re në vend se të ndreqim diçka të vjetër. Thuhet se të zëvendësosh gjërat e vjetra është më praktike dhe më ekonomike, sesa t’i ndreqësh ato. Ndonjëherë kjo është e vërtetë. Megjithatë, shpesh të hedhësh gjërat e vjetra e t’i zëvendësosh me të reja kushton dhe është e panevojshme.
Sot shumë produkte janë bërë me qëllimin që pas njëfarë kohe të hidhen. Mund të jetë e vështirë që të ndreqen—kjo është diçka që duhet mbajtur mend kur blejmë gjëra. Në një revistë gjermane për konsumatorët u vërejt: «Jetëgjatësia e produkteve sa vjen e shkurtohet. Ajo që dje ishte ‘e modës’ sot është ‘jashtë mode’ dhe shpesh hidhet te plehrat. Në këtë mënyrë, gjëra që mund të përdoren përsëri përfundojnë si plehra pa pikë vlere!»
A i sjellin dobi konsumatorit të gjitha këto blerje pa fre? Në të vërtetë ato që nxjerrin dobi janë firmat tregtare qëllimi i të cilave është që të mbushin arkat e tyre. Në gazetën e përjavshme zviceriane Die Weltwoche thuhet: «Nëse të gjithë do të përdornin mobiliet a makinën për të gjithë jetën ose edhe për dyfishin e kohës që i përdorin sot, do të ndodhte me siguri një falimentim i ekonomisë.» Por vetëm fjala falimentim i ekonomisë nuk do të mjaftonte si përgjigje përfundimtare, pasi një gjë e tillë do t’i linte edhe konsumatorët të papunë. Atëherë, cilat janë disa zgjidhje ndaj grumbullimit të tepërt të plehrave?
Të hidhen, të riciklohen apo të pakësohen?
Disa vende të industrializuara i japin një zgjidhje të lehtë problemit thjesht duke i zbrazur hedhurinat e tyre në vendet në zhvillim. Në një raport tregohet për shembull se «në një vend famëkeq në Nigeri u gjetën 3.500 tonë lëndë kimike toksike në 8.000 fuçi të ndryshkura e të gërryera që rridhnin, duke helmuar në këtë mënyrë truallin dhe ujërat e nëndheshme». Kjo metodë për eliminimin e mbeturinave duket se nuk është as zgjidhje e efektshme dhe as mënyrë e admirueshme për të trajtuar të tjerët.
Ç’të themi për riciklimin e sendeve të padëshirueshme në mënyrë që të përdoren ende në vend se thjesht të hidhen? Sigurisht, në këto programe kërkohet që konsumatorët t’i ndajnë mbeturinat në kategori të ndryshme, diçka që tashmë në disa vende kërkohet nga ligji. Funksionarët shtetërorë mund të kërkojnë që plehrat të ndahen në kategori të tilla, si për shembull: letër, karton, metal, qelq dhe mbeturina organike. Pastaj sendet prej qelqi ndoshta duhen ndarë sipas ngjyrës.
Riciklimi sigurisht ka dobitë e tij. Në librin 5000 Days to Save the Planet (5.000 ditë për të shpëtuar planetin) vërehet se alumini i ricikluar «kursen sasi shumë të mëdha energjie» dhe mund «të pakësojë dëmin ndaj mjedisit që shkaktohet nga boksiti i nxjerrë në minierat e hapura». Në libër më tej thuhet: «Për të njëjtën sasi letre të prodhuar, gjatë riciklimit harxhohet vetëm gjysma e energjisë dhe një e dhjeta e ujit. . . . Shumë produkte të hedhura mund merren, të riciklohen dhe të përdoren përsëri. . . . Edhe atje ku industritë nuk mund t’i përdorin sërish mbeturinat e tyre, disa herë mund t’i riciklojnë
që të përdoren nga të tjerët . . . Në Holandë, ka vepruar me sukses që prej viteve 70 të shekullit të 20-të një rrjet për përpunimin e mbeturinave.»Autoritete të tjera, në vend që të kërkojnë mënyra se si t’i eliminojnë plehrat, po e vënë më shumë theksin në radhë të parë te parandalimi i mbeturinave. Në librin e lartpërmendur paralajmërohet se «duhen marrë veprime urgjentisht» nëse njerëzimi duhet «të heqë dorë nga një ekonomi që hedh çdo gjë . . . për të kaluar në një shoqëri kursimtare e cila pakëson në minimum mbeturinat dhe e ul konsumin e pasurive natyrore».
