Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besim nën sprova në Evropën naziste

Besim nën sprova në Evropën naziste

Besim nën sprova në Evropën naziste

TREGUAR NGA ANTON LETONJA

Më 12 mars 1938 trupat e Hitlerit kaluan kufirin austriak. Radiot buçitnin nga këngët e marsheve dhe nga parullat politike. Vala e patriotizmit përpiu gjithë atdheun tim, Austrinë.

PASI mori pushtetin Hitleri, në Austri njerëzit ishin shumë optimistë. Shumë prej tyre shpresonin që «Perandoria Mijëvjeçare» e tij do t’i jepte fund varfërisë dhe papunësisë. Madje, edhe priftërinjtë katolikë, të përpirë nga ethet e patriotizmit që kishin mbërthyer kombin, përshëndetnin sipas mënyrës hitleriane.

Megjithëse isha vetëm një djalosh 19-vjeçar, premtimet e Hitlerit nuk ndikuan tek unë. Nuk besoja se ndonjë qeveri njerëzore mund të zgjidhte problemet e njerëzimit.

Mësoj të vërtetat biblike

Linda më 19 prill 1919, në Donavic të Austrisë dhe isha fëmija i tretë dhe më i vogli i familjes. Babai ishte një minator i palodhur. Më 1923 ai e çoi familjen tonë në Francë, ku zuri punë në qytetin e minatorëve, Lievë. Bindjet politike e kishin bërë të dyshonte ndaj fesë, kurse mamaja ishte një katolike e përkushtuar. Ajo na mësoi të besonim te Perëndia dhe lutej me ne çdo natë. Me kalimin e kohës, mosbesimi i babait ndaj fesë u bë kaq i madh saqë e ndaloi mamanë të shkonte në kishë.

Në fund të viteve 20 u njohëm me Vincenc Platajsin, që e thërritnim Vinko, një i ri me origjinë jugosllave. Ai kishte lidhje me Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Nuk kaloi shumë kohë dhe një nga Studentët e Biblës filloi të vinte në shtëpinë tonë. Meqë babai e kishte ndaluar mamanë të shkonte në kishë, ajo e pyeti Vinkon nëse Perëndia mund të adhurohej në shtëpi. Ai na tregoi shkrimin te Veprat 17:24, ku thuhet që Perëndia «nuk banon në tempuj të bërë me dorë», dhe shpjegoi se shtëpia ishte një vend i përshtatshëm për ta adhuruar. Ajo mbeti e kënaqur dhe filloi të ndiqte mbledhjet në shtëpitë e Studentëve të Biblës.

Babai kërkoi që ajo t’i jepte fund këtij budallallëku, siç e quante ai. Për të na penguar të shoqëroheshim me Studentët e Biblës, ai këmbënguli që të gjithë të ndiqnim meshën e së dielës. Meqenëse mamaja në mënyrë të patundur nuk pranoi të shkonte, babai këmbënguli që unë të shërbeja si ndihmës i priftit gjatë meshës. Ndonëse i respektoi dëshirat e babait për këtë, mamaja vazhdoi të m’i rrënjoste në mendje dhe në zemër parimet e Biblës e më merrte me vete në mbledhjet e Studentëve të Biblës.

Më 1928 Vinkoja dhe motra ime, Jozefina, ose Pepi siç e thërritnim ne, e simbolizuan kushtimin ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë. Më vonë ata u martuan. Vitin pasues, në Lievë atyre u lindi një vajzë, Fini. Tre vjet më vonë i ftuan të shërbenin në kohë të plotë në Jugosllavi, ku veprës së Dëshmitarëve i ishin vënë kufizime. Pavarësisht nga vështirësitë e shumta, gëzimi dhe zelli që kishin për shërbimin e Jehovait nuk iu mpak. Shembulli i tyre i shkëlqyer rrënjosi tek unë dëshirën për t’u bërë një shërbëtor në kohë të plotë.

Rritem frymësisht

Mjerisht, mospërputhjet midis prindërve bënë që më 1932 të divorcoheshin. U ktheva me mamanë në Austri, kurse vëllai im më i madh, Vilhelmi (Vili), qëndroi në Francë. Pas kësaj, lidhjet me babanë ishin të rralla. Ai mbeti kundërshtar derisa vdiq.

