Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Paradoksi i jetës private

Paradoksi i jetës private

Paradoksi i jetës private

«NË SHTËPIZËN E TIJ, EDHE NJERIU MË I VARFËR MUND TË SFIDOJË DERI EDHE PUSHTETIN E MBRETIT.»​—UILLIAM PIT, POLITIKAN ANGLEZ, 1759-1806.

AJO që nënkuptohet nga fjalët e Pitit është ideja se çdo njeri duhet të ketë të drejtën për pak jetë private. Të ketë të drejtën për të ndërtuar një mur mbrojtës përreth një pjese të jetës së tij, i cili do t’i shërbejë si mburojë ndaj vëzhgimeve të padëshiruara.

Për njerëzit e kulturave të ndryshme, shprehja jetë private mund të nënkuptojë gjëra të ndryshme. Për shembull, në ishujt Samoa në oqeanin Paqësor, shpesh shtëpitë nuk kanë fare mure dhe pothuajse çdo gjë që ndodh brenda shtëpisë mund të shihet mjaft mirë nga të tjerët. Por, edhe atje, quhet diçka e pasjellshme të hysh në një shtëpi pa qenë i ftuar.

Prej shumë kohësh, njerëzit e kanë pranuar nevojën për të pasur në njëfarë mase një jetë private individuale. Mijëra vjet para thënies së famshme të Uilliam Pitit, Bibla tregonte nevojën për të respektuar jetën private të të tjerëve. Mbreti Solomon shkroi: «Shko rrallë në shtëpinë e të afërmit tënd, që ai të mos mërzitet me ty sa të të urrejë.» (Fjalët e urta 25:17) Apostulli Pavël këshilloi: «Të keni si synim të . . . shikoni punët tuaja.»​—1 Selanikasve 4:11.

Kaq e rëndësishme është e drejta për jetë private, saqë revista The UNESCO Courier e quan «themelin e të drejtave civile». Në mënyrë të ngjashme, një politikan me influencë në Amerikën Latine tha: «Në njëfarë kuptimi, të gjitha të drejtat e njeriut janë aspekte të së drejtës së jetës private.»

Megjithatë, në klimën që kanë krijuar sot shtimi i krimeve dhe terrorizmi me përmasa botërore, qeveritë dhe organet e rendit gjithnjë e më tepër janë të mendimit se për të mbrojtur shtetasit e tyre duhet të shembin barrikadat e jetës private. Pse? Sepse elementët kriminalë të shoqërisë e përdorin të drejtën e jetës private si një maskim për të bërë të keqen. Prandaj, ekziston një betejë për të vënë ekuilibrin midis përgjegjësisë së qeverisë për të mbrojtur shtetasit e saj dhe të drejtës së individëve për jetë private.

Jeta private përballë sigurisë

Sulmet terroriste që tronditën botën më 11 shtator 2001 e ndryshuan qëndrimin e shumë njerëzve për të drejtën e qeverisë për të ndërhyrë në disa fusha të jetës private. «11 shtatori i ndryshoi gjërat», ​—tha për BusinessWeek një ish-anëtar i Komisionit Federal Amerikan për Tregtinë. Ai tha: «Terroristët veprojnë lirshëm në një shoqëri ku mbrohet jeta e tyre private. Nëse për t’i zbuluar ata është e nevojshme të cenohet disi jeta private, shumica e njerëzve do të thonë: ‘Në rregull, bëjeni.’ » Revista shkruan: «Sondazhet e bëra që nga 11 shtatori tregojnë se 86 për qind e amerikanëve janë për një përdorim më të gjerë të sistemeve për njohjen e fytyrave; 81 për qind duan një mbikëqyrje më nga afër të veprimeve bankare dhe të veprimeve me kartat e kreditit; dhe 68 për qind mbështetin idenë e një karte identiteti kombëtar.»

Kartat e identitetit që po merren në shqyrtim nga disa qeveri perëndimore do të kenë aftësinë për të ruajtur shenjat e gishtërinjve, pamjen e retinës së zotëruesit të tyre dhe të kenë të regjistruar çdo krim që ka kryer ai, si edhe gjendjen e tij financiare. Nga ana teknologjike është e mundur që informacioni i një karte identiteti të bashkohet me atë të kartës së kreditit dhe të krahasohet me informacionin e marrë nga kamerat e vrojtimit për njohjen e fytyrave. Në këtë mënyrë, kriminelët mund të arrestohen pasi blejnë materialet për veprat kriminale.