Sidoqoftë, ata që duan ‘të heqin dorë nga një ekonomi që hedh çdo gjë’ duhet të jenë të gatshëm t’i përdorin të mirat që do të blejnë sa më gjatë që të jetë e mundur, duke i hedhur ato vetëm kur të jenë të pandreqshme. Gjërat që nuk i duan, por që mund të përdoren ende duhet t’u jepen të tjerëve që mund t’i përdorin. Zyra në Darmstadt e institutit gjerman të ekologjisë së aplikuar ka llogaritur se nëse një familje do t’i përmbahej vazhdimisht parimit «të përdoret në vend që të çohet dëm», do të hidhte deri 75 për qind më pak plehra sesa hedh një familje mesatare.
Por, a do t’i përmbahen mjaft familje parimeve të tilla? Duket e pamundur. Problemi i plehrave të njerëzve është thjesht shenjë e problemeve më të mëdha. Në shoqërinë e sotme që hedh çdo gjë, gjithnjë e më shumë njerëz kanë atë që mund ta quajmë një mentalitet «hidhe se s’prish punë». Le ta marrim në shqyrtim këtë qëndrim dhe disa prej teprimeve ku mund të na çojë ai.
Rreziqet e një mentaliteti «hidhe se s’prish punë»
Ata që kanë një mentalitet të tillë mund të çojnë dëm gjëra pa shumë rëndësi, por mund të shkojnë edhe më tej. Ky mentalitet mund t’i bëjë njerëzit shpërfillës dhe që nuk i çmojnë gjërat, kështu që ata çojnë dëm pa problem sasi të mëdha ushqimesh të paprekura dhe gjëra të tjera. Ata që janë egoistë dhe që ndikohen nga modat kalimtare e nga shijet ose mospëlqimet e parëndësishme, mund të ndihen vazhdimisht të detyruar për t’i ndërruar rrobat, mobiliet dhe sendet e tjera që janë në gjendje të mirë.
Sidoqoftë, mentaliteti «hidhe se s’prish punë» mund të mos përfshijë vetëm sendet. Në një studim gjerman të përqendruar në ripërdorimin e të mirave të hedhura të familjeve, kohët e fundit vërehej: «Mënyra se si i trajtojmë mobiliet e dhomës së pritjes, të cilat nuk na pëlqejnë më dhe i hedhim pas pesë vjetësh për t’i ndërruar me të reja, po imitohet në mënyrën se si i trajtojmë qeniet njerëzore. Pyetja është se për sa kohë mund ta tolerojë shoqëria jonë këtë gjë.» Në raport shpjegohet: «Sapo një njeri është i paaftë të kryejë një punë me rendiment të lartë, ai zëvendësohet. Në fund të fundit, ka shumë punëtorë në dispozicion!»
Në librin e tij Earth in the Balance (Bota në balancë), ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së Al Gor bëri pyetjen me vend: «Nëse kemi arritur t’i konsiderojmë si për t’u hedhur gjërat që përdorim, a mos kemi transformuar ngjashëm edhe mënyrën se si i konsiderojmë qeniet njerëzore si ne? . . . A mos kemi humbur gjatë këtij procesi vlerësimin e faktit se secili është unik?»