Unë dhe mamaja u vendosëm në Gamlic, një fshat i Austrisë. Meqë nuk kishim afër ndonjë kongregacion, ajo rregullisht shqyrtonte me mua botimet e bazuara në Bibël. Lumturisht, dy herë në muaj, Eduard Vohinci vinte me biçikletë nga Graci për të na inkurajuar frymësisht. Udhëtimi ishte rreth100 kilometra vetëm vajtje.

Më 1938, në fillim të sundimit të Hitlerit gjithë terror, vëlla Vohincin e arrestuan. U pikëlluam kur morëm vesh se e kishin helmuar me gaz në një të ashtuquajtur institut të eutanazisë, në Linc. Besimi i tij i jashtëzakonshëm na forcoi që të vazhdonim t’i shërbenim Jehovait me besnikëri.

1938​—Një vit shkatërrimtar

Më 1935 vepra e Dëshmitarëve në Austri ishte e ndaluar. Në vitin 1938, kur trupat e Hitlerit hynë në Austri, të shkoje në shërbim ishte jashtëzakonisht e rrezikshme. Fqinjët e dinin që unë dhe mamaja ishim Dëshmitarë të Jehovait, prandaj vendosëm të mos binim në sy. Madje unë fillova ta kaloja natën në një hambar, që nazistët të mos më kapnin dot.

Rreth fillimit të vitit 1938 kisha përfunduar arsimin e ulët dhe punoja në një furrë buke. Meqë nuk pranoja të thosha «Hail Hitler» ose të bëhesha anëtar i organizatës «Rinia hitleriane», më pushuan nga puna. Por isha më i vendosur se kurrë për ta simbolizuar kushtimin tim ndaj Perëndisë Jehova me pagëzimin në ujë.

Unë dhe mamaja u pagëzuam më 8 prill 1938. Një natë, bashkë me shtatë të tjerë u mblodhëm në një shtëpizë të veçuar në pyll. Pas fjalimit të pagëzimit, dhjetë minuta njëri pas tjetrit zbritëm nëpër një rrugicë të ngushtë për në lavanderi. Atje u pagëzuam në një koritë prej betoni.

Më 10 prill 1938, që Gjermania të aneksonte Austrinë, u bënë zgjedhje sa për sy e faqe. Thirrja «Votoni për Hitlerin!» shfaqej në afishet e ngjitura në mbarë vendin. Mua dhe mamasë nuk na kërkuan të votonim, meqë kishim mbetur pa shtetësi pas qëndrimit tonë të gjatë në Francë, një rrethanë që më vonë më shpëtoi jetën. Franc Gansteri nga Klagenfurti i Austrisë Jugore na sillte rregullisht kopje të revistës Kulla e Rojës. Në këtë mënyrë mundëm të forcoheshim frymësisht nga Fjala e Perëndisë para se të niste furia e Luftës II Botërore.

Im vëlla, Vili

Vili, që ishte katër vjet më i madh se unë, nuk kishte pasur lidhje me ne që kur u larguam nga Franca, nëntë vjet më parë. Megjithëse mamaja e kishte mësuar sipas Biblës kur ishte fëmijë, ai ishte mashtruar, sepse besonte se programi politik i Hitlerit ishte çelësi për një të ardhme të lavdishme. Në maj të vitit 1940, një gjykatë franceze e kishte dënuar Vilin me 2 vjet burg për veprimtari të paligjshme naziste. Por shpejt e liruan kur trupat gjermane pushtuan Francën. Me atë rast, na dërgoi një kartolinë nga Parisi. U gëzuam kur morëm vesh që ishte gjallë, por u tronditëm kur mësuam se ç’ishte bërë!

