Arkeologjia: A është e nevojshme për besimin?
Pikëpamja e Biblës
Arkeologjia: A është e nevojshme për besimin?
Në vitin 1873, kleriku anglez Samuel Mening shkroi për Jerusalemin: «Të shtyrë nga një tërheqje e papërballueshme, këtu mblidhen pelegrinë nga të gjitha skajet e botës. Muret e shkatërruara, rrugët e fëlliqura dhe të pista,si dhe rrënojat që gati po shemben ngjallin te miliona njerëz një interes të thellë dhe përnderues, si asnjë vend tjetër në botë.»
MAGJEPSJA e Tokës së Shenjtë i ka bërë për vete njerëzit të paktën që nga koha e perandorit romak Kostandinit. * Për rreth 1.500 vjet pelegrinët shkonin e vinin, duke kërkuar një lidhje fetare dhe personale me Tokën e Shenjtë. Por çuditërisht, vetëm në fillimet e shekullit të 19-të, studiuesit filluan të shoqëronin këta pelegrinë, duke nisur kështu epokën e arkeologjisë biblike, pra studimin e punimeve të bëra nga njerëzit, studimin e popujve, të vendeve dhe të gjuhëve të Tokës së Shenjtë të lashtësisë.
Zbulimet e arkeologëve kanë sjellë si pasojë një rritje të kuptueshmërisë lidhur me shumë aspekte të kohëve biblike. Gjithashtu, shpesh, dëshmitë arkeologjike kanë qenë në përputhje me tregimin biblik. Por, a është e nevojshme për besimin e një të krishteri një njohuri e tillë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le ta përqendrojmë vëmendjen tonë në vendndodhjen e shumë gërmimeve arkeologjike, pra në qytetin e Jerusalemit dhe në tempullin e tij.
‘Nuk do të lihet gur mbi gur’
Në pranverën e vitit 33 të e.s., më 11 nisan sipas kalendarit hebraik, Jezu Krishti i shoqëruar nga disa dishepuj të tij, u largua për herë të fundit nga Marku 13:1.
tempulli i Jerusalemit. Ndërsa po drejtoheshin për në Malin e Ullinjve, një nga dishepujt tha: «Mësues, shiko! Ç’gurë e ç’ndërtesa!»—Këta judenj besnikë kishin një dashuri të thellë për Perëndinë dhe për tempullin e tij. Ata ndiheshin shumë krenarë për këtë kompleks madhështor ndërtesash dhe për traditën prej 15 shekujsh që ai përfaqësonte. Përgjigjja që Jezui i dha dishepullit ishte tronditëse: «A i sheh këto ndërtesa të mëdha? Këtu nuk do të lihet kurrsesi gur mbi gur pa u rrëzuar.»—Marku 13:2.
Si mund ta lejonte Perëndia shkatërrimin e tempullit të tij, pikërisht tani që Mesia i premtuar kishte ardhur? Vetëm me kalimin e kohës dhe me ndihmën e frymës së shenjtë, dishepujt e Jezuit do të kapnin plotësisht kuptimin e asaj që ai donte t’u thoshte. Por, ç’lidhje kanë fjalët e Jezuit me arkeologjinë biblike?
Një «qytet» i ri
Në vitin 33 të e.s., në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, kombi judaik e humbi pozitën e tij të favorizuar përpara Perëndisë. (Mateu 21:43) Kjo hapi rrugën për diçka shumë më të madhe, për një qeveri qiellore që do të sillte bekime mbi gjithë njerëzimin. (Mateu 10:7) Në plotësim të profecisë së Jezuit, Jerusalemi dhe tempulli i tij u shkatërruan në vitin 70 të e.s. Zbulimet arkeologjike e mbështetin tregimin e Biblës për një ngjarje të tillë. Megjithatë, për të krishterët besimi nuk varet nga gjetja ose jo e rrënojave të atij tempulli të lashtë. Besimi i tyre përqendrohet mbi një Jerusalem tjetër dhe ky është qytet i një lloji tjetër.