Edhe në qoftë se kriminelët përpiqen t’i dredhojnë zbulimit, duke i fshehur bombat, armët ose thikat poshtë rrobave, ose madje edhe brenda një shtëpie, përsëri është e mundur t’i kapësh. Pajisjet në dispozicion të disa agjencive për sigurinë private mund të shfaqin pamje të çfarëdo gjëje që mund të kesh poshtë rrobave. Pajisjet radar, të ndërtuara kohët e fundit, bëjnë të mundur që policia të identifikojë individët që po lëvizin, madje edhe ata që marrin frymë në dhomën ngjitur. Por, a është e thënë që mundësitë më të mëdha për të vrojtuar sjellin patjetër pakësimin e krimeve?

A arrijnë kamerat t’i pengojnë kriminelët?

Kur në Bork, një qytet në zonat e thella të Australisë, krimet filluan të shtoheshin në mënyrë dramatike, u instaluan katër kamera televizive me qark të mbyllur (CCTV). Si rrjedhim, shkalla e krimeve u ul ndjeshëm. Gjithsesi, një sukses i tillë nuk është arritur kudo. Më 1994, gjatë një përpjekjeje për të pakësuar krimet në Glasgou, Skoci, u instaluan 32 CCTV. Nga një studim i bërë nga Scottish Office Central Research Unit u pa se vitin pasues numri i disa lloje krimesh u ul. Megjithatë raporti thoshte: «Numrit të krimeve që përfshijnë gjëra të turpshme, ku futet edhe prostitucioni, iu shtuan edhe 120 krime të tjera; krimet që lidhen me pandershmërinë u rritën deri në 2185 për qind; dhe shkeljet e tjera të ndryshme (ku përfshihen edhe shkeljet që lidhen me drogën) u rritën deri në 464 për qind.»

Edhe nëse vrojtimi i pakëson krimet në një zonë, ai nuk mund të zvogëlojë nivelin e përgjithshëm të krimeve. The Sydney Morning Herald theksoi një dukuri që policët dhe kriminologët e quajnë «zëvendësim». Gazeta shkruante: «Kur kriminelët e kuptojnë se mund të diktohen nga kamera ose nga forcat e policisë që patrullojnë në një zonë të caktuar, ata shkojnë në një vend tjetër për të kryer një krim.» Ndoshta kjo ju bën të mendoni për diçka që Bibla tha shumë kohë më parë: «Ai që praktikon gjëra të poshtra, e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që veprat e tij të mos qortohen.»​—Gjoni 3:20.

Sfida që hasin organet e rendit është se edhe sistemi vrojtues më i përparuar me radar ose rreze X nuk mund të dallojë atë që ka në mendje dhe në zemër një njeri, por pikërisht aty duhet të bëhet lufta e vërtetë për të pakësuar krimin, urrejtjen dhe dhunën.

Megjithatë, ekziston një lloj vëzhgimi që tashmë është në veprim dhe që është shumë më tepër depërtues se çdo teknologji e shpikur deri tani nga njeriu. Artikulli vijues do të shqyrtojë këtë lloj vëzhgimi dhe ndikimin pozitiv që mund të ketë ai në sjelljen e njerëzve.

[Diçitura në faqen 6]

«Terroristët veprojnë lirshëm në një shoqëri ku mbrohet jeta e tyre private»

[Kutia dhe figura në faqen 7]

Sa private janë të dhënat rreth shëndetit tuaj?