Gjatë Luftës II Botërore, për shkak të emrit të mirë që gëzonte te SS-të (Schutzstaffel, garda e zgjedhur e Hitlerit), Vili mund të vinte shpesh për të na takuar. Ai ishte i verbuar nga sukseset ushtarake të Hitlerit. Pothuajse çdo përpjekje që bëja për t’ia drejtuar vëmendjen te shpresa jonë e bazuar në Bibël përfundonte me shprehjen e tij: «Gjepura! Shiko mësymjet që bën Hitleri. Së shpejti, gjermanët do të jenë zotër të botës!»

Në shkurt të vitit 1942, kur Vili ishte në shtëpi me leje, i tregova librin Armiqtë, të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Për habinë time të madhe, e lexoi me një frymë. Filloi të kuptonte se regjimi i Hitlerit do të dështonte. Ai kishte përkrahur një sistem çnjerëzor dhe ishte i vendosur për ta ndrequr këtë gabim pa humbur kohë.

Qëndrimi i Vilit për të vërtetën e Biblës

Muajin pasues, kur Vili erdhi te ne, ishte bërë tjetër njeri. Ai tha: «Anton, kam zgjedhur rrugën e gabuar!»

​—Vili, e kuptove tepër vonë,​—i thashë.

​—Jo,​—m’u përgjigj ai,​—nuk është tepër vonë! Bibla thotë se ‘tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji sa je gjallë’, dhe falë Perëndisë, jam ende gjallë!​—Predikuesi 9:10.

​—Dhe ç’ke ndër mend të bësh?​—e pyeta.

​—Po ja, nuk do të shërbej më si ushtar,​—u përgjigj ai. ​—Dua t’i shkëpus lidhjet me nazistët dhe të shohim se ç’do të ndodhë.

Menjëherë u nis përsëri për në Zagreb të Jugosllavisë, te motra jonë Pepi. Pasi ndoqi për njëfarë kohe mbledhjet e Dëshmitarëve që atje ishin të ndaluara, u pagëzua fshehurazi. Më në fund, djali plëngprishës u kthye!​—Luka 15:11-24.

Për t’u shpëtuar nazistëve në Francë, Vili u orvat të kalonte kufirin dhe të shkonte në Zvicër. Megjithatë policia ushtarake gjermane e arrestoi. E nxorën para gjyqit ushtarak në Berlin dhe më 27 korrik 1942 e dënuan me vdekje për dezertim. Më lanë ta takoja në burgun ushtarak në Tegel të Berlinit. Më çuan në një dhomë të vogël ku pas pak hyri Vili i lidhur me pranga me një roje. Kur e pashë në këtë gjendje m’u mbushën sytë me lot. Nuk ishte e lejuar të përqafoheshim dhe kishim vetëm 20 minuta për t’i dhënë lamtumirën njëri-tjetrit.

Vili m’i vuri re lotët dhe tha: «Anton, pse po qan? Duhet të jesh i lumtur! I jam kaq mirënjohës Jehovait që më ndihmoi ta gjeja përsëri të vërtetën! Nëse do të vdisja për Hitlerin nuk do të kisha asnjë shpresë. Por, po të vdes për Jehovain, jam i sigurt se do të ringjallem dhe do të takohemi përsëri!»

Në letrën e lamtumirës që na kishte dërguar, Vili shkruante: «Perëndia ynë i dashur, të cilit i shërbej, më jep gjithçka që kam nevojë dhe pa dyshim do të më mbështetë deri në fund që unë të qëndroj dhe të dal fitimtar. E përsërit, jini të sigurt që nuk ndiej asnjë keqardhje dhe që i kam qëndruar besnik Zotërisë!»

Vilin e ekzekutuan të nesërmen, më 2 shtator 1942, në burgun e Brandenburgut, afër Berlinit. Ishte 27 vjeç. Shembulli i tij dëshmon se sa i vërtetë është pohimi që thuhet te Filipianëve 4:13: «Për çdo gjë kam forcë në sajë të atij që më jep fuqi.»

Vinkoja, besnik deri në vdekje

Ushtria gjermane marshoi në Jugosllavi në vitin 1941 dhe kështu Pepi dhe burri i saj, Vinkoja, bashkë me vajzën e tyre 12-vjeçare, Finin, u detyruan të ktheheshin në Austri. Deri në atë kohë, shumica e Dëshmitarëve në Austri ishin burgosur ose internuar në kampet e përqendrimit. Meqë ishin pa shtetësi, ose ndryshe jo shtetas gjermanë, motra dhe familja e saj ishin ngarkuar me punë të detyruar në një fermë në Austrinë Jugore, pranë shtëpisë sonë.