Në vitin 96 të e.s., apostullit Gjon, i cili e kishte dëgjuar profecinë e Jezuit për shkatërrimin e Jerusalemit dhe të tempullit të tij dhe e kishte përjetuar përmbushjen e saj, iu dha vegimi i mëposhtëm: «Pashë, gjithashtu, qytetin e shenjtë, Jerusalemin e Ri, të zbriste nga qielli, nga Perëndia.» Një zë nga froni tha: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzimin dhe ai do të banojë me ta, ndërsa ata do të jenë popujt e tij. Dhe vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.»—Zbulesa 21:2-4.
Ky «qytet» është i formuar nga të krishterë besnikë që do të shërbejnë si mbretër me Krishtin në qiell. Së bashku, ata formojnë qeverinë qiellore, Mbretërinë e Perëndisë, e cila, gjatë Mijëvjeçarit, do të sundojë mbi tokën duke e çuar njerëzimin drejt përsosmërisë. (Mateu 6:10; 2 Pjetrit 3:13) Të krishterët judenj të shekullit të parë, që do të ishin pjesë e atij grupi, kuptuan se asgjë nga ato që kishin pasur në sistemin judaik, nuk mund të krahasohej me privilegjin për të sunduar me Krishtin në qiell.
Duke shkruar për pozitën e tij të mëparshme të shquar në judaizëm, apostulli Pavël flet për të gjitha këto gjëra: «Megjithatë, ato gjëra që për mua ishin fitim, këto i kam konsideruar humbje për shkak të Krishtit. Madje, sa për këtë, e konsideroj çdo gjë si një humbje për shkak të vlerës së pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu, Zotërisë tim.»—Filipianëve 3:7, 8.
Meqenëse apostulli Pavël kishte respektin më të madh për Ligjin e Perëndisë dhe rregullimin në lidhje me tempullin, është e qartë se fjalët e tij nuk nënkuptojnë që këto rregullime hyjnore duheshin parë me përçmim. * (Veprat 21:20-24) Pavli thjesht po tregonte që rregullimi i krishterë ishte më i lartë se sistemi judaik.
Pa dyshim, Pavli dhe të krishterë të tjerë judenj të shekullit të parë kishin njohuri specifike mbi shumë hollësi tërheqëse të sistemit judaik. Meqenëse arkeologjia hedh dritë mbi të kaluarën, të krishterët tani mund t’i kuptojnë disa nga këto hollësi. Megjithatë, vini re se në cilat gjëra Pavli i tha të riut Timote që ta përqendronte kryesisht vëmendjen: «Përsiatu në këto gjëra [që kishin të bënin me kongregacionin e krishterë], zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë.»—1 Timoteut 4:15.
Në mënyrë të lavdërueshme, arkeologjia biblike e ka zgjeruar kuptueshmërinë tonë për sfondin e ngjarjeve biblike. Megjithatë, të krishterët e kuptojnë që besimi i tyre nuk varet nga dëshmitë e zbuluara nga njerëzit, por nga Fjala e Perëndisë, Bibla.—1 Selanikasve 2:13; 2 Timoteut 3: 16, 17.
[Shënimet]
^ par. 4 Si Kostandini, ashtu edhe nëna e tij, Helena, ishin të interesuar në përcaktimin e vendndodhjes së vendeve të shenjta të Jerusalemit. Ajo e vizitoi personalisht Jerusalemin. Shumë të tjerë bënë të njëjtën gjë në shekujt që pasuan.
^ par. 15 Për një periudhë kohe, të krishterët judenj të shekullit të parë në Jerusalem ndoqën disa aspekte të Ligjit të Moisiut, mbase për arsyet e mëposhtme. Ligji vinte nga Jehovai. (Romakëve 7:12, 14) Ishte i rrënjosur si një traditë në popullin judaik. (Veprat 21:20) Ishte ligji zyrtar i vendit dhe çdo kundërshtim ndaj tij do të kishte shkaktuar një kundërshtim të panevojshëm ndaj mesazhit të krishterë.
[Figurat në faqen 18]
Sipër: Jerusalemi në vitin 1920; monedhë romake për përdorim nga judenjtë, e vitit 43 të e.s.; shegë prej fildishi në lulëzim, ka të ngjarë nga tempulli i Solomonit, shekulli i 8-të p.e.s.
[Burimet]
Faqet 2 dhe 18: Monedhë: Fotografi © Muzeu i Izraelit, Jerusalem; me mirësjelljen e Israel Antiquities Authority; shegë: Me mirësjelljen e Muzeut të Izraelit, Jerusalem