Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një tragjedi shumë e përhapur

Një tragjedi shumë e përhapur

Një tragjedi shumë e përhapur

Eriku * është gjashtëmuajsh. Megjithatë pesha dhe gjatësia e tij janë afërsisht sa ato të një foshnjeje një ose dy muajshe. Por megjithëse është kaq shumë nën peshë, stomaku dhe këmbët e tij janë të fryra, fytyrën e ka të enjtur e të rrumbullakët. Është i zbehtë, flokët i ka të dobët e pa shkëlqim dhe ka dëmtime në lëkurë. Duket tepër i acaruar. Kur mjeku i viziton sytë, duhet të ketë shumë kujdes, pasi indi i syrit të Erikut mund të çahej lehtë. Ka mundësi që zhvillimi i tij mendor të jetë ngadalësuar. Mjerisht, ai nuk është aspak fëmija i vetëm që ndodhet në këtë gjendje.

«AJO është përfshirë në më shumë se gjysmën e të gjitha vdekjeve të fëmijëve përreth botës. Që nga koha e murtajës, numri i vdekjeve të shkaktuara nga çdo lloj sëmundjeje ngjitëse as që mund të krahasohet me këtë shifër. Por nuk është sëmundje ngjitëse. Pasojat e saj shkatërrimtare shtrihen te miliona të mbijetuar, shëndeti i të cilëve është dëmtuar shumë. Prandaj sëmuren vazhdimisht dhe kanë zhvillim mendor të vonuar. Vë në rrezik gra, familje dhe si përfundim, mbijetesën e shoqërive të tëra.»​—Shteti i Fëmijëve të Botës, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët.

Cilën sëmundje përshkruajnë këto fjalë? Të ushqyerit e keq dhe në veçanti, të ushqyerit e varfër në proteina dhe në kalori, të cilën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka quajtur «urgjenca e heshtur». Sa e përhapur është kjo tragjedi? OBSH-ja deklaron se «ajo luan një rol në vdekjen e të paktën gjysmës së 10,4 milionë fëmijëve çdo vit».

Të ushqyerit e keq përfshin një shumëllojshmëri sëmundjesh, duke filluar nga të ushqyerit e pamjaftueshëm për shkak të mungesës së një ose më shumë lëndëve ushqyese të tilla si vitaminat dhe kripërat minerale, e deri te dhjamosja dhe sëmundje të tjera kronike që lidhen me mënyrën e të ushqyerit. Megjithatë, sipas OBSH-së të ushqyerit e varfër në proteina dhe në kalori «është patjetër forma më vdekjeprurëse e të ushqyerit të keq». Viktimat e tij janë kryesisht fëmijët nën moshën pesëvjeçare.

Mendoni një çast për Erikun që përmendëm në fillim dhe për miliona fëmijë që vuajnë nga të ushqyerit e keq. Ata nuk janë fajtorë për gjendjen e tyre dhe as nuk mund të dalin vetë prej saj. Një dietologe pediatre, Xhorxhina Tusaint, tha për revistën Zgjohuni!: «Ata që vuajnë dhe e paguajnë janë më të pafajshmit e megjithatë, janë edhe më të pambrojturit.»

Disa mund të thonë se problemi është i pashmangshëm, sepse thjesht nuk ka ushqim të mjaftueshëm për të gjithë. Por është diçka paradoksale, sepse sipas OBSH-së, «sot jetojmë në një botë ku ka bollëk». Në tokë ka ushqim të mjaftueshëm për të gjithë dhe madje edhe për më shumë njerëz. Përveç kësaj, të ushqyerit e keq është sëmundja më e lehtë për t’u parandaluar dhe sëmundja që kushton më pak për t’u kuruar. A nuk mbushemi me zemërim kur dëgjojmë këto fakte?

Cilët preken nga ai?

Të ushqyerit e keq nuk prek vetëm fëmijët. Sipas një raporti të OBSH-së, bërë në korrik 2001, «pasojat e mjerueshme të të ushqyerit të keq janë të përhapura; prej tij preken afërsisht 800 milionë njerëz, pra, 20 për qind e të gjithë popullsisë së vendeve në zhvillim». Kjo do të thotë që në botë 1 në çdo 8 veta vuan nga ai.

Megjithëse numri më i madh i njerëzve që vuajnë nga të ushqyerit e pamjaftueshëm gjendet në Azi dhe sidomos në zonat jugore dhe qendrore të saj, popullsinë me përqindjen më të lartë të njerëzve të kequshqyer e ka Afrika. Lista vazhdon me disa vende në zhvillim të Amerikës Latine dhe të Karaibeve.

A janë vendet e zhvilluara të paprekura nga problemi i të ushqyerit të keq? Jo. Sipas The State of Food Insecurity in the World 2001 (Gjendja e pasigurisë për ushqimin në botë për vitin 2001), 11 milionë njerëz në vendet e industrializuara vuajnë nga të ushqyerit e keq. Gjithashtu, 27 milionë të tjerë jetojnë në vendet që po kalojnë një periudhë tranzicioni, sidomos në ato të Evropës Lindore dhe në republikat e ish-Bashkimit Sovjetik.

Pse është bërë një problem kaq i rëndë të ushqyerit e keq? A ka ndonjë gjë që mund ta përmirësojë që tani gjendjen e atyre që vuajnë nga të ushqyerit e keq? A do të çlirohet ndonjëherë planeti ynë nga problemi i të ushqyerit të keq? Artikujt vijues do t’u përgjigjen këtyre pyetjeve.

[Shënimi]

^ par. 2 Nuk është përdorur emri i vërtetë.

[Tabela dhe harta në faqen 4]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

VENDE, POPULLSIA E TË CILAVE RREZIKOHET NGA TË USHQYERIT E KEQ

RREZIKSHMËRI E LARTË

RREZIKSHMËRI MESATARE

RREZIKSHMËRI E ULËT

NUK RREZIKOJNË OSE NUK KA TË DHËNA TË PLOTA

[Figura në faqen 3]

Duke pritur furnizimet me ndihma në Sudan

[Burimi]

UN/DPI Fotografi nga Eskinder Debebe