Më vonë, më 26 gusht 1943, Gestapoja (policia sekrete naziste) arrestoi Vinkon. Kur Fini u përpoq t’i thoshte të atit lamtumirë, shefi i policisë e goditi kaq fort, saqë e flaku tutje në dhomë. Forcat e Gestapos e morën Vinkon në pyetje shumë herë dhe e rrahën egërsisht. Më pas e çuan në burgun e Shtadelhajmit, në Mynih.

Më 6 tetor 1943, policia më arrestoi në vendin e punës dhe më dërguan edhe mua në burgun e Shtadelhajmit ku ishte Vinkoja. Meqë e flisja rrjedhshëm frëngjishten më morën si përkthyes për robërit e luftës. Gjatë shëtitjeve në oborrin e burgut kisha mundësi të shkëmbeja lajme me Vinkon.

Si përfundim, Vinkon e dënuan me vdekje. E akuzuan se kishte furnizuar me literaturë biblike Dëshmitarët dhe u kishte dhënë ndihmë financiare grave Dëshmitare, bashkëshortët e të cilave ishin në kampet e përqendrimit. Atë e transferuan në afërsi të Berlinit, në të njëjtin burg ku ishte ekzekutuar edhe Vili. Atje, më 9 tetor 1944 i prenë kokën.

Takimi i fundit i Vinkos me familjen e tij ta copëtonte zemrën. Ata e gjetën Vinkon të lidhur me zinxhirë, të rrahur, dhe për shkak të zinxhirëve ai e kishte të vështirë t’i përqafonte. Fini ishte 14 vjeçe kur e pa të atin për herë të fundit. Ajo i kujton ende fjalët e tij të fundit: «Kujdesu për mamin, Fini!»

Pas vdekjes së të atit, Finin e shkëputën nga nëna dhe e çuan në një familje nazistësh, të cilët u përpoqën ta «reformonin». Shpesh e rrihnin egërsisht. Kur trupat ruse hynë në Austri, familja që e kishte keqtrajtuar kaq shumë Finin u pushkatua. Rusët i konsideronin pjesëtarët e asaj familjeje si nazistë me damkë.

Pas luftës, motra ime vazhdoi shërbimin e plotkohor. Ajo shërbeu përkrah burrit të saj të dytë, Hans Fërsterit, në degën e Dëshmitarëve të Jehovait në Zvicër derisa vdiq më 1998. Fini eci në gjurmët e prindërve dhe tani i shërben në Zvicër Perëndisë së vërtetë, Jehovait.

Më në fund liri!

Në fillim të vitit 1945, burgu ynë në Mynih ishte midis ndërtesave që u bombarduan. Qyteti dergjej i rrënuar. Kisha kaluar 18 muaj në burg kur më në fund erdhi dita që do të paraqitesha para një gjyqtari. Kjo ndodhi vetëm dy javë para se lufta të përfundonte zyrtarisht më 8 maj 1945. Gjatë seancës më pyetën: «A je i gatshëm të kryesh shërbimin ushtarak?»

«Nuk lejohet që një i burgosur të veshë uniformë ose të thotë ‘Hail Hitler’ »,​—u përgjigja. Kur më pyetën nëse isha i gatshëm të shërbeja në ushtrinë gjermane thashë: «Ju lutem, më jepni dokumentet e thirrjes nën armë dhe pastaj do t’ju them vendimin tim.»

Pas disa ditësh, lufta mbaroi dhe më thanë se isha i lirë. Pak pas kësaj, u transferova në Grac, ku kishte një kongregacion të vogël me 35 Dëshmitarë. Tani në zonën e Gracit lulëzojnë tetë kongregacione.