Njerëzit që humbin vlerësimin dhe respektin ndaj të tjerëve ndoshta e kanë më të lehtë—dhe ndihen më pak fajtorë—që të braktisin miqtë ose bashkëshortin. Duke komentuar për këtë mënyrë të menduari, në gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung thuhet: «Dy herë në vit ne blejmë rroba të reja, çdo katër vjet një makinë të re dhe çdo
dhjetë vjet mobilie të reja për dhomën e pritjes; çdo vit kërkojmë një vend të ri për pushime; ndërrojmë shtëpinë, punën, biznesin, prandaj, pse të mos ndërrojmë edhe bashkëshortin?»Disa njerëz sot duken të gatshëm të hedhin pothuajse çdo gjë sapo ajo bëhet një barrë. Për shembull, në një vend evropian, llogaritet se gjatë vitit 1999 u braktisën nga pronarët e tyre 100.000 mace dhe 96.000 qenë. Në atë vend një aktiviste për kafshët thotë se bashkëqytetarët e saj «nuk e shohin si angazhim afatgjatë të mbajnë një kafshë shtëpiake. Ata blejnë një këlysh qeni në shtator dhe e braktisin [një vit më vonë kur shkojnë për pushime] në gusht». Edhe më keq, mentaliteti «hidhe se s’prish punë» shtrihet dhe ndaj vetë jetës njerëzore.
Një mungesë respekti për jetën
Sot shumë njerëz duket se mendojnë që jeta e tyre ka pak vlerë të vërtetë. Në ç’mënyrë? Për shembull, në një revistë evropiane kohët e fundit vërehej se gatishmëria e të rinjve për të vënë veten në rrezik është rritur vitet e fundit. Kjo mund të shihet në gatishmërinë e tyre në rritje për të marrë pjesë në sportet ekstreme. Për hir të pak çasteve me emocione të forta, janë gati të rrezikojnë të humbasin jetën! Biznesmenët e etur për fitime përfitojnë me lakmi nga kjo prirje. Një politikan gjerman vërejti se nxitësit e sporteve ekstreme «shpesh e shohin si më të rëndësishme fitimin e parave, sesa shëndetin dhe jetën e njerëzve».
Ç’të themi për faktin që hidhen jetë njerëzish të palindur? Organizata Botërore e Shëndetësisë ka llogaritur se «në mbarë botën rreth 75 milionë fëmijët që ngjizen çdo vit në të vërtetë nuk i do askush. Për shumë gra aborti është e vetmja zgjidhje.» Edhe pas lindjes, foshnjat janë në rrezik. Sipas gazetës braziliane O Estado de S. Paulo, «rastet e foshnjave të braktisura në rrugë janë duke u rritur». A është e vërtetë kjo edhe në vendin tuaj?
Përreth nesh në botën e sotme shohim dëshmi se jeta njerëzore shihet si me pak ose aspak vlerë, si diçka që mund të hidhet pothuajse pa problem. E shohim këtë prirje në dhunën e zbavitjeve të përhapura, gjatë një filmi ose programi televiziv me «heronj» që vrasin mori me «njerëz të këqij». E shohim në valën e vazhdueshme të krimeve të dhunshme që po përpijnë tokën, me hajdutët që i vrasin viktimat për fare pak para ose pa arsye fare. E shohim edhe te lajmet në reportazhet tronditëse për akte terroriste, spastrime etnike dhe gjenocide të drejtpërdrejta, të cilat përfshijnë të gjitha vrasjet masive, të pamëshirshme të njerëzve—jetë të çmuara të hedhura si plehra.
Nuk mund të mos jetojmë në një shoqëri që hedh çdo gjë, por mund të shmangim një mentalitet «hidhe se s’prish punë». Në artikullin tjetër do të trajtohet se çfarë mund të na ndihmojë që t’i bëjmë ballë shoqërisë së sotme që hedh çdo gjë, si dhe qëndrimeve të padëshirueshme që e shoqërojnë atë.
[Figura në faqen 6]
Në shumë vende riciklimi i mbeturinave është i detyrueshëm
[Figurat në faqen 7]
A ju detyrojnë modat që ndryshojnë të hidhni rrobat në gjendje të mirë dhe të bleni rroba të reja?
[Figura në faqen 8]
Foshnjat e palindura duhen çmuar dhe jo të hidhen
[Burimi]
Index Stock Photography Inc./BSIP Agency
[Figura në faqen 8]
Jeta është tepër e çmuar që të rrezikojmë ta humbim për hir të emocioneve të forta