Shumë njerëz mund të mendojnë se me siguri të dhënat për gjendjen e tyre shëndetësore, si ato që përshkruajnë takimet me mjekun dhe vizitat në spital, mbahen të fshehta. Megjithatë, siç thotë një organizatë për mbrojtjen e jetës private, Privacy Rights Clearinghouse, «mund të keni një ndjenjë të gabuar sigurie». Në librin e tij Database Nation​—The Death of Privacy in the 21st Century (Shteti i bazave të të dhënave​—Fundi i jetës private në shekullin e 21-të), Simson Garfinkeli thotë: «Sot të dhënat mjekësore kanë një rol më të gjerë . . . Ato përdoren nga punëdhënësit dhe shoqëritë e sigurimit për të vendosur se cilin duhet të marrin në punë dhe cilin duhet të sigurojnë. Përdoren nga spitalet dhe organizatat fetare për të mbledhur ndihma. Madje edhe tregtarët po i blejnë të dhënat mjekësore që të kërkojnë informacion për blerësit e mundshëm.»

Gjithashtu, Garfinkeli thotë: «Ajo që e vështirëson edhe më shumë mbajtjen sekret është se nga 50 deri në 75 veta kanë nevojë të njihen me kartelën e pacientit gjatë një vizite të zakonshme spitalore.» Në disa vende, pacientët kur shtrohen në spital mund të firmosin një dokument me përdorim të gjerë ose një formular të zakonshëm dhe kështu, pa dashje, heqin dorë vetë nga e drejta e tyre që këto të dhëna të mbahen sekret. Duke firmosur këta formularë, sipas Privacy Rights Clearinghouse «ju e lejoni personin që kujdeset për shëndetin t’ua japë informacionin për gjendjen tuaj shëndetësore shoqërive të sigurimit, agjencive qeveritare dhe të tjerëve».

[Kutia dhe figurat në faqen 8]

Jeta private përballë interesave tregtare

Njerëzit që përdorin Internetin janë veçanërisht të prekshëm nga vrojtimet e padëshiruara. Privacy Rights Clearinghouse thotë: «Nuk ka pothuajse asnjë veprim ose shërbim në kompjuter, që garanton në mënyrë absolute të drejtën e jetës private. . . . Ata që përdorin Internetin mund të nxjerrin informacione ose dokumente nga sitet (vendndodhjet në rrjet) . . . , ose thjesht mund t’u hedhin një sy këtyre shërbimeve pa bërë veprime të mëtejshme në to. Shumë prej tyre presin që veprime të tilla në kompjuter të jenë sekrete. Por nuk janë. Është e mundur të regjistrohen shumë veprime të kryera në rrjet, duke përfshirë edhe se te cilat agjenci lajmesh ose te cilat dokumente në kompjuter ka mundësinë për të hyrë ai që është pajtuar në Internet dhe cilat site ka vizituar. . . . Informacionet që tregojnë se ç’lloj ‘prirjesh për të kërkuar’ në Internet ka personi i pajtuar në të . . . mund të jenë një burim i mirë të ardhurash . . . Ky informacion është i dobishëm për studiuesit e tregut, sepse u shërben si bazë për hartimin e disa listave që i përdorin për qëllime marketingu. Nga këto lista, ata nxjerrin se cilët nga përdoruesit e Internetit kanë preferenca dhe reagime të ngjashme ndaj produkteve.»

Në ç’mënyrë tjetër emri juaj mund të përfundojë në listat e klientëve? Emri juaj mund t’u shtohet këtyre listave kur kryeni njërin nga veprimet e mëposhtme:

▪ Kur plotësoni formularët e garancive ose kartat e regjistrimit të produkteve të ndryshme.

▪ Kur anëtarësoheni ose u dhuroni para klubeve, organizatave ose shoqatave bamirëse.

▪ Kur pajtoheni në revista, në klubet e librit ose në klubet e muzikës.

▪ Kur regjistroni emrin dhe adresën tuaj në numëratorin telefonik.

▪ Kur merrni pjesë në llotari ose në konkurse të tjera.

Përveç kësaj, kur përdorni një kartë debiti, krediti ose çek për të paguar për ushqimet, firma ku blini ka mundësi që t’ia bashkangjitë emrin dhe adresën tuaj listës së gjërave që blini, kur ato kalojnë në skanerin e çmimit. Në këtë mënyrë një bazë të dhënash për zakonet tuaja të blerjes mund të përpilohet dhe mund të përdoret për qëllime tregtimi. *

[Shënimi]

^ par. 32 Informacioni i përshtatur nga siti i Privacy Watch Clearinghouse.

[Figurat në faqet 6, 7]

A i pakëson krimet mbajtja nën vëzhgim?