Një ndihmëse e dashur

Pak kohë pas mbarimit të luftës, takova Helena Dunstin, një mësuese në moshë të re që kishte qenë anëtare e partisë naziste. Ajo ishte plotësisht e zhgënjyer nga nazizmi. Gjatë bisedës sime të parë me të, më pyeti: «Si ka mundësi që vetëm ju Dëshmitarët e dini se emri i Perëndisë është Jehova, kurse të tjerët jo?»

​—Sepse shumica e njerëzve nuk e shqyrtojnë Biblën,​—iu përgjigja. Pastaj i tregova në Bibël emrin e Perëndisë.

​—Nëse Bibla thotë që emri i Perëndisë është Jehova, atëherë duhet t’ua themi të gjithë njerëzve këtë gjë!​—tha ajo me zë të lartë. Helena filloi të predikonte të vërtetat biblike dhe një vit më vonë e simbolizoi kushtimin e saj ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë. U martuam më 5 qershor 1948.

Më 1 prill 1953 u bëmë shërbëtorë në kohë të plotë. Si rrjedhim, na ftuan të merrnim pjesë në klasën e 31-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit që ndodhej në Lansingun Jugor në shtetin e Nju-Jorkut. Atje, bashkë me studentët e tjerë që vinin nga 64 vende, gëzuam një shoqëri që vërtet të ngrohte zemrën.

Pas diplomimit na caktuan në Austri. Për disa vjet caktimi ynë ishte të vizitonim kongregacionet për t’i forcuar frymësisht. Pastaj na ftuan të shërbenim në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Luksemburg. Më pas, na thanë të transferoheshim në zyrën e degës në Austri, e cila ndodhej në Vjenë. Më 1972, kur shërbenim atje, nisëm të mësonim gjuhën serbo-kroate për t’u dhënë dëshmi shumë emigrantëve jugosllavë që punonin në Vjenë. Tani në Vjenë ka tetë kongregacione në gjuhën serbo-kroate, me njerëz nga pothuajse çdo anë e Evropës!

Më 27 gusht 2001, Helena ra në gjumin e vdekjes. Ajo ishte një ndihmëse dhe shoqe e çmuar dhe e besueshme gjatë 53 vjetëve të martesës sonë të lumtur. Tani shpresa e ringjalljes është edhe më e vyer në zemrën time.

I lumtur në dashurinë e Perëndisë

Pavarësisht nga tragjeditë që kam përjetuar, ndihem i lumtur me shërbimin që bëj në zyrën e degës në Austri. Një privilegj që kam pasur kohët e fundit ka qenë mundësia për të treguar përvojat e mia në ekspozitën «Viktima të harruara të regjimit nazist». Që nga viti 1997, kjo ekspozitë është shfaqur në 70 qytete të Austrisë. Ajo u ka dhënë mundësi të mbijetuarve që kanë parë me sytë e tyre burgjet dhe kampet naziste të përqendrimit të flasin për besimin dhe guximin që treguan të krishterët e vërtetë përballë përndjekjes naziste.

E quaj një privilegj që kam njohur personalisht besnikë të tillë. Ata janë një dëshmi mbresëlënëse e së vërtetës që thuhet te Romakëve 8:38, 39: «As vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat e tanishme, as gjërat që kanë për të ardhur, as fuqitë, as lartësia, as thellësia, as ndonjë krijim tjetër, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Krishtin Jezu, Zotërinë tonë.»

[Figura në faqen 17]

Familja jonë në vitin 1930 (nga e majta në të djathtë): unë, Pepi, babai, Vili, mamaja dhe Vinkoja

[Figura në faqen 18]

Vëllai im, Vili, pak kohë para ekzekutimit

[Figura në faqen 19]

Unë dhe Vinkoja ishim të burgosur në burgun e Shtadelhajmit, në Mynih

[Figurat në faqen 19]

Vajzën e Vinkos, Finin e çuan në një familje të egër nazistësh; ajo vazhdon të jetë besnike edhe sot e kësaj dite

[Figura në faqen 20]

Helena ishte një shoqe e shtrenjtë gjatë 53 vjetëve të martesës sonë

[Figura në faqen 20]

Duke treguar përvoja në ekspozitën «Viktima të harruara të regjimit nazist»